KOMENT/ Prologu i një platforme filoserbe ndër disa shqipfolës në Tiranë e...

KOMENT/ Prologu i një platforme filoserbe ndër disa shqipfolës në Tiranë e Prishtinë

94
0
Shares

Nga Bujar Nishani,
Ish President i Shqiperise

Dita e të pagjeturve në Kosvë e cila përkon me masakrën e Mejës, një nga masakrat më makabre të Serbisë së Milosheviçit mbi shqiptarët, u parapri me një deklaratë shokuese dhe provokative për mbarë kombin shqiptar, nga këshilltari “special” i Kryeministrit të Shqipërisë, Baton Haxhiu.
Teza e amnistisë së krimeve çnjerëzore të Serbisë mbi popullin e Kosovës përgjatë viteve 1998-1999, duket se ishte përzgjedhur të helmonte ndërgjegjen kolektive shqiptare dhe të përdhoste drejtësinë për jetët e mbuluara nën dhé të mijëra bij nënash, burra, gra e fëmijë të masakruar, me “fajin” e vetëm të tyre, se ishin shqiptarë !
Teza se ; “nuk ka më vlerë që krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë të hetohen e dënohen”, prej keshilltarit “special” të Kryeministrit të Shqipërisë, mu në kohën e përkujtimit të asaj masakre, ku 372 djem e burra, civilë të pafajshëm u ekzekutuan me plumb pas koke e u groposën në varr të përbashkët, është po aq makabre sa edhe vetë kurajo e motivimi i atij krimi.
Sot në liri ne kemi luksin të ndjekim prej shtëpive të ngrohta e të rehatshme tezat dhe platformat të tilla, por në shumë shtëpi e vatra shqiptare janë me mijëra nëna shkretane e gra të veja që presin me sytë, ku lotët nuk reshtin, nga porta e zemra që plaga s’ju mbyllet kurrë, t’u kthehen djemtë e burrat që në fakt kushedi se ku treten nën dhé.
Për faktin e vetëm se ishin shqiptarë !
Nuk është aspak koincidencë tentimi i barazimit të krimeve makabre të regjimit serb të Miloshoveçit, me akte të caktuara kriminale të ndodhura në Kosovën e pasluftës.
Filozofia e relativizimit të krimeve ndaj njerëzimi është prologu i një platforme filoserbe ndër disa shqipfolës në Tiranë e Prishtinë që nuk i motivon “pajtimi” dhe prespektiva e ndërtuar ndryshe por shfajësimi e justifikimi i barbarisë dhe poshtërimi i shqiptarëve si një “rracë inferiore” që edhe mund të ekzekutohen si “kope” e të spastrohen nga trojet e tyre.
Nuk është e rastësishme paraqitja në opinion e skenarëve të poshtër ; të copëtimit të ri territorjal të Kosovës, “bosnjezimit” të Shqipërisë, krijimit të Jugosllavisë së Re dhe amnistisë së krimeve kundër njerëzimit kryer në Kosovë.
E të gjitha këto teza të një platforme shqiptarofobe, të dizenjuara në Beograd e të shqipëruara në Tiranë e Prishtinë prej personave të së njëjtës vathë.
Diku prej vetë kryeministrit e diku prej këshilltarit “special” të kryeministrit.
Por në çdo rast ato vijnë prej psikozës serbofile.
Në fak nuk përbën kurrfarë krimi për këta persona qenia serbofilë.
Ajo është një e drejtë zgjedhjeje në liri.
Por kur kjo fílí shërben si një burim për shqiptarofobi, ajo është një problem me rrezikshmëri të lartë.
Barazimi i krimeve dhe gjenocidit milosheviçjan në Kosovë me krime individësh të pas luftës atje, është avokati e djallit.
Të gjithë e dimë se në Kosovën e pas-luftës ka patur vrasje politike.
Krime të cilat kërkojnë drejtësi, që askush nuk mund ti falë, harrojë apo amnistojë !
Kam bindjen më të thellë se gjakatarët që ekzekutuan në pas luftë, po t’u shkohet deri në fund të zhbirilimit, do të kuptohet që jo vetëm nuk mund të njollosin dot epopenë e ndritur të rezistencës për liri të shqiptarëve në Kosovë e nuk mund të cënojnë asnjë fije të UÇK, kësaj aleate të madhe e kryesore të Perëndimit në ndaljen e gjenocidit, por përkundrazi, besoj plotësisht se ata do të gjenden të strehuar në defterët më të errët të shërbimeve milosheviçjane, ashtu siç duket se vijojnë të mbeten peng disa të tjerë sot.
Teza e harresës, amnistisë dhe mbylljes me kapakun e rëndë të krimeve dhe gjenocidit më të madh në Evropën e pas luftës, nuk ka dyshim që është e hartuar në Beograd, ashtu siç u pranua prej atje vetë, teza e copëtimit të ri të kufijve të Kosovës.
Këshilltari “special” i Kryeministrit të Shqipërisë në Kosovë apo dhe vetë Kryeministri “special” (sipas Serbisë) në Shqipëri përpëliten të na bindin se pa pendesë e drejtësi ndaj krimeve e kriminelëve, duhet të ndërtojmë pajtimin.
Serbofilët shqiptarë në Prishtinë e Tiranë mundet ta kërkojnë mbylljen me kapak të rëndë të derës së drejtësisë dhe të vërtetës, por nënat e mbetura vetëm anekënd Kosovës nuk e mbyllin kurrësesi portën e hapur të pritjes për djemtë e burrat e tyre të zhdukur, veç pse ishin gjak shqiptari.
Çdo shqiptar e di mirë, kudo ndodhet sot anekënd botës, se veç prej pendesës, drejtësisë e mos-harresës mund të nisë e ndërtohet pajtimi.
Ai nuk mpikset dot prej tradhëtisë !

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY