Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Prill 2020
“Ce soir” ka botuar, të premten e 23 dhjetori 1949, në faqen n°6, një shkrim në lidhje me historinë e veçantë të një futbollisti shqiptar, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Bashri Kavaja
(Futbollisti pa gishtat e këmbëve)
Personalitet n°1 në Shqipëri
“Kombëtarja shqiptare sapo ka përfunduar serinë e parë të ndeshjeve ndërkombëtare ku barazoi (1 – 1) me Rumaninë në Bukuresht, humbi me rezultat të ngushtë (2 – 1) ndaj Polonisë në Varshavë, dhe mori barazimin pa gola (0 – 0) me Bullgarinë në Sofje. Një rekord i shkëlqyer për këtë formacion të ri të një vendi që ka vuajtur rëndë nga lufta.
Një nga lojtarët e saj më të mirë është Bashri Kavaja, mesfushor. Ai nuk ndalet kurrë dhe pasimet e tij janë tepër të sakta. Ky atlet nga Shkodra ka një meritë të dyfishtë.
Ai luan, në të vërtetë, me këpucë (atlete) ortopedike. Kavaja kreu detyrën e tij kundër pushtuesve nazistë dhe fashistë në radhët e partizanëve. Këmbët e tij ngrinë gjatë dimrit të tmerrshëm të 1944, ndërsa ishte roje në një post malor. Atij iu desh t’i prisnin të gjithë gishtat e këmbëve. Kavaja nuk u dorëzua kurrë. Ai ndoqi kurset e riedukimit (fizioterapi) dhe mësoi sërish të luante futboll.
Tani ai gjuan me të dyja këmbët dhe vrapon si të gjithë partnerët e tij.”
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/