Vajza, letra e dhimbshme për babain e saj, policin dëshmor Azem Meshi

Vajza, letra e dhimbshme për babain e saj, policin dëshmor Azem Meshi

268
0
Shares

Shkruan Greta Meshi, vajza e policit nga Hasi, Azem MESHI, “Dëshmor i Atdheut”, vrarë nga nje bandë kriminale në qershor 1999 në Tiranë

Gjithmonë e kam pasur të vështirë të flas për babain tim. Ndoshta sepse jam një person që nuk mund t’i shpreh ndjenjat lehtë. Nuk arrij të kujtoj asgjë nga ai; nuk kujtoj dot tingullin e zërit të tij, mënyrën si qeshte, gëzimin që unë provoja kur ai më përqafonte.. nuk kujtoj dot asgjë.

Të gjithë më thonë se ishte njeri i mirë, i dashur, bënte shumë për të tjerët; dhe unë do të doja shumë ta kisha njohur këtë pjesë të tij.

“Çdo mbrëmje kur kthehej nga puna të sillte çokollata e të zgjonte nga gjumi sepse donte të të përqafonte e të të thoshtë sa shumë të donte.” – më thotë mamaja ime. Sa do të doja ta kisha atë kujtim, do ta ruaja me shumë dashuri në zemrën time. Por nuk e kam, e vetmja gjë që mund të bëj është ta imagjinoj.

Isha shumë e vogël kur im atë u nda nga jeta, dy vjeç e gjysëm për të qenë e saktë, nuk arrita të shijoj asnjë moment me të e këtë gjë e kam peng. Do të doja shumë të kisha shëtitur me të nëpër Shqipëri e pse jo dhe nëpër botë, të më shoqëronte ai në ditën e parë të shkollës, të gëzohej për mua sepse isha nxënëse e shkëlqyer, të më shikonte teksa rritesha e të më mbështeste kur shkova në gjimnaz e në universitet, të më thoshte se sa krenar ishte për mua kur më lavdëronin mësueset e pedagogët… por ai nuk jetoi dot ta bënte këtë gjë.. e nuk do jetë me mua kur unë të arrij gjëra akoma më mëdha në jetë. Babai im nuk do jetë krah meje kur unë të diplomohem apo kur unë të bëhem gazetare e famshme; e kjo gjë më trishton shumë.

Teksa po rregulloja biblotekën një ditë, gjeta nje fletë A4 që kishte vite që rrinte në një cep. Ishte shkruar në bojë të gjelbër, me një titull rozë. U kujtova për të. Ishte ndër “punimet” e para që kam bërë në Ëord, ndoshta kur kam qenë në klasë të pestë.

Shkrimi titullohej “Më mungon babi im”, dhe ishte ky:Në çdo cep të shtëpisë time unë mbaj fotografitë e babait tim; por ajo e varur në murin e sallonit duket sikur më ndjek, sikur më flet dhe më thotë: “Sa qenke rritur vajza ime e bukur.” Ah, sikur të isha një magjistare e zonja si në përralla e t’i jepja jetë kësaj fotografie… të dëgjoja zërin e babit tim, të merrja një përqafim nga ai, një puthje që më ka munguar qëkur isha foshnje. Do të doja të ndaja më të gëzimet dhe shqetësimet e mia. Do t’i tregoja rezultatet e mira në mësime dhe sytë e tij do të shkëlqenin nga gëzimi. Do të shëtisja me të e do t’i thoja shoqeve: “Edhe unë e kam një baba si të gjitha ju.” Duke parë fotografitë nga sytë më pikojnë lotë. Lotë trishtimi e lotë malli. Babi im nderohet nga miq e kolegë… por mua do të vazhdojë të më mungojë pafundësisht. – Ky ishte shkrimi i gjelbër, nën titullin rozë.

Pak nga pak po arrij të plotësoj ëndrrat e mia në jetë. Por një ëndërr nuk do arrij ta realizoj kurrë… nuk do shoh dot buzëqeshjen e babit tim kur unë do t’i them suksesin tim të radhës, e kjo gjë më dhemb në shpirt.

Por unë e di që ai është pranë meje kudo, ai është engjëlli im mbrojtës e në çdo hap që unë hedh, ai është aty duke më mbështetur, duke më brohoritur, e duke u ndjerë krenar për vogëlushen e tij që po rritet.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY