Shkarkimi i Donald Trump, cfare ka pas skenes se Kongresit dhe Senatit...

Shkarkimi i Donald Trump, cfare ka pas skenes se Kongresit dhe Senatit amerikan

128
0
Shares

Dhoma e përfaqësuesve në Kongresin amerikan votoi pro shkarkimit të presidentit Donald Trump lidhur me 2 akuzat e ngritura ndaj tij: abuzim pushteti duke kërkuar hetim nga shteti i Ukrainës për ish-zv. presidentin Joe Biden dhe pengim të hetimit në Kongres.

Donald Trump bëhet kështu presidenti i tretë në historinë amerikane që do të përballet me faktin nëse do të vijojë të qëndrojë apo jo në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Lidhur me këtë çështje, ekspertët nga Washingtoni, Berlini dhe Londra kanë folur për edicionin special nga Franko Egro në Euronews Albania.

Gazetarja e Zërit të Amerikës, Keida Kolgeci

Në një lidhje telefonike nga Washingtoni, gazetarja e Zërit të Amerikës, Keida Kostreci e cilësoi një moment historik për politikën në SHBA nismë e demokratëve për të zyrtarizuar akuzat dhe shkarkimin ndaj presidentit Donald Trump, duke qenë se një gjë e tille ka ndodhur vetëm tri herë në historinë e SHBA, por nga ana tjetër sipas saj publiku amerikan duket i distancuar dhe i shkëputur nga kjo ngjarje.

“Atmosfera nuk mund të krahasohet me procesin ndaj Bill Clinton. Publiku amerikan është shumë i polarizuar nga zgjedhjet e 2016, të cilat sollën përfitime për Trump, në këtë atmosferë të dyja palëve iu leverdis të mbajnë qëndrimet tyre”, – tha gazetarja Kostreci.

Historiani dhe politikani Paskal Milo

Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, një njohës i mirë i historisë së SHBA, e sheh këtë nismë një shprehje të qartë të faktit se SHBA-të janë demokracia më funksionale dhe më e plotë në raport me vende të tjera të mëdha.

Milo rrëfeu se në karrierën e tij si gazetar dhe politikan kishte qenë dëshmitar i tre ‘impeachment’ për presidentët amerikanë, por rasti i Trump sipas tij, vjen në bazë të rregullave të përcaktuara të lojës në kushtetutën amerikane.

‘Kur vjen momenti i votimit për Senatin, një herë në dy vjet, përgjithësisht amerikanët janë të prirur të vendosin ekuilibrat mes demokratëve dhe republikanëve”, – tha Milo.

Drejtues i përgjithshëm i kompanisë ‘Haris x’, Dritan Nesho

Në një lidhje telefonike nga Washingtoni, Dritan Nesho, drejtues i përgjithshëm i kompanisë ‘Haris x’ dhe sondazhit ‘Haris x Harvard’ tha se procesi i nisur ndaj presidentit Donald Trump është pjesë e procesit elektoral që është pranë, në nëntor të vitit 2020.

Sipas tij, është e vështirë që të arrihet shifra e 2/3 e senatorëve që të heqin Donald Trump nga zyra e tij si president i Amerikës, sidomos kur jemi pranë zgjedhjeve.

“Edhe akuzat e ngritura ndaj  Trump nuk janë të prera, janë interpretime të mazhorancës për të nisur procesin e impeachment”, – tha Nesho për Euronews Albania.

Ernest Bunguri, gazetari i Euronews Abania

Gazetari i Euronews Albania, Ernest Bunguri duke iu referua deklaratës më të fundit të presidentit të SHBA, Donald Trump gjatë samiti të NATO dhe kritikave ndaj presidentit të Francës Emmanuel Macron, tha se pavarësisht karakterit brutal të Trump, SHBA dhe BE janë partnerë shumë të ngushtë jo vetëm politikë por edhe ekonomikë.

“Duket se qëndrimi brutal i Trump është reflektuar edhe në BE siç është rasti i Macron. Në samitin e NATO Trump dukej sikur po i kërkonte llogari Macron lidhur me deklaratën e këtij të fundit për vdekjen e trurit të NATO”, – tha Bunguri.

Daut Dauti gazetar, Londër

Nga Londra, gazetari Daut Dauti tha se politika e Donald Trump ka qenë gjithmonë në mbështetje të kryeministrit të konfirmuar Boris Johnson dhe daljes së Britanisë së Madhe nga BE.

Sipas Dautit, nëse Trump i shpëton shkarkimit dy vendet pritet të afrohen edhe më tej, në aspektin ekonomik pasi SHBA vjen menjëherë pas Gjermanisë si partner ekonomik i Britanisë së Madhe

“Trump dhe Johnson janë dy personalitet shumë të ngjashëm, kanë retorike dhe pamje të ngjashme.

Politika e jashtme e SHBA dhe Britanisë kanë qenë në harmoni dhe tani pas Brexit do jenë edhe më afër”, – tha Dauti.

Reagojnë demokratët dhe republikanët

Demokratë dhe republikanë kanë reaguar nëpër rrjete sociale e jo vetëm në lidhje me miratimin e dy neneve që i hapin rrugë procesit për shkarkimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Senatori i Vermontit dhe kandidati demokrat për president, Bernie Sanders publikoi një video ku thoshte se, sot është një ditë e trishtueshme por e nevojshme për demokracinë amerikane.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara po procedohet dhe kjo është gjëja e duhur, sepse nuk duhet të harrojmë se asnjë individ në këtë vend, përfshirë presidentin, nuk është mbi ligjin dhe Kushtetutën. Ndaj unë e mbështes atë që bëri Dhoma e Përfaqësuesve”, thotë Bernie Sanders, kandidat për president të SHBA:

Ish-zëvendës presidenti Joe Biden, gjithashtu kandidat për kryetar shteti, u shpreh në Twitter se, ky është një moment solemn për Shtetet e Bashkuara.

Nga krahu republikan senatori i Karolinës së Jugut, Lindsay Graham deklaroi se nenet e miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve do të rrëzohen shumë shpejt në Senat. Ndërsa avokati personal i presidentit Trump, Rudi Giuliani tha se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë më me asnjë president, qoftë republikan apo demokrat. “Është tërësisht jo kushtetuese”, theksoi Giuliani.

Reagon Presidenti Donald Trump

Vetë presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar përmes një postimi në rrjetin e tij të preferuar social, Twitter, ku i cilëson akuzat ndaj tij si gjueti shtrigash

“Ata nuk e kanë me mua, e kanë me ju, unë jam në mes”, – shkruan Trump përmes postimi.

Gjyqi ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës tashmë do të zhvillohet në Senat në muajin janar. Për shkarkimin e presidentit duhen dy të tretat e votave të Senatit prej 100 vendesh.

Demokratët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, që miratoi ngritjen e akuzave, ndërsa Senatin e kontrollojnë republikanët, ku pritet që asnjë prej tyre të votojë për shkarkimin e presidentit. Euronews Albania

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY