Vendimi i Strasburgut për Shqipërinë, dënimi me 15 mijë euro për keqtrajtimin...

Vendimi i Strasburgut për Shqipërinë, dënimi me 15 mijë euro për keqtrajtimin e një të sëmuri mendor

101
0
Shares

Shqipëria u dënua me 15 mijë euro dëmshpërblim dhe 2,500 euro kosto gjyqësore nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut për atë që gjykata e quajti trajtim çnjerëzor dhe degradues dhe heqje e paligjshme e lirisë për shtetasin Arben Strazimiri, 47 vjeç, të cilin, gjykatat shqiptare e kanë mbajtur me mjekim të detyruar në spitalin e burgut në Tiranë në mungesë të një spitali të posaçëm për trajtimin e personave të sëmurë mendërisht, për të cilët gjykatat urdhërojnë mjekim të detyruar.

Gjykata në mënyrë unanime deklaroi se ka gjetur “një dhunim të nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor apo degradues) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut për shkak të kushteve të papërshtatshme të jetesës në spitalin e burgut ku z. Strazimiri është mbajtur i ndaluar nën kujdes të pamjaftueshëm psikiatrik, dhe dhunim të nenit 5 (e drejta për liri dhe siguri/e drejta për të ndalim të ligjshëm të vendosur shpejt nga një gjykatë), në veçanti për shkak të heqjes së vazhdueshme të lirisë së tij në një burg dhe jo në një institucion mjekësor për shkak se apeli i tij ndaj masës së ndalimit ka mbetur në pritje në Gjykatën e Lartë që nga viti 2016,” shkroi gjykata në një njoftim për shtyp të Martën.

Gjykata vëren gjithashtu se ka një dështim të gjatë të autoriteteve shqiptare për ndërtimin e një institucioni mjekësor për trajtimin e personave me sëmundje mendore të cilëve u është kufizuar liria me urdhër gjykate që kërkon mjekim të detyruar.

“Kjo është në thyerje të detyrimeve statutore vendëse dhe tregon për një problem strukturor,” thuhet në njoftim. Shqipëria urdhërohet që të krijojë institucionet e përshtatshme për këtë problem dhe të sigurohet që ankuesi të marrë psikoterapi dhe jo vetëm ilaçe.

Arben Strazimiri është arrestuar në vitin 2008 për tentativë vrasjeje me paramendim por Gjykata e Tiranës ka shpallur se ai nuk mund të mbahej përgjegjës penalisht për shkak se vuan nga skizofrenia paranojake dhe për rrjehdojë urdhëroi mjekim të detyruar në një institucion mjekësor. Ai u dërgua fillimisht në Burgun e Krujës dhe më pas në spitalin e burgut në Tiranë që nga viti 2011.

Gjykatat gjetën në vijimësi se ai përbën rrezik për veten dhe të tjetër dhe urdhëruan vijimin e trajtimit të tij mjekësor të detyruar.

Por Strazimiri sfidoi në gjykatë urdhërin e ndalimit më 2014 duke argumentuar se ai nuk ishte as i dënuar dhe as i arrestuar në pritje të gjykimit dhe se mbajtja e tij në një institucion penal ishte në shkelje të ligjit pasi ai duhej të mbahej në një institucion mjekësor, siç urdhërohet nga gjykatat. Ankesat e tij u hodhën poshtë nga gjykatat e faktit dhe apelit ndërsa rekursi në Gjykatën e Lartë ka qenë në pritje që nga viti 2016.

Gjykatat argumentuan se deri sa Shqipëria të ndërtojë një spital të specializuar për trajtimin e këtyre rasteve, nuk binte në kundërshtim me ligjin vendosja e tyre në një pavion të veçantë në Spitalin e Burgut në Tiranë.

Gjykata vërejti se edhe spitali i burgut ka kushte degraduese për shkak se është në gjendje të rrënuar dhe nuk ka ngrohje qendrore. Por edhe cilësia e kujdesit mjekësor në burg u kritikua.

“Gjykata nuk u bind [për argumentin] se ai ka marrë trajtim të përshtatshëm psikiatrik. Trajtimi i tij mbështetej në përgjithësi në ilaçe psikotropike dhe ka pasur vetëm një psikiatrist për 84 pacientë në Spitalin e Burgut në Tiranë,” thuhet në njoftim.

Në përfundim, Shqipëria u dënua të dëmshpërblejë ankuesin me 15 mijë euro si dhe të mbulojë 2,500 euro shpenzime gjyqësore./birn

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY