TOP STORY/ Kur ze fill banda e Aldo Bares, cfare ndodhi ne...

TOP STORY/ Kur ze fill banda e Aldo Bares, cfare ndodhi ne qytetin ‘pa trima’ qe nga viti ‘95

571
0
Shares

Kjo godinë e rrënuar dhe e pushtuar nga bimësia, dikur ka qenë banesa dhe baza e gangsterit famëkeq lushnjar Artur Daja. Prej 22 vitesh aty nuk shkel me askush. Emri i pronarit të saj të ndjerë ende sjell frikë në zonë. Ai u shndërrua në tmerrin e zonës kur guxoi ti kundërvihet bandës me të fortë, e drejtuar nga i ashtuquajturi Loshi i Karbunarës.

Një ditë janari të vitit 1995, ai ekzekuton në mes të Lushnjes 3 persona. Mes viktimave, ishte edhe i riu Daniel Manko, i cili nuk kishte asnjë lidhje me krimet e bandës së Karbunarës. Në atë kohë, në Lushnje dallohej si njeri autoritar që shoqërohej me të fortë të zonës edhe djali i ish-kryetarit të degës së brendshme, Alfred Shkurti. Ai ishte një prej efektivëve me të dalluar të repartit special 326 të policisë por qëndroi vetëm 2 vite në detyrë. Alfred Shkurti që sot njihet si Aldo Bare, dallohej për përgatitjen e tij fizike dhe tepër inteligjent.

“Alfred Shkurti para ngjarjes me Ramadan Shkurtin ishte qytetar i thjeshtë, pa asnjë ndikim përveçse në lagjen e vet ndoshta, e vetmja gjë njihej se ishte djali i kryetarit degës”, – tregon Artan Hoxha, Gazetar.
Pas disa kohësh në Lushnje, Shkurti lë uniformën e policisë dhe emigron në Itali ku mendohet ku nis aktivitetin e jashtëligjshëm në fushën e trafikut të drogës.

“Deri në momentin kur filluan të jepnin goditjet e para të suksesshme ndaj grupit të Dajës, nuk njihej kjo që themi “banda Lushnjes”, kishte emra të tjerë, ishte grupi Karbunarës” – tregon Artan Hoxha, Gazetar.

Në Itali, Alfred Shkurti konfliktohet me Artur Dajën. Thuhet se arsyeja ishte prishja e pazareve të drogës. Por gjithashtu thuhet se lufta mes tyre u hap pas vrasjes së Besnik Tahirit në vitin 1994, i njohur si një prej të fortëve të Lushnjes. Në Mars të vitit 1997, është bërë një bisedë telefonike e tensionuar për këtë çështjes mes Dajës dhe Shkurtit. Vëllai i Arturit, Afrim Daja ka dëshmuar në gjykatë se Alfred Shkurtin kishte thënë se e bëri vrasjen për Arturin.

“Ngjarjet kanë zënë njëra – tjetrën dhe sot vështirë të gjesh zanafillën dhe shkakun kryesor”, – tregon Artan Hoxha, Gazetar.
Daja kishte mundur të dalë nga burgu edhe pse ndaj tij rëndonin akuza për disa vrasje, përdhunime, gjobëvënie, keqtrajtime, grabitje e të tjera vepra penale. Pas pak kohësh në Itali ai ishte kthyer në Lushnje gjatë trazirave të vitit 1997.

“Komisariatet ose nuk ekzistonin ose ekzistonin dhe rrinin nën hijen e kërcënimit të bandave që bënin ligjin, ajo që bie në sy ishte që këta kishin dhe support politik nga njerëz të politikës, deputet deri edhe ministër”, tregon Spartak Poçi, ish – Ministër i Rendit

“Nëse kjo vërtetohet, nëse është vërtetuar këtu kemi revansh të krimit ndaj shtetit”, thotë Emri Vata, Ekspert Sigurie.

Një ditë Korriku të vitit 1997, Artur Daja po drekonte në verandën e lokalit të kushëririt të tij Alfred Daja, shumë pranë banesës, në lagjen “Kadri Qystri”. Ai ndodhej me Gramoz Selmanin dhe Genci Kasharin. Drejt tyre afrohet një veturë nga ku vijnë disa breshëri kallashnikovi që i marrin jetën në vend Genc Kasharit. Skena ishte tronditëse. Ai u gjet i vdekur me bukë në gojë.

Artur Daja, i cili shquhej si njeri tepër vigjilent dhe i përgatitur u kundërpërgjigj me zjarr me një kallashnikov që e mbante përherë gati. Atentatorët u shndërruan në viktima. Në veturë mbetën të plagosur rëndë Bardhyl Rabia dhe Ramadan Shkurti, i njohur me nofkën “Dani”. Artur Daja afrohet dhe i qëllon në kokë për tu siguruar për vdekjen e tyre.

Referuar dëshmive dhe vendimit final të gjykatës, Alfred Shkurti ndihmon të largohet Enver Rabinë e plagosur. Në arrati e sipër ai kthehej duke qëlluar drejt Artur Dajës. Lidhur me ngjarjen, qarkullon edhe një skenar i dytë sipas të cilit Alfred Shkurti nuk ka marrë pjesë në këtë ngjarje. Sipas këtij skenari që flitet në Lushnje, objektiv i Ramadan Shkurtit ishte vrasja e Gramoz Selmanit me të cilin kishte pasur një konflikt, dhe jo Artur Daja.
“Nëse pyet 4-5 personazhe aty të gjithë japin version ndryshe, e saktë është që ka pasur dy grupe personash, ka pasur shkëmbim zjarri”, tregon Artan Hoxha, Gazetar.

Hakmarrja e Artur Dajës për sfidën që i bënë ishte e padëgjuar. Për disa orë me radhë ai mban peng kufomat dhe bën veprime të turpshme publikisht. Policia as që guxonte të afrohej në një skenë krimi ku kishte pasur shkëmbim zjarri dhe 3 viktima.

Policia ishte strukur në guackën e vetë, edhe kur dilte me urdhër për një aksion, ose dështonte, sepse njerëzit, objekti lajmërohej ,ose kur shkonin gjendeshin përpara plumbave”, tregon Spartak Poçi, ish – Ministër i Rendit

“Artur Daja si lloj sfide ndaj të afërmve apo shokve të Ramdanit mbajti orë tëra kufomën”, tregon Artan Hoxha, Gazetar.

Mbajtja peng për orë me radhë dhe përdhosja e kufomës së vëllait ishte tronditëse për Alfred Shkurtin. Ai pëson një metamorfozë të thellë dhe shndërrohet në një personazh të pamëshirshëm. Kjo ditë, shënon krijimin e të ashtuquajturës Banda e Lushnjes. Alfred Shkurti vetëquhet Aldo Bare dhe mbledh rreth vetes disa personazhe me rrezikshmëri të lartë.
“Ajo që i ndodhi e bëri që gjithë aftësitë që kishte ta kthente në të kundërt, e ndaj u bë aq i fuqishëm”, thotë gazetari Hoxha.

Ky garazh që shihni pranë Komisariatit të Lushnjes, shndërrohet në bazën e bandës. Imazhet e bazës transmetohen për herë të parë. Ai ambient apo mjetet e blinduara ishin vendet ku Shkurti strehohej. Ishte betuar se nuk do të kthehej në banesë derisa të merrte hak ndaj Artur Dajës. Garazhi njihej në Lushnje si Komisariati numër 2. Ai ishte vendi i torturave ku persona të ndryshëm merreshin në pyetje. Komisariati i vërtetë i policisë i ishte nënshtruar atij të Aldo Bares.

“Ndaj u quajt komisariati nr. 2 sepse në atë kohë më shumë të thërrisnin aty, ishte një garazh, më shumë thërrisnin atje se këtu”, tregon gazetari Hoxha.

“Vajta në komisariat, atje u fola e në përfundim konkluzionet, shkarkova gjithë personelin e komisariatit, jo si njerëz të lidhur me krimin por si njerëz që nuk kishin kryer detyrën. Kishin lënë në krah një komisariat që zgjidhte hallet, në thonjëza të njerëzve. Në ikje dhashë urdhër që ajo godina të shkatërrohej, ata të përziheshin kush ishte brenda”, tregon Spartak Poçi, ish – Ministër i Rendit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY