Mësohen emrat e dy personave që Policia e Shtetit iu ka sekuestruar 2,1 milionë euro pasuri, në objekte dhe llogari bankare, pasuri e vënë me akte kriminale.
Ata janë: Hasan Lushi, 50 vjeç me origjinë nga Kosova dhe Ryszard Artur Szylak, 47 vjeç me origjinë nga Polonia, të dy me banim në Olten të Zvicrës.
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka marrë vendim për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të tyre, të investuar në Tiranë dhe në Vlorë.
Hasan Lushi është nën hetim nga Prokuroria e qytetit Solothurn, Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”. Ky shtetas është i njohur për veprimtari kriminale në Zvicër, pasi është dënuar nga Gjykata e Olten-Gosen/So, më datë 26.11.2011, për veprat penale “Zhvatje me dashje”, “Sulm”, “Shtrëngim për dhënie pasurie”,“Shkelje e ligjit për armët”, të ndodhura në kohë të ndryshme.
Polaku Ryszard Artur Szylak është në kërkim kombëtar në Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”.
Pasuria e tyre që u vu nën sekuestro preventive në Shqipëri ishte:
3 apartamente në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
Njësi tregtare e ndodhur në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
Sipërfaqe toke, afërsisht 5.500 m2, në Radhimë, Vlorë;
Asete të një ish-kompanie të transportit ndërkombëtar të mallrave;
Llogari bankare pranë bankave të nivelit të dytë, në shumën 240.000 euro dhe 210.000 franga zvicerane;
6 automjete të markave të ndryshme, prodhime të viteve të fundit;
Policia tha se po vazhdon hetimet për të zbuluar prona të tjera që rrjedhin nga aktiviteti kriminal i këtyre shtetasve, të cilat mund t’i kenë në emër të personave të tjerë apo të bashkëpunëtorëve në këtë aktivitet kriminal.
/DRONI.al/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/