Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë vizitës shtetërore në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë dha një intervistë për emisionin “Zona B” të gazetarit Baton Haxhiu në Televizionin Klan Kosova.
Në këtë intervistë Kreu i Shtetit shqiptar foli për vizitën e tij në Jordani duke theksuar se raportet mes dy vendeve vlerësohen si teje të larta duke theksuar se të dy popujt kanë bashkëpunuar për të përballuar sfida të ndryshme.
“Ka të evidentuar qartazi në mënyrë tradicionale një miqësi dhe respekt të shprehur duke nisur nga mbreti Abdullah II dhe nga të gjithë autoritetet e shtetit të Jordanisë, gjithashtu të Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke nisur me mjaft ngjashmëri që ka qoftë në rrugëtimin historik të dy vendeve tona edhe në aspektin e sfidave që jemi përballur kombi ynë, por edhe Jordania”, u shpreh Presidenti Nishani.
“Edhe në aspektin e angazhimeve dhe kontributeve që japim sot në aspektin e sfidave të përbotshme. Për mua ishte një kënaqësi e veçantë dhe privilegj që pas vizitës shumë të suksesshme të mbretit të Jordanisë në Tiranë vitin e kaluar t’i ktheja vizitës. Konstatova që marrëdhëniet mes Jordanisë dhe Shqipërisë kanë nisur një rrugëtim, i cili vjen gjithmonë duke u rritur dhe duke u intensifikuar”, deklaroi Presidenti Nishani.
“Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Jordanisë i ka ardhur koha që të fokusohemi në marrëdhëniet më konkrete dypalëshe qoftë në aspektin politik, kulturor ashtu edhe atë ekonomik”, nënvizoi Presidenti i Republikës.
Mes të tjerash, më tej Presidenti Nishani duke folur për vizitën e tij në Jordani vuri në dukje se Shqipëria dhe Jordania janë ndër shtetet e para që kanë sfiduar terrorizmin.
“Shqipëria është fokusuar për të ruajtur ekzistencën mbi bazën e identitetit kombëtar. Shqipëria dhe Jordania kanë qenë një ndër shtetet e para që janë rreshtuar në aleancat ndërkombëtare për ta sfiduar përmes forcës rrezikun terrorist. Një nga çështjet që ka impakt të rëndësishëm dhe ku mund të evidentohet roli i shqiptarëve dhe roli i Jordanisë ka të bëjë me qasjen tonë të përbashkët në mënyrën se si e analizojmë rrezikun që vjen nga terrorizmi nga ekstremizmi dhe mënyra se si ne qasemi për ta përballur rrezikun. Shqiptarët jemi komb që e respektojmë tjetrin.
Në Jordani është një çështje shumë e rëndësishme dhe ruhet si traditë për ta identifikuar veten mbi bazën e nacionalitetit dhe identitet kombëtar dhe jo mbi bazën e besimit. Dhe në Shqipëri një nga elementet e fortë që na ka bërë të ruajmë në raport me pushtimet e shumta në raport me tendencat e shumta për të na shndërruar, pikërisht fakti që jemi fokusuar për të ruajtur ekzistencën tonë mbi bazën e identitetit kombëtar. Në Jordani punohej shumë çështja e identitetit kombëtar” , u shpreh Presidenti.
Ndërsa më tej, Kreu i Shtetit shqiptar vuri në dukje dhe nënvizoi faktin se Jordania është ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën.
“Jordania është ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën dhe jo vetëm të këtij rajoni, por edhe në aspektin global. Kjo ka ardhur mbi bazën e një ndjenjë miqësie dhe dëshire për të zhvilluar apo intensifikuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin. Mbreti i Jordanisë ka një rol të vlerësuar për lidershipin e tij për të qenë në ekuilibër të marrëdhënieve me të gjitha palët që kanë konflikte me njëra-tjetrën dhe për t’i shërbyer shmangies të konfliktualitetit.
Ka një përputhje të madhe me natyrën e kombit shqiptar, pasi shqiptarët në tërë historinë e tyre sa herë është dashur të kërkohet fryma e pajtimit kanë qenë të parët që i kanë paraprirë ushqimit të frymës se bashkëjetesës dhe afrimit të respektit reciprok”, deklaroi Presidenti Nishani.




