Zëri i Amerikës zbardh raportin e plotë të ‘Venecias’: KED shkeli ligjin,...

Zëri i Amerikës zbardh raportin e plotë të ‘Venecias’: KED shkeli ligjin, humbi kohë për të shmangur krizën

171
0
Shares

Zëri i Amerikës ka zbardhur detaje nga raporti paraprak i Komisionit të Venecias për çështjen e Gjykatës Kushtetuese. Duhet thënë se raporti është një shuplakë e fortë për të gjitha veprimtarinë e mazhorancës.

Por bie në sy pjesa ku flitet për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, strumbullarin e kësaj situate. Edhe pse nuk përmendet emri i drejtuesit të KED, Ardian Dvorani, që është nën akuza, sërish në raport konfirmohen akuzat që janë bërë në drejtimin e tij.

Goditja më e rëndë është kur thuhet se ai ka krijuar një situatë antikushtetuese me dërgimin e listave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

ROLI I KËSHILLIT TË EMËRIMEVE NË DREJTËSI

Në interpretimin e Venecias Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që luan rol kyç për procesin e përzgjedhjees së kandidatëve, ka pasur një sërë mangësish, që nga vonesat, duke mos-funksionuar në vitin 2017 dhe 2018 e deri tek vendimet që Venecia i quan “të diskutueshme” në vitin 2019.

Dy vitet e para 2017/2018 KED “humbi kohë tepër të vlefshme për të shmangur krizën e tanishme kushtetuese”. Në vitin 2017 qeveria u ankua se anëtarët e KLD nuk kishin kaluar vetingun, disa anëtarë të KED u dorëhoqën, të tjerë u rrëzuan nga vetingu dhe për pasojë KED në 2017 nuk u mblodh asnjëherë.

Në 2018, KED u mblodh vetëm një herë, pasi përfaqësuesi i parlamentit kërkoi që KED të kufizohej vetëm në vendime adminstrative dhe të mos bënte renditjen e kandidatëve.

Sipas Komisionit të Venecias, “kërkesat e vitit 2017 dhe 2018, që KED të mos bënte renditjen e kandidatëve, nuk janë të bazuara në ligj. Nuk ishte e parashikuar as në Kushtetutë dhe as në ligj, që anëtarët e KED të kishin kaluar procesin e vetingut”, thuhet në opinion paraprak.

Sipas Komisionit të Venecias, një nga elementët më të rëndësishëm të KED është transparenca, për të patur besimin e publikut për procesin e emërimeve. Por me miratimin e një rregulloreje të brendshme, KED përjashtoi nga pjesëmarrja në procesin e vlerësimit te kandidatëve Avokatin e Popullit. Sipas Venecias, ky nen i rregullores së KED, duhet ndryshuar. Po ashtu, Venecia konstaton shkelje, edhe për mos publikimin e proces-verbaleve të mbledhjeve të KED, që kërkohet me ligj.

Pas hartimit të listave nga KED për dy emërime në Gjykatën Kushtetuese, që duhet të bënte Presidenti dhe dy të tjerë, që duhet të bënte parlamenti, sipas Komisionit të Venecias, “është e qartë që data e dërgimit të listave do të kishte pasoja të rëndësishme për shkak të afatit 30 ditor të zgjedhjes së kandidatëve”.

Whatsapp Image 2020 03 06 At 5.36.24 Pm

PËRPLASJA PER EMËRIMET NË GJYKATËN KUSHTETUESE

Ndërsa presidenti Meta emëroi një nga tre kandidatët e listës së parë të tij, ai vendosi pezullimin e emërimit të kandidatit të listës së tij të dytë.

Presidenti e argumentoi këtë me faktin se Kushtetuta përcakton në nenin 179/2 se “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”.

Për pasojë, sipas presidentit do të duhej që parlamenti të zgjidhte kandidatin e radhës nga lista e tij e parë. Nga ana e saj, shumica këmbënguli se përcaktimi kushtetues lidhej me faktin që Gjykata rinovohet çdo tre vjet me nga tre anëtarë, dhe se kjo dispozitë, më shumë se sa rendin e emërimeve, përcakton sekuencën e të drejtës për të emëruar.

Vetë Komisioni i Venecias, bën një interpretim tjetër, sipas të cilit “rregulli kushtetues bazohet në supozimin se gjithmonë tre pozicione duhet të plotësohen në të njëjtën kohë dhe radha pra zbatohet vetëm brenda këtij raundi të emërimeve. Si pasojë, pamundësia e zgjedhjes së një anëtari nga Gjykata e Lartë, e cila vjen e fundit në çdo raund, nuk bllokon emërimet për një raund tjetër”.

Në tekstin e opinionit paraprak, ekspertët saktësojnë se “preferenca e qartë e Komisionit të Venecias për këtë interpretim, nuk do të thotë që interpretimet e tjera do të ishin të paarsyeshme. Në çdo rast, kur presidenti emëroi vetëm një kandidat, zotin Muçi, dhe më pas pezulloi procedurën e emërimit të një kandidati të dytë, ai ndoqi një interpretim, i cili nuk është i paarsyeshëm.” Nën dritën e interpretimit të Komisionit të Venecias, “pezullimi i emërimit të dytë ishte i vlefshëm dhe bllokoi fillimin e periudhës 30-ditore për emërimin e dytë në mënyrë që emërimi automatik të mos realizohej”.

Detyrimi i presidentit për të bërë emërimin brenda afatit 30 ditor, parashikohet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ndryshe nga afati i parlamentit, që parashikohet nga kushtetuta. Mos zbatimi nga ana e presidentit të këtij afati, u pa nga shumica si momenti në të cilin hyn në veprim mekanizmi zhbllokues e për pasojë, kandidatja e renditur e para në listë, Arta Vorpsi, u konsiderua prej tyre e zgjedhur automatikisht. Por për Komisionin e Venecias “neni i ligjit për Gjykatën Kushtetuese, nuk duket të jetë i zbatueshëm në një situatë kur është e paqartë se kur dhe nëse periudha 30-ditore fillon të funksionojë”. Komisioni i Venecias rekomandon që, “nëse mekanizmi zhbllokues për emërimet nga presidenti do të konsiderohej i domosdoshëm, ky rregull duhet të ishte ngritur në nivelin kushtetues, siç është rasti për parlamentin”.

Ndërsa zoti Meta, nuk mori në konsideratë atë që socialistët e cilësuan si emërim automatik të kandidaturës së zonjës Vorpsi, ai përzgjodhi nga lista e tij e dytë Marsida Xhaferllarin, menjëherë pasi parlamenti emëroi dy anëtarë të Gjykatës nga dy listat e veta, ndonëse nuk kishte mundësi zgjedhjeje mes tre emrave siç përcaktohet në Kushtetutë.

Në këtë kontekst, sipas Komisionit të Venecias, dërgimi nga ana e KED-së te Presidenti i dy listave njëkohësisht, dërgimi i listave në Parlament, 6 ditë më vonë, dhe numri I kufizuar i kandidatëve, vetëm 6 për katër vende vakante “krijoi një situatë në të cilën të gjitha emërimet, përveç emërimit të zotit Muçi, ishin bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese”.

BETIMI I ANËTARËVE TË GJYKATËS KUSHTETUESE

Në muajin shkurt shumica miratoi disa ndryshime ligjore përmes të cilave synohej të shmangej betimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetutese vetëm përpara Presidentit. Sipas propozimit të shumicës “….nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, [brenda afatit nga presidenti], ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim, konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”.

Por Komisioni i Venecias, shprehet qartë në opinionin paraprak se sipas Kushtetutës, anëtari i Gjykatës Kushtetuese e fillon mandatin vetëm pasi bën betimin tek Presidenti. Pasi citojnë Kushtetutën, ekspertët e Venecias shprehen se “kjo do të thotë se anëtari [i Gjykatës Kushtetuese] nuk mund ta fillojë detyrën pa bërë betimin tek Presidenti. Betimi tek Presidenti është parakusht për marrjen e detyrës”.

Edhe në përfundimet e tyre, ekspertët e Venecias janë të prerë në këtë pikë, kur shprehen se “Dispozitat e miratuara kohët e fundit, por që ende nuk kanë hyrë në fuqi…duhet të lihen mënjanë, pasi ato duket se janë jokushtetuese”.

Presidenti Meta e ktheu pas këtë ndryshim ligjor, të cilësuar prej tij si “një grusht shteti” pak ditë më parë, shoqëruar me paralajmërimin publik, gjatë një manifestimi proteste kundër qeverisë se “nëse grushti i shtetit dhe organizata mafioze që luan me sovranitetin, nuk e merr seriozisht këtë dekret, unë u jap fjalën, në emër të këtij flamuri, se pas datës15 mars, kur të përfundojë reforma zgjedhore, nëse ata nuk do e marrin seriozisht, unë Ilir Meta betohem se do ta firmos atë dekret në mes të parlamentit, në mes të krimit, dhe do i bëj thirrje gjithë popullit shqiptar. Unë i pari dhe gjithë populli kuqezi”, deklaroi zoti Meta.

SHKARKIMI I PRESIDENTIT

Procesi i shkarkimit të presidentit është duke u zhvilluar në parlament. Komisioni i Venecias, i referohet opinionit të tij të mëparshëm, duke theksuar se “procesi i shkarkimit përmban në vetvete dy elementë, ligjorë dhe politikë. Ndërsa puna e Komisionit të Posaçëm Hetimor është kryesisht e një natyre ligjore, në dallim, kur parlamenti të mblidhet në seancë plenare për të vendosur për shkarkimin, ai mundet dhe madje, duhet të marrë në konsideratë, pasojat politike të një vendimi të tillë”.

Komisioni i Venecias shprehet se nuk mund të këshillojë parlamentin se si duhet të votojë, por thekson se “i takon parlamentit të vendosë nëse shkarkimi do të ulte apo shtonte tensionet dhe në fund të fundit, do t’i shërbente, apo do të dëmtonte synimin e ruajtjes së balancave dhe kontrollit, në një situatë kur parlamenti dhe pushteti vendor dominohen nga e njejta parti. Pyetja që duhet t’i bëjë vetes parlamenti është ‘a do të ndihmonte vazhdimi i procedurave të shkarkimit për unitetin e popullit?’

Komisioni i Venecias, thekson se “veprimet e presidentit, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, janë përgjithësisht në përputhje me një interpretim të arsyeshëm të Kushtetutës. Veprimet e ndërmara nga presidenti, në përgjigje të mënyrës së veprimit të KED, janë të arsyeshme. Për këtë arësye, nuk ka bazë për shkarkimin e presidentit”, shprehet Komisioni i Venecias.

KRIZA KUSHTETUESE

Procesi i bllokuar i emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, nxjerr në pah vështirësi të .mëdha për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, sipas Venecias. “Kjo për shkak të konflikteve institucionale, si rezultat i mungesës së besimit reciprok mes institucioneve shtetërore dhe prirjes së tyre për të deligjitimuar njera tjetrën. Sistemi institucional në Shqipëri rrezikon një paralizë, që shkon përtej çështjes së emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”.

Komisioni i Venecias, thekson si ai nuk mund të zëvendësojë Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë dhe as është i aftë të zëvendësojë mungesën e gadishmërisë dhe kulturës së bashkëpunimit mes institucioneve të Shqipërisë.

Duke u shkëputur nga analizave teknike e ligjeve, mesa duket për të theksuar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet rendi kushtetues në Shqipëri, Komisioni i Venecias, i bën thirrje autoriteteve të “shmangin retorikën agresive dhe çdo institucion të njohë legjitimititen e tjetrit për emërimin e tre anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese”.

Komisioni i Venecias bën thirrje, siç shprehet në opinionin paraprak, që “institucionet përgjegjëse ‘të bëjnë një çarmatim dypalësh’ për këtë çështje, për hir të demokracisë në Shqipëri./VOA

 

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY