KOMENT/Uniteti përballë pandemisë, si freskore për regjimin

KOMENT/Uniteti përballë pandemisë, si freskore për regjimin

61
0
Shares

Nga Ilir Nikolla

Lidhja e pandemisë me respektimin e lirive të njeriut po shqyrtohet thellësisht edhe në Perëndim, por po kalon pa komente të veçanta në Shqipëri, aty ku prej më shumë se një muaji është i ndaluar shtypja e gazetave (dhe s’dihet edhe për sa kohë do të zgjasë) dhe ku shkelësit e rregullave të gjendjes së jashtëzakonshme po shpallen fillimisht agjentë të opozitës e vetëm më pas edhe shkelës të ligjit. Në këtë horizont, kryeministri ka nisur të shohë ëndrra me një masivizim të dënimeve me heqje lirie deri në 10-15 vjet për ata që shkelin karantinën, duke shpresuar se emocioni kolektiv do ta gëlltisë edhe këtë masë të tmerrshme të shkeljes së lirive qytetare.

Lidhja e pandemisë me liritë qytetare u bë një debat evropian, qyshkur kryeministri hungarez mori në dorë të gjitha kompetencat e institucioneve të tjera për një periudhë të pacaktuar. Victor Orban ka kohë që shihet në Evropë si delja e zezë, prandaj edhe syzet skeptike të disa qarqeve liberale në Bruksel e patën të thjeshtë të pikasin tek ky veprim rrezikun ndaj demokracisë dhe lëshuan alarmin. Por për dreq, në vend që shembulli hungarez të bëhej shembull për keq, kemi parë lart e poshtë në kontinent që shumë liri po kufizohen me vendime qeverie, edhe pse në demokracitë me përvojë si në Gjermani e në Francë, gjithçka është përkufizuar brenda një afati deri në qershor. Atje institucionet janë ende të forta dhe duket se hëpërhë s’ka vend për shqetësim, por kjo valë kufizimesh ka sjellë në situata absurde si kjo e Shqipërisë, e cila, pasi ishte më herët në një paralizë ligjshmërie në Kuvendin e Shqipërisë dhe në institucionet e drejtësisë, ka fashitur me një të rënë të lapsit pushtetin e katërt (gazetat), ka ndërprerë çfarëdolloj forme të protestës apo mosaprovimit për VKM-të që dalin si kërpudhat pas shiut dhe ka nxjerrë policinë dhe kasnecët e vet të njoftojë se situata e jashtëzakonshme do të vazhdojë të paktën deri në fundvit.

Brenda këtij alarmi, natyrisht janë edhe qokat e rastit, si lejet për biznese të veçanta, faljet e taksave – gjithmonë për kategori të veçanta – si dhe një estradë demokratike me ftesa për dialog me opozitën, por gjithmonë, brenda kufijve që vendoska një këshill shkencor që u marrka me parashikimet për epideminë. S’po i hyjmë pjesëmarrjes qesharake në këtë palo-komision, që nga kunata qeverie e deri tek mjekë që s’ja kanë haberin as virologjisë e as sigurisë kombëtare, por mbetet t’i kujtojmë publikut se vendosja e kufijve tek një komision që dhënka leje se deri kur do të vijojë gjendja e jashtëzakonshme, paçka se ai komision s’ka kurrfarë legjitimeti dhe është thjesht një emërtesë e qeverisë, është një tregues se sa larg ka shkuar kërcënimi për likuidim që qeveria po i bën sistemit demokratik në vend.

Alarmi se pandemia po përdoret nga autokracitë nuk ka pse të konsiderohet si një zmadhim. Edhe në Italinë e shquar për lirinë e fjalës dhe përfaqësimin në politikë të çfarëdolloj korrenti të mendimit, po shfaqet këto ditë shqetësimi se qeveria italiane po e kamuflon joefektivitetin e vet në përballimin e krizës me shfaqje të sulmeve publike ndaj opozitës. Në ligjërimin publik është rikthyer retorika se qeverisja po merr tiparet e regjimit. Është larg mendjes të mbajmë anë në këtë ligjërim që s’na takon, por artikulimi i rrezikimit të demokracisë nga pandemia është një kambanë alarmi se ky rrezik është shumë më i madh në nahijen tonë.

Përballë këtij rreziku nuk mund të heshtet në emër të një pseudo-uniteti përballë emergjencës së pandemisë. Asnjë hile që fshihet pas VKM-ve që mund të privilegjojnë biznese a persona e rrjedhimisht të dëmtojnë të tjerë, në emër të luftimit të emergjencës, s’mund të kalohet pa u denoncuar, për hir të unitetit. Kemi unitet kur është vërtet rasti për të patur unitet, jo kur sheshi i pandemisë synohet të bëhet përsheshi i autokratëve. Në këtë rast, uniteti do të ishte thjesht një ndihmë më shumë që, siç thuhet në fjalorin e lakenjve, një gjë të bezdisur si liria ta zëvendësojmë me komoditetin e lirisë së kufizuar.

/DRONI.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY