VETING/ Shkarkohet per here te dyte gjykatesja e Krimeve te Renda

VETING/ Shkarkohet per here te dyte gjykatesja e Krimeve te Renda

93
0
Shares

Nga Edmond Hoxha

Gjyqtarja Marsela Balili u shkarkua nga detyra më 17 janar 2020 për deklarim të rremë të pasurisë, për fshehje burimesh financiare dhe mungesë burimesh të ligjshme. Vendimi u shpall nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Xhensila Pine.

Kjo është hera e dytë që Balili largohet nga sistemi i drejtësisë. Në vitin 2009, Këshilli i Lartë i Drejtësisë i hoqi imunitetin dhe e pezulloi nga detyra, pasi Prokuroria nisi një procedim penal për korrupsion ndaj saj dhe bashkëshortit prokuror, Aleksandër Plepi.

Në fund të atij procesi, Balili u shpall e pafajshme ndërsa bashkëshorti i saj u dënua me 1 vit burg. Balili u rikthye në sistemin e drejtësisë me vendim të KLD në vitin 2017 si gjyqtare në ish-Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e përfundoi procesin e rivlerësimit për Balilin vetëm mbi kriterin e pasurisë. Kërkesa e Balilit për rihapjen e hetimit administrativ edhe për dy kriteret e tjera u rrëzua nga KPK.

Në vendimin e KPK-së thuhet se për efekt të procesit të rivlerësimit janë hetuar edhe personat e tjerë të lidhur: bashkëshorti i gjyqtares Balili; prindërit që i kanë dhënë ndihmë për përballimin e jetesës, për mobilimin e një apartamenti dhe dhënies në përdorim të një banese tjetër në Vlorë; tezja e bashkëshortit që sipas tyre u ka paguar pushimet në Korfuz të Greqisë duke u dhuruar 2800 euro si dhe një person tjetër, që u ka dhënë hua 40 mijë euro.

Bilanci negativ i apartamentit duplex 

Marsela Balili ka pasqyruar në deklaratën “veting” pronësinë mbi dy apartamente banimi me sipërfaqe 101.5 m2 dhe 95 m2, blerë në qershor 2012 në vlerën 125 mijë euro. Nga hetimi ka rezultuar se këto dy apartamente përbëjnë apartamentin duplex, me sipërfaqe totale 196.5 m2 në Tiranë,

Si burim krijimi të kësaj pasurie, gjyqtarja ka deklaruar një kredi bankare në vlerën 40 mijë euro të marrë në vitin 2007; 61 mijë euro të përfituar nga shitja e një apartamenti të mëparshëm, vlerën 14 mijë euro nga shuma prej 40 mijë eurosh e marrë hua në vitin 2011 nga shtetasi M.M. me qëllim hapjen e një aktiviteti nga bashkëshorti dhe 10 mijë euro të pashlyera ende.

Komisioni ka analizuar vlerën e blerjes së apartamentit duplex dhe mundësinë e ndonjë trajtimi të mundshëm preferencial. Duke iu referuar të dhënave të Entit Kombëtar të Banesave, KPK konkludon se vlera reale e tregut përllogaritet në shumën 19.060.500 lekë, ndërkohë që ky apartament është blerë në shumën 17.550.000 lekë. “Referuar kostos së ndërtimit sipas Entit Kombëtar të Banesave, ky apartament është blerë 1.510.500 lekë, më lirë se vlera e tregut”, konstaton KPK.

Megjithatë, nuk u gjetën prova që Balili ndodhej në konflikt interesi me ndërtuesin e apartamentit.

Komisioni konstaton se Balili nuk ka deklaruar porositjen e apartamentit duplex në deklaratën periodike vjetore të vitit 2007 e në vijim, edhe pse duhej t’i kishte pasqyruar në deklaratën e interesave private periodike si aktmarrëveshjen edhe këstin e parë të paguar nga kredia. Në vendim thuhet se Balili nuk ka pasqyruar në deklaratat periodike vjetore për vitet 2008, 2009, 2010 dhe 2011 edhe detyrimin e mbetur në vazhdimësi ndaj shoqërisë ndërtimore.

Trupa gjykuese ka analizuar edhe mjaftueshmërinë dhe ligjshmërinë e burimeve financiare të krijimit të kësaj pasurie. Nga hetimi është konstatuar se Balili nuk ka arritur të provojë pagesën e këstit të parë me fondet e tërhequra nga kredia 40 mijë euro në vitin 2007. Në vendim thuhet se subjekti konfirmoi gjatë hetimit se nuk i dispononte dokumentet për të vërtetuar këtë gjë. “Për pasojë, pretendimet e subjektit se pagesa e këstit të parë është kryer në vitin 2007, me fondet e tërhequra nga kredia mbeten në nivel deklarativ,” thuhet në vendim.

Komisioni evidenton se kontrata e porosisë së apartamentit e vitit 2007 ka qenë fiktive me qëllim përfitimin e kredisë në vlerën 40 mijë euro në Raiffeisen Bank. “Fiktivitetin e kontratës së lartpërmendur e konfirmoi edhe subjekti i rivlerësimit gjatë seancës dëgjimore. Subjekti gjithashtu nuk arriti të provojë revokimin e kësaj kontrate,” citohet në vendim, ku theksohet se veprimet kanë qenë të paligjshme.

“…Veprimet e kryera për lidhjen e kontratës së sipërmarrjes, thjesht për të realizuar marrjen e kredisë dhe blerjen më pas të një apartamenti tjetër, duket se janë kryer në mashtrim të ligjit”, konstaton Komisioni. Gjithashtu theksohet se e gjithë veprimtaria për realizimin e veprimeve juridike për marrjen e kredisë ka elemente të paligjshme brenda saj që prekin legjitimitetin e pasurisë së krijuar nga transaksioni i kryer.

Komisioni ka hetuar edhe për shumën 61 mijë euro të përfituar më 26 shtator 2012 nga shitja e apartamentit të mëparshëm dhe ka gjetur mospërputhje mes deklarimeve të Balilit dhe bashkëshortit të saj për burimet e krijimit të kësaj pasurie.

Gjithashtu, nga analiza financiare është konkluduar se ata kanë pasur mungesë të ardhurash të ligjshme në vlerën e 1.2 milionë lekëve për blerjen e apartamentit në vitin 2002.

Veç pamundësisë financiare për blerjen e apartamentit në vitin 2002, Komisioni kontsaton se shitja e kësaj pasurie është kryer pas blerjes së apartamentit duplex dhe për këtë arsye, vlera 61 mijë euro nuk mund të ketë shërbyer si burim.

Në vendim sqarohet se likuidimi i apartamentit duplex nga bashkëshorti është realizuar në periudhën shkurt 2012 – gusht 2012, ndërsa shitja e banesës 72.5 m2 është kryer në shtator dhe tërheqja e vlerës rreth dy muaj më vonë.

KPK ka hetuar ligjshmërinë e burimit të të ardhurave të huadhënësit që rezulton të jetë administrator i një shoqërie me 50% të kuotave. Komisioni arrin në përfundimin se shtetasi M.M., nuk ka pasur mundësi në vitin 2011 të japë hua shumën 40 mijë euro, as si individ dhe as si ortak i shoqërisë. Trupa gjykuese e çmon të paqartë lidhjen e personit që u ka dhënë hua vlerën 40 mijë euro pa interes, nga të cilat 14 mijë janë përdorur për plotësimin e çmimit të paguar të apartamentit duplex. Në vendim thuhet se Balili ka shënuar në deklaratën veting se huaja e marrë shtetasit M.M. është ende e pashlyer.

KPK ka konstatuar nga analiza financiare se subjekti i rivlerësimit nuk ka pasur të ardhura të ligjshme për blerjen e apartamentit duplex në shumën totale 124 mijë euro. Edhe pas rikryerjes së analizës financiare, bazuar në shpjegimet dhe provat e depozituara nga Balili, Komisioni i ka qëndruar konkluzionit se ajo dhe bashkëshorti i saj nuk kanë pasur burime të ligjshme për blerjen e kësaj prone.

Mungesë burimesh të ligjshme

KPK vlerëson se Balili dhe bashkëshorti i saj nuk kanë pasur mundësi financiare me burime të ligjshme për blerjen e një automjeti tip “Ford Fiesta” në vitin 2012. Si burim krijimi për këtë pasuri, Balili ka deklaruar shumën 4 mijë euro, pjesë e huasë 40 mijë euro që kanë marrë nga shtetasi M.M., që rezultoi se nuk ka pasur mundësi ta krijonte këtë vlerë. Në vendim thuhet se nga hetimi ka rezultuar se ky automjet të mos ketë qenë i regjistruar në emër të bashkëshortit të Balilit.

Gjithashtu, Komisioni evidenton se Balili nuk ka deklaruar përdorimin e apartamentit të prindërve të saj në Vlorë gjatë sezonit veror; blerjen e një motoçiklete tip “PEGASUS” nga bashkëshorti i saj në vitin 2012 për vlerën 120 mijë lekë dhe blerjen e një motori tjetër në vitin 2011 në vlerën 54 mijë lekë.

KPK identifikon mospërputhje të deklarimit të subjektit për blerjen e një autimjeti tip “Chevrolet Captiva” në shumën 8 mijë euro ose 1.029.920 lekë, pasi nga dokumentacioni i administruar ka rezultuar se ka kushtuar 1.243.627 lekë.

Në vendim konstatohet edhe mosdeklarimi në vitin 2003 i përdorimit të automjetit tip “BMW”, model 324 nga bashkëshorti i saj. “Në këto kushte subjekti ka kryer deklarime të pamjaftueshme dhe të pasakta të pasurisë ndër vite,” citohet në vendim.

KPK nuk e ka përfshirë në analizën financiare dhuratën 2800 euro nga tezja e bashkëshortit të Balilit për kryerjen e pushimeve verore në Korfuz të Greqisë, pasi kjo dhuratë nuk është pasqyruar prej saj në deklaratën periodike vjetore.

Në përfundim, Komisioni evidenton pamundësi të Balilit dhe bashkëshortit të saj për krijimin e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve për periudhën 2003 – 2016 me një balancë negative në vlerë totale prej 9,369,343 lekësh.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY