Jam lexuese e rregullt e rubrikës suaj “Histori nga jeta”. Meqenëse e shoh që edhe mentaliteti i njerëzve sikur ka filluar të ndryshojë, po tregoj historinë time të dashurisë me një koleg pune. Jam e sigurt se në kohën që unë e kam përjetuar këtë dashuri, i gjithë qyteti ku jetoj më ka sharë e paragjykuar. Është e lehtë ta përflasësh tjetrin kur nuk je në pozitat e tij. Gjithsesi, sot që jam gjashtëdhjetë vjeçe dhe po pres të bëhem gjyshe për herë të parë, kjo është e vetmja ndjenjë që kam më të fortë sesa ajo e dashurisë time për burrin që vazhdoj ta shoh në ëndërr.
Kam lindur në fshat, por duke qenë se im atë ka qenë burrë i shkathët, në shkollë të mesme më çoi për Infermieri në Tiranë. E dihet, në rininë time, të ishe infermiere ishte post i madh. Në shkollë në Tiranë u njoha me një djalë nga anët e mia dhe që banonte në qytet. Dy vitet e para të shkollës së mesme i kam kaluar në krahët e tij. Ai mbaroi shkollën për mekanik dy vite para meje dhe u kthye në shtëpi. Vitin e tretë dhe të katërt ne takoheshim rrallë, kur ai kishte mundësi të vinte në Tiranë ose kur unë kthehesha me pushime në shtëpinë time. Ai kishte një hallë të martuar në fshatin tim, kështu që kishte mundësinë të vinte lirisht për të më takuar. Sapo mbarova shkollën e mesme dhe u ktheva në shtëpi, ai erdhi e më takoi. Më tregoi për vendimin që kishte marrë. U kishte treguar prindërve të tij për mua dhe ata i kishin thënë, sipas tij, që “janë familje e mrekullueshme dhe ne ku ta gjejmë t’ua marrim të bijën për nuse”. Kështu, ai më tha që do vinte pas një jave në shtëpi për të më kërkuar dorën dhe unë duhej t’u tregoja në njëfarë mënyre prindërve.
– Ne do vijmë me burrin e hallës që të kemi një njeri si të njohur në mes të muhabetit, por edhe ti gjithsesi tregoji nënës tënde, – më tha ndërsa ishte skuqur e djersitur nga duart prej sikletit. (E kuptoj që të rinjtë e sotshëm as nuk skuqen e as nuk djersiten kur u propozojnë të dashurave të tyre, por neve në kohën tonë na mbulonte turpi.)
E shtuna erdhi dhe në shtëpinë time, Bardhi erdhi bashkë me të atin dhe burrin e hallës së tij. Babai im ishte përgatitur se i kisha treguar mamasë. Ata nuk më bënë asnjë koment, por thjesht më thanë që “do ta shohim një herë se ç’ke zgjedhur”. Darka atë natë shkoi shumë mirë. I ati i Bardhit foli qetë dhe tha se kjo ishte zgjedhje e ne të dyve.
– Në fakt, more lum miku, të them të drejtën, nuk është se më ka pyetur njeri, por djali im më tha që e dua atë vajzë dhe vetëm me atë do martohem, kështu që mendoj se këta të rinjtë që ne lodhemi për t’i shkolluar, ca shkollohen e ca shkallohen.
– Nuk do thosha shkallohen, ata po përpiqen të ecin me hapin e kohës, të rregullojnë ndonjë nga këto tradita prapanike qe kemi. Unë e kam parë për herë të parë gruan time të hënën pasi jam martuar, – tha babai im dhe ata qeshën të gjithë. – Shyqyr që erdhi kjo kohë që fëmijët tanë të zgjedhin vetë e të mos e kemi ne pishman që zgjodhëm mirë apo i mbytëm me martesa që nuk shkojnë.
E kështu, ne u fejuam dhe babai i Bardhit me miqësitë e tij më gjeti punë në spitalin e qytetit. Çdo ditë më duhej të bëja në këmbë një orë e një çerek për të shkuar në punë e një orë e një çerek për t’u kthyer. Por, dihet, puna në spital është me turne dhe turni i dytë dhe i tretë për mua ishte tmerr se më duhej se s’bën një burrë që të më çonte e të më merrte në punë. Për këtë arsye, ne u martuam në fund të nëntorit.
Për mua u bënë disa ndryshime njëherësh, puna në qytet, martesa e menjëhershme, pastaj kushtet asaj kohe diheshin. Në shtëpinë e burrit ishim një dyzinë njerëzish. Ai kishte katër vëllezër e tri motra. Punës duhej t’i rrija pincë në kokë, në shtëpi isha nusja e shtëpisë e sërish në këmbë. Nëse gjithë nuset fillojnë e shëndoshen, unë kur u martova isha gjashtëdhjetë kile e pas dy muajsh shkova pesëdhjetë… Burri im, sapo hynim në dhomë, fillonte të më fërkone shpatullat e krahët se e shihte që isha tejet e lodhur dhe ai ka zemër të butë, nuk ngjan me burrat e veriut. Fatmirësisht, këshilli i lagjes na dha një shtëpi dhomë e kuzhinë neve si çift meqenëse ishim njëmbëdhjetë vetë në një shtëpi dy dhoma e një kuzhinë. Shtëpia ime në tetë muajt e parë të martesës më ngjan me shtëpinë e xhuxhave te filmi “Borëbardha dhe shtatë xhuxhat”.
Jeta në shtëpinë e re ishte më e qetë, por me shumë halle. Nëse në shtëpinë e prindërve nuk më duhej të mendoja nëse kishim për të ngrënë, tani duhej të mendoja jo vetëm të haja, por edhe të blija ndonjë orendi. Gjithsesi, ndërsa përpiqeshim të kursenim, unë mbeta shtatzënë dhe linda djalin tim të parë. U lumturuam, ai fëmijë na solli veç mbarësi. Po rritej i shëndetshëm edhe pse e çoja në çerdhe në pikë të mëngjesit dhe e merrja pasdite, pasi mbaroja edhe radhat nëpër dyqane. Kur djali mbushi tre vjeç, unë isha me raportën e dytë të lindjes dhe linda vajzën. Ndërkohë që unë isha me raport, në spital kishte ardhur një mjek i ri pediatër. Pas lindjes së vajzës, me dy fëmijë, sigurisht që është e vështirë se sa i binte gripi njërit, ai ia kalonte tjetrit dhe mua më dukej sikur gripi nuk dilte kurrë nga shtëpia ime. Edhe pa qenë në punë, isha e detyruar të shkoja në spital që të vizitoja fëmijët. Si infermiere, unë i vizitoja në pavion, sepse i njihja të gjithë. Një herë, kur djali u sëmur me bajame, mjek roje gjeta doktorin e ri për të cilin ju fola më sipër.
Kur pashë doktorin, për disa sekonda e harrova sëmundjen e djalit. Ishte burri më i bukur që më kishin parë sytë ndonjëherë! As në televizor nuk kisha parë mashkull aq të bukur. Ai ishte i ri, por prapë ishte një vit më i madh se unë. I njihja prindërit e tij, sepse edhe ata banonin në të njëjtin qytet. Ndërsa po përpiqesha të artikuloja ndonjë fjalë për të thënë që djali kishte temperaturë të lartë, vështrimi i tij sikur më përshkoi gjithë trupin. I kishte thënë infermierja e tij që do të vinte një kolege për të vizituar djalin dhe mjeku e mblodhi veten i pari.
– Pa ta shohim këtë djalë të bukur që më ka ardhur për të më takuar, ç’ka që i ngrihet temperatura?! – Ai e vizitoi djalin me shumë kujdes, më sqaroi se çfarë kishte dhe në fund, më dha edhe recetën e ilaçeve. Ndërsa mbështolla djalin, në krahë, ai më dha dorën për të më thënë mirupafshim, por e mbajti më gjatë se zakonisht. – Kur do të kthehesh në punë? – më pyeti dhe qeshi.
– Në fillim të qershorit, nuk e mbaj mend të saktë datën, ja do pyes te llogaria, meqë ma kujtove, – i thashë dhe u tërhoqa duke e falënderuar.
Qershori erdhi shumë shpejt dhe unë u ktheva në punë. Puna filloi me intensitetin e zakonshëm, por me një arsye shumë të bukur për të shkuar pa bezdi në punë; me sytë e qeshur të Markut që më ndiqnin nëpër pavion kur shkoja të kontrolloja serumet e fëmijëve, termometrat etj. Dy javët e para më fliste vetëm si mjek, shumë i kufizuar, por shumë shpejt filloi të bënte shaka, të më prekë krahët apo duart sa herë ishim vetëm në dhomën e mjekëve apo infermierëve. Sapo gjente rast të ishte vetëm me mua, bënte sikur përplasej pa dashje, pastaj qeshte dhe thoshte:
– Më vjen inat që jam kaq i rrëmujshëm, por prapë më pëlqen të përplasem me ty, – thoshte dhe më hidhte shikime sikur do të më hante. Kështu, avash-avash fillova ta dashuroja me gjithë forcat e mia. Në shtëpi bëhesha copë që të mos mungonte asgjë, përpiqesha të isha e vëmendshme ndaj tim shoqi me qëllim që ta harroja Markun, por nuk ishte e thënë. Pas një viti e gjysëm pune bashkë, unë u dorëzova, rashë në krahët e tij dhe po e shijoja lumturinë sikur të isha njeriu i vetëm në gjithë planetin. Fëmijët e mi po rriteshin dhe Marku, duke qenë se vetë ishte mësuar me libra, më mësonte që t’u lexoja qysh në vogëli që të vazhdonin shkollë dhe të mos mbeteshin veç zanatçinj.
– Mezi pres që të jem mjek roje, – më thoshte vazhdimisht.
Në fakt, këto ishin rastet kur ne kishim më shumë mundësi të rrinim bashkë. Jam e sigurt që Marku nuk më shihte thjeshtë si lodër apo si dashnore. Ai dukej që më donte, por unë isha e martuar dhe nuk dinim si të dilnim nga kjo situatë. Ledhatimet e tij ishin si balsam për mua, puthjet e tij ishin si bekim, kultura që ai më dha ishte shkollë e pafund në të gjitha drejtimet.
Ndoshta ju lexues po më thoni që jam një kurvë dhe asgjë më shumë, por unë ju them të vërtetën që nga puna përkrah tij, unë arrita të mësoja po aq sa di një mjek në lidhje me sëmundjet. Më mësoi të jem qytetare, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Gjithë ato çka kishte mësuar e parë gjatë kohës që kishte ndjekur studimet e larta, ai m’i mësoi mua, por ndërsa ne ndiheshim mirë në krahët e në dashurinë e njëri-tjetrit, sigurisht nuk mbetëm pa u vënë re nga të tjerët. Gjithë qyteti na përflisnin që ne ishim dashnorë. Prindërit e tij e nxisnin që ai të zgjidhte ndonjë vajzë e të martohej. Arriti puna aty sa një mbrëmje vere ndërsa kthehesha në shtëpi nga turni i dytë, pashë rrugës prindërit e Markut. E kuptova që kishin dalë për mua. E ëma më foli e para.
– Të lutem, mund të flasim pak? Nëse e ke problem nga im shoq, ai mund të ecë mbrapa nesh, – më tha, ndërsa zëri i dridhej.
– Jo, nuk ka problem, – i thashë dhe më mbuluan djersë të ftohta.
– Besoj e kupton edhe vetë për çfarë dua të të flas. Të lutem, lëre djalin tonë të lirë. Unë e kuptoj që ai të do, por nuk mund të martohet me ty. Ti ke dy fëmijë, ke një familje dhe nuk ke arsimin që ka ai. Jemi rropatur gjithë jetën burrë e grua që të arsimojmë djalin e ta bëjmë dikushi, por jo që ai të martohet me një grua me dy fëmijë.
Dhe për t’i dhënë fund e për të më fyer tamam, i ati shtoi: – Besoj e ke kuptuar që ai është i aftë të ketë fëmijët e tij, s’ka pse i merr të gatshëm nga një burrë tjetër. Dhe, ta dish se nëse nuk e lë ti, do ta gjej mënyrën unë! – Ai kapi të shoqen për krahu e ikën pa më thënë natën e mirë.
Nuk e di si më çuan këmbët deri në shtëpi. Pothuajse nuk fjeta atë natë. Të nesërmen, në turnin e dytë, shkova pak më herët që të kisha mundësi të flisja me Markun. E gjeta të nxirë nga nervat. Dukej sheshit që edhe ai kishte bërë sherr me prindërit e tij.
– Nesër jam mjek roje, do flasim e do ta shkoqisim punën, – më tha, ndërsa kalonte për të shkuar në dhomën e mjekëve. Iku si furtuna. Ajo mbasdite në punë më kaloi sikur të isha në gjendje lufte edhe me ajrin që fusja në mushkëri. Nuk dija ç’të mendoja. As duart e as këmbët nuk më bindeshin. Kolegia ime në fakt më mbuloi, i bëri të gjitha ajo. E nesërmja erdhi dhe në momentin më të parë që u pamë, Marku më tha:
– Të pres te vendi pas gjysëm ore, – dhe kaloi.
Shkova aty ku më kishte thënë dhe e gjeta me kokën varur. Sapo hyra në dhomë, ai më përqafoi fort, më puthi me zjarr, bëmë dashuri e ndërkohë, më tha: – Dua një fëmijë nga ti, të lutem. Do të të ndihmoj unë ekonomikisht… E di që nuk do të jemi kurrë burrë e grua, por e dua një fëmijë me ty. – Dhe nuk e mora vesh se si, por më tha edhe vendimim që kishte marrë për t’u martuar me një vajzë që ia kishin gjetur prindërit e tij. – Ky është takimi ynë i fundit. Nesër do të shkojmë në shtëpinë e vajzës dhe shumë shpejt do të jem i fejuar. Të lutem nëse… – dhe fjala i ngriu, – mos e dështo këtë fëmijë.
Ashtu si e përhumbur kaluan ditët e para, me një dhimbje të tmerrshme në shpirt. Unë mbeta shtatzënë, ashtu siç ai kishte menduar; helbete ishte mjek dhe i llogariste gjërat. Ai u martua me një vajzë shumë të mirë. Me siguri, ajo e dinte për ne, sepse më shihte sikur të isha djalli kur na rastiste të shkëmbeheshim në rrugët e qytetit. Unë linda një djalë, që qysh ditën e parë në maternitet e pashë se ishte kopje e Markut dhe ai, kur e vizitoi, e puthi ashtu siç më kishte puthur mua herën e fundit. Ndërkohë, edhe të shoqen e kishte shtatzënë. Kur ajo ishte në muajin e gjashtë të shtatzanisë, ndërsa po ktheheshin nga një dasëm, ndodhi një aksident. Në atë aksident vdiqën tetë persona e ndër ta ishte dhe Marku bashkë me bashkëshorten. Lajmet e dhanë që vdiqën shtatë persona, por unë po e them tetë, sepse ishte dhe foshnja në barkun e gruas së tij. Ka dymbëdhjetë vjet që ka ndodhur dhe unë akoma vazhdoj ta qaj me lotët e zemrës sime ndarjen e tij aq tragjike nga jeta me gjithë grua e fëmijë. I vogli im, ma kujton çdo ditë atë dashuri dhe nuk ma kujton vetëm fytyra e tij e ëmbël, por edhe babai i Markut, që më ndali një ditë para vitit të ri.
– Mos duhet t’i dhuroj një lodër këtij yllit të vogël, – më tha ndërsa sytë iu mbushën me lot. –E di që je djali më i bukur jo vetëm i qytetit, por edhe i Shqipërisë? – iu drejtua ai djalit. Ndërkohë, e arriti edhe gruaja e tij që kishte blerë një lodër në dyqan dhe po ia jepte djalit. Ata e puthën, e përqafuan djalin tim e të Markut dhe ikën të mbytur nga lotët. Kjo është skena që kam filluar ta përjetoj gjithmonë e më shpesh me prindërit e Markut, sa herë më shohin në rrugë me tim bir…
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/