Lulzim Basha ia doli të futej në zgjedhje me një bilanc të opozitës të ngjashëm me bilancin që kishte Berisha para zgjedhjeve të viti 2005. Krahasimi nuk përputhet aq shumë në problematika por skenari ngjan fort me atë para 15 vitesh. Berisha hyri në stinën zgjedhore të atij viti pasi arriti një marrëveshje me ish kryeministrin Fatos Nano në vitin 2002, marrëveshje që mbylli një periudhë konfliktesh politike 10 vjecare. Në marrëveshje përfshihej balancimi i pushtetit mes qeverisë dhe opozitës, njohja e manipulimeve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001, ndarja e qeverisë nga policia dhe shërbimit sekret duke u hequr në vijim cdo rol apo përfshirje në zgjedhje.
Marrëveshja e ndihmoi opozitën në atë kohë të fokusohej në objektiva qeverisjeje dhe përgatitjen e një stafi të ri politik që u ndoq me dy protesta të mëdha në vitin 2004 të cilat konfirmuan zhbalancimin e peshores në favor të Berishës.
Marrëveshja e mëngjesit të sotëm e mbështetur mbi një platformë të detajuar, përpiluar nga politikani i shquar gjeman Mc Allister dhe ratifikuar edhe nga SHBA, atakon një problem të kurrizit të Shqipërisë, zgjedhjet. Nëse dy politikanët e ditës Edi Rama dhe Lulzim Basha arrijnë të ngjiten në lartësinë e Fatos Nanos dhe Sali Berishës për të balancuar pushtetin dhe opozitën në procesin zgjedhor duke eliminuar blerjen dhe negocimin e votës, të hapin sistemin e zgjedhjeve dhe të përfshijnë qytetarët në seleksionimin e figurave të politikës, i kanë bërë një nder të madh Shqipërisë, të mjaftueshëm për tu përmendur édhe ata në rradhën e konstruktorëve të shtetit modern shqiptar.
Në fakt problemi zgjedhor në Shqipëri ishte pranuar si dicka natyrale. Manipulimi i votës ka ndodhur legalisht në sy të të gjithëve dhe partitë vetëm sa kanë perfeksionuar manipulimin. Duhej politikanë që kanë habitat politik Perëndimin po aq sa Shqipërinë të konstatojnë vuajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Lulzim Basha ka meritën që e kapi i pari dhe përfshiu në këtë betejë mijëra qytetarë.
Protesta dhe rezultati i ditës së parë pas marrëveshjes nuk ngjajnë të jenë proporcionalë. Në platformën Mc Allister flitet për gjëra të ditës dhe gjithë investimi për marrëveshje ankorohet në zgjedhjet e qershor-korrik 2017. Por ka mjaftueshëm brumë për të tejkaluar cështje të ditës duke dizajnuar një platformë afatagjatë për zgjedhjet në Shqipëri.
Ndërkaq Lulzim Basha ia doli të konsolidojë lidershipin e tij përmes skemave tërësisht publike dhe që pasqyrojnë problemet e vendit.
1.Së pari ktheu energjinë tek strukturat e partisë së tij. PD para cadrës dhe PD pas cadrës dallojnë mes tyre. Ai nisi një protestë e cila u finalizua me një arritje që nuk përshkon vetëm opozitën por pritet të ndjehet në të gjithë politikën shqiptare dhe në cilësinë e demokracisë së vendit.
2.Basha ktheu projektorët tek problemet e vendit duke u dhënë atyre vendin e duhur në diskurin e përditshëm dhe të censuruar nga qeveria dhe interesat e lidhura me të.
Ndricimi i qeverisjes së Ramës u ndot nga kjo përthyerje e re e vëmëndjes. Vetëm pak muaj para zgjedhjeve Rama ishte i pozicionuar mirë në terrenin e asfiksuar të Shqipërisë përmes diktatit mbi median dhe biznesin privat. Miliona euro të siguruara nga kultivimi dhe tregtia ilegale e kanabisit ndikuan edhe paramterat makroekonomikë me të paktën 1% rritjen e GDP-së në vend. Këto para janë ende të gatshme të përdoren në zgjedhje sipas formatit të Dibrës ndërkohë që një listë pilot kandidatësh të dyshimtë që ndodhet sot në prokurori u hartua nga PBDIU për të testuar qoftë ndërkombëtarët e qoftë politikën e Tiranës.
3.Zyrtarët ndërkombëtarë në Shqipëri të ndikuar më së shumti nga zyra e BE-së dhe ambasadorja Vlahutin deri para protestës pothuajse kishin mbyllur sytë ndaj kultivimit të drogës, korrupsionit përmes koncesioneve dhe qarkullimin e parasë publike vetëm në një grup të ngushtë afër qeverisë. Përgjatë protestës ata lexuan përtej sallës së hartave se Shqipëria mes Rognerit dhe Sheratonit nuk imiton pjesën tjetër të Shqipërisë por e përjashton atë.
4.Basha zbuloi edhe Shqipërinë që nuk është e qeverisë duke shtuar rradhët e mbështetësve të tij në rastin më të mirë ose të paktën duke zvogëluar rradhët e mbështetësve të qeverisë.
5.Një marrëveshje para zgjedhjeve me këmbënguljen dhe presionin e opozitës nuk favorizon qeverinë, favorizon opozitën.
6.Kreu i PD kishte nevojë të forconte besimin brenda partisë por edhe në opinion. Marrëveshja me Ramën që pritet të skedulohet sot e ka theksuar edhe më shumë profilin e Bashës si politikan dhe lider. Ai drejtoi protestën dhe menaxhoi gjithë negociatat duke lëvizur shumë më pak nga qëndrimet se sa ndodh në fakt në marrëveshje që synojnë të përafrojnë qëndrime të skajshme të dy palëve. Ai vërtet nuk mbajti dot ekstremin që përmblidhte një qeveri teknike pa Ramën kryeministër por ndërkaq i ka ikur të mesmes duke imponuar në fakt një qeveri të re që prej prillit. Për shkak të protestës dhe identifikimit të kanabisit si një problem që lidhet me zgjedhjet, është përmbysur hierarkia e policisë. Disa nga oficerët madhorë kanë dalë prej sistemit. Edhe pse Kryeministri Rama neutralizoi qëndrimin e Ilir Metës se pa opozitën nuk ka zgjedhje duke ia dhënë postin e Presidentit, sërish Basha arriti ta mbante të qëndrueshëm presionin deri në marrëveshjen e mëngjesit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/