IRENA GJOKA/ Vetingu, skeda e pasurise se gjyqtares se Posacme,

IRENA GJOKA/ Vetingu, skeda e pasurise se gjyqtares se Posacme,

317
0
Shares

Gjyqtarja Irena Gjoka e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të përballet të hënën më 24 shkurt me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Gjokën përbëhet nga Roland Ilia, Valbona Sanxhaktari dhe Genta Tafa Bungo.

Irena Gjoka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993. Për më shumë se një dekadë, Gjoka ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Fierit, ndërkohë që në vitin 2014 është emëruar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Prej dhjetorit 2019, ajo është pjesë e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, ku për të siguruar një emërim të përhershëm i nevojitet të kalojë me sukses procesin e vetingut.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Irena Gjoka nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Në deklarimin e saj për herë të parë në vitin 2003, gjyqtarja Irena Gjoka deklaron pasuri me vlerë rreth 2.4 milionë lekë, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare shënon rritje me 6 herë, duke kapur vlerën e 14.8 milionë lekëve.

Pasuria e paluajtshme përbën pjesën kryesore të aseteve me 9.4 milionë lekë, ndërkohë që gjyqtarja Gjoka deklaron edhe 2.6 milionë lekë likujditete bankare, 750 mijë lekë kursime në cash, një automjet me vlerë 918 mijë lekë si dhe 1 milionë lekë huadhënie.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 27.7 milionë lekë. Rreth 57% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni të Znj. Gjoka, ndërsa të ardhurat e siguruara nga bashkëshorti përmes biznesit në lojërat e fatit përbëjnë 36%. Bashkëshorti ka siguruar gjithashtu si pagë rreth 3% të totalit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, njëra prej tyre rezulton me diferenca negative.

Në vitin 2007, subjekti deklaron si shtesë aseti një automjet me vlerë 15 mijë euro si dhe shtesa në valuta të ndryshme në llogaritë bankare prej 1.4 milionë lekësh, duke rezultuar me burime të pamjaftueshme për shtesën e aseteve në vlerën e rreth 256 mijë lekësh, pa llogaritur në këtë analizë shpenzimet e konsumit vjetor.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” deklarimin e vitit 2004 për një llogari bankare si dhe huatë e marra për blerje asetesh.

Në vitin 2004, Gjoka deklaron një llogari bankare prej 23 mijë dollarësh, duke sqaruar se pjesa takuese e saj është vetëm 4 mijë dollarë. Nuk është e qartë se kujt i takon pjesa tjetër e llogarisë së deklaruar.

Gjithashtu gjatë periudhës deklaruese, gjyqtarja Gjoka deklaron se ka marrë 5 mijë euro hua nga babai për blerjen e një automjeti dhe 2 milionë lekë dhe 20 mijë euro nga vëllai për blerjen e një apartamenti. Në fund të vitit 2017, subjekti rezulton me 2.4 milionë lekë borxhe ndaj familjarëve të saj.

Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY