PD me banorët e Thumanës në prag të grevës së urisë/Bardhi: 3...

PD me banorët e Thumanës në prag të grevës së urisë/Bardhi: 3 kërkesa për strehimin urgjent të atyre që largohen nga hotelet

119
0
Shares

Ata kanë paralajmëruar nisjen e një greve urie për të kundërshtuar nxjerrjen jashtë strehimit pa u siguruar më parë kushtet minimale. Sipas një vendimi të qeverisë ata duhet të dalin nga hotelet deri në 3 janar dhe për të gjetur shtëpi me qira. Bashkia e Krujës ka vendosur t’u paguajë vetëm 30 mijë lekë për person, një shumë qesharake, që lë njerëzit në rrugë.

“Do të jetë protestë ku të gjithë këta burra dhe gra, fëmijët nuk do të hyjnë në mensë për të ngrenë bukë. Do të jetë grevë urie. Ku do ta fus kokën? Atë bonus qeveria të mos ma japë mua, por ta gjejë ajo shtëpinë, se me kaq leke, nuk gjendet shtëpi. Këto kemi ne, nuk kemi gjëra të mëdha. Kemi hall për të fut kokën në një vend, jo ma shumë”- u shpreh një banor.

Një nga problemet kryesore për banorët që paralajmërojnë grevë urie është mungesa e informacionit dhe sorollatjet burokratike nga bashkia e Krujës.

“Ne jemi në udhëkryq, nuk dimë ku të shkojmë. Ngelëm para televizorëve, ngelëm para kamerave, na vjen edhe turp. Ku të shkoj unë me 8 vetë? Ku ta gjej shtëpinë unë me 30 mijë lekë të vjetra? Sot nuk jam duke patur frikë as Zotin që më ka fal, se ma ka pru ngushtë. Bëj 35 ditë që kam ardh këtu nuk njoh një përfaqësues, me ardh me thanë se çfarë halli ke, ku je?! Ku janë këta përfaqësues, ku janë këta njerëz që na mbajnë me rrena, me rrena gjithë jetën. Duam drejtësi, duam atë që na takon. Të paktën të fusim kokën diku me fëmijët”- u shpreh një kryefamiljare.

“Ne jemi me rrobat e gjumit dhe nuk është kujdesur askush për ne. Ku është shteti? Ku është qeveria? Sot i duam kur jemi keq, jo kur të jemi mirë, se kur jemi mire, i bëjmë shërbim vetes vetë. Të vijë shteti dhe të shikojë me të dy sytë dhe jo me sytë qorr”- tha një kryefamiljare tjetër që rriste e vetme 3 fëmijë.

Në emër të Partisë Demokratikë, Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi  garantoi banorët e revoltuar se opozita do të jetë zëri i tyre, duke mos lejuar që propaganda qeveritare të mbysë të vërtetën e hidhur të mijëra shqiptarëve të braktisur dhe pa shtëpi.

“Edhe unë në varfëri jam rritur, njësoj si fëmijët tuaj, prindërit aq mundësi sa kanë pasur, aq na kanë ofruar, por kemi mbijetuar. Ajo që kërkojnë fëmijët tuaj nuk janë lodrat, është shtëpia. Dy gjëra kanë të rëndësishme njeriu në jetë: jetën dhe falë Zotit jemi gjallë, dhe pronën, banesën. Tërmeti real për ju fillon tani. Ju garantoj sa herë të keni nevojë që zëri juaj të dëgjohet, shqetësimet tuaja të dëgjohen ne do të jemi përkrah jush. Ju në rrugë të madhe nuk mund të nxirreni dot.”- u shpreh zoti Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike mori dakordësinë nga banorët e Thumanës që, në emër të tyre t’i drejtojë një letër qeverisë dhe bashkisë së Krujës për të zgjidhur tre çështje urgjente.

“E para, të vijnë t’ju takojnë dhe t’ju informojnë se çfarë do të bëhet me ju. E dyta, Këshilli Bashkiak të rrisë menjëherë bonusin për qiratë. Me 30 mijë lek nuk merret dot shtëpi me qira. Në qoftë se ata mendojnë se ju mund të gjeni shtëpi me qira me 30 mijë lekë, atëherë të lirojnë shtëpitë e tyre. E treta, nëse nuk kanë besim, t’jua gjejnë vetë shtëpinë me qira dhe bashkia ose qeveria ta paguajë vetë atë”- tha Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.

Gazment Bardhi i bëri thirrje qeverisë të heqë dorë nga propaganda dhe t’u japë zgjidhje urgjente banorëve të pastrehë, duke mos i detyruar ata të shkojnë në grevë urie.

“Këta banorë duhet të jenë prioritet i prioriteteve për qeverinë. I garantova qytetarëve që ne do të jemi përkrah tyre. Përveçse do të ngremë zërin për problemet e tyre ne i kemi ofruar edhe zgjidhjen. Ato 150 milionë euro që do ia japë edhe në 2020ën 10 klientëve të tij me të cilët ndan paratë, t’ia heqë atyre njerëzve dhe t’ua bë në dispozicion të zgjidhjes së hallit të jetës që kanë këta qytetarë. Nuk kërkojnë gjë qejfi por një banesë ku të fusin kokën. Kanë hall jete. Kanë shpëtuar falë Zotit nga fati tragjik i humbjes së jetës, por kanë humbur gjithçka që kishin në jetë, banesën, pajisjet që kishin brenda banesës, një pjesë prej tyre ia kanë shembur shtëpitë edhe pa i njoftuar. Riapeloj, boll më me propagandë, është koha t’u jepet zgjidhje qytetarëve.”–theksoi Sekretari i Përgjithshëm i PD.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY