ANALIZA/ Lojë me udhëzime e ministrisë së Arsimit, paaftësisë apo dashakeqësisë…?!

ANALIZA/ Lojë me udhëzime e ministrisë së Arsimit, paaftësisë apo dashakeqësisë…?!

68
0
Shares

U patëm thënë përfaqësuesve të MAS që, me Udhëzimin nr. 13, do të duheshin një numër shumë i madh raundesh për të regjistruar shumicën e maturantëve. Jo – na u përgjigjën – ju nuk kuptoni, ju nuk dini të lexoni, ju dini vetëm të kundërshtoni. Sistemi është automatik – na thanë. Me fjalën “automatik” ndoshta kanë dashur të thonë se udhëzimet e MAS nuk janë dokumente serioze zyrtare, e të mirësh-kruara. Përkundrazi, ato mund të ndryshojnë nga një ditë në tjetrën.
Në datën 7 tetor 2016, MAS nxori Udhëzimin nr. 24, i cili ndryshoi për herë të dytë të famshmin Udhëzim nr. 13, pas ndryshimit të parë me Udhëzimin nr. 22 të datës 6 shtator 2016, por këtë herë me ndryshime rrënjësore në skemën e regjistrimit. Ndërkohë, znj. Nikolla bëri të paditurën në datën 10 tetor, kur u pyet për këto ndryshime në emisionin “Njerëz në Fokus” të News 24. Këtyre ndryshimeve do t’u referohemi më poshtë jo vetëm për të argumentuar paaftësinë e dukshme të MAS por, mbi të gjitha, për të nxjerrë në pah se me ndryshimet e Udhëzimit nr. 13 cenohet sërish rëndë skema e meritë-preferencës; kjo gjithmonë për sa i përket skemës së regjistrimit, pasi duhet kujtuar që matura 2016 është goditur rëndë edhe përpara Udhëzimit nr. 13, me ndryshimin e rregullave në fund të lojës, si edhe me vendosjen e kritereve të pranimit në mënyrë të padrejtë e të pambështetur në realitetin e shkollave të mesme dhe kurrikulat e tyre të studimit.
Nuk e dimë sa e vlefshme është të argumentojmë rreth Udhëzimit nr. 24, kjo pasi në datë 11 tetor 2016, vetëm disa ditë pas publikimit të tij në faqen zyrtare të MAS, ai është zhdukur nga faqja. Është zhdukur për t’u ndryshuar sërish apo për arsye të tjera!? Më poshtë po paraqesim ndryshimet më thelbësore të udhëzimeve për sa i përket skemës së regjistrimit, duke e marrë të mirëqenë Udhëzimin nr.24:
Udhëzimi nr. 13, 22. 07. 2016
“Për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në programet e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional, si dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2016 – 2017”
Këtu po sjellim në vëmendje dy pika për raundin e dytë, përkatësisht pika 12 dhe 13 të Kreut III.
III-12
Të gjithë kandidatët, të cilët kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e dytë dhe janë shpallur fitues nga IAL-të, duhet të kryejnë procesin e regjistrimit on-line dhe me dokumentacion në sekretaritë mësimore të IAL-ve, në programin e studimit ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet, deri me datë 16 tetor 2016. Kandidati që është shpallur fitues në më shumë se një program studimi, lejohet të regjistrohet me dokumentacion vetëm në njërin nga programet e studimit ku është fitues.
III-13
Pas datës 16 tetor 2016, deri më datë 20 tetor 2016, sekretaritë mësimore të IAL-ve do të regjistrojnë on-line dhe me dokumentacion, deri në plotësimin e numrit të kuotave për programin e studimit përkatës, të gjithë kandidatët e tjerë që kërkojnë të regjistrohen, duke respektuar renditjen në lista. Kandidati nuk mund të regjistrohet në më shumë se një program studimi.

Udhëzimi nr. 24, 07. 10. 2016
Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr. 13, datë 22.07.2016 “Për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në programet e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional, si dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2016 -2017,, të ndryshuar.
Këtu po sjellim në vëmendje ndryshimin që është bërë në paragrafin “II”.

Pika 13 e Kreut II të Udhëzimit ndryshon si më poshtë:
“Kandidatët të cilët nuk janë regjistruar brenda datës 16 tetor 2016 konform përcaktimeve të këtij udhëzimi, humbin të drejtën për t’u regjistruar në fazat e mëtejshme të parashikuara më poshtë në programet e studimit ku ata rezultonin fitues gjatë raundit të dytë.
Pas mbylljes së regjistrimeve të raundit të dytë, në datat 17-18 tetor 2016, sekretaritë mësimore të IAL-ve do të regjistrojnë, on-line dhe me dokumentacion kandidatët. Regjistrimi do të bëhet duke respektuar renditjen e listave të fituesve të raundit të dytë, pas zbritjes së vijës së fituesit të fundit konform numrit të kuotave të parashikuara për programin përkatës të studimit.
Kandidatët që rezultojnë fitues në këtë fazë dhe nuk regjistrohen me dokumentacion dhe on-line pranë sekretarisë mësimore përkatëse brenda afateve të sipër caktuara humbin të drejtën e regjistrimit në fazat e më pasme të konkurrimit për programet e studimit ku ata rezultonin fitues në këtë fazë.
Në datat 19-20 tetor 2016, sekretaritë mësimore të IAL-ve do të regjistrojnë, on-line dhe me dokumentacion, konform numrit të kuotave të parashikuara për programin përkatës të studimit, kandidatët që rezultojnë fitues pas zbritjes së vijës së fituesit të fundit të fazës pararendëse për shkak të mos regjistrimit gjatë asaj faze, brenda datës 18 tetor 2016, të kandidatëve të tjerë pararendës fitues, duke respektuar renditjen në listat e fituesve të raundit të dytë.
Në kuotat e disponueshme për zbritjen e vizës për regjistrimet në një program të caktuar studimi, nga data 17 tetor 2016 deri në 20 tetor 2016, do të bëjnë pjesë të gjitha kuotat e mbetura të paplotësuara, duke përfshirë kuotat e paplotësuara për kandidatët shqiptarë brenda vendit, shtetasit e huaj, kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit, kandidatët të kategorive të veçanta, transferime dhe programe të dyta studimi, si dhe duke respektuar numrin total të kuotave nga IAL, për atë program studimi.
Kandidati nuk mund të regjistrohet në më shumë se një program studimi.”

***
Duke ndjekur me shqetësim situatën e maturantëve në muajin shtator dhe duke iu referuar pikave 12 dhe 13 të Kreut III të Udhëzimit nr. 13, kuptuam që skema e regjistrimit ishte shumë problematike pasi nuk mundësonte regjistrimin e shumicës së maturantëve në dy raundet e para dhe 4 ditët e fazës së fundit. Prandaj në të gjitha qëndrimet tona kërkuam që MAS të paraqiste një skemë të re regjistrimi, me një numër raundesh aq sa të regjistroheshin të gjithë maturantët që dëshironin të regjistroheshin.
Pikërisht për të shmangur këtë anomali të skemës së regjistrimit, MAS ka ndërhyrë për të ndryshuar skemën e regjistrimit dhe, siç konstatohet lehtësisht në Udhëzimin nr. 24, janë bërë disa ndryshime thelbësore.
Së pari, “Kandidatët të cilët nuk janë regjistruar brenda datës 16 tetor 2016 konform përcaktimeve të këtij udhëzimi humbin të drejtën për t’u regjistruar në fazat e mëtejshme të parashikuara më poshtë në programet e studimit ku ata rezultonin fitues gjatë raundit të dytë”, – ky është një paragraf, që në ndryshim nga udhëzimi fillestar, i pastron listat nga fituesit e paregjistruar. Por kjo përpjekje për të maksimalizuar regjistrimin e maturantëve shkakton padrejtësi pasi dëmton rëndë skemën e meritë-preferencës. Për këtë po sjellim më poshtë një shembull të ilustruar:
“Lindita është një maturante që dëshiron të studiojë Mjekësi të Përgjithshme, ajo ka grumbulluar 955 pikë në këtë program studimi, por renditet 8 pozicione poshtë vijës së kuqe në raundin e dytë. Ndërkohë, në raundin e dytë ajo ka fituar në programe të tjera studimi, për shembull Stomatologji me po 955 pikë, degë të cilën Lindita në dëshirat e saj e ka si preferencë të dytë. Tashmë, Lindita gjendet përballë një dileme të madhe, që paraqet mundësi e rreziqe. Opsioni i parë: Ajo dëshiron Mjekësi, por që të vijojë garën duhet të heqë dorë nga Stomatologjia – dhe gjithë degët e tjera ku ka fituar – sipas udhëzimit të ri, duke rrezikuar në këtë mënyrë të mos fitojë as njërën e as tjetrën për shkak se vija e kuqe në programin e studimit Mjekësi mund të zbresë vetëm me 4 pozicione. Më keq akoma, ndoshta Lindita mund edhe të mbetet pa shkollë nëse Mjekësia është e vetmja degë ku ajo mund të konkurronte pas raundit të dytë. Ndërkohë në Stomatogji, pas zbritjes së vijës së kuqe, është regjistruar një student tjetër, Plarenti, me 945 pikë. Opsioni i dytë: Ndoshta, Lindita e frikësuar nga kjo panoramë e opsionit të parë vendos të mos rrezikojë dhe vendos të regjistrohet në Stomatologji. Por, në fazën pasardhëse ajo shikon se vija e kuqe në mjekësi ka zbritur me 15 pozicione dhe, nëse do kishte guxuar, ajo do të ishte fituese. Për fatin e saj të keq, vendin e saj e ka zënë Edi, Iliri, Nora, etj., që të gjithë me më pak pikë se Lindita. Lindita pyet e nxehur veten: Ku është preferenca, ku është merita?!”
Së dyti, Udhëzimi nr. 24 e ka ndarë 4-ditëshin në dy faza: faza e parë në thelb paraqet të njëjtat dilema e rreziqe që shtjelluam për raundin e dytë, pasi edhe këtu maturantët që nuk regjistrohen në degët ku janë fitues e humbasin të drejtën të vijojnë garën në po këto degë në fazën e fundit.
Në këtë kaos të madh të krijuar, MAS duhet të nxjerrë një udhëzim të ri, ku të anulohen ndryshimet që detyrojnë maturantët të regjistrohen kundër vullnetit të tyre, si dhe në anën tjetër të lejojë shtrirjen e afateve e raundeve aq sa të mos ketë më kërkesa nga maturantët.
E kemi thënë që në krye të herës: Kjo skemë aplikimi dhe regjistrimi në universitete jo vetëm që u jep përparësi universiteteve private, por, si pasojë e ngatërresave të domosdoshme për të arritur qëllimin e mësipërm, prodhon padrejtësi e çoroditje të shumanshme. Prandaj duhet ndërhyrje urgjente. Përpara se të përfundojnë në koshin e historisë, në mos përpara gjyqit, ministrja e Arsimit dhe Sportit dhe zyrtarët e lartë të saj duhet të marrin masat e fundit të lehtësimit të dëmit të pa matë që u kanë sjellë maturantëve”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY