“Dërgimi i 30 mjekëve në Itali”, reagon Basha: Kërkoj vëmendje maksimale për...

“Dërgimi i 30 mjekëve në Itali”, reagon Basha: Kërkoj vëmendje maksimale për mjekët dhe infermierët tanë këtu…

71
0
Shares

Basha ka përshëndetur ekipin mjekësor të dërguar në Itali dhe kërkon kujdes maksimal për stafin mjekësor në Shqipëri. Ai ka kerkuar qe të mos mungojë asgjë për mbrojtjen e tyre.

Pyetje: Edhe një koment nëse mundeni. Ka qenë një gjest i komentuar shumë edhe në mediat italiane vajtja e 30 mjekëve shqiptarë në ndihmë të Italisë. Keni një koment për këtë?

Lulzim Basha: Patjetër dua t’i falenderoj nga zemra ata mjekë dhe infermierë që kanë treguar gatishmërinë të mbështesin Italinë, e cila ndodhet në një gjendje tepër të vështirë. Dua t’u uroj punë të mbarë dhe të jenë sa më të sigurtë, si dhe të kthehen shëndoshë e mirë. Dua të falenderoj me qindra, në mos me mijëra mjekë dhe infermierë shqiptarë, që ndodhen tashmë në Itali, një pjesë prej tyre larguar për arsye që të gjithë i dimë gjatë dy-tre viteve të fundit. Në të njëjtën kohë dua të kërkoj vemendje maksimale, mbështetje maksimale për mjekët dhe infermierët shqiptarë këtu që janë në një gjendje stresi konstant, presioni konstant dhe po bëjnë një punë të jashtëzakonshme, në kuptimin jo thjesht të shpërblimit financiar i cili absolutisht nuk duhet të mungojë, por në kuptimin e mbrojtjes së tyre. Sot jam informuar që kanë ardhur pajisjet e para mbrojtëse nga Turqia, ndërkohë që është shumë vonë dhe kjo na ka kushtuar. Edhe vetë e keni parë që edhe figura të njohura janë konfirmuar të infektuar mes personelit mjekësor, përfshirë këtu mjekë të njohur, infermierë, kryeinfermierë. Megjithatë, dua t’i falenderoj nga zemra. E gjithë shoqëria është në borxh mirënjohje të thellë me ta. Kanë kryer dhe vazhdojnë të kryejnë akte heroizmi të panjohur për shumicën e njerëzve. Përshembull, dje mësova se në orët e vona në spitalin Shefqet Ndroqi, duke shpërfillur çdo rrezik ekspozimi personal është kryer një operacion për të shpëtuar jetën e një 19-vjeçari. Dua të përshëndes gjithë ekipin kirugjik që ka bërë të mundur këtë ndërhyrje nën drejtim e Dr.Ylber Vatës, të cilin e njoh personalisht dhe me këtë rast dua ta përshëndes, por dua të përshëndes me qindra, me mijëra që i njoh apo nuk i njoh përsonalisht, për sakrificën dhe shërbimin e tyre të përditshëm, bashkë me infermierët, bashkë me personelin shëndetësor, në këto kushte të vështira meritojnë të gjithë mbështetjen tonë, e meritojnë mbështetjen e qytetarëve pa diskutim dhe këtu bëj thirrje që në kontaktet e tyre me personelin shëndetësor të jenë sa më të drejtëpërdrejtë, sa më të sinqertë edhe përsa i përket kontakteve që kanë pasur në rastet kur dyshohet infeksion të Covid. Por mbi të gjitha dua t’i bëj thirrje qeverisë t’i japë mbështetje totale dhe mbështetja më e mirë që mund t’u japë sot është që çdo mjek dhe çdo anëtar i personelit shëndetësor të ketë paisjet e mjaftueshme mbrojtëse. Së dyti të ketë mjaftueshëm kapacitete testimi dhe testimi të bëhet brenda kohës më të shkurtër dhe jo të presin me ditë për t’u testuar e me ditë për të marrë rezultatin. Dhe së treti duhet urgjentisht që kapacitetet shëruese, për të cilat u krijua dhe një tender para një jave, të vihen sa më shpejt në funksion në mënyrë që të përballohet fluksi në rritje i të infektuarve në spitalet tona. 

Gjithashtu Basha foli dhe për paketen e qeverise, per te cilen tha se duhet te trefishohet, duke synuar të arrijë në nivelin e Kosovës. Sipas Bashes, shuma e destinuar aktualisht është shumë e vogël.

Pyetje: Si e vlerësoni situatën në terren?

Lulzim Basha: Situata në terren duket jashtëzakonisht kritike dhe ka shumë pak lidhje midis asaj që thuhet dhe asaj që është bërë apo më mirë themi nuk është bërë. Që në fillim të shpalljes së paketës u duk qartë se shuma e destinuar ishte shumë e vogël për të përballuar nevojat.

Po marrim dy shembuj krahasues. Shembulli i parë: Kosova e cila ka një popullsi më të vogël, një buxhet pothuajse sa gjysma e buxhetit të Shqipërisë, ka vënë në dispozicion për të njëjtat masa 170 milionë euro. Shqipëria që ka pothuajse dyfishin e buxhetit dhe pothuajse 50% më shumë popullsi ka vënë në dispozicion 1 të 3-ën e kësaj shume dhe e ka shtrirë këtë shumë me efekt nga 1 prilli në 3 muaj. Pra duket qartë që shuma është ë pamjaftueshme.Tani të shohim mënyrën sesi destinohet kjo shumë.

Me zbardhjen e aktit normative, së pari duket qartë që numri i bizneseve që përfitojnë nga kjo shumë nuk e tejkalon 1 të 3-ën e bizneseve të vogla të rregjistruara në Shqipëri. Gjatë tre ditëve të fundit shumica e bizneseve që e kanë kuptuar këtë janë në panik total, sepse e vërteta është që mbi 80%, mbi 85% e bizneseve janë detyruar të mbyllen. Janë detyruar të mbyllen ne radhë të parë për shkak të masave për të parandaluar përhapjen e virusit dhe në radhë të dytë lë të jemi të sinqertë, në qoftë se shumica e popullsisë urdhërohet të qëndrojë në shtëpi, në qoftë se orari për të dalë, për të bërë pazar apo për të blerë është i kufizuar ose kufizohet edhe më shumë tani me anë të procesit të vetëdeklarimit apo marrjes online të autorizimit, atëherë t’i kërkosh një biznesi të qëndrojë hapur kur nuk ka konsum, kur nuk ka xhiro, nuk është gjë tjetër veçse të krijosh një alibi për të mos e mbështetur këtë biznes. Sepse një biznes që qëndron i hapur dhe ka vetëm kosto dhe nuk ka asnjë xhiro ka një fat po kaq të keq, mos të themi më të keq sesa një biznes i mbyllur. Pse them edhe më të keq? Sepse do të vazhdojë të paguajë faturën e energjisë, faturën e ujit, do të vazhdojë të ketë disa shpenzime minimale që biznesi i mbyllur nuk i ka.

Pra është e qartë që kjo masë është ë pamjaftueshme. Prek maksimumi 1/3 e bizneseve që, faktikisht, janë prekur nga masat e pandemisë. Ndaj kërkesa ime e përsëritur është që ky akt normativ të rishikohet me urgjencë. Të vendosen mjaftueshëm fonde dhe të hapet aplikimi për të gjitha bizneset e mbyllura.

Po të marrim masat për shtresat në nevojë, të cilat janë në tre kategori. Po të marrim kategorinë e atyre që janë në pagesë papunësie, janë afërsisht 2600 persona, por në fakt, numri i atyre që janë në kushte të papunësisë, të cilët nuk përfitojnë pagesë papunësie është shumë herë më imadh.

Çfarë do të ndodhë më ta? Edhe ata kanë familjarë, edhe ata kanë fëmijë për të ushqyer. Erdhi fundi i muajit.Si do t’i mbajnë këta fëmijë?Me çfarë do të paguajnë koston minimale të jetesës?

Marrim kategorinë tjetër, përsonat që marrin ndihmë sociale. Absolutisht për t’u përshëndetur dyfishimi i ndihmës sociale, por numri i atyre që janë larguar nga lista e ndihmës ekonomike është po aq sa numri i atyre që kanë mbetur, në fakt më i madh. Disa prej mediave kanë treguar skena rrënqethëse se ku jetojnë ata. Jetojnë në kushte të mjerueshme, nuk kanë asnjë të ardhur. Ishin me të ardhura shumë të pakta dhe para krizës. Me çfarë do të mbijetojnë ata? Eshtë e domosdoshme që këta njerëz të kenë siguri për ushqimin e tyre. Të kenë siguri për ushqimin e fëmijëve të tyre. Të kenë mundësi të paguajnë qeranë, dritat, ujin.

Dhe së fundmi, të marrim kategorinë tjetër të personave të cilët kanë mbyllur bizneset e tyrë pavarësisht se nuk janë në listën e bizneseve që duhen mbyllur në mënyrë kategorike. Nuk kanë xhiro. Nuk ka konsum dhe, si rezultat nuk ka fitim për ta. Nga njëra anë nuk përfitojnë, nga ana tjetër u kërkohet prapë të plotësojnë detyrimet tatimore. Kjo duhet të marrë fund menjëherë. Paketa është e pamjaftueshme. Paketa duhet si fillim te trefishojë, të paktën të arrijë në nivelin e paketës së Kosovës. Kjo që po kërkojmë është e arsyeshme, është e zbatueshme. Natyrisht kërkon që të ketë një prioritet të qartë dhe prooritet i qartë do të thotë që në këtë moment duhet anulluar çdo shpenzim tjetër.

/DRONI.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY