PORTRET/ Rexhë Xhakli, misionari i çështjes kombëtare

PORTRET/ Rexhë Xhakli, misionari i çështjes kombëtare

262
0
Shares

Nga Begzad Baliu

E morëm me pikëllim lajmin për vdekjen e Bacës Rexhë (Rexhë Xhaklit). Kishim dëgjuar shumë herë për atdhetarinë dhe kontributin e tij për çështjen shqiptare, për idealizmin e tij dhe përpjekjet për ringritjen e disa prej institucioneve kombëtare, për humanizmin e tij (e të zonjës së tij Shpresa Xhakli), që nga vitet ’60 kur ai shkeli në tokën e premtuar amerikane, për të cilën ai fillimisht kishte shumë ëndrra, në të cilën punoi shumë dhe për të cilën ai kishte besim të patundur.

Rexhë Xhakli vinte nga një familje posaçërisht e angazhuar dhe e shquar në luftën e saj kundër sundimit serb gjatë gjithë shekullit XX. Në vitet ’20, pas shumë kohësh në burgun shtëpiak në fshatin Kishnapolë të Gjilanit, pushteti i kohës ia mundësoi kësaj Familje që në vitin 1928 të shpërngulet në Turqi, por Xhakalitë nuk pranuan dhe në vend të Turqisë e zgjodhën Shqipërinë dhe u vendosen në Fier. Kështu, e përballuar me këtë luftë të përhershme kundër pushtuesve sllavë, Familja e tij ishte ndarë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, respektivisht ndërmjet qytetit të Gjilanit dhe Fierit. As në Shqipëri Familja Xhakli nuk qëndroi indiferente ndaj fateve të kombit. Në vitin 1943 Bajrush Xhakli, nga kjo Familje, mori gradën e kapitenit nga Mit’hat Frashëri, ndërsa Familja u kthye në Kosovë, përkatësisht në Ferizaj.

Rexhë Xhakli dhe Familja e tij e rikthyer ne Kosovë u ballafaquan me ripushtuesin serb, që në rininë e tij të hershme. Në vitin famëkeq të mbledhjes së armëve (1956), Rexhë Xhakli u burgos bashkë me atdhetarët e brezit të parë të pasluftës së dytë botërore: Ibrahim Viçen, Gjovalin Gjonin dhe Hafiz Xhaklin, të cilët u dënuan nga 12 deri 18 muaj për ‘veprimtari armiqësore’ dhe të gjithëve ju mor edhe e drejta e shkollimit.
Më parë se sa të punonte për të siguruar bukën e gojës për Familjen e tij të madhe, Rexhë Xhakli bashkë me disa bashkëkohës të tij, sikur kujtonte ai, shkuan në zonën Perëndimore të Jugosllavisë, që t’i shpëtonin përndjekjes së përditshme. Në ndërkohë, pas shumë peripecish, do të regjistrohet në Universitetin e Zagrebit, ku studioi në Degën e Kimisë. Në Zagreb, më tregonte më vonë në bisedat miqësore, “mësova për Amerikën dhe të mirat që të sjellë ajo”, për “domethënien e lirisë personale dhe kombëtare, për të drejtat qytetare individuale dhe kombëtare”, sepse në Kroaci kishte shumë dashamirës të Europës dhe Amerikës, prandaj vendosi të shkonte në Amerikë, që ta provonte atë ndjenjë dhe atë perspektivë, të cilën nuk e kishte parë deri atëherë. Në të vërtetë, dilemën e tij mes Europës dhe Amerikës e nxisnin dy familjarët e tij, që në fund të vitit 1945 mbetën në kampin e ushtarëve gjermanë, por njëri prej tyre zgjodhi Gjermaninë (që të ishte më pranë familjes), ndërsa tjetri, Bajrushi zgjodhi Amerikën.
Në vitin 1966 Rexhë Xhakli shpërngulet fillimisht në Itali e pastaj në Amerikë dhe atje në të vërtetë e kupton para se gjithash vlerën individuale dhe rëndësinë që ka “njeriu punëtor”, “njeriu demokrat”, “djersa e dijes” dhe “djersa e ballit”, prandaj u hodh në arritjet e idealeve, synimeve dhe qëllimeve të tij individuale, familjare e kombëtare. Atje gjeti një diasporë tjetër nga ajo që kishte Europa.

Në Amerikën e Madhe kishte gjetur një diasporë të vjetër dhe të shpërndarë në qytete e shtete të largëta, një diasporë shumë më heterogjene se ajo e Europës, një diasporë shumëpolitike dhe shumideologjike, individë me arritje të jashtëzakonshme intelektuale, ekonomike, po më pak politike. Prej dijes së tyre, prej kulturës intelektuale, prej përkushtimit të tyre në fushë të biznesit dhe prej përkatësisë së tyre politike (nga e majta te e djathta dhe madje nga klanet fetare te strukturat serbo-sllave), kishte kuptuar se organizimi i një Lëvizjeje kombëtare konkrete për Kosovën ishte i vështirë dhe pothuajse i pamundur. Në shumicën e strukturave më të larta organizative të tyre më i madh ishte përkushtimi për të rrënuar sistemin komunist në Shqipëri, se sa çlirimi i Kosovës dhe trojeve shqiptare në ish-Jugosllavi. Në këto rrethana ai zgjodhi veprimin më parë se ideologjinë, si kusht i vetëm për të qenë në shërbim të atdheut dhe kombit të tij.

Në vitet ’70 ai do të përkushtohet në fushë të biznesit, por njëkohësisht do të gjurmojë rrugët e referencave të administratës amerikanë me të cilët bashkëpunoi deri në nivelet më të larta të saj, qoftë për çështjen shqiptare përgjithësisht, qoftë për çlirimin e Kosovës veçanërisht. Në hierarkinë e takimeve të tij, ai do të arrijë të takohet me shumë personalitete të larta, duke përfshirë edhe Presidentin Bush, ndërsa do të jetë edhe njëri prej ndërmjetësuesve për vizitën e Sekretarit Beker në Tiranë, në vitin 1991.
Në vitet ’90 shtëpia e tij u bë strehë e shumë individëve, grupeve dhe delegacioneve të Kosovës e të Shqipërisë që shkonin në Amerikë për aktivitete e takime të ndryshme me administratën amerikane. Është kjo, sikur theksonte ai në bisedat tona, përpjekja e tij e madhe për Kosovën dhe Luftën e saj Çlirimtare, dhe zhgënjimi i tij i madh në përpjekjet e tij që të krijohet një administratë e pakorruptuar në Shqipërinë postkomuniste, përkatësisht zhgënjim i tij i madh me Demokracinë e re, e cila nuk arriti ta kuptonte misionin e madh etik (në zhvillimet e brendshme) dhe kombëtar, që kishte për çështjen e përgjithshme shqiptare.

Pas Luftës së Kosovës, për çlirimin e së cilës u angazhua shumë, mendërisht, politikisht, familjarisht dhe materialisht, Rexhë Xhakli në vend të politikave dhe partive zgjodhi të jepte disa kontribute personale dhe familjare në interes të qytetarëve të saj. Shtëpia e tij u bë bazë e të rinjve të Kosovës që në Amerikë shkonin për shkollim e specializime të ndryshme. Në këtë rrjedhë Rexhë Xhakli u vu në krahët e vullnetarëve dhe gruas së tij Dr. Shpresa Xhaklit, për të mbledhur fonde dhe për të ngritur një qendër humanitare për fëmijët autikë dhe me sindromin daun.
Në biografinë e tij ndërkaq pak kush i thekson disa veti të tij prej iluministi: përkushtim e tij shpirtëror ndaj historisë, gjuhës dhe trashëgimisë kombëtare. Prej miqve të tij të shumtë në Amerikë dhe prej udhëtimeve të tij të shumta në Lindje dhe në Perëndim, – më thoshte gjatë bisedave të viteve të fundit, – kishte parë dhe kishte mësuar për mënyrën se si popujt historikë ruajnë dhe mirëmbajnë kulturat e tyre. Lakmonte sidomos ebrejtë dhe grekët, për të cilët mendonte se kanë përvetësuar antikitetin dhe mesjetën shqiptare. Në shtëpi madje kishte një bibliotekë shumë të madhe dhe brenda saj një kënd me rreth 300 libra në gjuhë të ndryshme kushtuar vetëm Ali Pashë Tepelenës.
Dy dekadat e fundit, miku ynë Rexhë Xhakli dhe zonja e tij Shpresa, vinin më shpesh në Kosovë dhe krahas angazhimeve të tjera kryesisht me karakter humanitar, bisedonim shpesh për një ëndërr të tij, krijimin e një Instituti të Historisë me qendër në Prizren. Ishte idealist i pandreqshëm në çështje të historisë së gjuhës shqipe. Një Rilindës tipik i llojit të Thimi Mitkos për të cilin shpesh i flisja në humor e sipër, se si ai paguante për secilën fjalë të shqipes gjuhëtarin e madh arbëresh Dhimitër Kamardën. Baca Rexhë jo vetëm besonte se shqipja ishte nëna e gjuhëve të botës, po ishte edhe i bindur se këtë mund ta bënte duke paguar shkencëtarët për secilën fjalë që zbulojnë.

Sa fjalë të duhen nga periudha e antikitetit? – i thosha me humor. – Për 2500 të siguroj unë nga fondi i Fjalorit të gjuhëve indoeuropiane, më shumë nuk t’i gjejnë as të tjerët, që ti mendon se mund t’i paguash. Gjuha shqipe është gjuhë historike, pasardhëse e ilirishtes, anëtare e dejtë e Familjes së Gjuhëve indoeuropiane dhe nuk rritet as nuk zvogëlohet nëse nuk është edhe pasardhëse e pellazgjishtes. Më mirë të punojmë për gjëra të prekshme. Arkivat në Europë e Azi janë plotë me dokumente, të cilat duhet t’i gjurmojmë.

-Po mirë, ku janë të rinjtë që t’i nisim menjëherë në punë, – pyeste gati me klithje. – Dhe t’i mbledhim dokumentet e t’i studiojmë në Prizren. Apo, nuk duhet pritur formimin arsimor e gjuhësor të tyre. Ne duhet t’i paguajmë edhe të tjerët që të punojnë për neve. Shkencëtarët europianë dhe amerikanë nuk janë si sllavët. Nëse i paguajmë, ata punojnë me krenari për të vërtetën shkencore dhe jo për shqiptarët apo sllavët. Bëri edhe një hap konkret. Ngarkoi Profesor Haki Xhaklin, që të gjurmonte për objektin e mundshëm që mund të blihej.
Në një nga vizitat e tij më kërkoi të takoja me Profesor Idriz Ajetin. Shkuam në Akademinë e Shkencave dhe e takuam. Bëmë edhe disa fotografi. Profesor Ajeti e përgëzoi për nismën, por i tha se më e mira që mund të bënte ishte të botonte të plotë dhe mundësisht edhe në gjermanisht e anglisht Studimet etimologjike të Profesor Çabejt. Aty janë themelet e dijes shqiptare, këmbënguli Profesor Ajeti. Unë nuk mund të them më shumë. Aty duhet vazhduar, te Studimet etimologjike të Çabejt. Çdo përpjekje për të shkuar më tej është rrezik të humbim besimin e dijes europiane, prej së cilës edhe nuk mund të dalim.
Ka të drejtë, Profesori, – këmbëngulja edhe unë. – Fjalët e shqipes nuk mund të shpjegohen me formula dhe shkolla të tjera ashtu sikur nuk mund të shpjegohen elementet kimike me formula të tjera nga ato që i njeh bota shkencore. As shkollë tjetër kundër asaj të Europës nuk mund të krijojmë, sepse nuk do të jemi të pranueshëm ashtu sikur nuk mund të funksionojmë në biznes ndryshe nga praktika ekonomike europiane dhe amerikane, sepse nuk do të jemi të pranueshëm për bashkëpunim.
Më kërkoi të takonim edhe Profesor Mark Krasniqin. Njiheshin prej shumë kohësh. E kishte pritur në shtëpi dhe e kishte nderuar. Këtë nderim ia bëri edhe Profesor Marku në Hotel Grand, po nuk zgjati shumë. Nuk mund të besonte Rexhë Xhakli, që Profesor Marku ende mendonte për Demokracinë shqiptare në Shqipëri me pikëpamjet dhe idealet e fillimit të viteve ’90, dhe nuk mund të besonte që Profesor Mark Krasniqi duke qenë pjesë e strukturave politike, parlamentare dhe qeveritare, ishte bërë ashtu pjesë e korrupsionit në Kosovë. Nuk më lejoi madje t’u bëj edhe ndonjë fotografi.

Të nesërmen më kërkoi ta dërgoja në Qytetin e Argjend (Novo Bërdë). Në kodrën më të lartë do të ngjitemi, më tha para se të niseshim. Provuam të ngjitemi në një rrugë anësore nga Kishnica, po nuk ja dolëm. Ishte me rrezik. U kthyem dhe u ngjitëm në drejtim të Vitisë së Marecit, me idenë të shohim grykën e lumit Krivarekë, po as aty nuk ishte i kënaqur. Dolëm te Kalaja e Artanës. Në Qendër, – sikur shprehej. Nuk ulej, dëshironte të shihte sa më larg në drejtim të Gjilanit, Dardanës dhe Veriut, në drejtim të Prishtinës e Mitrovicës.
– Kam tri dëshira, – më tha duke shikuar rreth e çark. – E para, të krijojmë Institutin e Historisë në Prizren, duke investuar 1.000 000 euro unë e po aq edhe Qeveria e Kosovës, me emrin e babait tim, sepse ai ka bërë shumë për ne; e dyta, ta shoh gjuhën shqipe, gjuhë nënë të botës; dhe e treta, kam dëgjuar se këndej shiten prona të mëdha. Do të doja t’i blej të gjitha ato poshtë të të cilave ka ari e argjend dhe t’ia lë të gjitha peng Amerikës në Kosovë. Ajo më ka bërë ky që jam dhe ndjej obligim të pamatshëm për të.

– Urojmë që t’i realizosh! – i thash duke parë se ai donte të vazhdonte!
– Begzad, e di pse amerikanët dhe ai Qosja yt i shqiptojnë mendimet me zë të lartë? – më pyeti. Dhe vazhdoi pa e pritur përgjigjen time, të cilën edhe nuk e kisha. – Sepse amerikanët vinë nga një tokë e madhe dhe krenare, prandaj edhe flasin me zë të lartë, të fuqishëm, krenar; ndërsa Qosja yt vjen nga një krahinë me kodra të larta, prandaj edhe shikimin e ka disi si shqiponjë, dhe duke kaluar fëmijërinë dhe rininë atje është mësuar të shikojë lart e të flasë me zë të lartë.
– Ke të drejtë, – i thash, dhe vazhdova. – Po unë mendoj se amerikanët dhe Qosja e shqiptojnë mendimin fort dhe me zë të lartë para se gjithash sepse: Qosja ka mendime të mëdha – kombëtare, ndërsa amerikanët për shkak se shqiptojnë mendime me përmbajtje dhe ideale planetare!
– Ke të drejtë! – më tha duke shikuar në drejtim të luginës, – besoj që po mendojmë njësoj.
U kthyem në Prishtinë duke i diskutuar më shumë dëshprueshëm se sa me entuziazëm tri dëshirat e tij.
Më tej u takuam edhe dy a tri herë dhe biseduam shpeshherë me telefon, por kishte edhe shumë punë para se të realizonte tri dëshirat e mbetura.
Në këtë rrugëtim të gjatë dhe plotë sfida të jetës së tij edhe ato që bëri ishin të mjaftueshme për një njeri, për një pragmatist dhe për një idealist si Ai.
Qoftë i përhershëm kujtimi për Rexhë Xhaklin!
Pusho i qetë Baca Rexhë

Prishtinë, 7 prill 2020

Fotografia e Ibrahim Morina

Fotografia e Ibrahim Morina

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY