“Po na shpien drejt katastrofës!”. Stoicizmi i suedezëve fillon të “fusë ujë”

“Po na shpien drejt katastrofës!”. Stoicizmi i suedezëve fillon të “fusë ujë”

146
0
Shares

Nga Derek Robertson

Ura Øresund është një mrekulli inxhinierike që lidh qytetin suedez të Malmös dhe Kopenhagën dhe që transporton normalisht 70,000 njerëz çdo ditë. Ka rënë në heshtje të fortë. Danimarka është nën bllokim prej koronavirusit, dhe danezët kanë vendosur kontrolle të rrepta kufitare. Nga ana suedeze, Øresund mbetet e hapur, megjithëse, kuptohet që jo shumë njerëz po e bëjnë atë udhëtim.

Situata është surreale në Suedi tani. Duke punuar nga kafeneja pranë shtëpisë, unë terrorizohem duke lexuar në Tuiter, tek shoh pamjet e qyteteve të shkreta, ose kamionët ushtarakë që transportonin të vdekurit në Itali, i rrethuar nga grupet e zakonshme të adoleshentëve të ngathët, nënave me bebe dhe freelancer-ave të rastit.

Në natyrë, çiftet shëtisin krah për krah, nën dritën e diellit të pranverës. Tarracat e kafeneve në Malmö bëjnë tregti të shpejtë. Në plazh dhe parkun përreth në Sibbarp, u organizuan piknikë dhe barbeky fundjavën që kaloi; parku i adoleshentëve me skateboards dhe parku i lojërave gëlonin. Askush nuk mbante maskë.

Pandemia globale ka mbyllur ekonomitë e Evropës dhe izoluar në shtëpitë e tyre, miliona njerëz në të gjithë kontinentin. Por këtu në Suedi, shkollat, palestrat dhe dyqanet (tërësisht të furnizuara) mbeten të hapura, ashtu si edhe kufijtë. Baret dhe restorantet vazhdojnë të shërbejnë, dhe trenat dhe autobusët ende transportojnë njerëz në të gjithë vendin. Madje nëse do mund të shkosh edhe në kinema (kollaj fare, “The Falcon Butter Peanut” dhe “Mr. Jones” po shfaqeshin në kinemanë e lagjes sime gjatë fundjavës).

Masat paraprake që suedezët janë këshilluar të adoptojnë – asnjë tubim prej më shumë se 50 personash (ishte 500 deri të premten e kaluar), shmangia e kontakteve sociale nëse janë mbi 70 vjeç ose të sëmurë, përpjekja për të punuar nga shtëpia, shërbimi në tavolinë vetëm në bare dhe restorante – duket se ka qetësuar frikën e publikut, se imazhet tronditëse nga spitalet në Itali dhe Spanjë mund të përsëriten këtu.

Kryeministri, Stefan Löfven, u ka kërkuar suedezëve të sillen “si të rritur” dhe të mos përhapin “panik ose thashetheme”.

Sidoqoftë, paniku është pikërisht ajo çfarë shumë prej komunitetit shkencor dhe mjekësor të Suedisë kanë filluar të ndiejnë. Një peticion i firmosur nga më shumë se 2,000 mjekë, shkencëtarë dhe profesorë javën e kaluar – përfshirë kryetarin e fondacionit Nobel, Prof Carl-Henrik Heldin – i bëri thirrje qeverisë të vendosë masa më të rrepta të frenimit të epidemisë. “Ne nuk po testojmë sa duhet, nuk po e gjurmojmë, nuk po izolojmë sa duhet – e kemi lënë virusin të lëshohet pa fre,” tha Prof Cecilia Söderberg-Nauclér, një studiuese e imunologjisë së viruseve në Institutin Karolinska. “Ata po na çojnë drejt katastrofës.”

Fjalë të forta, por stoicizmi është një mënyrë e jetesës këtu, ashtu siç është edhe ndryshimi i beftë i humorit. Një histori 300-vjeçare e administratës publike efikase dhe transparente, dhe nivele të larta besimi në ekspertë dhe zyrtarë që qeverisin, e kanë bërë publikun të prirur të besojë atë që u thuhet, si dhe të besoje që, ata që flasin kanë në zemër interesat më të mira të popullit.

“Kam besim se mjekët që punojnë me qeverinë e dinë se çfarë po bëjnë, kështu që supozoj se jemi të përgatitur aq sa duhet të jemi,” thotë Robert Andersson, 50 vjeç, një menaxher shitjesh në teknologjinë e informacionit, që jeton në Södermalm, Stokholm. “Kjo histeri që po shkakton media është shumë më e rrezikshme, sesa vetë virusi.”

Simon Strand, 30 vjeç, konsulent biznesi në Östermalm, Stokholm, bie dakord. “Nuk ka asnjë arsye për të besuar se autoritetet nuk po i kushtojnë vëmendje,” tha ai.

Anders Tegnell, krye-epidemiologu i Suedisë, i cili po udhëzon qeverinë për trajtimin e krizës, mbron një strategji të zbutjes: lejoni që virusi të përhapet ngadalë pa tronditur sistemin shëndetësor, dhe pa shkuar deri tek kufizimet drakoniane. Vetëm mos e quani “imunitet të tufës”, një frazë që Tegnell dhe autoritetet nuk kanë pranuar me ngulm ta përdorin.

Fakti që Tegnell është kaq i arritshëm nga mediat, tregon shumë për transparencën dhe përgjegjshmërinë që suedezët presin nga figurat publike. Me kritikat ndaj reagimit të Suedisë për Covid-19 që sa vijnë e shtohen, ai ka tonin e një njeriu të lodhur nga përsëritja e gjërave të vetëkuptueshme, kur e pyet se çfarë mendon për shqetësimin në rritje dhe thirrjet për një karantinë në mbarë qytetin e Stokholmit, duke pasur parasysh rritjen e shpejtë të rasteve atje. Të hënën, Suedia tha se kishte regjistruar 3.700 raste dhe 110 vdekje.

“Po, ka pasur një rritje, por nuk është traumatike deri më tani. Sigurisht, ne po kalojmë në një fazë të epidemisë ku do të shohim shumë më tepër raste gjatë javëve të ardhshme, më shumë njerëz në kujdes intensiv, por kjo është ashtu si në çdo vend tjetër – askush nuk ka arritur të ngadalësojë përhapjen në mënyrë të konsiderueshme”.

Fqinjët më të afërt të Suedisë në BE – danezët, finlandezët dhe norvegjezët – kanë pranuar një strategji bllokimi, mbylljen e shkollave, vendeve të punës dhe kufijve, disa javë më parë. “Problemi me atë qasje është që ju e lodhni sistemin,” thotë Tegnell. “Nuk mund të mbash një bllokim që zgjat me muaj – është e pamundur”.

Por një situatë e tillë mund të bëhet e pashmangshme. “Qeveria mendon se nuk mund ta ndalojë atë, kështu që ata vendosën t’i lënë njerëzit të vdesin,” thotë Söderberg-Nauclér. “Ata nuk duan të dëgjojnë të dhënat shkencore që u janë prezantuar. Ata i besojnë verbërisht Agjencisë së Shëndetit Publik [Folkhälsomyndigheten], por të dhënat që ata kanë janë të dobëta – madje edhe të turpshme.

“Ne po shohim shenja të një ritmi dyfish më të lartë edhe se Italia, Stokholmi së shpejti do të ketë një mungesë akute të shtretërve në kujdes intensiv, dhe ata nuk e kuptojnë se deri atëherë do të jetë tepër vonë për të vepruar. E gjithë kjo është shumë e rrezikshme”.

Tegnell ua pret shkurt kritikave të tilla. “Nuk ka asnjë provë se të bësh më shumë në këtë fazë do të bënte ndonjë ndryshim. Eshtë shumë më mirë të vendosni masa të rrepta në intervale shumë specifike, dhe t’i mbash ato për një kohë sa më të shkurtër që të jetë e mundur”.

Ndërsa bëhet një rivlerësim i vazhdueshëm i situatës, Tegnell thotë se Suedia e ka krizën nën kontroll. “Ne besojmë se kemi tashmë masat më të rëndësishme. Sigurisht, ne mund të na duhet të bëjmë më shumë gjëra, por ne nuk kemi mbërritur ende atje”.

Tani për tani, suedezët duket se e besojnë atë, duke vazhduar me rutinat e tyre të përditshme. Tegnell dhe qeveria e kanë vendosur kursin që do ndjekin, dhe ndonëse është e vështirë të dyshosh në sinqeritetin e tyre, nga ana tjetër është shumë e vështirë të pajtosh përgjigjen e Suedisë me përpjekjet në të gjithë Evropën. Ndoshta suedezët e tjerë privatisht ndjehen njësoj, por deri më tani nuk janë të gatshëm t’u japin zë shqetësimeve të tilla.

Orla Vigsö, profesor i komunikimit në kohë krize në Universitetin e Gëtebërgut e përmbledh kështu dilemën: “Njerëzit po fillojnë të pyesin: a mos të tjerët janë budallenj dhe paranojakë? Apo Suedia e ka gabim?” / The Guardian – Bota.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY