Sa herë në këtë vend ka ndonjë përpjekje për të nderuar viktimat e terrorit komunist, menjëherë shpërthejnë nostalgjikët e ish-diktaturës duke spërkatur hapësirën e mendimit publik me vrerin e urrejtjes klasore e krahinore. Të paskuqur kurrë nga turpi, ithtarë të krimit “të dobishëm”, këta provokatorë të paqes sociale, prej 26 vitesh përpiqen të lajnë duart e gjakosura të etërve të tyre politikë e biologjikë me pështymen që hedhin mbi të vërtetat historike.
Të pakonkurrueshëm në zell, të pakrahasueshëm në tërbim, të palodhur në urrejtje, megjithëse qesharakë në argumente, ata i kundërvihen çdo nisme simbolike që tenton t’i kthejë humanizmin e munguar historisë sonë moderne. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, pak ditë më parë, duke dekoruar në rrethin e Lushnjës 67 viktima të Mehmet Shehut, të luftës civile të vitit 1943 me urdhrin “Martirë të Demokracisë”, kreu një detyrim moral të këtij shteti dhe të kësaj shoqërie, e cila nuk ka bërë kurrë katarsis mbi këtë të kaluar kaq trazuese për ndërgjegjen tonë kolektive.
Një gjest që duhej përshëndetur ishte ky i kreut të shtetit, teksa në fakt u përshëndet me një batare sulmesh të paprecedenta dhe anti-historike. Kryeministri i vendit, dikur një tallës ekstremist i vetë Luftës Antifashiste, tanimë i shfaqur në Parlamentin shqiptar si ithtar i realizmit socialit dhe epopesë së Shefqetit, sulmoi ashpër këtë vendim për llogari elektorale me termat e Kinostudios “Shqipëria e Re”, ku pula i fluturonte në fantazi si lokomotivë mendimi.
Para tij, por edhe më pas, sigurisht do të vazhdojë “grupi i gatshëm” ose skuadra e historianëve “pushkatarë”, e cila gjuajti mbi kujtimin e viktimave me shpresën se modifikojnë kujtimin e terroristëve që themeluan një tirani sa orientale, aq ideologjike mbi këtë tokë. Nishani ka bërë gjënë e duhur, e madje duhet inkurajuar të shkojë më tej në këtë politike mirënjohjeje, më e pakta gjë që u ofrohet. Nuk duhet të ngurrojë të shqiptojë me kumbim emrin e të gjithë atyre burrave e grave që i rezistuan me të gjitha format diktaturës së Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut dhe të tillë ka shumë.
Presidenti nuk duhet të kompleksohet nga propaganda enveriste dhe nga pseudoargumentet e historianëve të indoktrinuar mbi faktet, ngjarjet dhe personazhet. Prek Cali e Llesh Marashi të Malësisë së Madhe, Llesh e Mark Gjomarkaj, prijësit e Mirditës, të cilët udhëhoqën njërën prej kryengritjeve më të përgjakshme kundër totalitarizmit, nuk kanë nevojë për asgjë, por nëse ne i nderojmë, thjesht promovojmë më të virtytshmen pjesë të historisë sonë kombëtare.
Vlen i njëjti arsyetim për Hamit Matjanin, Alush Lleshanakun e shumë të tjerë që dhanë jetën për një Shqipëri demokratike e europiane. Rasti i Lushnjës shfaqet si një ngjarje flagrante e luftës civile, ku brigadat partizane luftuan për të asgjësuar formacionet e Ballit Kombëtar të udhëhequra nga Kadri Cakrani e Isa Manastirliu në zonën e Fierit dhe Lushnjës! Italia kishte kapitulluar dhe gjermanët nuk kishin hyrë ende.
Marrëveshja e Mukjes sapo ishte shkelur njëanshëm nga komunistët. Deri në atë moment, ballistet nuk kishin ndonjë bashkëpunim me pushtuesin, ndonëse është folur shumë për një dokument Dalmazio-Këlcyra të pavërtetuar kurrë, thjesht të shpikur si dokumenti Zogu-Pashiq, fryt i trillimit dhe propagandës totalitare.
Askush, asnjëherë, nuk na e nxori para syve një kopje. Të gjashtëdhjetë e shtatët u zunë robër pas kësaj ndeshjeje të datës 21 tetor 1943 mes shqiptarësh, shumë prej tyre njerëz në punë të vet e në tokë të vet, bujq e blegtorë, u ekzekutuan nga Mehmet Shehu pa gjyq, ose me gjyq partizan nën urdhrat e tij. Sejfulla Malëshova do ta quante një akt terrorist! Mehmet Shehu do të kritikohej nga Enver Hoxha që i druhej klimës së rezistencës që kjo ndodhi provokonte, e pastaj vetë Shehu do të bënte autokritike. Më vonë, kur e shpallen armik, ia kujtuan si akt terrorist.
Duhen precizuar disa çështje. E para ata ishin të gjithë të pafajshëm e të papërzier në asnjë lloj bashkëpunimi me fashizmin dhe pafajësia u duhet njohur juridikisht e moralisht. Ata ishin viktima të terrorit që po instalohej. Jeta e tyre ishte çmimi që i paguhej etjes drakuliane për gjak të Mehmet Shehut. Një grup kaq i madh qytetarësh të ekzekutuar pa gjyq, pa asnjë faj, pa asnjë akt të dënueshëm, thjesht se ishin të një krahu tjetër politik, ose thjesht njerëz të zakonshëm pa vokacion politik, meritojnë të quhen martirë.
Ata i vrau diktatura që sapo plazmohej. Shqipëria ua kishte borxh atyre një akt simbolik. Demokracia e ka detyrim t’i njohë për të vetët si martirë të saj. Siç ka detyrimin që të bëjë drejtësi për të gjitha viktimat, ekzekutimet, vrasjet, burgimet, shpronësimet, mohimin e të drejtave për mijëra qytetarë të këtij vendi.
Kërkesa e fundit është retorike, se nuk ka për të ndodhur më asgjë, por së paku të dëshmojmë se jemi njerëz dhe jo bisha, kur bëhet fjalë për krime dhe viktima në kushte lirie, të mbajmë së paku anën e viktimave. Presidenti ka marrë këtë anë. Faleminderit atij dhe të preokupohemi për të gjithë ata që justifikojnë terroristët. Ata na kujtojnë çdo ditë se diktatura nuk ishte rastësi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/