“Një presidencë që shkel parimet e organizatës Shqipëri/OSBE 2020: kronikë e një...

“Një presidencë që shkel parimet e organizatës Shqipëri/OSBE 2020: kronikë e një dështimi të parashikueshëm”

81
0
Shares

Nga Genc Pollo

Javën e shkuar, një gazetë zvicerane përshkruante në detaje krizën e posteve drejtuese në Organizatën e Sigurimit e të Bashkëpunimit në Europë (OSBE) duke filluar nga Sekretari i Përgjithshëm (deri tashti zviceran), drejtori i ODIHRit, Përfaqësuesi për Lirinë e Medias etj. Vendimmarrja për to bëhet me unanimitet nga shtetet anëtare.

Riemërimi i titullarëve ekzistues, i propozuar nga Shqipëria, e cila mban presidencën e radhës, ishte bllokuar fillimisht nga disa shtete aziatiko-qëndrore që kishin rezerva për këta persona. Më pas kriza nuk u zgjidh, dhe disa shtete perëndimore, për arsye të tjera, shprehën votën kundër riemërimit. Gazeta theksonte se në raste të tilla presidenca e radhës angazhohej me shtetet anëtare për gjetjen e kompromisit, por në rastin e Shqipërisë me resurset të pakta diplomatike kjo nuk mund të pritej; si përfundim propozimi i presidencës dështoi. Po javën e kaluar Suedia paraqiti prioritetet e saj për presidencën e radhës së OSBE-së, të cilën ajo e merr në 1 janar 2021. Nëse ky anunçim gjashtë muaj më parë, pra i hershëm në një masë të pazakontë, lidhet me planifikimin afatgjatë e stabil që është tipik për europianoveriorët, apo me ndonjë padurim ndaj presidencës shqiptare, kjo është e paqartë dhe analistët nuk po arrijnë dot konsensus.

Prej shumë kohësh, OSBE nxit shtete anëtare jo të mëdhenj që të marrin përsipër presidencën e radhës me synimin pozitiv që të nxisë përgjegjësinë e përvojën ndërkombëtare të tyre edhe duke patur parasysh disavantazhin e resurseve të kufizuara, siç u shpjegua më lart.
Në vitin 2015, presidencën e radhës e kishte Serbia. Por Beogradit i u bë paraprakisht e qartë se nuk do të përzihej me shtetet e ish-Jugosllavisë dhe Zvicra u caktua si njëlloj “shoqëruese e presidencës”: një formulë sui generis e menduar si fren emergjence. Konsiderata të ngjashme e ideja e ballancës rajonale, mund të kenë ndikuar që Shqipëria të marrë presidencën e rradhës për vitin 2020. Funksione të tilla e rrisin vizibilitetin shtetit kryesues, si dhe kur menaxhohen suksesshëm ato e rrisin prestigjin e reputacionin e tij. Për këtë arsye lipset të theksohet që në krye të herës se mundësi të tilla duhet të përkrahen nga të tërë; përfshi këtu edhe opozitën politike, pavarësisht se partia në pushtet mund të nxjerrë përfitime propagandistike duke pozuar në samite ndërkombëtare. Shpresoj kështu të jetë ndjerë opozita e vitit 2012 kur Shqipëria mbante presidencën e Këshillit të Europës. Apo në të ardhmen kur, me fat e punë, vendi ynë mund të bëhet anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sa e sukseshme është një presidencë e tillë, kjo si rregull matet me përmbushjen e prioriteteve që ajo i vë vetes. Prioritetet e presidencës shqiptare të OSBE-së u shpallën në Bratislavë në 6 dhjetor te vitit të kaluar nga Ministri i Punëve të Jashtëme i Republikës së Shqipërisë Edi Rama (nuk është lapsus! Ministër i Punëve të Jashtëme në Tiranë me dekret presidencial e votëbesim parlamentar është vetë kryeminstri. Ai tjetri që paraqitet si ministër në detyrë është thjesht zëvendësministë!). Aty Edi Rama e “mori në dorëzim” presidencën nga Miroslav Lajčak, homologu i Sllovakisë që po mbyllte presidencën e 2019. Ministri i Punëve të Jashtme i shtetit që mban presidencën është edhe “chairman in office” apo kryetar në detyrë i organizatës. Në Bratislavë, Edi Rama përcaktoi katër prioritete për presidencën shqiptare: 1-promovimin e grave; 2-luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore; 3-zgjidhja e konfliktit në Ukrainë; 4-lufta kundër korrupsionit.
Nuk di se çfarë ka bërë OSBE-ja këto gjashtë muaj për promovimin e grave e për të luftuar trafikun. Nuk kam parë ndonjë raport madje as lajm për këtë. Në të kundërt dimë që lufta me armë në Ukrainën lindore ka vijuar, e para pak ditësh rebelët separatistë pro rusë në Donbas njoftuan se rrëzuan një avion ushtarak ukrainas. Por do të ishte ekzagjerim të mbajmë presidencën përgjegjëse për gjendjen aty dhe t’a quajmë dështim të Ramës: proçesi i paqes në Donbas udhëhiqet nga shtete të mëdha europiane dhe nuk ka arritur ende normalitet e paqe. Thjesht mund të themi se prioriteti ukraians ishte rutinë e organizatës; mbase edhe një fije megalomanie nga z. Rama. Me prioritetin e katërt, luftën kundër korrupsionit, druaj se presidenca shqiptare ka bërë një gafë. Jo se pritej që ajo mund të bënte më shumë se me gratë e me trafikun në rang organizate: OSBE nuk ka mandat e mjete për të luftuar efektivisht korrupsionin në shtetet anëtare. Por presidenca e radhës udhëheq kryesisht përmes shembullit vetjak e pastaj me propagandimin e praktikave të mira. Dhe këtu qeveria Rama ka një problem serioz, mbasi të gjithë raportet ndërkombëtare mbi Shqipërinë referojnë në vitet e fundit përkeqsim të përshpejtuar të korrupsionit qeveritar. Sikur të mos mjaftonte kjo, presidenca Rama organizoi në 6 e 7 korrik një konferencë të madhe anti-korrupsion ku kryeministri shqiptar në videopërshëndetjen e tij theksoi pa mëdyshje se “lufta kundër korrupsionit varet nga vullneti politik”. Vras mendjen pse në foton zyrtare të OSBE-së të gjithë pothuaj kanë ulur kokën e shohin diçka në dysheme. A mos kanë dëgjuar se chairman in office pikërisht pak ditë më parë njoftoi ndërtimin e një autostrade me PPP ku kilometri kushtonte 6 herë më shtrenjtë se normalja? Apo perceptimi im është sendërgji opozitari? Por edhe një dashamirës i presidencës nisur nga përmbushja e prioriteteteve do e kishte shumë siklet të fliste për sukses.

Veç realizmit të prioriteteve një matje më modeste e suksesit të presidencës do të ishte respektimi nga ajo i normave e rregullave të organizatës. Mbasi kur është e vështirë të japësh shembullin e mirë të paktën mos jep shembullin e keq.
Por fatkeqsisht, më duhet të them, se këtu qëndron dështimi kryesor i qeverisë Rama si presidencë e OSBE-së. Paketa antifjalë u miratua me propozimin e mbështetjen deri të fund të kryeministrit megjithë kundërshtimin publik të vazhdueshëm nga Përfaqësuesi për Lirinë e Medias të OSBE, Harlem Desir përmes raporteve, deklaratave e twitterit. Po ashtu amendimet e njëanshme kushtetuese që deformojnë reformën zgjedhore u kundërshtuan në Komisionin e Ligjeve në Kuvend po nga përfaqësuesi i OSBE. I paimpresionuar Komisioni i miratoi unanimisht amendimet.
Nuk ishte parë e dëgjuar ndonjëherë në OSBE që presidenca e radhës të kritikohej nga organet e OSBE-së për shkelje të parimve e normave demokratike të vetë organizatës e që presidenca e radhës ka detyrë t’i mbrojë e t’i promovojë. Dhe deri sivjet ishte përtej imagjinatës që presidenca e kritikuar të refuzonte me të parën rekomandimet specifike të organeve të OSBE-së. Deri më sot, janë katër shtete anëtarë me të shkuar komuniste, e që konsiderohen si “demokraci jo plotësisht të konsoliduara”, që kanë mbajtur presidencën e rradhës. Ato janë Kazakistani (2010), Lituania (2011), Serbia (2015) dhe Shqipëria sivjet. Kazakistani mbase nuk i përmbush ende disa kritere formale të demokracisë, të cilat vendi ynë i ka përmbushur në tridhjetë vite, mbasi la pas parlamentin e komitetet ekzekutive njëpartiake. Por, asnjë nga këto tre shtete gjatë dymbëdhjetë muajve të presidencës së tyre nuk shkelën parimet e normat e OSBE-së, kur u duhej të ishin “shembullorë” për të gjithë të tjerët.
Dëmi që i është bërë reputacionit të Shqipërisë është shumë më i madh, dhe me sa duket dhe riparimi do të duhet të bëhet nga qeveritë pasardhëse. Vetëm ndonjë optimist i paepur, e panglosian mund të shpresojë se riparimi mund të fillojë në gjashtëmujorin e dytë të presidencës 2020. Ndërkohë Suedia i shpalli prioritetet e saj. Për më tepër burimet sinjalizojnë se Stockholmi po përgatitet të negociojë vitin tjetër emërimet në postet drejtuese. Kryetari i radhës i këtij viti duket shumë i hallakatur, e zor se e kryen këtë punë në gjashtëmujorin e dytë.
Dëmi që presidenca Rama i ka bërë reputacionit të OSBE-së mbetet për një shënim tjetër.

/DRONI.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY