Irani pranon gabimin, e goditën me raketë avionin me 173 pasagjerë

Irani pranon gabimin, e goditën me raketë avionin me 173 pasagjerë

115
0
Shares

Irani pranoi se ushtria e tij kishte goditur gabimisht aeroplanin ukrainas në fillim të kësaj jave në periferi të Teheranit, duke vrarë të 176 personat në bord.

Presidenti iranian Hassan Rouhani lëshoi një deklaratë për mediat shtetërore, duke fajësuar Shtetet e Bashkuara për veprimin e nxituar të Gardës Revolucionare të Iranit që çoi në rrëzimin e avionit.

“Në atmosferën e kërcënimeve dhe frikësimit nga regjimi pushtues i Shteteve të Bashkuara kundër kombit iranian, pas martirizimit të gjeneral Qassem Soleimanit dhe me qëllim mbrojtjen nga sulmet e mundshme të ushtrisë amerikane, Forcat e Armatosura të Republikës Islamike të Iranit ishin një qind për qind në gjendje gatishmërie. Fatkeqësisht, gabimi njerëzor dhe nisja e gabuar e raketës çuan në një tragjedi të madhe dhe dhjetëra njerëz të pafajshëm u vranë”, thuhej në deklaratën e Presidentit Rouhani që u lexua në mediat shtetërore të Iranit.

Zoti Rouhani shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe tha se i ka dhënë urdhër “të gjitha departamenteve përgjegjëse që të marrin masat e nevojshme për të kompensuar humbjet e tyre”.

Ndërkohë të shtunën Amir Ali Hajizedah, një komandant i lartë në Gardën Revolucionare të Iranit, tha se ai e dinte që avioni ukrainas ishte goditur gabimisht nga forcat e tij që në ditën kur ndodhi incidenti. Gjenerali Hajizedah pranoi përgjegjësinë, duke thënë se forcat që ai komandonte vepruan gabimisht ndërkohë që ishin në gjendje të lartë gatishmëria për mundësinë e një lufte të përgjithshshme.

“Më mirë të kisha vdekur se sa të kisha parë një aksident të tillë”, tha admirali i forcave ajrore iraniane për televizionin shtetëror të Iranit.

Në një postim në Twitter, ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif fajësoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara për aksidentin me aeroplanin ukrainas. Ai e quajti atë një “ditë të trishtuar dhe shtoi se përfundimet paraprake të hetimit të brendshëm nga Forcat e Armatosura tregojnë se bëhet fjalë për një gabim njerëzor në një kohë krize të shkaktuar nga aventurat e Shteteve të Bashkuara që çuan në këtë tragjedi”, siç shkruante ai.

Aeroplani i kompanisë ukrainase u konsiderua gabimisht si një “objekt armiqësor”, pasi bëri një kthesë drejt një “qendre të ndjeshme ushtarake” të Gardës Revolucionare, thuhej në një deklaratë të ushtrisë të transmetuar në mediat shtetërore të Iranit.

Në një intervistë ekskluzive të premten për emisionin “The Ingraham Angle” të kanalit televiziv Fox News, Presidenti amerikan Donald Trump diskutoi veprimet e administratës së tij në Lindjen e Mesme. Zoti Trump tha se militantët iranianë po planifikonin sulme të mëdha në katër ambasada amerikane, kur ai urdhëroi sulmin gjatë të cilit u vra gjenerali iranian Soleimani.

Rrëzimi i aeroplanit Boeing 737 të linjës ajrore ndërkombëtare të Ukrainës, ndodhi vetëm disa orë pasi Irani kishte nisur një sulm me raketa balistike ndaj bazave irakiane në të cilat janë dislokuar ushtarë amerikanë. Sulmi iranian ishte përgjigje ndaj sulmit amerikan që vrau komandantin e forcave iraniane Quds, Qassem Soleimani.

Prej ditës së parë të incidentit e deri të premten Irani e pati mohuar se ishte përgjegjës për rrëzimin e avionit, pavarësisht pohimeve të zyrtarëve amerikane e kanadeze të cilët ishin shprehur të bindur, bazuar në prova të shërbimeve të zbulimit, se një raketë iraniane ishte bërë shkak për rrëzimin e avionin ukrainas.

Aeroplani po udhëtonte drejt kryeqytetit ukrainas Kiev, një ndalesë për shumë iraniano-kanadezë e studentë iranianë që kryejnë studimet në Kanada. Në mesin e pasagjerëve të vrarë 57 ishin shtetas kanadezë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY