ANALIZA/ Midis gjeopolitikave të reja globale dhe demokratizimit: dilemat shqiptare!

ANALIZA/ Midis gjeopolitikave të reja globale dhe demokratizimit: dilemat shqiptare!

56
0
Shares

Nga Artan Fuga

(Shënime sprove eseistike nga ditari në ndihmë të politikanëve të rinj dhe studentëve në profilin gazetari politike:) )

Ajo që ndodh në Shqipëri në vitin 2019 dhe në muajt e parë të vitit 2020 dihet. Kryeministri Edi Rama duket i hapur për nga realizimi i këtij projekti ndonëse nuk ka arritur të shfaqi asnjë ide konkrete për hapat e parë të realizimit të tij. Ai është mjaftuar të pohojë kundër kundërshtarëve të tij politikë në Shqipëri dhe në Kosovë se përsa më sipër, sipas tij, ka një strategji dhe projekt që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sikurse edhe ka shprehur keqardhjen që lidershipi kosovar është i vonuar dhe refraktar në pranimin e këtij projekti. Kaq!
Ndërkaq partitë e opozitës në Shqipëri, si edhe mjaft nga liderat politikë opozitarë, nga njerëz afër Presidencës të republikës, kanë shprehur kundërshtinë e tyre të hapura ndaj projektit në fjalë. Përtej këtyre qendrimeve diçka është e dukshme. Kjo gjeopolitikë e re, nëse do të ekzistonte si projekt, pavarësisht fizibilitetit dhe jetëgjatësisë të saj, do të ndeshte me traditat kombëtare të së kaluarës dhe me kujtesën kolektive të kombeve të Ballkanit. Ai mund të përballej me lëvizje politike kundërshtuese edhe nga poshtë. Prandaj, për rjedhojë, nëse ai do të duhej të bënte hapa përpara, nuk besoj se do të pritej nga frymëzuesit e tij që të kishte një aprovim nga masat e popullsisë. Në Shqipëri, më mirë pra ka gjasa që konceptuesit e tij presin të veprohet nga lart, nga lëvizjet e qeverisë, sakohë që kryeministri Edi Rama e ndjek pozitivisht dhe e mbështet këtë lëvizje. Në të kundërtën, nëse lëvizjet sociale nxehen atëhere mund të priten edhe protesta kundër tij. Dihet që këto protesta shoqërore deritani nuk kanë lidhje me ndonjë kundërshti ndaj “minishengenit”. Nuk kanë qenë të tilla as protestat e opozitës në vitin 2019 që drejtoheshin kundër politikave autoritariste të qeverisë socialiste dhe për zgjedhje të lira, as mitingu dhe frymëzimet për t’i dhënë fjalën popullit nga ana e Presidentit të Republikës, më 2 mars 2020, kundër sikurse shprehet ai “puçit” kundër Kushtetutës ndërmarrë nga pushtetarët dhe deputetët socialistë. Mirëpo logjikisht mund të mendohet që sakohë këto protesta mbështeten dhe drejtohen nga lidershipe që janë refraktare ndaj idesë të një hapësire të hapur socio-ekonomike në Balkan, mosmbështetja e tyre në fakt nga perëndimorët duket se ka si qëllim të frenojë çdo forcim të lidershipit në fjalë në jetën politike të vendit.
Zbehen kështu edhe përpjekjet për ta mbrojtur shtetin ligjor dhe për të rrezistuar kundër shkeljeve kushtetuese.
Kështu, mund të thuhet se nga njera anë e balancës politike ndodhen partitë opozitare, të cilat protestojnë kundër një përqendrimi të faktuar të të gjitha pushteteve nën kupolën autoritariste të qeverisë, është pakënaqësia masive kundër një gjendjeje sociale dhe ekonomike shumë të rënduar, janë protestat në sheshe e rrugë kundër politikave zyrtare, pabarazive në rritje ekonomike, arbitraritetit, por të drejtuara nga lidera politikë në përgjithësi refraktarë ndaj gjeopolitikave të reja që ravijëzohen në horizontin global, kurse nga ana tjetër e balancës politike është qeveria socialiste, e cila në kupolën e saj ka grumbulluar të gjitha pushtetet, ekonomike, gjyqësore, administrative, me një Kuvend krejtësisht pasiv dhe të manipuluar, por që me gojën dhe veprimet e kryeministrit të saj përkrah ide gjeopolitike që supozohet se qarkullohen në kancelaritë perëndimore.
Parë ndryshe, në balancën politike janë nga njera anë nevoja për respektimin e shtetit ligjor dhe demokratizimin e vendit, nga ana tjetër e balancës politike është nevoja për t’a vendosur Ballkanin në një kontekst ekuilibrash politikë që realizon kontekstin e ri të fuqive kryesore të Planetit. Dhe në këtë balancë kaq të brishtë, paradoksale, të paparashikuar dot më parë, vihet re që diplomacitë e vendeve perëndimore kanë anuar nga krahu i dytë i balancës së vlerave dhe jo nga i pari. Kanë privilegjuar gjeopolitikën në dëm të ruajtjes dhe vazhdimit të proceseve të demokratizimit. Marrëdhënia midis një çifti konceptual kaq thelbësor sikurse është ajo e shprehur nga dyshja: demokratizim – gjeopolitikë, paraqitet ndryshe në vitin 2020 në krahasim me vitin 1990. Brenda 30 vjetësh janë krijuar raporte të tjera forcash në botë. Edhe një herë tjetër shqiptarët janë vendosur në një “darë” konfliktuale vlerash që trondit të gjithë shoqërinë. Nga njera anë stabiliteti i Ballkanit, që duhet thënë se ata nuk e sigurojnë dot vetë pa ndihmën e fuqive aleate me ta, nga ana tjetër nevoja për demokratizim, që nuk gjen mirëkuptimin e pritur nga demokracitë e mëdha perëndimore që kanë privilegjuar, të paktën në vitin 2019 dhe në muajt e parë të vitit 2020, projektin e tyre të mundshëm gjeopolitik.
E vërteta është që opinioni publik, lidershipi politik opozitar, figura të rëndësishme të jetës politike, mediatike, kulturore, shoqërore në vendet e Ballkanit, veçanërisht në Shqipëri dhe në Kosovë, kanë arsyet e tyre në qendrimin skeptik apo edhe haptazi kundërshtues që mbajnë ndaj projektit të një zone pa bariera kufitare doganore në Ballkan.
Nga njera anë paraqitja e këtij projekti si “minishengen” nuk ndihmoi aspak në mirëkuptimin e këtij projekti të mundshëm.
Kjo sepse “hapësira Shengen” është funksionale në Europë sepse mbi të qendron si superstrukturë një tërësi institucionesh parlamentare dhe ekzekutive sikurse janë Parlamenti europian, Komisioni i Brukselit, Këshilli i Europës, si edhe realitete të tjera si Banka europiane, paraja e përbashkët, etj. Etiketa “minishengen” pra vendosi ato që ishin fundi i një procesi integrimi në Europë qysh në fillim të imagjinimit të një hapësire shkëmbimesh ekonomike sa më të lira në Ballkan. Aq më shumë që evokoi idenë e një përafrimi vendimarrjesh dhe vullnetesh politike institucionale midis popujve që kanë tradita të një marrëdhënie armiqësore midis tyre. E nisi me nënkuptimin e dorëzimit të sovraniteteve kombëtare në duart e “institucioneve të përbashkëta ballkanike”.
Pastaj kësaj u shtua fakti që ky propozim erdhi pasi në vitin 2019 si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut, pavarësisht shpresave të tyre, nuk mundën të hapin negociatat për integrimin e tyre europian. Prandaj propozimi i “minishengenit” u paraqit në opinionin publik si zëvendësim i procesit të integrimit europian. Në opinionin publik të Kosovës dhe të Shqipërisë u krijua ideja që tani vështrimi nuk do të hidhej më nga Europa e Bashkuar, por drejt bashkëpunimit ballkanik, me nëntekst, drejt Beogradit. Brukseli në imagjinatën politike u zëvendësua nga Beogradi!!!
Dhe këtyre iu shtohet edhe kujtimi i hidhur i viteve 1945 – 1948 në historinë e Shqipërisë kur politikat e bashkimit doganor Serbi – Shqipëri sollën plaçkitjen e pasurive të Shqipërisë nga Serbia dhe një gjendje zie ekonomike në Shqipëri.
Në fund, kur kjo ide u përkrah nga kreu i ekzekutivit shqiptar pa pritur që për këtë të shprehej lidershipi i Kosovës, pra u krijuan të gjitha arsyet për të qarkulluar mendimi se Shqipëria po e “sakrifikonte” Kosovën duke e zhvendosur atë nga komunikimet e saj me Serbinë.
Jemi akoma larg për të parë se çfarë do të ndodhi. Mundet që e gjitha shkërmoqet ose fishket si një balonë e çpuar. Faktorë të rëndësishem veprojnë kundër këtij projekti. Por, gjithsesi dihet që mbrojtja e sovranitetit të vendit dhe e vlerave të patriotizmit është bërë gjithmonë në kushtet e gjeopolitikave ndërkombëtare dhe të konjukturës ndërkombëtare.
Tjetër formë kanë pas marrë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë politikat e forcimit të faktorit shqiptar në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Ndryshe paraqitej situata në kushtet e një bote bipolare dhe të Luftës së Ftohtë vendosur pas Luftës së Dytë botërore midis kampit të vendeve staliniste dhe demokracive perëndimore, ndryshe në vitet ’90, dhe nuk përjashtohet që një kontekst i ri gjeopolitik të kërkojë të përpunohen politika të reja që t’i çojnë shqiptarët në Ballkan drejt progresit, në përputhje me politikat e fuqive perëndimore aleate me ta, duke mbrojtur fort identitetin dhe sovranitetin politik dhe shtetror të tyre.
Gjithsesi ky identitet nuk mund të sigurohet nëpërmjet mbylljes ekonomike dhe shoqërore, as nëpërmjet izolimit dhe barrierave doganore mbrojtëse, por si një ballafaqim, si një konkurrencë, si një mobilizim energjish, politikash të reja ekonomike, si një demokratizim që siguron që kombi shqiptar të hyjë në historinë e re të planetit me një këndvështrim që përputhet me kushtet aktuale.
Por, tjetër të jesh i hapur për shkëmbime ekonomike, për tregëti të lirë, për normalizim të marrëdhënieve midis kombeve dhe shteteve të Ballkanit, e këtu të kërkosh njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe krejt tjetër të dalësh me parrulla ekstremiste të një “hapësire minishengen” që do të ishte si sinonim i krijimit të “Shteteve të Bashkuara të Ballkanit”, apo të “Bashkimit Ballkanik” si dublikatë e Bashkimit Europian! Një hon i tërë i ndan!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY