Shqipëri: Ekonomia në krizë dhe paqartësi gjatë pandemisë

Shqipëri: Ekonomia në krizë dhe paqartësi gjatë pandemisë

121
0
Shares

Nga Ilirjan Agolli

Prej disa ditësh shifrat e epidemisë janë minimale, dhe tani qytetarët e kanë kthyer vëmendjen nga ekonomia, e cila rrezikon të bjerë në recesion.

Drejtuesi i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi thotë se tani qeveria duhet të mbështesë prodhimin vendas dhe të hyjë në një marrëveshje të re bashkëpunimi me FMN, për ta kapërcyer krizën ekonomike sa më lehtë.

Sa më shumë ulen shifrat e koronavirusit në Shqipëri, aq më tepër po rritet përditë shqetësimi i qytetarëve për krizën ekonomike, që u thellua nga dy tërmeti i nëntorit dhe nga pandemia e marsit.

Por drejtuesi i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, thotë se ekonomia shqiptare po vuan gjithashtu edhe probleme të mëparshme, që lidhen me keqqeverisjen, korrupsionin dhe paaftësinë e administratës publike.

Ai thotë se tashmë që fitimet nga turizmi dhe prurjet nga emigrimi do të bien, qeveria duhet të mbështesë prodhimin vendas, sidomos atë bujqësor.

“Fokusimi te prodhimi vendas, duke filluar me punimin e tokës, me shfrytëzimin e mundësive vendase që ekzistojnë, kërkojnë ndërtimin e politikave të posaçme për këtë qëllim. Gradualisht duhet të kuptohet që bota pas kësaj krize nuk do të jetë më si ka qenë më parë. Ndaj problemet që lidhen me globalizmin, marrëdhëniet midis vendeve në shkëmbimet tregtare duhen parë në një optikë të re” – tha zoti Preçi.

Kapacitetet e vendit janë të kufizuara, por kapërcimi i kësaj situate ka nevojë për më shumë qartësi dhe përfshirje të komunitetit të biznesit, mendojnë ekspertët sepse çdo vend pune që humbet sot është shumë më i kushtueshëm për t’u rihapur nesër.

Krahas nxitjes së prodhimit vendas, duhet mbështetur punësimi dhe vetëpunësimi familjar.

Rifillimi i punës pritet të jetë i vështirë, ndërhyrjet dhe ndihmat nevojiten të jenë të shpejta, pasi vonesat dhe paqartësitë rritin koston e rimëkëmbjes dhe kthimin e ekonomisë në normalitet.

Në këto kushte, thotë zoti Preçi, Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar, sepse riafrimi me të do t’i siguronte vendit një tranzicion më të lehttë pas krizës.

“Mendoj se ka ardhur koha që Shqipëria t’i rikthehet një marrëveshjeje kuadër me FMN, kjo për faktin se borxhi publik po mbërrin nivele të pakontrollueshme, si dhe për faktin që qeveria ka nevojë të jetë nën kontroll dhe të ketë më shumë transparencë sa i takon aktivitetit të saj. Të mos harrojmë që po përgatitemi të hyjmë në një vit zgjedhor dhe si rregull, si ka ndodhur për fat të keq si ka ndodhur gjatë 30 viteve të fundit, në prag ka një lloj lëshimi të administratës, sidomos ajo fiskale, ka një rritje të korrupsionit dhe abuzimit me tenderat publikë” – tha zoti Preçi.

Paketat e pandemisë janë më shumë paketa sociale, se sa mbështetje reale ndaj biznesit dhe ka paqartësi për fundin e saj, mendojnë ekspertët e ekonomisë.

Vëzhguesit vlerësojnë se mbështetja nga qeveria për ekonomitë familjare ka qenë nën mundësitë e vendit, se ato nuk janë dhurata, por të drejta kushtetuese.

Kursimet familjare janë drejt fundit për pjesën më të madhe të familjeve shqiptare, pohojnë studiuesit.

Një pjesë e madhe tani po jetojnë me ndihma, dhe përpara kësaj krize ishin në listat e varfërisë rreth 500 mijë vetë, në minimumin jetik me më pak se 2 dollarë në ditë për frymë.

Ekonomia shqiptare varet ndjeshëm nga prurjet e emigracionit dhe turizmi.

Remitancat pritet të bien sivjet, ndërsa shpresa për turizmin mbetet tek turizmi brenda shqiptar.

Bizneset janë të paqarta për ecurinë e mëtejshme dhe paralajmërimet e Bankës Botërore për recesion në Ballkan janë një sinjal alarmi për qeverinë dhe bizneset, që pas kapërcimit të vështirësive të ditës, duhet kaluar në një strategji për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe për rishikimin e problemeve të mbartura.VOA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY