REPORTAZHI/ Shëngjergj, çfarë fshihet pas vrasjes enigmatike të 36-vjeçarit, si u mbajt...

REPORTAZHI/ Shëngjergj, çfarë fshihet pas vrasjes enigmatike të 36-vjeçarit, si u mbajt me plumb në kokë sa të digjej kanabisi

69
0
Shares

Ajo që u raportua nga policia e Tiranës më 7 tetor si vetëvrasje në një stan në të vërtetë është një vrasje në një magazinë për tharjen e hashashit. Rreth orës 15:00 të datës 7 gusht policia e Tiranës solli njoftimin se në një stan në Kollogjesh u gjet i pajetë 36-vjeçari Besnik Podja i cili sipas saj dyshohej të ishte vetëvrarë.

Të parët që e hodhën poshtë versionin e vetëvrasjes ishin familjarët e viktimës. I ati Petrit Podja tregoi për News24 se i biri gjatë gjithë verës kishte punuar në arat me hashash në Kollogjesh. Plumbi që i mori jetën 36-vjeçarit ka hyrë nga ana e majtë e ballit çka për të atin është e dyshimtë pas i biri nuk e përdorte dorën e majtë.

Njoftimin për vrasjen e Besnik Podjes familjarët e kanë marrë përmes një telefonate nga persona që kanë qenë në vendngjarje por që ata nuk duan t’i identifikojnë. I pari që shkoi në vendngjarje ishte xhaxhai i viktimës Myslym Podja. Sipas tij trupi i pajetë nuk ngjante aspak si i vetëvrarë pasi ishte i drejtuar dhe me duar mbi bark.

Grupi i News24 udhëtoi rreth 4 orë me makinë dhe një pjesë të rrugës më këmbë dhe shkoi në vendin ku u gjet i pajetë 36-vjeçari. Terreni ishte i vështirë.

Grupi i News24 është shkëmbyer në rrugë me makina pa targa ose me targa të huaja. Në zonë nuk kishte asnjë banesë. Ndodheshin vetëm disa stane bagëtish në të cilët kishte vetëm njerëz të moshuar të cilët shumë të frikësuar përgjigjeshin me mohim për çdo pyetje. Për të mbërritur në vendngjarje na ndihmoi halla e viktimës e cila punonte në një stan afër rezervuarit. Mes lotëve ajo na orientoi ku të ecnim por nga dhimbja e madhe nuk mundi të na çonte më afër.

Gjithçka fliste për një mirë organizim për përpunimin e kanabisit. Që tek veglat që përdoreshin për hapjen e gropave, rrjetin e ujitjes, magazinën e tharjes, sobat për tharje artificiale, ndriçimin e vendit si edhe ushqimet dhe fjetinat.

Personat të cilët kanë qenë së bashku me Besnik Podjan, menjëherë pas vrasjes së tij kanë asgjësuar lëndën narkotike që gjendej në kapanon dhe çdo send të tyre personal. Motra e viktimës më herët ka thënë për News24 se viktimës nuk i është gjetur çanta me rroba që kishte me vete si edhe aparati celular.

Vetëm brenda kapanonit kishte 4 vatra zjarri ku dyshohet se ishte asgjesuar lënda narkotike e tharë. Ekziston dyshimi se 36-vjeçari mund të jetë vrarë që prej të enjtes dhe krimi është mbajtur i fshehtë deri në fshehjen e lëndës narkotike që ishte tharë plotësisht dhe djegien e asaj që ishte në process tharjeje.

Jashtë kapanonit ishte një tub uji dhe pranë tij në një rrjetë druri gjendeshin sapunë dhe detergjentë enësh që dyshohet se përdoreshin për higjienën personale të kultivuesve. Pak më tutje gjendej nga tjetër vatër zjarri ku punëtorët e kanabisit kishin djegur ushqimet dhe çdo send që kishin përdorur në atë magazinë që te llambat e ndriçimit deri te metri. Ngjitur më këtë vatër zjarri gjarpëronte një rrugë që të çonte poshtë kodrës. Instiktivisht ne ndoqëm rrugën e cila na çoi në një tjetër magazinë hashashi.

Shumë pranë saj në një pjerrtësirë mes pemëve u gjetën të grumbulluara degë hashashi si edhe tuba plastikë uji. Ishte tentuar që këtij grumbulli bimësh t’i vihej flaka por për shkak të lagështisë bimët nuk ishin djegur.

Megjithatë mjegulla për vrasjen e 36-vjeçarit mbetet ende e dendur për aq kohë sa prokuroria dhe policia mbajnë qëndrime të ndryshme për ngjarjen. Policia e Tiranës i qëndron versionit të vetvrasjes duke marrë në konsideratë faktin që viktimës i kanë gjetur në duar shenjë baruti. Neës 24 ka mundur të kontaktojë me shokë të viktimës të cilët tregojnë se ai punonte në arat me hashash dhe për të ruajtur perimetrin e tyre qëllonte shpesh herë me armë kallashnikov dhe pistoletë.

6 ditë pas ngjarjes policia arrestoi Algers Liçin, Dritan Buzon dhe Halit Dushën me pretendimin se ata kanë qenë në vendngjarje dhe nuk kanë treguar se çfarë ka ndodhur. Mbi 3 personat rëndon dhe akuza e kultivimit të bimëve narkotike. Sipas policisë gjatë momentit kur është vetëvrarë 36-vjeçari është plagosur edhe Algers Liçi.

I pyetur në polici ai ka thënë se gjithë ngjarja ka ndodhur pasi viktima ka qenë duke luajtur me pistoletë lojën rolete ruse. Por ky pretendim nuk qëndron pasi arma e krimit është në pistoletë pa mulli. Ekspertiza mjekoligjore dhe ajo balistike do të hedhë më shumë dritë rreth asaj çka ka ndodhur në malet e Kollogjeshit aty ku këtë verë gjelbëroi më shumë hashashi me hambarët e tij.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY