Konkurrenca e tyre për të kapur sa më shumë data martesash në verë është më e madhe se koncertet. Po tashmë është krijuar hierarkia e këngëtarëve më të kërkuar në dasma, të cilët paguhen 5 mijë euro për një natë.
Në krye të listës së pasanikëve të ahengjeve qëndrojnë këngëtarët: Sinan Hoxha, Artiola Toska dhe Irma Libohova. Pas tyre, sa u takon kërkesave për dasma vijnë: Eli Fara, Aurela Gaçe, Albërie Hadërgjonaj, Poni, Valbona Mema, Mariola, ndërkohë që janë shtuar shumë kërkesat edhe për Alban Skënderajn. Pagesa për ta arrin shumën 4 mijë euro për një natë, sipas burimeve nga menaxherët e tyre. Nga datat e tyre të zëna përfitojnë punë gjatë verës këngëtarët më të lirë në çmim, të cilët fillojnë me 200 euro deri në 1500 – 2000 euro. Vihet re shtim i madh i këngëtarëve anonimë që kanë nisur aktivitetin në terrenin mjaft fitimprurës të dasmave. Destinacioni më i preferuar i këngëtarëve shqiptarë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi pagesa për ta fillon me 500 dollarë për fillestarë, deri në 4000 dollarë për këngëtarët me emër. Kjo për faktin se në SHBA janë rezidentë gjithsej 20 këngëtarë, mes të cilëve ata me emër numërohen me gishtat e dorës. Ndërkaq, Administrata Tatimore e Kosovës paralajmëroi këtë verë aktivitete sezonale shtesë për kontrollimin e këngëtarëve, për të parë nëse paguajnë tatim në fitimet e tyre. Ata kanë njoftuar se do t’i gjobisin ata këngëtarë që mashtrojnë në deklarimin e të ardhurave.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/