Kryeministri Ilir Meta është ndeshur prej dy ditësh me kritika nga Tirana lidhur më pozicionin “as mish, as peshk” për cështjen came gjatë vizitës së tij në Athinë.
Me një axhendë të krahasuar edhe me ato të një Kryeministri, Meta ia ka dalë të hapë të gjitha dyert e Athinës
, por në Tiranë kjo i ka prishur punë më shumë se i ka ndrequr.
Gjatë një interviste me gazetarin Robert Goro ai ka shpjeguar qëndrimin e tij duke theksuar alegorinë me Kryeministrin Tsipras për plagët.
Ju keni mbërritur në Athinë në një moment ku atmosfera është disi e tensionuar për shkak të reagimeve të qeverisë greke ndaj deklaratës së Komisionerit Hahn për çështjen çame. Reagimet e Athinës në fakt drejtoheshin edhe ndaj Tiranës dhe jo vetëm ndaj Brukselit dhe Komisionerit. Tani në përfundim të vizitës, a keni menduar se keni gjetur shenja që tregojnë një përmirësim të mundshëm të klimës?
Besoj se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, midis grekëve dhe shqiptarëve, janë marrëdhënie të pandërprera dhe tani që ne flasim këto janë marrëdhënie të gjithanshme, sepse janë marrëdhënie njerëzore në radhë të parë përpara se të jenë politike dhe institucionale.
Janë marrëdhënie familjare, pasi janë me mijëra familje që janë krijuar gjatë këtyre 26 viteve këtu apo dhe në Shqipëri, familje le të themi të përbashkëta. Janë marrëdhënie ekonomike dhe tregtare. Kështu që këto marrëdhënie asnjëherë nuk mund të reduktohen apo të bllokohen për shkak të një çështje apo disa çështjeve të trashëguara nga e kaluara.
Unë jo rastësisht dhe në takimin me Kryeministrin Tsipras vlerësova se përveç bashkëjetesës historike të dy popujve tanë, e cila në fakt është ajo që prevalon në histori, kemi edhe disa plagë dhe kuptohet këtu që çështja e shqiptarëve të larguar me forcë nga Greqia apo çështja “Çame” siç ne e vlerësojmë, është plaga më e thellë dhe më e vështirë në këto marrëdhënie.
Më duhet të pohoj edhe një herë tjetër që një plagë edhe kur e përkëdhel të lëndon dhe të dhëmb. Ndaj është e rëndësishme t’i trajtojmë këto çështje gjithmonë me qëllimin e mirë për t’i zgjidhur në atë mënyrë që të ndihmojmë dhe konvergimin e interesave afatgjata dhe strategjike të dy vendeve dhe të dy popujve tanë. Dhe kjo sigurisht që kërkon edhe durim, kërkon edhe qetësi, kërkon edhe kujdes dhe natyrisht kërkon edhe një trajtim më kompleks të gjitha këtyre çështjeve të trashëguara.
Ajo që është e rëndësishme dhe që nuk duhet të harrojmë në asnjë moment, është që interesat janë të gjithanshme, bashkëpunimi është i gjithanshëm. Ka ende shumë potencial të pashfrytëzuar në marrëdhëniet greko-shqiptare, pra për të rritur më tej përfitimet nga ky bashkëpunim për të dy vendet, për të dy popujt tanë, për qytetarët shqiptarë dhe ata grekë. Dhe në këtë drejtim unë do të thosha se ky është mesazhi kryesor edhe i kësaj vizite dhe i këtyre takimeve.
Ky është mesazhi në interpretimin tuaj apo mesazhi edhe në interpretimin e palës greke që keni arritur ta kuptoni? Sepse pala greke për shembull edhe para dy ditësh ka thënë se ka një vijë të kuqe mes Shqipërisë e Greqisë dhe vijë e kuqe është “Çështja Çame”. Nuk dua të insistoj vetëm te kjo çështje, por me ekzistencën e vijave të kuqe, a hapet rruga për ato pritshmëritë që thatë për marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet dy vendeve?
Pa asnjë diskutim që kjo rrugë do të hapet me vullnet të përbashkët. Unë nuk mund të përgjigjem për deklarata të caktuara të bëra në një kohë të caktuar të cilat mund të reflektojnë edhe një tension që krijohet në njërin apo tjetrin vend për shkak të rrethanave të ndryshme. Të mos harrojmë që politika këtu ka një dinamikë të jashtëzakonshme, ballkanike dhe mesdhetare, siç e ka dhe në vendin tonë dhe në vende të këtij rajoni.
Besoj që ka një ndërgjegjësim, ka një mirëkuptim për të ecur drejt tejkalimit të disa pengesave që vijnë nga e kaluara për të ecur drejt tejkalimit të akteve të së kaluarës, që e bëjnë të vështirë qoftë edhe psikologjikisht, por edhe konkretisht zgjidhjen e çështjeve, të cilat dy palët i shohin në mënyra të ndryshme sot dhe duket ende sikur janë larg. Sikurse është fjala vjen edhe çështja “Çame”, që unë e bëra të qartë edhe pas takimit të parë që pata me Ministrin e Jashtëm, që është një çështje për të cilën për momentin ndajmë dy qasje të ndryshme.
Por kjo nuk do të thotë kurrsesi se është tensionimi i marrëdhënieve ajo që ndihmon për zgjidhjen e kësaj çështje. Përkundrazi! Unë jam i bindur që vetëm përmirësimi i gjithanshëm i këtyre marrëdhënieve do të krijojë ambientin, mundësinë e favorshme për të gjetur një zgjidhje për shërimin e kësaj plage dhe plagëve të tjera të së kaluarës.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/