ANALIZA/“E vërteta e Turit dhe barkës së tij. Pse rrëfenja në testin...

ANALIZA/“E vërteta e Turit dhe barkës së tij. Pse rrëfenja në testin e Maturës simbolizon Kryeministrin dhe Rilindjen. A janë Kodheli, Bushati e Xhafaj pas pyetjeve?”

191
0
Shares

AGRON GJEKMARKAJ 

Fati i Turit dhe barkës së tij ka trazuar gjithë shoqërinë shqiptare, e cila, pas daljes nga karantina, dukej e pagatshme të përballej ende me emocione kaq të forta. Por njeriu ende mbetet kurioziteti më i madh, me aftësinë e tij për të habitur e për t’u vënë në provë.

Testi i provimit të maturës nxiti gjimnazistët në revoltë kundër Besa Shahinit, duke mërzitur krejt qeverinë të zënë me halle. Po kaq prindër, akademikë, gazetarë u përfshinë në shpoti, thagma, sharje e rënkim, duke mos kuptuar thelbin e atij tregimi, i cili në mënyrë metaforike simbolizon Shqipërinë e viteve të fundit.

Hartuesit e asaj rrëfenje që të ngjeth mishtë, gjërat nuk i bëjnë vetëm me mendje, por edhe me shpirt. Ata kanë marrë të vërtetën nga aktualiteti, që mëton të bëhet histori. Sedërlinj, pasi e kanë përjetuar vetë thellë e kanë shndërruar në art si gjind besnikë me pejza të larta ndjeshmërie. Të ditur, të urtë e të mençur, siç edhe lehtë vihet re.

Subjektin e kanë nxjerrë nga jeta e përditshme e popullit, nga sakrificat e tij, nga bëmat dhe heroizmi i udhëheqjes së tij e mbi të gjitha të liderit, të vetë timonierit. Askush nuk tregoi deri në këtë moment fisnikërinë, por as inteligjencën e lexuesit kreativ. Le të analizojmë tekstin për të darovitur këtë keqkuptim të madh, që ka yshtur gjimnazistët gërnjarë në pezëm e demonstrime tallëse. Për ta ulur nivelin e kuptueshmërisë, për ta thjeshtëzuar mundësinë e perceptimit, ata e thirrën Turi personazhin kryesor, ndonëse Moisi do ishte me i përshtatshëm ose Odise, siç pat propozuar miku Alfred Peza. Skënderbe jo, se ai s’para navigonte shumë. Por kaq pak gjë nuk është gabim.

“Barka filloi të rrëshqiste me shpejtësi përgjatë lumit të rrëmbyer, ndërsa katër njerëz që ndodheshin në të bërtisnin nga euforia. Zemrat e tyre rrihnin fort, ndërsa manovronin me shkathtësi lopatat përmes ujërave të trazuara. Madje edhe Turi, i cili ishte ndier i shqetësuar në lidhje me udhëtimin me barkë, e harroi frikën kur valët e akullta përplaseshin mbi të. Papritur, ai vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar që iu shfaq përpara”.

Lexues të dashur, a nuk mendoni se “barka” simbolizon Shqipërinë dhe “Turi” është kapiteni i saj, Edi Rama?! Të tilla qenë kohërat kur ai mori pushtetin, të errëta, të zymta dhe ende tani që qeveris, si lumenj të rrëmbyer tejshfaqen. Euforikë e entuziastë kur nisën rrugëtimin për ta rilindur e begatuar këtë vend ngjanin gjithsecili. Me të drejtë. Nuk jemi dritëshkurtër e mohonjës, i mbajmë mend manovrat e tyre titanike përmes stuhisë e duhisë, pengesave e rrëpirave, ledheve e pritave. Si mund të harrohet Saimir Tahiri, Ilir Beqja, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj me pelerinë si Adem Reka mbi Bigë, teksa thithëtima e acari u binte mbi fytyrë me tusht?!

Kush guxon të besojë se qenkësh punë e lehtë ta mbjellësh gjithë Shqipërinë me hashash dhe të mos i hyjë njeriu gjemb në këmbë faqe njerëzisë, brenda e jashtë vatanit? Të japësh gjithë buxhetin e shtetit me koncesion, një kilometër rrugë për 20 milionë euro a nuk të rreh fort zemra, a nuk të rritet tensioni dhe adrenalina, emocionet e drithërimat po kaq? Kur nisi rrugëtimin për ta bërë Shqipërinë zonjë, Edi Rama flinte e zgjohej me një shqetësim prometean, legjitim, por të epërm. Barka lëkundej si gogël, ende në disa vende fuste ujë. Silurët e opozitës e shponin me dalta, Muli, Tritani, Aldo, Enno, Orjola, Xhemali, çlirimi etj., me daltë në dorë natën bënin vrima me aksione guerile.

Ai, Edi Rama, ose Turi, duhet të shikonte horizontin, madje shpesh të kalonte ndanë Shiles e Karibdes, ndaj dikush duhej ta lidhte në direk, pasi ai i kishte dyllosur bashkudhëtaret e vet. Një rilindës tjetër, Gjergj Fishta, fort më modest se Turi, kishte hipur në vitin 1932 në një varkë të vogël në brigjet e Stambollit dhe vozitësi, kur e pa paksa të shqetësuar poetin nga moti që po prishej, i tha: “Allahu Akbar At, e mos u bëj merak”. “Po mor, po,- tha ai,- Allahu Akbar, po sanalli batall”. Ndonëse Zoti është i madh e bujar, Shqipëria jonë, kjo barkë e dashur, është e vogël, e pasigurt, derisa gjeti Timonierin e madh, Turin ose Kryeministrin Edi Rama. Frika, e cila e shoqëron njeriun në çdo hap të jetës, siç duket qartë në tregim, harrohet para kauzave e pritmeve sublime, siç është transformimi i atdheut. Sa valë përballoi kjo barkë në këto 7 vite, sa rrebeshe e shkulme, sa ajsbergë e tufane ndeshi!

Lexoni me vëmendje: “Papritur, ai vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar që iu shfaq përpara”. A nuk ishin shkëmbinj të dhëmbëzuar djegia e mandateve nga opozita, protestat e saj të gjata dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale prej saj, që do ta detyronin Turin të merrte vendime që janë historike, por me të drejtën e shndërrimit në letërsi dhe filma?

Gjimnazistët janë të padrejtë dhe gati cinikë në këtë moskuptim e pranim. Nëse nuk e dinë ende, është koha ta marrin vesh se në udhëtimet e fundit, Turi (Edi Rama) në barkën e tij ka marrë me vete si lundërtarë Besën, Elisën dhe Gentin. Sytë e tyre kanë parë shumë, ndërsa shpirti i tyre shumë më tepër është ngarkuar me hove e zjarr. Gjimnazistët kryeneçë i kërkojnë Besës t’u shpjegojë se ç’bëri Turi. Gabim, shumë gabim, Besa nuk e di. Vendimet e Turit saç janë të drejta, po kaq janë të papritura, gjithmonë të duhurat. Pastaj, Besa i kishte veshët e mbushur me dyllë kur rreziku po kanosej. Atë e përballon vetëm Turi me cilësitë e tij. Shokët e udhëtimit janë aty si dëshmitarë si përballohet rreziku, jo për t’u përballur vetë me të.

Sa ka qenë i ndershëm rapsodi që ka hedhur ndër kartë këtë epope, po kaq leshko, naivë e cinikë kanë qenë ata që bënë pyetjet e mëposhtme:

“Cila nga fjalitë e mëposhtme mund të vijojë në të njëjtin stil aksionin e nisur në paragrafin e dhënë më sipër?

A) Duke u përqendruar, Turi u përpoq të kujtonte procedurën e saktë për ta kthyer barkën në një pozicion të sigurt.

Si mund të thuhet kjo? Kush fshihet pas kësaj, Mimi Kodheli, e cila kohët e fundit shfaq dyshime e dilema? Turi nuk ka nevojë të përqendrohet, ai është gjithmonë i përqendruar. Të jetë Mirela Kumbaro? Jo, ajo e di që Turi e ka kujtesën qelibar dhe amnezia s’e ka goditur kurrë trurin e tij gjenial. Vetëm ajo s’e bën këtë. Eduart Shalsi, vallë? Bie edhe kjo hipotezë, se ai e ka bindje që Turi procedurat i bën vetë, madje edhe kriteret e saktësisë gjithashtu. Mister një dorë armiqësore e mbetur në institucione mund të jetë, mendon Blendi Klosi pas përhumbjeve të thella nga gjumi i pasdites.

B) “Ndërkohë, uji i ftohtë i lumit vazhdoi të përplasej në anët e barkës, duke i bërë qull Turin dhe miqtë e tij”.

Këtu duket dora e Fatmir Xhafajt, hatërmbetur e zemërthyer, i cili i do të gjithë të lagur, domethënë të pshurrur. Po si mund të thuhet që Turi u bë qull, qulloset ai? Pastaj, Turi nuk ka miq, ai ka vetëm dishepuj, ndjekës. Kush i do ata të lagur si pula? Kush është ky dëshmitar, që e zhvesh ndodhinë nga heroikja dhe epizmi? Të jetë dhembshuria e Manastirliut, Ikonomit, Etildës, Felajt që s’u mban zemra nëse Turi drobitet e laget, apo gëzimi teksa shohin Gentin, Elisën e Besën si zogj koteci skeletdalë nën rrebesh?

Maturantët do duhej të imagjinonin Gentin si Orfeun në kiç tek reciton zogun dhe djalin kur befas i rrëshqet këmba e llapadum në lum, kur fap, menjëherë Turi hidhet ta rrëmbejë nga krahët e dallgëve. Kur në batel kthehet, gjen Elisën dhe Besën, të zalisura se mos Turi humbi përgjithnjë. Një tjetër mund të kalamendet sesi furtunat përplasen mbi gjoksin e tij leshtor si të Mic Sokolit teksa albatrosët i fluturojnë mbi krye dhe kuvendojnë me të për vizionet.

c) “Turi e dinte që ai dhe miqtë e tij ishin të përgatitur për t’ia dalë në situata të tilla”. Me gjasë, këtu ka dorë Lindita Nikolla, me ndonjë besnik që i ka mbetur në Ministrinë e Arsimit, pajisur me misterin e krishterë të besimit që Turi është i pagabueshëm edhe kur në barkë merr vetë Besën. Turi, edhe kur të rreh, të do.

D) “Turi u hodh në të djathtë për të shmangur shkëmbin dhe gati e përmbysi barkën”.

Kjo është më e poshtra e hipotezave, e cila përputhet me mendimet e Ditmir Bushatit, të shprehura së fundi për braktisjen e majtizmit nga Turi lidhjen me oligarkët, rrëshqitjen djathtas dhe prognozat që barka mund të përmbyset dhe mandati i tretë mbetet në breg si dordolec. Nuk kemi prova, por qëndrimet e vëngërta të Sandrit, përbuzja e tij për këdo që bën hoka, thur bidate apo insinuata për Turin, na çojnë drejt pinjollit të Bushatllinjve që zukat poshtë e përpjetë si zog dreqi, ndonëse e ka yshtur të bëjë letrën e madhe të lypjes ndjesë e mëkim për Turin.

Nëse këtu ka faj, ai mbetet te pyetjet, jo te proza. Ajo duhej t’u jepej studentëve si model dhe mbi të, të frymëzoheshin për ese të tjera mbi kohët legjendare që po jetojmë ne dhe barka me kumandar Turin. Pyetjet të fusin në ngasje e dyshime, të shpien në labirintet e dreqages.

Kjo është e vërteta e thjeshtë e Turit dhe e barkës së tij. Të tjerat janë mërzi e smirë, sharje, fyerje të atyre që nuk ecin me ritmin e kohës për Shqipërinë e Turit, qeverinë, ministrat e specialistët e tij kudo nëpër zyra shteti, në katund, qytet a kryeqytet. Turi nuk është Karonti dhe barka e tij nuk i shpie të vdekurit në bregun e përtejmë.

*Panorama.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY