ANALIZA/ Regjimi i Rames, ndrydhje e lirive se brendshmi, izolim i Kosoves...

ANALIZA/ Regjimi i Rames, ndrydhje e lirive se brendshmi, izolim i Kosoves se jashtmi

88
0
Shares

Nga Genc Pollo

Kush guxon të protestojë për të drejtën i shkelet e drejta e protestës

Një mirë e dy keq
Protestat publike në Rusinë e presidentit Putin nuk kanë qenë as të shpeshta e as masive; ato adresojnë abuzime të ndryshme të pushtetit por rrallë herë drejtohen kundër tij. Megjithatë qeveria ruse, pas lëvizjeve popullore në Gjeorgji e Ukrainë, ashpërsoi ligjet duke cilësuar si tubim publik që duhej të lejohej nga policia edhe rastin kur dy persona në rrugë a shesh protestojnë në këmbë pranë njeri tjetrit.

Kuptohet që leja për tubim ose nuk jepej fare ose jepej vitin tjetër dhe kush bënte tubim pa leje binte në burg. Për të anashkaluar këtë pengesë protestuesit rusë nisën të dilnin tek pullë në rrugët e Moskës e Shën Petersburgut duke mbajtur në dorë një pankartë ku shënohej arsyeja e protestës, e sipas rastit, duke thirrur parullat e saj.

Por edhe ky truk nuk i ndihmoi shumë protestuesti pasi atyre u afrohej e u rrinte ngjitur një person i panjohur, si regull polic civil, dhe pas gjysëm minuti vinin policët me uniformë që nën akuzën e “tubimit publik pa leje”i fusnin në furgon e i plasnin në birucë. Protestuesi i rremë dilte pas një ore; ai i mirëfilltë rrinte aty shumë më gjatë.

Një a dy a shumë njëlloj keq jeni
Në 10 qeshor 2015, një dyzinë studentësh të Universitetit të Tiranës protestuan me pankarta në dorë e parulla zanore kundër projektligjit për Arsimin e Lartë në trotuarin e rrugës Ismail Qemali pranë portës së Kuvendit të Republikës; policia erdhi vrrik, i shpërndau me forcë dhe shoqëroi në komisariat shtatë syresh të cilët u liruan të nesërmen.

Unë, asokohe kryetar i Komisionit për Edukimin, e denoncova ne facebook e në plenare këtë akt arbitrar të policisë. Më tej përmes një mikut tim në Fakultetin e Shkencave Sociale kontaktova këta studentë e i ftova për një bisedë në sallën e komisionit me dëshirën e mirë që t’ju dëftoja se shteti, në trajtën e parlamentit pluralist, nuk ishte armiqsor ndaj tyre pavarësisht nga abuzimi i qeverisë e i policisë.

Ftesa ime nuk u pranua e miku i Fakultetit më sqaroi se ata studentë shiheshin si neomarksistë dhe ata, me gjasë, më shihnin mua, një deputet i një partie të djathtë, si djall me brirë.

Gjithësesi një përfaqësi e këtij grupi mori pjesë në dëgjesën e komisionit mbi projketligjin duke u fokusuar tek publikja. Lexuesit do t’i kujtohet se PD kritikoi sidomos kapitullin 12 të tij i cili transferonte fondet e buxhetit tek universitet private të cilat ishin si rregull pronë e kompanive tregtare fitimprurëse. PPP problematike në vitin 2015 nuk njiheshin dhe nuk kishin namin e keq që kanë sot; i shikuar në retrospektivë e në prizmin e përvojës me PPP-të kapitulli 12 duket si një përpjeke fillestare e sui generis e qeverisë Rama për të transferuar paratë e taksave tek subjektet e përzgjedhur.

Por të kthehemi tek pika e fillimit: policia e Putinit dhunonte të drejtën e tubimit përmes zbatimit pedant e malinj të germës së ligjit restriktiv; policia e Ramës, duke patur një ligj liberal për tubimet, as nuk pyeti fare për frymën e germën e tij.

Policisa e shteti për hesap të privatit

Lajmet e fundjavës thonë se disa aktivistë, me gjasë nga grupimi i mësipërm janë ndaluar nga policia, pasi rojet private i larguan me forcë nga një qendër tregtare. Aktivistët hodhën fletushka me përmbajtjen “Samir Mane shtyp minatorët”. Tre syresh janë arrestuar të shtunën nga policia për “përhapje të informatave të rreme që ngjallin panik” dhe “prishje të qetësisë publike” ndërkohë që prokuroria do e shqyrtojë çeshtjen pas fundjavës.

Nuk më duket se pretendimi se “X apo Y shtyp minatorët apo dhe popullin në përgjithësi” përhap panik në Shqipëri siç nuk jam i sigurt se shpërndarja e fletushkave me përmbajtje të pakëndëshme për pronarin prish qetësinë e publikut. Gjithashtu nuk më duket se rregullorja apo urdhëri në një ambient publik si qendra tregtare prevalon mbi ligjin e shtetit për tubimet i cili, siç shënova më lart, është modern e liberal.

Por këto janë ushtrime teorike që humbasin kuptimin kur sheh se me pretendime kafkaeske policia burgos qytetarë që protestojnë në të drejtën e tyre dhe që prokurori i radhës nuk prish weekendin për të mbrojtur parimet e kushtetutës nga shkelja arbitrare e bërë ashiqare.

Regjimi i Ramës nuk pengon me marifete të tilla opozitën kur ajo mbledh në rrugë qindra mijra qytetarë që protestojnë kundër regjimit narko-oligarkik; ndaj tyre vepron me dhunë shproporocionale e me gaz lotsjellës me shumicë.

Por ndaj të voglit e të dobtit shfaqet më qartë fytyra e vërtetë e regjimit e sidomos frika e brendëshme e tij. Prandaj nuk është ekzagjerim të kujtojmë fjalët e pastorit protestant Niemoller në Rajhun e Tretë: ” Kur erdhën të më arrestonin s’kishte mbetur më kush që të fliste për mua. Të tjerët i kishin marrë prej kohësh. ”

Qeveria Rama izolon ndërkombëtarisht Kosovën

Javën e shkuar shënova se synimet konkrete të samitit minishengen midis Ramës, Vučićit e Zaevit, si regjimi 24 orësh i pikave kufitare që lidhin fshatrat në dy anët e një kufiri shtetëror e që aktualisht rrinë hapur nga mëngjesi deri në darkë, nuk ja vlen barra qeranë. Po shënoj sot se leja e punës automatike e mjekut apo gurpunuesit shqiptar në tregun serb a maqedonas e anasjelltas, ndonëse nuk është e dëmshme, mbetet jodomethënëse përsakohë gjithë zanatçinjtë e Ballkanit kur emigrojnë nuk shkojnë as në Shqipëri e as në Serbi por në Gjermani e Angli.

Mbetet e hapur pyetja pse duhet një nismë e re kur për këto qellime janë ngritur e funksionojnë prej tre dekadash Nisma Europës Qendrore dhe Procesi i Bashkëpunimit të Europës Juglindore të cilat ankorohen në Bashkimin Europian e në Perëndim.

Si dhe pse duhej një format që bën udhëheqës Serbinë, shtetin që është antarësuar në zonën tregtare ruso-aziatike dhe që ka bashkëpunimin më të ngushtë ushtarak me Rusinë , e cila është ende nën sanksione nga Perëndimi.
Por keto janë halle të vogla në raport me dëmin e madh që i bëhet Kosovës.

Prishtina, ashtu si dhe Podogorica e Sarajeva, i kanë sqaruar arsyet pse kanë rezerva ndaj minishengenit dhe nuk marrin pjesë në të. Por nëse p.sh Bosnje-Hercegovina nuk merr pjesë ajo nuk pëson ndonjë dëm të madh. Ky shtet mund të ketë njëqind e një probleme të brendëshme por ai është i njohur nga bashkësia ndërkombëtare dhe është anëtar në OKB.

Ndërsa Kosova nuk njihet nga Serbia e Bosnje-Hercegovina në rajon, nga pesë shtetë antare të BE, nga shumë të tjerë në botë përfshi Rusinë e Kinën. Për keto arsye nuk është anëtare në OKB ndërkohë që Serbia investon lart e poshtë që të çbëjë njohjet e deritashme.

Minishengeni pa Kosovën por me Shqipërinë shërben vetëm që t’i mbushi mendjen botës se problem është në çdo rast Prishtina “jo bashkëpunuese” dhe e “papjekur”. Ndaj saj duhet ushtruar presion për të pranuar zgjidhje të pavolitshme siç ishte dje coptimi territorial apo siç mund të jetë nesër ndonjë tjetër sugjerim malinj i trafikuar si “europian”.

Këtu Edi Rama ka padyshim fajin më të madh pasi u lidh, sërish, me udhëheqsin serb pa u koordinuar me politikanët relevantë të Kosovës si Haradinaj, Thaçi, Kurti, Mustafa e Osmani.

Nëse në fund të janarit në Beograd do të mbahet samiti minishegen i radhës dëmi për Kosovën do të jetë tejet i madh. Pikërisht për këtë arsye duhet që Tirana të shyjë samitin në një datë tjetër ose pjesëmarrja e Ramës në samit duhet ndaluar.

Genc Pollo
Ish ministër e deputet

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY