ANALIZA/ A i ka qeveria 100 milionë euro për rritje pagash para...

ANALIZA/ A i ka qeveria 100 milionë euro për rritje pagash para zgjedhore…?!

70
0
Shares

Ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe Kryeministri Edi Rama. Foto: Malton Dibra/LSA

Zgjedhjet po vijnë! Dhe siç ndodh zakonisht në këto raste, rritja e pagave është tema më e debatueshme. Gjithmonë në të shkuarën, qeveritë kanë rritur pagat pak para zgjedhjeve. Dhe gjithmonë, kjo rritje pagash ka qenë asgjë tjetër veçse para borxh që qeveria i ka dhënë qytetarëve, borxhe që pikërisht qytetarët do t’i paguajnë.

Dëshira e shprehur e Kryeministrit Edi Rama, e Ministrit të Financave Arben Ahmetaj dhe e Ministrit të Brendshëm Samir Tahiri për të rritur pagat vitin e ardhshëm, nuk është aspak surprizë, sido që të tre zyrtarët janë përpjekur ta paraqesin si të tillë. Qeveritë e shkuara kanë bërë gjithmonë të njëjtën gjë në prag të zgjedhjeve, si më 1996 ashtu edhe më 2001 e 2005, e së fundmi, më 2009. Në të gjitha këto raste, rritja e pagave ka qenë e bollshme. Në vitin 2000, qeveria socialiste i rriti pagat reale me 18 për qind, ndërsa më 2004 (në pritje të zgjedhjeve të vitit 2005), i rriti me 15 për qind. Berisha i rriti me 12 për qind në vitin 2009. Më 2013, buxheti i shtetit qe aq i rraskapitur sa kjo gjë nuk ndodhi. Tashmë më 2017 pritet të ndodhë. Përgjatë këtyre viteve, rritja ekonomike qe shumë më e ulët se sa rritja e pagave, respektivisht, 7 për qind më 2000, 6 për qind më 2004, 3 për qind më 2009.
Qeveria duket e bindur të shpenzojë 100 milionë euro, afërsisht 1 për qind të PBB-së, për të dhënë rritjen paraelektorale të pagave.
Shqiptarët vështirë se e hanë këtë gënjeshtër.
Përgjatë të gjitha zgjedhjeve të shkuara është bërë e qartë se një rritje page e pashoqëruar me rritje ekonomike, nuk është rritje por borxh. Dhe ky borxh do të shlyhet po nga të njëjtët qytetarë, kuptohet, shoqëruar me interesat e posaçme të kësaj rritjeje. Viti 2017 nuk përbën dallim. Buxheti i shtetit, ashtu siç është, nuk i ka mundësitë të rrisë pagat, aq më pak, që të japë rritje të majme prej 10 për qind, (siç është premtuar për të gjithë punonjësit e shtetit) dhe 17 për qind siç është premtuar për policët.
Problemi me qeverinë aktuale dhe me ato të shkuara, është që paratë nuk rriten në pemë dhe nuk mbillen arave. Paratë dalin nga taksat dhe taksat dalin nga ekonomia. Kur ekonomia rritet me 1, 2 apo 3 për qind në vit, rritja e pagave të qeverisë mund të jetë maksimumi e barabartë me rritjen ekonomike, d. m. th, 1, 2 apo 3 për qind. Çdo rritje më shumë se kaq, nuk është rritje, është borxh. Qeveria vendos t’i gënjejë qytetarët duke i dhënë lekë borxh. Kjo është çfarë po ndodh tani.
Buxheti i shtetit sakaq ka telashin e borxhit të stërmadh publik, borxh që është rritur me tepri gjatë viteve të fundit dhe që do të duhet të shlyhet. Hapësira për të rritur shpenzimet, pikërisht për fajin e qeverisë që nuk ka mbledhur dot taksat ashtu siç duhej t’i mblidhte, thjeshtë nuk ekziston. Le të bëjmë pak aritmetikë të thjeshtë: aktualisht, borxhi publik është 72.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe qeveria ka marrë përsipër ta reduktojë këtë borxh me 2, 3 apo 4 pikë për qindje të PBB-së çdo vit.
Buxheti i shtetit merr nga ekonomia rreth 26 për qind të PBB-së dhe nga këto, 24 për qind i ka shpenzime operative, d.m.th, shpenzime ekzistenciale. (Të dhënat janë të vitit 2015). Nëse qeveria do të rrisë shpenzimet për paga dhe pensione me 1 për qind të PBB-së vitin e ardhshëm, paratë që do të mbeten në dispozicion të uljes së borxhit dhe të investimeve publike do të mbesin vetëm 1 për qind e PBB-së. Do të thotë që qeveria nuk do të ketë para as për të ulur borxhin dhe as për të kryer investime minimale publike, për të përfunduar ndonjë rrugë, p. sh.:, apo për të ndërtuar ndonjë ujësjellës.
Qeveria pretendon se përgjatë tri viteve të fundit, ka ndjekur një program që synonte fillimisht rritjen e borxhit publik nga 62 në 72 për qind të PBB-së. Kjo rritje borxhi supozohej se, krahas reformave të tjera, do të vendoste bazën për rritje ekonomike prej 4.5 për qind në vit. Kjo nënkuptonte që në periudhë afatmesme, borxhi të mbahej konstant në vlerë nominale dhe në ulje si për qindje e PBB-së, ndërsa qeveria rriste të ardhurat e buxhetit si rrjedhojë e rritjes më të lartë ekonomike dhe si rrjedhojë e taksave më të larta, me të cilat, do të mund të investonte në infrastrukturë bazë. Kjo për fat të keq nuk ndodhi. Investimet nuk u kryen, rrugët u rrënuan më tej, infrastruktura bazë degjeneroi dhe rritja ekonomike nuk erdhi. Sot ekonomisë shqiptare i mungojnë qindra milionë euro si diferencë mes rritjes ekonomike prej 4.5 për qind që qe premtuar dhe rritjes ekonomike që realisht erdhi prej 2 apo 3 për qind.
Në asnjë element të planit aktual ekonomik nuk parashikohej rritja e pagave për qëllime zgjedhore. Dhe dukshëm, kjo nuk është rritje pagash. Ajo është një borxh, të cilin, qeveria po e shton me papërgjegjshmëri.
Pyetja elementare që çdo shqiptar duhet t’i bëjë vetes është: kur ekonomia rritet me 3 për qind, ku i gjen qeveria lekët për të rritur pagat me 10 për qind?!
Përgjigjja është e thjeshtë.
Borxh!
Një borxh të cilin, vetë ne do ta paguajmë.
 
Autor: Gjergj Erebara
BIRN
Tiranë

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY