“Pandemia nuk është luftë”, Dom Gjergji mesazh të fortë qytetarëve: Mos e...

“Pandemia nuk është luftë”, Dom Gjergji mesazh të fortë qytetarëve: Mos e përdorni këtë term, mund të vejë në rrezik demokracinë

92
0
Shares

Ipeshkvi i i Mirditës, Dom Gjergj Meta, jep një mesazh ndryshe për situatën e krijuar nga koronavirusi, teksa thekson se kjo gjendje nuk është luftë.

Për Dom Gjergj Metën ka vetëm një kusht që kjo situatë të quhet luftë: nëse ky virus është përdorur si armë biologjike nga ndonjë shtet.

Ipeshkvi i njohur iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos e pranojnë më termin “luftë” të përdorur nga politikanët, duke u shprehur se “do të zgjohemi me rregulla lufte, gjuhë dhe trajta belike, nga të cilat do ta kemi vështirë ta marrim veten, me rrezikun e instalimit të sistemeve totalitare apo absolutiste, qoftë ekonomike, politike apo ushtarake”.

Mesazhi i Dom Gjergj Metës:

Metafora e gabuar e luftës
Gjendja e shkaktuar nga Covid – 19 nuk është luftë. Përkufizimi i luftës shprehet me këto terma: “Dukuri kolektive që ka trajtën e saj dalluese në dhunën e armatosur, e vënë në veprim nga grupe të organizuara” (cfr. Enciklopedia Treccani). Sipas këtij përkufizimi, gjendja e shkaktuar nga Covid-19, ka vetëm një kusht për t’u quajtur luftë: nëse ky virus është përdorur si armë biologjike nga ndonjë shtet. Nëse është kështu atëherë duhet të na e thonë. Deri tani kjo nuk është verifikuar edhe pse ndoshta nga dikush mund të jetë hamendësuar.

Pra ne nuk jemi në luftë.
Në kohën e gripit spanjoll askush nuk guxoi të flasë për luftë. E pra gripi spanjoll preku rreth 200 milion njerëz dhe shkaktoi 10 – 50 milion viktima në një popullsi prej 2 miliard njerëzish. Vetëm në Itali shkaktoi 400 mijë viktima. Por ndoshta atëherë Evropa e dinte mirë se çfarë ishte lufta e nuk kishte guximin të quante një pandemi luftë. E dinte mirë peshën e fjalës luftë dhe nuk mund ta përdorte atë për një pandemi edhe pse nga më të rrezikshmet e historisë njerëzore.

Atëherë pyetjet që lindin natyrshëm janë dy: pse përdoret fjala “luftë” dhe she si mund ta quajmë ndryshe?

Pyetja e parë më duket e ka përgjigjen jo vetëm në moskujdesjen ndaj vlerës e peshës që i japim fjalës, e kjo mund të na ndodhë të gjithëve, por edhe në propagandën populiste për justifikimin e masave ekstreme nga ekzekutivë populistë të vendeve të ndryshme (shiko rastin e Hungarinë), përfshi këtu edhe Shqipërinë. Në Shqipëri p.sh., ndryshe nga vendet e tjera evropiane, u nxorr në rrugë ushtria me rastin e pandemisë (kujtojmë se në Itali u nxorr vetëm për transportimin e të vdekurve në një moment të rritjes së numrit) çka edhe sot përbën një non sens, pasi rendin e mban policia. Në vitet e fundit ushtria është nxjerrë nëpër rrugë në Evropë vetëm pas 11 shtatorit e, nëse është ende në ndonjë qytet të madh evropian, është vetëm për shkak të terrorizmit. Masat ekstreme merren edhe për një pandemi, pa pasur nevojë që të përdoret fjala luftë apo të evokohet ligji i luftës, qoftë edhe si frikësues i “të pabindurve”.

Lufta shkaktohet dhe pësohet. Pas saj ka interesa ekonomike, politike apo etnike. Atëherë, termi “luftë”, mund të përdoret vetëm për interesa të këtij lloji, por nuk i shërben kauzës për ndalimin e Covid-19 dhe nuk ka lidhje me të. Madje është një abuzim i hapur. Në luftë njerëzit vrasin njëri-tjetrin, mors tua vita mea, jo pse duan të vrasin, por sepse duan të mbijetojnë, ndërsa këtu ne po përpiqemi të shpëtojmë njëri-tjetrin, spitalet tona po kthehen në hapësira të përkujdesjes dhe përkushimit profesional e po ashtu rruga për të shkuar në spital nuk është e penguar nga asnjë barrikadë e armikut. Nëse pandemia nuk menaxhohet mirë, mund të çojë në një luftë, qoftë edhe duke shqyer njëri-tjetrin në tregun e Kombinatit edhe pse aty mund të ketë dalë ushtria, sepse njeriu me fëmijë të uritur është shumë i dhunshëm.

Lufta është një fjalë e madhe. Nuk mund të shpërdoret apo keqpërdoret kjo fjalë e tmerrshme. Ja si e përshkruan Ungaretti në një poezi të tijën (Përkthimi im):

Përgjim
Një natë e tanë/ i hedhun pranë/ një shoku/ t’masakruem/ me gojën e tij/ t’skërmitun/ drejtue kah hana e plotë/ me ngrimjen/ e duarve të tij/ depërtue/ në heshtjen time/ kam shkrue/ letra plot dashni.

Kurr s’kam kenë/ kaq/ i kapun pas jetës.
Fjala “luftë” gjithashtu nuk mund të përdoret madje as si metaforë, pasi ngjall ndjenja dhe gjendje të pakontrollueshme emocionale dhe shpirtërore tek ata që po përballen me këtë situatë, sidomos më të brishtët. Metafora nxit imagjinatën, kushtëzon mendimet dhe të transporton në ata realitete që ajo don, për të cilat është krijuar, pa të pyetur e sidomos vë në lëvizjen nënvetëdijen tënde në atë drejtim. E gjithsesi mua nuk më duket një metaforë naïve apo e pamenduar, kështuqë duhet të na mbajë të ndezura antenat e reagimit.

Po atëherë si ta quajmë? Emrin ia ka dhënë OBSH: Pandemi. Vetë fjala pandemi, apo edhe fjalë si epidemi, murtajë, virozë etj., mbartin brenda vetes mjaft ngarkesë, pa pasur asnjë nevojë, përveçse instrumentale (apo vetëm mentale), për t’i shtuar fjalë të tjera, që mbartin po aq, e ndoshta edhe më shumë, ngarkesa të tjera të panevojshme. Imagjinoni pak sikur fjalorit të pandemisë, virozës, epidemisë, murtajës t’i shtonim edhe atë të luftës me derivatet e saj sikurse front, betejë, armë, gjobë, arrestim, burg, sekuestrim, dajak, ligj lufte, ushtri e kështu me rradhë, sikurse po ndodh de facto, se çfarë do të shkaktonte në humorin dhe në gjendjen psiko- shpirtërore të shumë njerëzve. Për rastin shqiptar megjithatë do të kem rast të shprehem edhe në të ardhmen, sidomos për sa i përket retorikës aspak shpresdhënëse të përdorur në këto kohë.

Rregullat e përballjes me pandeminë nuk u takojnë gjeneralëve, kryeministrave apo presidentëve, as priftërinjëve e hoxhallarëve, por specialistëve të fushës, të cilët këshillojnë vendimarrësit për masat e duhura. Shtetet janë thjeshtë zbatues të normave që vijnë nga ata që marrin vesh. Ndërsa duke e quajtur luftë shtetet marrin në dorë gjithçka, informacionin, ligjet, rregullat, specialistët e kështu ka shumë rrezik që pandemia të shërbejë në shndërrimin e populizmit në autokraci, sikurse duket se po ndodh vende-vende.

Prandaj që, ndërgjegja qytetare dhe intelektuale e një vendi demokratik, nuk duhet dhe nuk mund ta pranojë termin “luftë”, apo ta kalojë atë pa e shoshitur në sitën e kritikës. Ndryshe, në nivel global apo lokal, do të zgjohemi me rregulla lufte, gjuhë dhe trajta belike, nga të cilat do ta kemi vështirë ta marrim veten, me rrezikun e instalimit të sistemeve totalitare apo absolutiste, qoftë ekonomike, politike apo ushtarake.

Kjo pandemi e trajtuar si luftë mund të vërë në rrezik demokracitë perëndimore e të trazojë edhe këtë fshatin tonë të vogël ballkanik që tashmë është në rrezik. Prandaj ta trajtojmë si pandemi duke u ruajtur prej saj me të gjitha mënyrat e mundshme, gjë për të cilën personalisht dhe si Kishë katolike kemi dhënë kontrbutin tonë, por njëkohësisht të mbajmë të zgjuara ndërgjegjet, në ruajtjen e të drejtave themelore, kushtetuese dhe natyrore, që duhet të kthehen në normalitet, ndërkohë që pandemia shkon drejt kufizimit të saj.

/DRONI.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY