Qeveria ‘manipuloi’ bilancin e ndihmave gjate izolimit te pandemise

Qeveria ‘manipuloi’ bilancin e ndihmave gjate izolimit te pandemise

130
0
Shares

Nga Anila Hoxha, Esmeralda Keta /Birn

Hatixhe Sula po kujdesej për të bijën tetraplegjike në kohën kur kamionët e ushtrisë zbarkuan pranë kampit të kontenierëve në Manzë – rreth 16 kilometra në veri të Durrësit, për të shpërndarë pakot me ushqime si pjesë e operacionit humanitar për familjet në nevojë gjatë pandemisë së COVID-19.

Me të mësuar lajmin, gruaja rreth të 70-ave vrapoi bashkë me të shoqin drejt kampit, por mbeti duarbosh.

“Megjithëse nxituam, nuk morëm asgjë. Jemi dy pleq me një vajzë të sëmurë. Kujt më shumë sesa ne i takonte?” pyet e zhgënjyer Hatixhja.

Me shtëpinë e rrënuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe me vajzën me aftësi të kufizuara, familja e Hatixhe Sulës përmbush njëherazi tre nga pesë kriteret e programit të asistencës gjatë kohës së karantinës. E megjithatë, e moshuara u ankua se askush nuk e njoftoi për ndihmat dhe askush nuk mbajti shënim se “kush përfitoi e kush jo”.

Pas izolimit të vendit nga pandemia e COVID-19, kryeministri Edi Rama prezantoi më 19 mars një program asistence për familjet në nevojë, duke vendosur në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes 16 milionë euro për operacionet humanitare.

Përveç familjeve në ndihmë ekonomike, pjesë e programit të asistencës u bënë edhe personat me aftësi të kufizuar, pensionistët, të pastrehët dhe familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Nuk do të lemë derë pa trokitur,” premtoi Rama, ndërsa postoi me dhjetra foto e video në faqen e tij në Facebook nga operacioni i shpërndarjes së pakove me ushqime nga forcat e Ushtrisë.

E megjithatë, dhjetëra familje në nevojë i thanë BIRN se u braktisën në kufijtë e mbijetesës ose morën paketa ushqimore që nuk zgjatën as dy javë –të pamjaftueshme për të shuar urinë përgjatë dy muajve të izolimit nga pandemia.

Në përpjekje për të verifikuar numrin e familjeve në nevojë që u asistuan me paketa ushqimore gjatë karantinës, BIRN u përball me kakofoni shifrash, ndërsa krahasoi raportimet e kryeministrit Edi Rama në faqen e tij në Facebook me të dhënat e siguruara nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga 61 bashkitë e vendit.

Nga marsi deri në fund të majit, Rama raportoi për mbi 400 mijë familje dhe individë të asistuar nga operacioni humanitar, ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes deklaron se vetëm  gjysma e tyre –rreth 226 mijë familje u ndihmuan me paketa ushqimore dhe jo-ushqimore falas.

Të dhënat e mbledhura përmes kërkesave për të drejtë informimi nga 12 prefekturat e vendit ofrojnë një bilanc edhe më të zbehtë.

BIRN llogariti se në të gjithë territorin e Shqipërisë u shpërndanë rreth 173 mijë paketa ushqimore falas në total, ku një pjesë e mirë e tyre u mblodhën si donacione nga shoqatat dhe kompanitë e biznesit.

Gjithashtu, qeveria rezulton të jetë operatori më i vogël në këtë operacion, ndonëse i monopolizoi shifrat në reklamimin e solidaritetit të saj me shtresat në nevojë.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se ndihma direkte nga Rezervat e Shtetit zuri vetëm 12% të totalit të raportuar nga Ministria dhe rreth 11% të totalit të raportuar nga Bashkitë. Në të dyja rastet, ndihma direkte e qeverisë është më pak se gjysma e pakove ushqimore të mbledhura nga donacionet.

I pyetur nga BIRN për mospërputhjen e shifrave, një zyrtar i Forcave të Armatosura që foli në emër të Ministrisë së Mbrojtjes tha se raportimet e kryeministrit nuk përfshijnë vetëm ndihmat falas.

“Kryeministri në informimet ditore ka përfshirë çdo lloj asistence që u është dhënë shtresave në nevojë, përfshi edhe shpërndarjen e medikamenteve dhe pakove ushqimore me pagesë,” tha koloneli, i cili nuk pranoi të identifikohej me emër.

Ministria e Mbrojtjes pranoi gjithashtu se pjesë e raportimeve janë bërë edhe donacionet, por ky konsiderohet një “skandal” nga ekspertët e kontaktuar nga BIRN.

“Nëse ka ndodhur kjo, atëherë kemi të bëjmë me një mashtrim qeveritar dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndë,” tha Sherif Bundo, pedagog në Fakultetin Ekonomik në Tiranë.

“Kjo ka të bëjë me sjelljen solidare të shoqërisë dhe jo me fytyrën sociale të qeverisë,” shtoi ai.

Ministria e Mbrojtjes nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN se pse donacionet nuk u raportuan më vete, deri në publikimin e këtij shkrimi.

Tender urgjent me magazinat plot

Përmes një vendimi më 19 mars, qeveria mori pësipër të asistonte familjet në nevojë gjatë izolimit nga pandemia, duke dërguar në shtëpitë e tyre pagesat mujore të ndihmës ekonomike, paketat ushqimore dhe jo-ushqimore minimale, barnat e rimbursueshme si dhe ato me pagesë.

Një Komision Qendror për Ofrimin e Asistencës u ngrit gjithashtu, i kryesuar nga ministja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Një nga detyrat ishte përcaktimi i masës së produkteve ushqimore dhe jo-ushqimore që do t’u shpërndahej familjeve në nevojë.

Në të njëjtën ditë me vendimin e qeverisë, Ministria e Mbrojtjes hapi një tender me procedurë të përshpejtuar me vlerë 105.7 milionë lekë [800 mijë euro] për blerjen e paketave ushqimore dhe përzgjodhi përmes negocimit të drejtpërdrejtë, kompaninë maqedonase “Eurovia”.

Megjithatë, në kohën kur Ministria e Mbrojtjes po zhvillonte tenderin me urgjencë për blerjen e produkteve ushqimore, magazinat e Rezervave të Shtetit në Lundër ishin plot.

Një dokument i siguruar nga BIRN tregon se në fillim të pandemisë gjendeshin të magazinuara në Lundër 400 ton miell, 80 ton oriz, 80 ton sheqer, 70 ton makarona, 50 ton vaj, 50 ton fasule, 20 ton konserva mishi, 5 ton kripë, 30 ton detergjentë dhe 30 mijë copë sapunë.

Pas fitimit të tenderit, kompania “Eurovia” dorëzoi 30 mijë pako ushqimore, por ato nuk iu shpërndanë menjëherë shtresave në nevojë.

Sipas zyrtarit të Ministrisë së Mbrojtjes që ndoqi të gjithë zinxhirin e operacionit humanitar, pakot ushqimore të tenderit u magazinuan si fond rezervë në Lundër, ndërsa forcat e Ushtrisë shpërndanë produktet ushqimore që ndodheshin aty më herët.

Tenderi i ushqimeve është pjesë e një hetimi të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, pas denoncimit të bërë nga Partia Demokratike në opozitë për paracaktimin e fituesit. Ish-drejtuesi i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi sheh shkelje ligjore edhe për mbajtjen e tij si fond rezervë.

“Ky është një fond i dhënë me tender të përshpejtuar, pa procedurë, pa garë, me qëllim që të shkojë urgjentisht tek familjet në nevojë. Nuk lejohet të mbahen rezervë. Nëse nuk ka shkuar drejtpërdrejt në destinacion, atëherë është e qartë se gjithë ngutja se si u zhvillua tenderi është e dyshimtë,” tha Prençi.

Mospërputhje u gjetën edhe për produktet e përfshira në pakot e shpërndara, pavarësisht vendimit për të shpërndarë pako të standardizuara.

Ministria e Mbrojtjes i vuri në dispozicion BIRN paketën minimale ushqimore të miratuar nga Komisioni Qendror për Ofrimin e Asistencës. Ajo është e ndryshme nga paketa e publikuar nga kryeministri Rama, por edhe nga pakot e verifikuara në terren nga BIRN.

Me një peshë prej gati 20 kilogramësh, paketa është vlerësuar me një çmim prej 4264 lekësh dhe përmban 3.5 kilogramë makarona, 3 litra vaj dhe 3 kilogramë oriz, 2 kilogramë sheqer dhe po aq fasule, 1 kilogramë kripë, 1.2 kilogramë konserva, 2.5 litra detergjentë dhe 5 copë sapunë.

Pakos i mungoi thesi prej 25 kg miell i premtuar nga kreu i qeverisë, i cili u kompensua me 2 kilogramë hurma arabie, të ofruara si donacion nga Mbretëria e Arabisë Saudite.

Ekspertët e ekonomisë llogarisin se çmimet për njësi të produkteve të dala nga magazinat e Rezervave të Shtetit në Lundër janë më të larta se ato që gjenden në rrjetin e hapur të supermarketeve.

Ata kritikuan gjithashtu mungesën e madhe të miellit –e cila barazohet nga shtresat në nevojë me “bukën e gojës”.

“Po të marrim në konsideratë edhe cilësinë e artikujve [artikujt e shpërndarë kanë qenë ndër artikujt me cilësinë më të ulët në treg], të verifikuara këto edhe nga kontaktet e drejtëpërdrejta me përfitues të këtyre artikujve, çmimet rezultojnë të jenë 15-20 % më të larta,” tha pedagogu Bundo.

Çmimet sipas Bundos mund të konsiderohen “jashtëzakonisht të larta” nëse produktet e ndihmave janë përjashtuar edhe nga regjimi i TVSH-së.

Arben Malaj, ish-ministër i Financave në vitet 2000 dhe profesor në Fakultetin Ekonomik i tha BIRN se eleminimi i miellit nga një pako e ndihmës humanitare është e pajustifikuar.

“Të shpërndash hurma arabike dhe të mos shpërndash miell apo të reduktosh sasinë e mallrave të tjera të dorës së parë është jo-efikase dhe lë shteg për abuzime,” theksoi Malaj.

Edhe ish-shefi i emergjencave civile, Shemsi Prençi e konsideron ‘cinike’ futjen e hurmave në paketën e ndihmës, ndërkohë që është hequr mielli – e konsideruar prej tij si “buka e thatë e familjeve në nevojë”.

“Unë nuk di të ketë patur hurma arabie në vendimin për përbërjen e pakos. Me cinizëm dhe dashakeqësi, autoritetet e kanë futur donacionin e hurmës në paketën ushqimore, pasi në këtë mënyrë rrisin peshën fiktivisht,” tha ai.

Duke iu referuar një raporti konfidencial, Prençi i tha BIRN se emergjencat civile kanë shpërndarë vetëm 1280 thasë miell deri në fund të majit.

“Kjo është shifra më e ulët në historinë e emergjencave civile në rast fatkeqësie, megjithëse ajo ka qenë e shtrirë në kohë dhe në izolim total,” shtoi Prençi.

“Mora pakon, por jo bukën” 

Një studim i World Vision Albania me të dhëna të mbledhura nga 1200 familje kryesisht nga zonat rurale tregon se një 76% e tyre nuk i përmbushën nevojat për ushqim gjatë izolimit të shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Studimi tregon gjithashtu se mbi 70% e tyre kërkuan ndihmë për pako ushqimore, si mënyra e vetme për t’i shpëtuar urisë.

Në kampin e kontenierëve në Manzë të Durrësit, 65-vjeçarja Behare Përleka është ndër të paktët që nuk e ka prekur ende pakon ushqimore që mori si ndihmë nga Ushtria. Kutinë me logon e Rezervave Materiale të Shtetit ajo e mban në katin e dytë të një krevati marinar.

“Nëntë pako makarona, tre kile sheqer, 3 oriz, 2 salca, 3 litra vaj dhe një kile kripë dhe një pako kadaif,” numëron gruaja, duke nxjerrë njëri pas tjetrit nga kutia e kartonit produktet e markës “King”.

Si shumë banorë të tjerë, edhe Beharja mohoi të kishte përfituar miell, si në paketën e shpërndarë nga Ushtria, ashtu edhe më vonë. Ndërsa fqinja e saj, Hasime Doda u ankua se qeveria i kishte sjellë pakon, por jo ‘bukën’.

“Sollën ushqime të gatshme, por jo bukën e gojës. Çfarë mund të bëja unë me atë pako, nuk na dolën as për dhjetë ditë. Nuk i pamë më të vijnë…,” thotë gruaja, pjesë e një familjeje me nëntë anëtarë.

Ndryshe nga kampi i kontenierëve në Manzë, në fshatin Cakran të Fierit, forcat e Ushtrisë u kthyen për të dytën herë gjatë pandemisë. Por produktet brenda pakove ndryshuan nga njëra herë në tjetrën.

Njëra prej banoreve, e prezantuar me emrin Sose i tha BIRN se mielli mungonte në pakon e parë, por u shtua në masën e 3.7 kilogramëve në pakon e dytë.

“Por tek kjo e dyta nuk ishin as hurmat dhe as sapunët,“ rrëfen gruaja, ndërsa këmbëngul se gjithsesi këto ndihma ishin të pamjaftueshme për të përballuar nevojat e familjes së saj.

Në Tiranë, Besiko Gjypi, 32-vjeç falenderon Kishën që nuk e harroi familjen e saj prej 7 anëtarësh. Nëna e 4 fëmijëve shtoi gjithashtu se pakoja që mori nga njësia bashkiake nuk mjaftoi as për një javë.

“Falenderoj kishën, ata po, sa herë kemi patur nevojë, nuk na kanë lënë të provojmë urinë,” tha gruaja për BIRN.

Në Manzë, mirënjohjes për institucionet fetare i është shtuar edhe kampi i muxhahedinëve të MEK –që sipas banorëve u është gjendur pranë jo vetëm në fatkeqësinë e tërmetit.

“Muxhahedinët erdhën për Bajram dhe çfarë nuk kanë sjellë, por jo vetëm për Bajram. Ata dhe prifti i zonës, që na solli krevatë, dyshekë, batanije…na kanë mbajtur gjallë. Atyre po që u jemi falenderues,” tha një banore.

Të përjashtuar nga ndihmat e qeverisë apo të bashkisë ndjehen edhe anëtarët e komunitetit rom në Shqipëri, të cilët organizuan një valë protestash në ditët e para të karantinës. Romina Sefa dhe Brisilda Taçi, të dyja aktiviste të komunitetit rom u ankuan se qindra pjestarë të këtij komuniteti mbetën pas liste.

“Ne punojmë ngushtë me komunitetin dhe shumë prej tyre vinin e ankoheshin se nuk kishin marrë ndihma. Menjëherë ne vinim në dijeni njësinë bashkiake dhe vetëm pas këmbënguljes sonë, ato viheshin në lëvizje,” tha Sefa.

Në zonën e Laprakës në hyrje të Tiranës, Valbona Rruqe shpërthen në ankesa sapo e pyet nëse përfitoi ndihma gjatë pandemisë. Nëna e katër fëmijëve, anëtare e komunitetit rom e siguron mbijetesën përmes mbledhjes së materialeve të riciklueshme, aktivitet i cili u ndalua tërësisht gjatë javëve të karantinës.

“Kam shkuar në njësinë administrative numër 11 dhe askush nuk më mori në konsideratë, nuk patëm asnjë lloj ndihme. Nuk e di se si jemi akoma gjallë,“ tha Rruqe e irrituar.

Hendeku i shifrave

Ankesat e banorëve bien në kontrast me bilancin e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila numëron qindra mijëra familje të ndihmuara gjatë pandemisë së COVID-19. Në përgjigjen që Ministria i solli BIRN, operacioni humanitar mbuloi rreth 1 milion pensione të shpërndara “derë më derë”, 226 mijë familje që përfituan paketat ushqimore dhe jo-ushqimore falas si dhe 60 mijë familje që u shërbyen me produkte me pagesë.

Rreth 100 mijë familje të tjera, sipas Ministrisë së Mbrojtjes ishin asistuar me barna të rimbursueshme ose me pagesë, pagesën e aftësisë së kufizuar e deri tek informimi dhe konsulenca.

Megjithatë, ndihmat direkte nga magazinat e Rezervave të Shtetit në Lundër kanë qenë minimale. Sipas zyrtarëve të Ministrisë, u shpërndanë 22 369 pako deri në fund të majit dhe pas një VKM-je të dytë më 1 qershor, u shpërndanë edhe 6480 pako të tjera.

Ndihmat nga Rezervat e Shtetit janë disa herë më të vogla se pakot ushqimore të shpërndara nga 61 bashkitë e vendit –ku bëjnë pjesë edhe donacionet.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi nga 12 prefekturat tregojnë se barrën kryesore të asistencës së shtesave në nevojë e mbajti pushteti vendor me 73 mijë e 588 paketa ushqimore të shpërndara në të gjithë territorin nga rreth 173 mijë gjithsej.

Donacionet e vendosura në dispozicion të bashkive nga shoqatat, bizneset dhe individët renditen në vend të dytë me 62 994 paketa ushqimore në dobi të shtresave në nevojë. Deri në fund të majit, donacionet rezultojnë të jenë më shumë se dyfishi i pakove të shpërndara nga Rezervat e Shtetit.

Zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes pretendojnë se paketat e shpërndara nga Rezervat e Shtetit nuk janë kontributi i vetëm i qeverisë.

“Mund të duket një shifër e vogël nëse i referohemi vetëm pakove të shpërndara nga Rezervat e Shtetit, por vërtet në terren është bërë një punë e madhe. Pjesë e ndihmës së qeverisë janë edhe të gjitha paketat e shpërndara nga pushteti lokal, pasi fondet u janë dhënë nga qeveria,” tha zyrtari i Mbrojtjes.

Ish-kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi e kundërshton këtë ide, ndërsa vlerëson se kostot operacionale ishin më të larta sesa vetë operacioni humanitar. Sipas Prençit, edhe fondet e bashkive kanë qenë të pamjaftueshme.

“Bashkitë kanë një fond të pamjaftueshëm për numrin e familjeve të varfra që kanë, ndaj dhe i shtrinë dorën kishës, xhamisë dhe kompanive private,” tha ai.

Sipas Arben Malajt, keqpërdorimi i shifrave nuk është i paqëllimtë.

“Keqpërdorimi i shifrave bëhet për dy arsye; e para që të mos duket rënia e besimit tek qeveria, sepse donacionet janë rreth dy herë më të mëdha për këto grupe sociale, dhe e dyta mund të keqpërdoren numrat e ngatërruar jo pa vetëdije për të ushqyer skema korruptive…,” tha ai për BIRN.

Malaj shpjegoi gjithashtu se vendet u lejuan që të rrisin deficitin dhe borxhin për të mos braktisur të papunët, të varfrit dhe bizneset, por shpërndarja e ndihmave vetëm për dy javë krijoi sipas tij kosto të mëdha njerëzore.

“Si mundet në një krize disa mujore, qeveria asiston vetëm për dy javë të papunët dhe të varfrit? Kjo ështe braktisje, dëmton rëndë shtresat në nevojë, por edhe kredibilitietin publik të qeverive,” shtoi më tej Malaj.

Pedagogu Sherif Bundo thekson se pati një shpërndarje disporpocionale të ndihmave në territor dhe se solidariteti qeveritar mungoi sipas tij në periferi apo zonat e thella.

“Strukturat qeveritare dhe veçanërisht ato të bashkisë së Tiranës e përdorën abuzivisht përdorimin e fondeve publike për efekte më shumë politike dhe promocionale. Në se këto fonde do tju ishin besuar si donacion qeveritar ndonjë subjekti bamirës, jam i bindur se efiçenca e përdorimit të tyre do kishte qënë më e lartë,” tha ai.

Megjithatë, Bundo mendon se nga kjo krizë doli edhe një mësim i mirë.

“E vetmja gjë që shërben si mësim i mirë i nxjerrë nga kjo pandemi, është fakti se strukturat qeveritare mësuan numrin e përafërt të shtresave në nevojë,” përfundoi ai.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY