Pas propozimit të ministrit të Brendshëm për rritjen e masave të sigurisë së pikave të karburantit, që parashikon, ndër të tjera, vendosjen e pompave automatike dhe heqjen e shërbimit cash, kanë reaguar operatorët e tregut. Të kontaktuar nga ‘Monitor’, ata pohojnë se vendimi është i pazbatueshëm për shumë arsye.
-Së pari, periudha 6-mujore është shumë e vogël, sepse duhen porositur pajisjet që të paktën duhen përshtatur që të funksionojnë nga euro apo dollarë në lekë.
-Së dyti, për një pikë karburanti, investimi minimal i kërkuar është rreth 35-40 mijë euro, që për rreth 1200 pika karburanti përkthehet në kosto shtesë prej rreth 45 milionë eurosh, që pa asnjë dyshim do të transferohej direkt në çmimin final që paguan konsumatori (Edhe sot nga çmimi prej rreth 165 lekë, rreth 105 lekë, apo rreth 65% janë taksa).
-Së treti, nëse ky investim do të bëhej, ai do të linte automatikisht pa punë mijëra punonjës. Sot në një pikë karburanti punojnë mesatarisht 5 persona (pikat e vogla kanë të paktën tre, nga një për turn dhe të mëdhatë arrijnë deri në 10). Mesatarisht ky investim do nxirrte pa punë rreth 5-6 mijë punonjës.
-Së katërti, edhe në vendet e zhvilluara nuk funksionojnë tërësisht pikat e shitjes automatike dhe ka të paktën një pikë shitje me pompë manuale. Tjetër problem është dhe fakti që përdorimi i kartave të kreditit në Shqipëri është i ulët dhe sërish blerjet në pikat automatike do të ishin kryesisht me cash, duke u bërë objekt i grabitjes në momentin që do futen paratë në automat.
-Së pesti, operatorët e tregut pohojnë se vjedhjet në pikat e karburantit nuk janë aq shqetësuese, sa të justifikojnë një investim të tillë. Shuma maksimale e parave të vjedhura ka arritur deri në 200 mijë lekë, ndërsa mesatarisht janë vjedhur 20 apo 30 mijë lekë, aq sa mund t’i merren dhe një personi në rrugë, apo në një dyqan të vogël.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/