10 pikat e draftit te Venecias qe rrezojne projeksionet e qeverise dhe...

10 pikat e draftit te Venecias qe rrezojne projeksionet e qeverise dhe zbardhin shkeljet e KED

69
0
Shares

Drafti i Komisionit të Venecias ka sfiduar konfidencalitetin dhe eshte publikuar gjeresisht.

Me poshte eshte raporti i perkthyer dhe pershtatur nga syri.net

1. Emërimi nga Presidenti i zonjës Marsida Xhaferllari, si anëtare e Gjykatës Kushtetutës është bërë në përputhje me Kushtetutën

Presidenti dhe Kuvendi duhet të vazhdojnë me emërimin e anëtarëve të tyre me kombinim (sipas rradhës). Në çdo rast, kur Presidenti emëroi vetëm një kandidat, z.Muçi, dhe më pas pezulloi procedurën për emërimin e një kandidati të dytë, Presidenti ndoqi një interpretim i cili nuk është i paarsyeshëm dhe mund të argumentohet. Në interpretim të Kushtetutës sipas Komisionit të Venecias, pezullimi i emërimit të dytë ishte i vlefshëm dhe bllokoi fillimin e periudhës 30-ditore për emërimin e dytë në mënyrë që emërimi automatik (për shkak të ligjit i kandidatit të renditur i pari) të mos realizohej. [prg. 99 &100]

Veprimet e Presidentit, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, janë përgjithësisht në përputhje me një interpretim të arsyeshëm të Kushtetutës. Veprimet e ndërmara nga Presidenti, në përgjigje të mënyrës së veprimit të KED, janë të arsyeshme. Për këtë arësye, nuk ka bazë për shkarkimin e Presidentit. [prg. 104]

2. Emërimet pa garë nga Kuvendi, në mungesë të 3 kandidatëve të vlefshëm për çdo vend vakand, nuk janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin

Pas emërimit të z.Muçi nga Presidenti më 15 tetor 2019, vetëm dy kandidatë mbetën në listën për shqyrtim nga Kuvendi, që duket se nuk është në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. [prg. 69]

3. Mekanizimi zhbllokues, pas skadimit të afatit 30 ditor, nuk është i zbatueshëm për emërimet e bëra nga Presidenti i Republikës, por vetëm për emërimet e Kuvendit

Parashikimi i një mekanizmi zhbllokues në nivelin kushtetues për Kuvendin bën sens sepse si një organ politik kolegjial mund të jetë e vështirë për Kuvendin që të sigurojë gjithmonë votat e nevojshme (3/5) për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuta nuk rregullon procedurën në lidhje me emërimin nga ana e dy organeve të tjera, d.m.th. Presidenti dhe Gjykata e Lartë. [prg. 74]

Mekanizimi zhbllokues i parashikuar nga ligji nuk duket të jetë i zbatueshëm në një situatë kur është e paqartë se kur dhe si periudha 30-ditore fillon të zbatohet. Komisioni i Venecias rekomandon që, nëse mekanizmi zhbllokues për emërimet nga Presidenti do të konsiderohej i domosdoshëm, ky rregull duhet të ishte parashikuar në nivelin kushtetues, siç është vepruar tashmë për Kuvendi. [prg. 75]

4. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka kryer veprime të dyshimta, në mungesë transparence dhe në shkelje të Kushtetutës

Mënyra e veprimit të KED në 2019 është e diskutueshme. Efekti i kombinuar i (a) dërgimit të dy listave njëkohësisht te Presidenti (që nënkupton që periudha e tij 30-ditore, nëse aplikohet, do të fillojë të zbatohej për të dy listat në të njëjtën kohë), (b) dërgimin e listave në Parlament gjashtë ditë më vonë duke e bërë të pamundur të parashikoni si për Presidentin ashtu edhe për Parlamentin se cili nga kandidatët identikë mund të zgjidhet nga ato lista, në çfarë momenti kohor, dhe kush nuk është më i vlefshëm për zgjedhje, dhe (c) dërgimi i gjithsej katër listave me vetëm gjashtë kandidatë, në kombinim me vendimin e marrë nga Kuvendi për të emëruar, pas skadimit të periudhës kohore 30 ditore të Presidentit, dy kandidatë në të njëjtën ditë, pa i dhënë një shpjegim Presidentit, krijoi një situatë në të cilën të gjitha emërimet, përveç atij të z.Muçi, ishin bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese. [prg. 70]

Rregulli i KED për të përjashtuar Avokatin e Popullit nga vëzhgimi i procesit të diskutimit, votimit dhe vendimmarrjes, është në kundërshtim me Kushtetutën, rregullat ligjore përkatëse dhe me kërkesën për të siguruar besimin e publikut në procedurën e zhvilluar nga KED. Komisioni i Venecias rekomandon ndryshimin e këtij rregulli antikushtetues. [prg. 59]

Pavarësisht se ligji detyron publikimin e diskutimeve të bëra në mbledhjet e KED, këto procesverbale nuk janë publikuar. Komisioni i Venecias rekomandon që minutat e takimeve të KED të publikohen. [prg. 57]

Komisioni i Venecias nuk është në gjendje të vlerësojë nëse shpjegimi i Kryetarit të KED për dërgimin e listave me vonesë në Kuvend, është apo jo i besueshëm, por konstaton se anëtarët e KED nuk ishin informuar për këtë mënyrë të dërgimit të listave në kohë të ndryshme. Në çdo rast, ishte e qartë se data e dërgimit të listave do të kishte pasoja të rëndësishme për shkak të zbatimit të mundshëm të emërimit automatik në bazë të rregullit 30-ditor. [prg. 67]

5. Bllokimi i veprimtarisë së KED në vitet 2017-2018 është bërë në mënyrë antikushtetuese nga Qeveria

Dy vitet e para 2017- 2018 KED humbi kohë tepër të vlefshme për të shmangur krizën e tanishme kushtetuese. Në vitin 2017 Qeveria u ankua se anëtarët e KLD nuk kishin kaluar vetingun, disa anëtarë të KED u dorëhoqën, të tjerë u rrëzuan nga vetingu dhe për pasojë KED në 2017 nuk u mblodh asnjëherë.Në 2018, KED u mblodh vetëm një herë, pasi përfaqësuesi i Parlamentit kërkoi që KED të kufizohej vetëm në vendime adminstrative dhe të mos bënte renditjen e kandidatëve. [prg. 51 &52]
Kërkesat e vitit 2017 dhe 2018, që KED të mos bënte renditjen e kandidatëve, nuk janë të bazuara në ligj. Nuk ishte e parashikuar as në Kushtetutë dhe as në ligj, që anëtarët e KED të kishin kaluar procesin e vetingut. [prg. 53]

6. Ligji për betimin me shkrim i miratuar nga mazhoranca, por i kthyer për rishqyrtim nga Presidenti në 2 Mars, është në kundërshtim me Kushtetutën

Kushtetutshmëria e ndryshimit ligjor të miratuar nga Kuvendi është e dyshimtë, pasi Kushtetuta shprehet qartë se betimi duhet të bëhet “përpara” Presidentit. Për më tepër, dispozita e miratuar është shumë e paqartë. Cili është “njoftimi i emërimit” dhe kush është kompetent për të bërë një njoftim të tillë? Edhe nëse do të ishte Gjykata Kushtetuese, konteksti i situatës në Shqipëri e përjashton këtë mundësi. Kështu, ndryshimi krijon pasiguri në lidhje me legjitimitetin e anëtarëve që fillojnë detyrën në Gjykatën Kushtetuese pa u betuar sipas procedurës së parashikuar në Kushtetutë. [prg. 84]

Dispozitat e miratuara kohët e fundit, por ende jo efektive, në lidhje me një mekanizëm të paracaktuar për të marrë betimin duke i dërguar një letër me betim Presidentit në rast të refuzimit nga Presidenti për të pranuar betimin, duhet të braktiset pasi ato duket se janë jokushtetuese. [prg. 114]

7. Zbatimi i procesit të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve krijon hapësirë për manipulime politike

Disa persona nuk e kaluan vettingun sepse bashkëshorti i tyre nuk mund të shpjegonte disa të ardhura të fituara shumë kohë para se të martoheshin. Ka një zbatim tepër të ngurtë të afateve procedurale. Dokumentacioni duhet të sigurohet rreptësisht brenda një afati prej dy javësh, gjë që ndonjëherë nuk është e mundur, veçanërisht kur dokumentet e çertifikuara duhet të merren nga jashtë. Komisioni i Venecias rekomandon që të rivlerësohen modalitetet aktuale të procesit të vettingut, përfshirë fushën e veprimit të tij dhe zbatimin e rregullave procedurale siç janë afatet në një mënyrë, më pak të ngurtë. Vettingu duhet të aplikohet në një mënyrë koherente. [prg. 40 &41]
Ndërsa Reforma në Drejtësi dhe procesi i vettingut mbeten prioritet dhe duhet të sjellin një përfundim të mirë, duhet të vlerësohet nëse rregullat siç zbatohen, çojnë në zgjidhje të mira ose nuk krijojnë shumë hapësirë ??për manipulime politike. Verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të përshpejtohet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Nga ana tjetër, në raste të arsyeshme, afate kohore tepër të ngurta dhe jorealiste për të siguruar dokumentacioni duhet të rishikohen. [prg. 111]

8. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë ka pasoja kritike për stabilitetin e Shqipërisë

Mungesa e Gjykatës së Lartë mund të jetë edhe më kritike për stabilitetin e Shqipërisë sesa mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Rastet nga gjykatat e ulëta nuk mund të merren në shqyrtim dhe Shqipëria shkel sistematikisht të drejtën për një gjykim të drejtë brenda një kohe të arsyeshme. Në mungesë të ndonjë mjeti tjetër juridik, kjo ka të ngjarë të çojë në raste të shumta që përfundojnë para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. [prg. 32]

Është me rëndësi jetike për Shqipërinë që të rivendosë sa më shpejt në funksionim Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, aq më shumë në një kohë në të cilën paraqiten pyetje mjaft komplekse që kanë të bëjnë me kushtetueshmërinë e punëve publike në Shqipëri. Një numër çështjesh në pritje në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të gjykohen. Për të kapërcyer këtë krizë, kërkohet dialog konstruktiv ndërinstitucional dhe bashkëpunim midis institucioneve shtetërore. [prg. 109]

9. Komisioni i Venecias propozon zgjidhjen: secili institucion të njoh legjitimitetin e emërimeve të institucionit tjetër

Komisioni i Venecias nuk mund të zëvendësojë Gjykatën Kushtetuese. Ndihma e Komisionit të Venecias nuk mund të kurojë as të zëvendësojë mungesën e gatishmërisë dhe kulturës së bashkëpunimit midis institucioneve shqiptare. Për zhbllokimin e procedurës së emërimit, një tjetë rrrugë duhet të zgjidhet. Retorika agresive duhet të shmanget, dhe secili institucion duhet të njohë legjitimitetin e institucioneve të tjera në emërimin e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. [prg. 107]

Problemi kryesor pse situata u përkeqësua nuk është interpretimi i ndryshëm i nenit 179 të Kushtetutës dhe dispozitave të tjera, por mungesa e dialogut dhe bashkëpunimit luajal mes palëve. Të dy palët duhet të shmangin retorikën agresive. Shumë nga problemet mund të zgjidhen përmes bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, siç është theksuar disa herë nga Komisioni i Venecias. Ashtu siç Presidenti i Komisionit të Venecias insistoi kohët e fundit në lidhje me Armeninë: “Kultura demokratike dhe pjekuria kërkojnë kufizim institucional, besim të mirë dhe respekt të ndërsjellë midis institucioneve shtetërore”. [prg. 116]

10. Sistemi institucional i Shqipërisë rrezikon një paralizë që shkon përtej çështjes së Gjykatës Kushtetuese

Bllokimi i procesit të emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nxjerr në pah vështirësi të mëdha në zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit në fuqi. Këto varen në një masë të madhe nga konfliktet institucionale, për shkak të mosbesimit të ndërsjellë midis pushteteve dhe prirjes së tyre për të delegjitimuar njëri-tjetrin. Sistemi institucional i vendit rrezikon një paralizë që shkon përtej çështjes së procedurës së emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa të gjithë aktorët theksojnë besnikërinë e tyre ndaj Kushtetutës, ata akuzojnë palën tjetër për shkeljen e dispozitave kushtetuese. Për shkak të mos ekzistencës së Gjykatës Kushtetuese, këto konflikte nuk mund të zgjidhen nga organi kompetent për ta bërë këtë. [prg. 105 & 106]

Kriza kushtetuese në Shqipëri nuk është shkaktuar nga një akt specifik, por është pasojë e ndërveprimit të disa faktorëve. [prg. 110]

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY