Ikja pa fjale e Bimit

Ikja pa fjale e Bimit

123
0
Shares

Mapo.al
Dy net më parë, në mbrëmje vonë, jo pak vetë u shtangën nga lajmi i beftë, tinëzar, se Ibrahim Hastopalli, kishte ndërruar jetë. Kush e mori vesh, u mpi. Dhe menjëherë nisën telefonatat. Çdokush që e njihte Bimin, rrëmonte nëpër miq me shpresën që kjo ishte një trill, jo një e vërtetë.

Por Silvi Bardhi, bashkëshortja e Bimit, kishte njoftuar kolegët e saj të zyrës së shtypit në PD, se nuk mund të paraqitej të nesërmen në punë, pasi diçka e rëndë i kishte ndodhur. Lajmërimi i ambulancës rezultoi një ritual i dëshpëruar. Ajo e gjeti Bimin pa jetë në shtëpi, në një banesë me qira diku pranë Parlamentit ku ata qëndronin prej kohësh, e ku po rrisnin dy djemtë.

Bimi nuk është nga VIP-at e ekranit, dhe ikja e tij e parakohshme, vetëm 44 vjeç, nuk kish si të ishte një lajm titrash. Sigurisht, kjo nuk e ndali njoftimin e keq të vërshonte dy net më parë me një shpejtësi të çmendur. Askush nuk donte ta besonte.

“E more vesh, si ka mundësi, ua çfarë drame”, përsëritej kudo.

Zor të gjesh në këtë vendin tonë, një njeri aq të ditur, të lexuar, e po aq të përulur e modest. Ai për fat të keq, as nuk tentonte të nxirrte krye, ishte zgjedhja e tij. Miqtë e nxisnin dhe e kritikonin madje. Kishte vlera dhe meritonte promovim dhe karrierë. Kjo teksa hapësirën tonë publike e kanë pushtuar me agresivitet lloj-lloj halldupësh të pamend, arrogantë, shërbëtorë të shefave dhe jo pak, hajdutë e plaçkitës.

Për Bimin me gjasë nuk do të shkruhen shumë nekrologji. Po i atillë ishte, sa një zgavër të madhe bosh e therëse ka lënë prej 48 orësh tashmë në stomakun e kujtdo që kishte qëndruar qoftë edhe një herë me të.

E aq më shumë, tek ata që kishin shijuar një kafe apo një gotë raki me të, teksa biseda nuk mund të ishte, veçse me tone të qeta e për tema nga aktualiteti te filozofia, ku me endje mund ta dëgjoje për orë, në heshtje.

Një ekonomist që ndiqte edhe debatet më të fundit në botë, rreth tendencave të zhvillimit dhe ndasive mes të majtës e të djathtës, por që nuk kishte libër të Kadaresë që nuk e njihte, autorë të tjerë të mëdhenj të letërsisë, e po ashtu një shijues kaq i patëmetë i muzikës.

Bimi ishte një demokrat i palëkundur. Po aspak nga ata arrivistët që kanë prioritet ambicien, përfitimin dhe realizimin personal.

Ka kontribuar në shumë fushata të PD.

Elbasani, dashuria e tij e madhe. Në çdo rast, nëse nuk e gjeje në Tiranë, ai dihej se ku ndodhej. Te familja e tij, dhe miqtë me të cilët ishte rritur në atë qytet. E donte kaq shumë, sa ngjante se në çdo rast ishte i gatshëm të braktiste gjithçka e të qëndronte atje pa ndalesë.

Hastopalli, një mbiemër për të cilin qe me të drejtë krenar. Një prej familjeve më të nderuara të qytetit, që prej krijimit të shtetit e këndej.

Bashkimin përfundimtar me Elbasanin me gjasë e arriti, duke qenë se trupi i tij varroset sot paradreke në qytetin e Metalurgjikut.

Por Bimi po e lë Tiranën, Elbasanin dhe ambientin tonë, më të varfër se sa ishte, përsa u përket njerëzve të mirë, me shije, të ditur e të përulur.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY