Kryetari i PD Lulzim Basha dha lajmin për ndarjen nga jeta të ish kreut të kësaj force politike në Mirditë Preng Toma.
Përmes një postimi në Facebook, Basha shprethu hidhërimin e tij, dhe tha se Preng Toma la gjurmë të thella në historikun e ri të pushtetit vendor në Shqipëri dhe me emrin e tij lidhen disa prej investimeve të rëndësishme që janë kryer këto vite në komunën Kthellë dhe bashkinë e Rrëshenit
Postimi i plotë
”Mësova me hidhërim të thellë largimin para kohe nga jeta të Preng Tomës, njërit prej drejtuesve historikë të Partisë Demokratike në Mirditë. I mirënjohur për kontributin e tij pedagogjik shumëvjeçar në fushën e edukimit fizik, e posaçërisht si trajner i ekipit të volejbollit të vajzave të Minatorit, ekipit që ishte shndërruar në krenari të zonës për shkak të rezultateve të suksesshme në nivel kombëtar, Preng Toma ishte një qytetar i angazhuar që ja kushtoi jetën zhvillimit të krahinës së Mirditës.
Drejtues i shkëlqyer vendor, në komunën e Kthellës (1996-2003) e më pas në Bashkinë e Rrëshenit (2003-2007), Preng Toma ishte që prej vitit 1996 një nga njerëzit më të votuar nga komuniteti në të gjithë Qarkun e Lezhës. Partia Demokratike ishte e nderuar që pati në radhët e veta si drejtues Preng Tomën, si në ditët e pushtetit, por edhe në ditët kur përçonte në të gjithë Shqipërinë modelin e opozitës morale, standardin e fortë të politikës qytetare, dhe qëndrestare që lufton për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e çdo qytetari.
Preng Toma la gjurmë të thella në historikun e ri të pushtetit vendor në Shqipëri dhe me emrin e tij lidhen disa prej investimeve të rëndësishme që janë kryer këto vite në komunën Kthellë dhe bashkinë e Rrëshenit. Me largimin e tij të parakohshëm nga jeta, familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë dhe qytetarët e Mirditës e dega e Partisë Demokratike të Mirditës njërin nga drejtuesit e saj më të spikatur. Ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe miqve. U prehtë në paqe!”
/DRONI.al/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/