Presidenti Nishani pret bashkëreporterët e Këshillit të Evropës: Zgjedhjet parlamentare në rrezik

Presidenti Nishani pret bashkëreporterët e Këshillit të Evropës: Zgjedhjet parlamentare në rrezik

75
0
Shares

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim bashkëreporterët e Këshillit të Evropës për Shqipërinë, zotin Andrej Hunko dhe zotin Joseph O’Reilly, të cilët po zhvillojnë një vizitë faktmbledhëse në Tiranë.

Presidenti Nishani vlerësoi rolin e Këshillit të Evropës në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e demokracisë si shtyllat bazë të misionit të tij, si dhe kontributin e këtij institucioni prestigjioz ndërkombëtar për përparimin e Shqipërisë në këto fusha.

Duke iu përgjigjur interesimit të bashkëreporterëve, Kreu i Shtetit ndau vlerësimet e tij mbi disa nga sfidat imediate të Shqipërisë, mbi të cilat varet edhe përparimi i vendit në procesin e integrimit evropian. Presidenti Nishani vuri në dukje ndryshimet kushtetuese të miratuara konsensualisht në Parlamentin shqiptar, përfshirë reformën e thellë gjyqësore, si procese shumë të rëndësishme për vendin. Duke pohuar rëndësinë e përparimit të këtij procesi, si dhe domosdoshmërinë për të vijuar bashkëpunimin dhe miratimin gjithëpërfshirës të paketës shoqëruese ligjore, Presidenti theksoi pritshmërinë e lartë që ka krijuar ky proces tek qytetarët shqiptarë. Në këtë kontekst Presidenti Nishani theksoi se duhet shmangur me çdo kusht kapja e këtij procesi dhe institucioneve që krijohen prej tij nga çdo grup interesi, pasi vetëm kështu do të arrihet zbatimi efikas i tij në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.

Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Kreu i Shtetit vuri në dukje shqetësimin e thellë mbi rrezikun që i kanoset institucionit të votës së lirë dhe penetrimit gjithnjë e më të hapur të krimit në manipulimin dhe tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve. Presidenti Nishani theksoi se ky është një rrezik eminent që i kanoset demokracisë shqiptare, i cili duhet adresuar pa humbur kohë dhe në mënyrë të prerë nga të gjithë aktorët, përfshirë asistencën nga partnerët ndërkombëtarë.

Presidenti Nishani shprehu gjithashtu shqetësimin e përsëritur mbi trajtimin me dy standarde që iu bëhet trajtimit të pronarëve të hershëm dhe të rinj në vend, si një akt që cenon rëndë të drejtat e njeriut dhe krijon hapësira dhe mekanizma nxitës të korrupsionit, duke thelluar më tej plagët sociale dhe ekonomike që ka në vend në lidhje me këtë çështje thelbësore.

Po kështu, duke iu bashkuar shqetësimit të të persekutuarve politikë prej regjimit komunist, të shprehur përmes shoqatave të tyre të përfaqësimit, Kreu i Shtetit solli në vëmendje mungesën e përparimit në plotësimin e angazhimeve që ka marrë Shqipëria në kuadër të dy rezolutave të miratuara nga Këshilli i Evropës në vitet 1996 dhe 2006, mbi krimet e komunizmit në Shqipëri, dhe domosdoshmërinë për t’i adresuar menjëherë ato me vendosmërinë dhe përmasën e merituar.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY