Vendosen sekuestro preventive ndaj pasurive të 2 shtetasve të huaj, të dy me rekorde të theksuara kriminale, pasuri që kapin vlerën 2.1 milionë euro.
Operacioni policor u kodua “Asetet”.
Njoftimi i policise
Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, në ngarkim të shtetasve:
-H. L., 50 vjeç, lindur në Junik, Kosovë dhe banues në Olten, Zvicër;
-R. (A.) S., 47 vjeç, lindur në Poloni, dhe banues në Olten, Zvicër;
-H. L. është nën hetim nga Prokuroria e qytetit Solothurn, Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”. Ky shtetas është i njohur për veprimtari kriminale në Zvicër, pasi është dënuar nga Gjykata e Olten-Gosen/So, më datë 26.11.2011, për veprat penale “Zhvatje me dashje”, “Sulm”, “Shtrëngim për dhënie pasurie”,“Shkelje e ligjit për armët”, të ndodhura në kohë të ndryshme.
Shtetasi R. (A.) S. është në kërkim kombëtar në Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”.
Në bazë të materialeve të dërguara nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë bëri regjistrimin e procedimit penal, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.
Pas një pune të mirorganizuar të strukturave të Policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, si dhe plan-operacionit “Asetet”, u bë e mundur që të sekuestrohen asete dhe llogari bankare në shumën 2.1 milionë euro, konkretisht:
• 3 apartamente në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
• Njësi tregtare e ndodhur në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
• Sipërfaqe toke, afërsisht 5.500 m2, në Radhimë, Vlorë;
• Asete të një ish-kompanie të transportit ndërkombëtar të mallrave;
• Llogari bankare pranë bankave të nivelit të dytë, në shumën 240.000 euro dhe 210.000 franga zvicerane;
• 6 automjete të markave të ndryshme, prodhime të viteve të fundit;
Vijon puna për të zbuluar asete (prona) të tjera që rrjedhin nga aktiviteti kriminal i këtyre shtetasve, të cilat mund t’i kenë në emër të personave të tjerë apo të bashkëpunëtorëve në këtë aktivitet kriminal.
/DRONI.al/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/