Në Shqipëri presidenti Ilir Meta deklaroi sot se do të depozitojë kallzim penal ndaj ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj për botimin në fletoren zyrtare të një vendimi të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. “Ministrja e Drejtësisë duke urdhëruar Sekretarin e Përgjithshëm të dërgonte për botim në Fletoren Zyrtare, një vendim të KED-së ka shkelur në mënyrë flagrante Ligjin “Për organizmin dhe funksionimin e Qendrës së botimeve zyrtare”, si dhe Ligjin “Për Organet e qeverisje së sistemit të Drejtësisë”, deklaroi presidenti Meta.
Rasti në fjalë i përket botimit më 9 nëntor 2019 të vendimit që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kishte marrë në muajin shtator, për vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Botimi u konsiderua në atë kohë nga shumica, si një akt që e quante automatikisht të zgjedhur kandidaten Arta Vorpsi, por që për presidentin Ilir Meta përbënte një veprim që synonte të merrte një kompetencë që i takonte atij.
Edhe mbrëmë zoti Meta dhe këshilltari i tij juridik, treguan se vendimet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk hyjnë në kategorinë e akteve që botohen në Fletoren zyrtare dhe se urdhëri i lëshuar nga sekretari i Ministrisë së Drejtësisë ishte sipas tyre i paligjshëm, pasi autorizimin për botim e jep organi që e lëshon aktin. Nga ana tjetër ata vunë në dukje se urdhëri për botim, është dhënë përpara se parlamenti ti drejtohej ministrisë, me një kërkesë të tillë.
Zoti Meta tha sot se ministrja Gjonaj kishte kryer disa vepra penale, nga “shpërdorim i detyrës” te “ushtrim i ndikimit të paligjshëm” e “falsikim” dhe i kërkoi asaj dorëheqjen përpara se ai të depozitonte kallzimin në Prokurorinë e posaçme antikorrupsion.
Nga ana e saj zonja Gjonaj e cilësoi kallzimin “një marrëzi të radhës nga ana e presidentit” dhe se ishte e gatshme të përgjigjej ligjërisht, duke deklaruar se nuk ka ndër mend të dorëhiqet. Zonja Gjonaj megjithatë nuk dha shpjegime nëse urdhëri nga ana e ministrisë që ajo drejton për botimin e vendimit të KED-së është apo jo në përputhje me ligjin.
Nga ana e saj dhe opozita reagoi duke theksuar se “nuk ka asnjë detyrë më të rëndësishme tani për SPAK sesa hetimi i krimit kushtetues për kapjen e Gjykatës Kushtetuese nga organizata mafioze në pushtet”. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi “në vend të lojrave me sms-të e shefit, Etilda Gjonaj duhet të thotë sot pse shkeli ligjin dhe Kushtetutën. Duhet të mos fshihet pas sms-ve të shefit, por të japë llogari pse veproi si sekretare e Ardian Dvoranit për të grabitur padrejtësisht një vend në Gjykatën Kushtetuese për llogari të Edi Ramës. Heshtja për krimin e kryer është pohim! Ai duhet hetuar dhe ndëshkuar!”, deklaroi zoti Bardhi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/