PËRGJIMET/ Gjyqtarja Majlinda Andrea nuk pranonte as toka, as gjë, por vetëm...

PËRGJIMET/ Gjyqtarja Majlinda Andrea nuk pranonte as toka, as gjë, por vetëm “të thata”

113
0
Shares

Prokuroria e Përgjithme u ka komunikuar akuzën e korrupsionit gjyqtares së Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea, bashkëshortit të saj Odhise Andreas dhe tre të arrestuarve të tjerë të kësaj dosje.
Pas këtij vendimi, prokurori Arben Kraja,do dërgojë për gjykim dosjen në ngarim të të pandehurve në Gjykatën e Lartë. Momentalisht vijon të jetë në kërkim Odhise Andrea ndërkohë që të gjithë të pandehur e tjerë janë në Shqipëri, shkruan shqiptarja.com.
Në dosjen e prokurorisë në vijim të veprimeve hetimore, midis të tjerave, është vendosur fillimisht lejimi i përgjimit të numrave të telefonit celular 069 76 XXXX në përdorim nga Ilia Çabiri me banim në Sarandë. Mbi bazën e bisedave telefonike të realizuara nga ky shtetas,është proceduar me vendosjen në përgjim edhe të numrit të telefonit 069 85 XXXX në përdorim nga shtetasi Petraq Dashi me banim në Fier, si dhe të numrit të telefonit 069 40 XXX në përdorim të shtetasit Odhise Andrea. Po kështu, për personat e mësipërm është proceduar edhe me vëzhgimin dhe përgjimin e tyre në ambiente publike.

Në datën 4 qershor 2016, në mesditë është zhvilluar një bisedë telefonike midis shtetasve Ilia (Ylli) Çabiri dhe Petraq Dashi, me përmbajtje si më poshtë:


Petraqi: Unë e di për çfarë më more, po vëllai kam filluar që më del gjumi natën për atë muhabet, po matem t’i vete te shtëpia, ta marr në telefon, po meqë e lamë kështu me atë nuk dua t’i dal nga llafi.
Ilia: Po.
Petraqi: E kupton, që të më thotë ore ne e lamë se unë do të marr vetë, më kupton pse. Po mua më kanë hyrë ethet, nuk e di.
Ilia: Ti e di atë punë ore presor tani, ç’të them unë ti e njeh mirë.
Petraqi: Jo, po muhabeti vajti mirë fare, me një fjalë nga muhabeti i fundit që u ulëm ne, u bë e qartë që ky muhabet do GRASON, në rregull GRASO,GRASO, e kupton?
Ilia: Po.
Petraqi: Eee dakord edhe i thashë e rëndësishme është të mos jetë ndonjë gjë e rëndë, jo jo më tha mua, janë gjëra brenda asaj që janë të logjikshme.
Ilia: Po mirë.
Petraqi: Po mos të jenë kopaçe brenda, kështu më tha. Tani pas këtij muhabeti më mori pastaj, ashtu siç ta kam thënë gjithmonë, e gjërat janë në proces, do të marr unë, ti mos merr më, do të marr unë, do të lajmëroj unë…

Në datën 24 Qershor 2016, në mëngjes është zhvilluar një bisedë tjetër telefonike midis shtetasve Ilia (Ylli) Çabiri dhe biznesmenit Petraq Dashit,i cili rezulton të jetë kushëri me gjyqtaren Majlinda Andrea.


Ilia: O Petro ça bën?
Petraqi: Hiç asgjë fare, as nuk më ka marrë as ashtu … nuk e di qysh e tek do vijë. Nuk po marr vesh fare, më tha më prit, më prit, po të marr vetë në telefon e kaq.
Ilia: Mos është e nevojshme të vete unë një herë lart vetë…
Petraqi: Po jo ore vëlla se e bezdis, unë merrem me njerëzit e mi atje, thashë një mendje me gocën e xhaxhait, t’i veja te shtëpia por prapë më duket si…

Pas dy ditësh sërisht në mëngjes është zhvilluar një bisedë tjetër telefonike midis shtetasve Ilia (Ylli) Çabiri dhe Petraq Dashi, me përmbajtje si më poshtë:


Petraqi: Atij mikut i çova fjalë me të atin me një fjalë.
Ilia: Po.
Petraqi: Edhe tha është akoma në ashtu tha, po shikojmë tha, mos ki merak, kjo ishte përgjigjja.
Petraqi: Kaq çfarë do t’i thoshe më tepër në telefon.
Ilia: Po mirë mo mirë, shumë mirë.
Petraqi: Ça mirë, unë jam mërzitur me…
Ilia: E mo Petro, ti s’ke pse mërzitesh se këto punë kështu i kanë, pa shiko mua 4 vjet, 5 vjet sa vajta me këto poshtë.
Ilia: Këto punë kanë gjykatat mo vlla nuk ashtu po, ta kishim mbaruar ta kishim mbledh mendjen.
Petraqi: Nuk e di ça të të them or ti, muhabetet janë bërë të shkoqura, të pjekura, të sakta, nuk e di tani.
Ilia: Se unë kam kaluar andej po…
Petraqi: Unë jam në pritje.

Dashi dhe Andrea takim në Rrogozhinë

Në datën 7 korrik 2016, në mesditë janë zhvilluar dy biseda telefonike midis shtetasit Petraq Dashi dhe shtetasit Odhise Andrea. Nga përmbajtja e bisedës telefonike rezulton se dy personat e mësipërm kanë komunikuar për t’u takuar në qendër të qytetit të Rrogozhinës. Menjëherë pas bisedave të mësipërme, është zhvilluar biseda telefonike midis shtetasit Ilia (Ylli) Çabiri dhe Petraq Dashi, me përmbajtje si më poshtë:


Petraqi: Po.
Ilia: Sa është kostua mo Petraq?
Petraqi:Tashti për atë do takohemi, janë gjëra që s’bëhen në telefon këto, me një fjalë o bëhet këtë javë që vjen o s’bëhet me një fjalë, kështu që kostua është … takohemi sot mbasdite në Gjirokastër dhe kaq. Mirë, hajt.
Ilia: E mirë, nga ora 6-7.

Po në të njëjtën ditë


Petraq Dashi ka biseduar sërish me shtetasin Ilia (Ylli) Çabiri dhe e kanë lënë që të takohen ditën e nesërme në Gjirokastër dhe se Petraqi do t’i sqaronte të nesërmen paradite gjërat një për një. Në të njëjtën datë shtetasi Petraq Dashi ka komunikuar edhe me numrin e telefonit 069 73 XXXX, në përdorim nga personi me emrin “Lenica”, e cila dyshohet se është gjithashtu një nga trashëgimtarët e ish-pronarit dhe që është e interesuar për njohjen dhe kthimin e pronës. Në këtë bisedë shtetasi Petraq Dashi i ka thënë asaj se duhet të takohen të nesërmen në Gjirokastër, pasi kishte lënë takim edhe me Yllin. Menjëherë pas bisedave të mësipërme shtetasi Ilia (Ylli) Çabiri komunikon me shtetasen me emrin “Lenica”, dhe midis tyre është zhvilluar biseda me përmbajtjen si më poshtë:


Lenica: Si dukesh si je, të mori Petraqi?
Ilia: Edhe mua e edhe ju ju mori?
Lenica: E tani sapo më mori dhe thoshja prit se isha unë nja një javë tutje dhe thashë të marr Yllin për ndonjë të re dhe dje harrova, kur më mori tani Petraqi më tha të vi nesër në orën 11:30, do vij dhe Ylli tha të bisedojmë.
Ilia: E është ajo për Gjykatën e Lartë, nuk e di tani ça kanë bërë…
Lenica: E i thashë unë ndonjë lajm të mirë, të mirë të mirë më tha mua po kaq.
Ilia: Ka kosto, ka kosto.
Lenica: E kuptova unë që tha edhe unë për atë mendova për koston e për koston.
Ilia: Ajo është tani të shohim, po ajo tani s’është me 2.000 euro e 3.000 euro.
Lenica: Po sa do të jetë shuma andeja?
Ilia: Nuk e do bisedojmë, s’më tha gjë në telefon.
Lenica: Edhe mua s’më tha gjë, se kaq më tha i thashë unë ndonjë lajm të mirë, i mirë i mirë më tha mua po e kuptova që do të thotë për lek.
Ilia: Unë deri tani përveç tuajat që dhatë ti edhe Petraqi kam harxhuar 8.000 euro 9.000 euro të miat.
Lenica: Do t’ja themi sa kemi harxhuar, ne kemi harxhuar kaq do t’i themi.
Ilia: Tani nuk do zënë të tilla llogarira sepse tani po, është halli se të kthyen prapë në shkallë të parë e në shkallë të dytë u dogjëm, është kot na venë dëm ato.

Në 8 gusht 2016

Rezulton se shtetasi Ilia (Ylli) Çabiri ka komunikuar në telefon me shtetasin Petraq Dashi dhe së bashku janë takuar në qytetin e Gjirokastrës. Pas takimit të mësipërm shtetasi Petraq Dashi ka bërë një bisedë telefonike me numrin e telefonit 069 23 XXXX, në përdorim të personit me emrin “Mato”, i cili dyshohet se gjithashtu mund të jetë njëri nga trashëgimtarët e ish-pronarit. Në këtë bisedë
Petraq Dashi i ka komunikuar se “…Ee ato muhabete që prisja i thashë Yllit se Lenica thoshte s’kam s’kam … s’prisja unë ndonjë gjë, tani unë për të mos thënë që dakord unë jam shumë shumë në siklet i thashë unë se s’mund t’i gjej për 3-4 dit aq lek…”.
Në të njëjtën datë shtetasi Ilia (Ylli) Çabiri ka komunikuar në telefon me shtetasin Petraq Dashi dhe komunikojnë së bashku në lidhje me faktin që duhet të kontribuojnë edhe persona të tjerë në kryerjen e pagesës, të cilët mund të përfitojnë nga njohja dhe kthimi i pronës. Në këto biseda shtetasi Ilia (Ylli)
Çabiri i thotë shtetasit Petraq Dashi midis të tjerave që “… kur vjen finalja unë i bëj punët e mia pa merak për ato gjëra … ato janë muhabetet e fundit që do të bëhen, këto këtu unë doja të nxirrja ndonjë diçka këtej të paktën 20.000 euro, 10.000 euro, 15 sa mund të nxirrnim, nuk nxorëm gjë mbaroi filmi atë e kam unë në dorë, ora në fund fare unë s’u jap gjë fare…”.

Në pasditen e 10 korrikut 2016, Ilia (Ylli) Çabiri ka komunikuar përsëri në telefon me shtetasin Petraq Dashi, midis këtyre personave është zhvilluar biseda me këtë përmbajtje:


Petraqi: Tashi më dëgjo me kujdes.
Ilia: Hë?
Petraqi: Unë fola me një fjalë direkt me atë mikun … mos ta zëmë emrin.
Ilia: Mos zë emra jo jo hiç vazhdo.
Petraqi: Ashtu tani që sa folëm bashkë ne në mëngjes unë kontaktova edhe me mesazh.
Ilia: Po.
Petraqi: Tani që nga mëngjesi deri tani që unë i thashë propozimet dhe më tha, Petraq ai nuk pranon as me toka as me gjë, i do të thata në rregull.
Ilia: po.
Petraqi: Dhe e vetmja gjë që na bëri ai ne është që nga 60 e çoj 50 dakord, këtë po ta them ty do marr dhe Lenicën do t’ia them dhe asaj tani sepse për ne është gjë e madhe që e uli 10.
Ilia: Po shumë ashtu ta kishte ul dhe një çik.
 

Biseda e patranskriptuar e deklarata noteriale

Në 10 korrik 2016, pasdite është zhvilluar një bisedë telefonike midis shtetasit Ilia (Ylli) Çabiri dhe personit të identifikuar me emrin “Lenica”, përdoruese e numrit të telefonit celular 069 73 XXXX (biseda është ende e pa transkriptuar). Në këtë bisedë telefonike shtetasi Petraq Dashi i komunikon Lenicës se personit tjetër i ka propozuar tokë, por ai i ka kërkuar në vlerë monetare, i ka thënë se lajmi i mirë është që nga 60 e ka çuar 50 shumën, se nesër Lenica duhet që të shkojë në Fier së bashku me shtetasin Ilia (Ylli) Çabiri. Shtetasi Petraq Dashi ka thënë se ka një shpresë se do ta ndihmonte një mik i tij, por që të tre ata duhet që të nënshkruajnë një deklaratë noteriale, sikur i kanë atij borxh pjesën përkatëse të shumës që ata duhet të paguajnë për efekt të procesit gjyqësor.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se në datën 11 korrik 2016 shtetasi Ilia (Ylli) Çabiri si dhe personi me emrin Lenica kanë shkuar në qytetin e Fierit dhe janë takuar me shtetasin Petraq Dashi. Rreth orës 10:45 të tre personat e mësipërm kanë shkuar në zyrën e noteres Etleva Stamo ku kanë kryer veprime noteriale, ku dyshohet se kanë nënshkruar deklaratat noteriale për njohjen e borxhit ndaj shtetasit Petraq Dashi. Më pas, rreth orës 12:00 shtetasi Petraq Dashi ka shkuar në pikën e transfertave monetare MoneyGram “Troka”, ku ka takuar një person që mbante një çantë të zezë në dorë. Të dy këta të fundit kanë hyrë në pikën e transfertave MoneyGram “Troka” dhe në momentin që shtetasi Petraq Dashi ka dalë nga ky ambient, ka pasur në dorë një qese të mbështjellë pjesërisht me një letër të bardhë të cilën e ka marrë me vete.
 Me 50 mijë euro drejt Odhise Andreas

Në 11 korrik 2016 në mesditë Petraq Dashi ka telefonuar burrin e gjyqtares Majlinda Andrea, Odhise Andrea, ku midis të cilëve është zhvilluar biseda telefonike me këtë përmbajtje:


Odhise: E Petraq?
Petraqi: Odhise ça po bën ti vlla, mirë je?
Odhise: Mirë, ça bëre ti?
Petraqi: Hajd, dëgjo?
Odhise: Hë?
Petraqi: Si e ke më mirë, takohemi sonte në darkë në Tiranë apo nesër si është më mirë?
Odhise: Po sa më shpejt aq më mirë, vap e madhe ikin njerëzit.
Petraqi: E në rregull atëherë unë po ashtu pastaj për mbasdite sot.
Odhise: Flasim mbasdite 6-6 mbasdite që të … mir e?
Petraqi: Po okej hajd …
 

Video e foto nga afër nga policia

Po në të njëjtën ditë rreth orës 19:15, shtetasi Petraq Dashi është takuar në Tiranë me shtetasin Odhise Andrea, ku së bashku janë ulur në ambientet e jashtme të lokalit “Harli Cafe”. Takimi i mësipërm është vëzhguar nga policia gjyqësore me foto dhe video në një distancë të afërt. Në momentin që shtetasi Petraq Dashi ka shkuar në takim ka pasur me vete përveç çantës së tij të dorës edhe një qese të mbështjellë me letër, të njëjtën që ka pasur në dorë edhe në momentin që ka dalë nga zyra MoneyGram “Troka”, në Fier. Në momentin që ata janë ngritur nga tavolina ku ishin ulur qesen e mësipërme shtetasi Petraq Dashi ia ka dhënë shtetasit Odhise Andrea, i cili e ka mbajtur në dorë në mënyrë të dukshme dhe më pas është larguar për në banesën e tij.Në mbrëmje të 11 korrikut, disa minuta pas takimi me shtetasin Odhise Andrea, shtetasi Petraq Dashi është telefonuar nga vajza e tij e cila e ka pyetur se ku ndodhej. Në këtë bisedë shtetasi
Petraq Dashi i është përgjigjur se “…unë jam këtu te sheshi Ëillson, se erdha i çova atë porosinë atij shokut … këtij këtu në Tiranë … i prura atë plaçkën … këtë javë mbyllet tha ai, e merr në dorë…”.
Nga verifikimet e kryera në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë në lidhje me ecurinë e gjykimit të çështjes civile me kërkues Gjeorgjia Gjoka, është konstatuar se kjo çështje gjyqësore është marrë në shqyrtim në dhomën e këshillimit dhe se rezulton të jetë vendosur mospranim rekursi me Vendimin Nr, 00-2016-2171, datë 12 korrik 2016 të Gjykatës së Lartë, pra një ditë pas takimit të shtetasit Petraq Dashi me shtetasin Odhise Andrea. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se trupa gjyqësore ka qenë e përbërë nga tre anëtarë, ku në përbërje të trupit gjykues ka qenë edhe gjyqtare Majlinda Andrea, e cila është bashkëshortja e shtetasit Odhise Andrea. Duke vlerësuar të gjitha rrethanat e mësipërme, përmbajtjen e bisedave të kryera nga shtetasit Ilia (Ylli) Çabiri, Petraq Dashi, si dhe të personit me emrin Lenica (Eleni Lino), provohet se të tre këta shtetas do të jenë përfitues të sipërfaqes së tokës që kërkohet të kthehet në favor të trashëgimtarëve të ish-pronarit të pretenduar dhe se këta persona janë interesuar drejtpërdrejt në lidhje me ecurinë e procesit gjyqësor në Gjykatën e Lartë.
Nga përmbajtja e bisedave të kryera provohet se këta persona bisedojnë në mënyrë të qartë në lidhje me shumën që duhet të paguhen për efekt të procesit gjyqësor, për shumën që duhet të kontribuojnë edhe personat e tjerë trashëgimtarë të ish-pronarit dhe se në datën 10 korrik 2016 ata janë njoftuar nga shtetasi Petraq Dashi se duhet që të paguajnë shumën 50, shumë e cila nga kronologjia dhe konteksti i bisedave të tyre është shuma prej 50.000 euro.

Të pandehur

Majlinda Andrea
Odhise Andrea
Eleni Lenica
Petraq Dashi
Ilia Çabiri

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY