ANALIZA/ Kosovë, një ushtrim i pandershëm demokracie

ANALIZA/ Kosovë, një ushtrim i pandershëm demokracie

77
0
Shares

Nga BESNIK MUSTAFAJ

Në mbrëmje vonë, më 25 mars, Kuvendi i Kosovës votoi me më shumë se dy të tretat në mbështetje të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, paraqitur nga LDK, e cila ishte njëherësh edhe njëra nga dy shtyllat kryesore, mbi të cilat mbështetej kjo qeveri e dalë nga zgjedhjet e fundit, në tetor 2019.

Shtylla tjetër ishte LVV, e cila, si parti e parë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kishte gëzuar edhe të drejtën për ta kryesuar. Duke parë rrethanat që po kalon edhe Kosova si mbarë bota, për shkak të virusit Covid – 19, do menduar se vetëm një hall jashtëzakonisht i madh për kombin e detyroi parlamentin të mblidhet në seancë plenare. Dhe, në fakt, të gjithë deputetët ishin të pajisur me maska, gjë që i jepte atij ansambli një pamje teatrale në kuptimin jo serioz të kësaj fjale. Në përmbyllje të seancës, qeveria me kryeministër Albin Kurtin u rrëzua, ani pse nuk e kishte filluar ende realizimin e programit, për të cilin ishte votuar. Ajo ishte në detyrë prej vetëm 51 ditësh.

Arsyeja e këtij mocioni të pashembullt mosbesimi, ashtu siç e ka paraqitur zyrtarisht para opinionit publik Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, buron nga vendimi i Kryeministrit Kurti, para disa ditësh, për të shkarkuar ministrin e brendshëm, Agim Veliu (LDK), pa u këshilluar me udhëheqjen e LDK-së. Rrjedhimisht, ajo që pamë ne të gjithë, sipas meje ishte një ushtrim i pandershëm demokracie.

A ishte fabula me personazh Agim Veliun një arsye e mjaftueshme për ta rrëzuar një qeveri të porsalindur, dhe për ta rrëzuar ashtu me urgjencë, për më tepër në kushtet kur vendi praktikisht është në gjendje lufte siç edhe vetë presidenti amerikan e ka përcaktuar sfidën, me të cilën po përballet mbarë njerëzimi? Unë jam një dashamirës i palëkundur i Kosovës dhe kontribues brenda mundësive të mia modeste, nga jashtë, në zhvillimet e saj pozitive në një periudhë të rëndësisë së veçantë për Kosovën. Por, në këtë rast, përgjigjia ime për pyetjen e mësipërme nuk ka më asnjë vlerë. Vlerë do të ketë përgjigjia që do të japin në zgjedhjet e reja, doemos të parakohshme, qytetarët e Kosovës. Një përgjigje do ta japë me patjetër në kuptimin e vërtetë të fjalës edhe historia nesër, ku pashmangshëm figura e Isa Mustafës do ta ketë një çmim. Sepse kjo që ndodhi nuk mund të harrohet. Përsa më përket mua, e shoh me vend t’i përgjigjem vetëm pyetjes nëse Kryeministri Kurti duhej ta shkarkonte ministrin Veliu. Po, ai duhej ta shkarkonte pa asnjë ngurrim dhe në mënyrë të pakthyeshme.

Procedurat për t’u ndjekur janë një gjë tjetër. Çdo anëtar i një kabineti qeveritar ka detyrimin e disiplinës ndaj vendimeve të përbashkëta dhe nuk i lejohet të lëvizë asnjë fije. Parimi i mendimit ndryshe apo i lirisë së fjalës ekziston në ketë rast vetëm gjatë procesit të pjekjes së vendimit. Jo në publik. Përndryshe, ndodh ajo që në Kosovë përcaktohet përmes shprehjes “njëri i bjen thumbit e tjetri patkoit”, gjë që cënon në thelb autoritetin e qeverisë. Anëtari i kabinetit, nëse beson parimisht se qeveria nuk po merr vendimet e duhura dhe ai e sheh veten të pafuqishëm të ndikojë për mirë me debatet brenda për brenda, jep dorëheqjen dhe fiton kështu lirinë e shprehjes individuale para opinionit publik. Asnjë ekip qeverisës, sado demokratik të jetë, nuk funksionon ndryshe.

A ka vend për një analizë të aftësive të treguara nga Albin Kurti si udhëheqës i vendit? Sigurisht që një qeverie, e cila ka qenë në detyrë vetëm një muaj e gjysmë, nuk mund t’i bëhet asnjë bilanc. Në këtë kuptim, ai do të shkojë përsëri para zgjedhësve krejt i “pa konsumuar” nga pushteti. Por profili i tij si udhëheqës e meriton pak analizë. Do të kisha thënë se ai pati kohë të mjaftueshme për të shfaqur disa defekte karakteri, ku më i dëmshmi, më duket mua, ishte humbja e kontrollit mbi emocionet personale në lidhje me të tjerët, shenjë kjo, së paku se ishte i pushtuar nga euforia. Pa u zgjatur, po përmend vetëm sjelljen e tij ndaj Presidentit Thaçi. Dihet botërisht prej vitesh se këta dy burra nuk kanë asnjë respekt për njëri – tjetrin. Por, në rastin e Kryeministrit me Presidentin e Republikës, marrëdhëniet e tyre nuk janë më aspak personale. Ato janë të përcaktuara qartazi nga kuadri kushtetues. Do thënë se Thaçi e mbajti mirë parasysh këtë fakt.

Ndërsa Albin Kurti hidhte gjithë kohën vickla kur ishte nevoja që të dy krerët e shtetit të takoheshin jo për t’i hequr mërzinë njëri-tjetrit, por për të vënë në lëvizje institucionet qendrore të Republikës. Sipas meje, duke i treguar “forcën” e vet Presidentit, Kryeministri po e shpërfillte me papjekuri të madhe detyrimin kushtetues për të kënaqur egon e vogël të Albinit. Unë jam i bindur se nuk do të jetë e largët dita kur ai do të kthehet në zyrën e kryetarit të qeverisë. Shpresoj se do të gjejë paraprakisht mençuri për të parë edhe te vetja çfarë bëri keq. Duken si hollësi, por pa to ai nuk do të bëhet dot burri i shtetit, që ende mungon në personalitetin e tij politik. Në qoftë se kjo përvojë e parë do e shtyjë ta shohë veten vetëm si viktimë komplotesh nga ata, që nuk e duan, do të jetë keq për të dhe më keq për Kosovën.

Rrëzimi brutal, sado që demokratikisht në procedurë i qeverisë së Kosovës me 25 mars ka tërhequr gjerësisht vëmendjen e mediave serioze të botës. Me sa kam parë, pothuajse askush nuk e beson arsyen e shpallur zyrtarisht nga LDK për mocionin e mosbesimit. Këtu përfshihen edhe vëzhgues shumë të zellshëm dhe fort dashamirë të zhvillimeve në Kosovë. Në përgjithësi ata shohin si arsye të vërtetë papajtueshmërinë midis BE-së dhe SHBA-së lidhur me një plan – thonë – amerikan lidhur me zgjidhjen përfundimtare të konfliktit të ngrirë Serbi – Kosovë, plan ky ende i panjohur nga opinioni publik e për të cilin askush nuk mund të gjykojë me siguri.

Përmbajtja e këtij plani hipotetik është sipas meje në këtë rast një çështje më vete. Ajo çka më shqetëson mua shumë sot, nisur nga përvoja ime në politikë dhe posaërisht në marrëdhëniet ndërkombëtare, është gjetja e Kosovës përpara detyrimit për të zgjedhur midis mbështetjes së SHBA-ve dhe BE-së. Kjo do të ishte një zgjedhje e tmerrshme. E ardhmja e Kosovës si shtet sovran dhe demokratik ka njësoj nevojë jetike si për mbështetjen e SHBA-ve ashtu edhe të BE-së.

Vetëm njëra palë, qoftë ajo amerikane apo europiane, nuk mjafton kurrsesi. Udhëheqësia e Kosovës duhet ta kuptojë e ta mbajë mirë parasysh këtë realitet. Presidenti Hashim Thaçi apo ndonjëri nga shtetarët e tjerë, të cilët me gjasa kanë bërë kohët e fundit një zgjedhje midis këtyre dy faktorëve ndërkombëtarë për çështjen, kanë gabuar. Dështimi i konfirmuar gjerësisht i Federica Mogherini-t si kujdestare e bisedimeve Prishtinë-Beograd gjatë mandatit të saj të posapërfunduar në krye të politikës së jashtme të BE-së është, natyrshëm, një arsye për t’u lodhur. Por jo për të hedhur hapa të dëshpëruarish pa vizion. Këshilla ime modeste për udhëheqësit e Kosovës është kjo:

Historia na mëson se mospërputhjet Bruksel – Uashington lidhur me çështje të caktuara në interes të paqes të qendrueshme globale – dhe marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi është pa dyshim e tillë – janë gjithmonë të përkohshme. Sepse qëllimi madhor dhe përfundimtar është i njëjtë si për Uashingtonin edhe Brukselin. Udhëheqësit e Kosovës duhet ta bëjnë të qartë se për ta është parimore mbështetja e barabartë nga të dy palët. Sa për kujtesë: vetëm bashkimi i të dy palëve bëri të mundur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Vetëm duke u mbajtur fort te ky parim, mendoj unë, udhëheqësit e Kosovës sot dhe nesër mund të ndihmojnë sadopak që përpjekjet europiane dhe ato amerikane të bashkohen më shpejt në të njëjtin shtrat. Parë në këtë perspektivë, mbetem i bindur se fjala e udhëheqësve të Kosovës ka peshë të veçantë. Ama, me kusht që ata të jenë të bashkuar fort e të flasin me një zë, bashkim ky që shkon përtej sedrës së njërit apo tjetrit dhe nuk lejon protagonizëm të asnjërit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY