– Premtimi për rritje pagash është thjesht një mashtrim elektoral.
– Kjo qeveri po largon FMN. FMN hyri në Shqipëri kur borxhi ishte 62.6%, dhe ajo largohet sot me një borxh mbi 73%. Largimi i Fondit është një kambanë e fortë alarmi që investitorët e huaj të mos vijnë në Shqipëri sepse kjo është një ekonomi jo stabël. Ne me forcë do të kundërshtojmë largimin e Fondit.
– Gjykoj se KE nuk mund të hapë negociatat pa u plotësuar kushtet. Çështja e kanabisit mund të jetë një kusht i ri për hapjen e negociatave!
– Edi Rama është një figurë qesharake në qeverisje, i cili po bën gjithçka për të mbuluar mashtrimet e vjetra me mashtrime të reja.
– Situata e kanabisit sot ka bërë që Shqipëria të etiketohet kudo si Kolumbi e Europës dhe kjo është damka më e zezë që Shqipëria i vendos vetes që nga koha e Enver Hoxhës.
– Sot asnjë pëllëmbë e territorit, nga pista e avionit në aeroport e deri në skajet më të largëta, nuk ka më territor që kontrollon ky shtet, ky pseudo-shtet.
– Droga e Shqipërisë kërcënon edhe vendet përreth, kërcënon sigurinë edhe më gjerë. Një vend i NATO-s nuk mund të bëhet kurrë Kanabistan.
– Edi Ramës i është kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar në mënyrë të prerë të njohë gjendjen dhe të deklarojë se e njeh gjendjen. Edi Ramës i është thënë se filmimet që ka sjellë Italia për vitin 2016 për sipërfaqen e mbjellë të drogës, krahasuar me vitin 2013 është 1250 herë më e madhe.
– Opozita po punon në mënyrën më intensive për të ndërgjegjësuar komunitetin ndërkombëtar se sa e rrezikshme është heshtja e tij në këtë rast.
– Rama rrëzohet kur qytetarët të ndërmarrin një protestë të qëndrueshme!
– Shqiptarët e kanë në dorë, kanë edhe gurin edhe arën për t’u ndarë nga kjo qeveri, e cila është në kuptimin më të saktë të fjalës; një organizatë e mirëfilltë kriminale.
– PD mund t’i japi vendit qeverinë më të aftë që ka pasur ndonjëherë në histori!
Në një intervistë për ABC Neës ish-kryeministri Sali Berisha, tha se rritja e premtuar e pagave është mashtrim elektoral i kryeministrit Edi Rama. Ai është edhe kundër largimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
I pyetur për procesin e integrimit, Berisha tha se Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat. Siç thotë ai të tjera kushte përtej 5 prioriteteve të deritanishme do të duhet të plotësohen. Një prej tyre është zgjidhja e problematikës me kanabisin, të cilën ndërkombëtarët i kërkojnë Edi Ramës ta njohë.
Berisha flet dhe për reformën në drejtësi dhe aksionin e pritshëm opozitar. Edi Rama do të largohej brenda dy javësh, por protesta për këtë duhet të jetë e qëndrueshme, tha ai.
Me ish-kryeministrin Sali Berisha bisedoi Merita Haklaj.
Zoti Berisha, Edi Rama thotë se do të rrisë pagat. Ka premtuar, me sa duket dhe pas hartimit të paketës fiskale të projekt buxhetit të ri, në vitin e fundit të mandatit thotë se janë pjekur kushtet tashmë për të shënuar një rritje të madhe pagash. Si e konsideroni ju këtë? Ju vetë keni qenë një kryeministër që në 8 vite e keni pasur politikë rritjen e pagave çdo vit, por sipas Edi Ramës ju e keni çuar buxhetin në gropë atëherë, ndërsa tani pas rimëmëkëmbjes së buxhetit janë pjekur kushtet për rritje pagash.
Sali Berisha: Një gjuhë të tillë mund t’a përdorë vetëm një njëri, të cilit padija dhe injoranca e plotë e lejon të formulojë çdo frazë, të nxjerrë çdo gënjeshtër, sepse një njëri që ka njohuritë më elementare të buxhetit, të të ardhurave, të shpenzimeve, nuk mund të bëj një deklaratë të tillë. Ju e thatë drejt, se rritja e rrogave ka qenë absolutisht një politikë më konstante e qeverisë, Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj. Edi Rama, një nga vendimet më antipopullore, më çnjerëzore ishte ngrirja e rrogave të të gjithë administratës shtetërore, ishte pothuaj ngrirja e pensioneve dhe jo indeksimi i plotë i tyre, gjë e cila ka bërë që sot, çdo punonjës i kësaj administrate të marrë de facto 13% më pak se sa merrte në vitin 2013. Pse 13% më pak? Nga këto, 9% janë inflacioni i përgjithshëm, rritja e përgjithshme e çmimeve. Mirëpo njeriu, rrogëtari, inflacioni i përgjithshëm e prek, por është një inflacion tjetër që e prek shumë më tepër, që është inflacioni i mallrave të përdorimit të përditshëm, siç janë ushqimet, veshjet, ilaçet etj. Ky inflacion, sipas institutit të komanduar nga Rama, ai i Statistikës, në këto 3 vite është 13%. Kështu që, e vërteta është se sot shqiptarët marrin më pak krahasuar 2013, gjithnjë me atë çka blejnë, rreth 13% më pak.
Vijmë te rritja që ky (Rama) e reklamon si më të madhen. Duhet ti them këtij zotërisë, i cili në fakt është i pafajshëm për padijen, në vitet 2006 – 2013 janë vendosur për paga dhe pensione 600 e ca milionë euro, që ky na thotë se ky 100 milionëshi qenka më i madhi në histori. Por këto janë shifrat që njeh ky, kaq janë njohuritë e tij.
Së dyti, për çfarë numri punonjësish janë vendosur këto? Nëse ju merrni klasifikimet e Doing Bussines apo të institucioneve të tjera, Shqipëria ishte vendi i 8-të në botë me administratën më të vogël. Kjo ishte në përputhje me premtimin tim të para 2005 se do të kem një qeveri të vogël. Për t’u dhënë shqiptarëve për të kuptuar se cili është ky ndryshim, ky ndryshim është i jashtëzakonshëm. Po marrim Këshillin e Ministrave. Jam larguar dhe kam lënë në bordero 128 punonjës. Sot janë 530 e ca punonjës. Të shohësh organigramën qesharake të Këshillit të Ministrave sot, ai është shndërruar thjesht në një ndërmarrje punësimi militantësh, për të mos thënë pastaj dhe shumë gjëra të tjera. Dhe kështu është bërë masivisht. Mësuesit tani duan ti paguajnë me orë në mënyrë që t’ia u përgjysmojnë rrogat dhe të punësojnë të tjerë. Në Elbasan, po të shkoni do shihni se nga 6 shoferë që kanë qenë, Beqja ka urdhëruar që të jenë 16 shoferë, por rrogat, nga 400 mijë lekë që merrnin, tani ja u kanë bërë 250 – 300 mijë. Po të merrni Policinë e Burgjeve dhe Gardën e Republikës, kanë shpallur prej kohësh, prej mëse një viti, rritjen e rrogave por s’ju kanë dhënë një qindarkë. Pra, në këtë boshllëk, cinizmi ekstrem është me pensionistët, fatura kryesore është e tyre. Nëse do të lëvizësh me rroga dhe pensione ata janë më të shumtët, janë 560 mijë, 600 mijë mund të kenë shkuar tani.
Ndaj dhe ky është thjesht një mashtrim elektoral. Unë e vlerësoj, dhe shumë mirë që shton rroga, por në të vërtetë ky është thjesht një mashtrim elektoral i Ramës sepse rrogat me këtë as nuk indeksohen në shkallën që ato ishin në 2013.
Ka një raport të pritshëm të qeverisë në lidhje me FM. Me sa duket do të reduktohet roli FMN në vendin tonë, ndërkohë që ne kujtomë se zoti Rama kur ishte në opozitë ju kritikonte ju për pozicionin që i latë FMN në raport me Shqipërinë. FMN ndodhet në vendin tonë aktualisht në një vizitë të radhës, në një mision mbikëqyrës të rrethanave. Ju gjithmonë i keni bërë thirrje edhe FMN dhe BB që të shohin situatën dhe të reagojnë e të mos heshtin. Aktualisht çfarë mendimi keni, edhe për këtë raport ndoshta të ri të qeverisë shqiptare por edhe në përgjithësi për rolin që misioni duhet të ketë në vendin tonë?
Sali Berisha: Unë jam një nga politikanët që kam patur bashkëpunimin më afatgjatë me FMN, më aktiv, më me debate por gjykoj dhe më të suksesshmin. Kurrë nuk më ka shkuar ndër mënd dhe si kam lejuar vetes të imagjinoj që ta largo. Fondi është larguar nga Shqipëria në vitin 2007 duke bërë deklaratën, se tani autoritetet shqiptare mund të marrin pronësinë e plotë të menaxhimit të financave të tyre pa asistencë dhe se kalon në artikullin 4, siç kalonin shumica e vendeve. Nëse FMN do kishte vërejtjen më të vogël, ai do thoshte se na përzuri Sali Berisha, se Shqipëria nuk është përkund për artikullin 4. Po të jesh për artikullin 4 do të thotë se ishe si shumica dërrmuese e vendeve të zhvilluara të botës. Kjo është historia e PD me FMN. Erdhi Edi Rama, me ekipin më jeshil, më të pa përgatitur, jo të Europës, por ndofta të të gjitha kohërave, edhe të Shqipërisë. Njerëz pa nocione bazë, për të cilët BB organizoi seminarin dhe u tha nëpërmjet gojës së njërit prej ekspertëve më të mirë të ekonomisë së Europës, se ju keni 95% shanset e dështimit sepse ju mohoni gjithçka, që do të thotë se s’dini asgjë. Dhe e vërteta është se s’dinë asgjë. Këta po largojnë FMN. Sigurisht që marrëveshja është trevjeçare, por largimi FMN është një goditje shumë e madhe për Shqipërinë. Është një goditje sepse, FMN hyri në Shqipëri kur borxhi ishte 62.6%, FMN largohet sot nga ky vend me një borxh 73%.
Mos është ky edhe dështim i Fondit?
Sali Berisha: Jo, nuk mund të themi dështim i Fondit. Fondi nuk punon me politika afatshkurtra. Fondi punon me politika afatmesme. Është dështim i qartë i qeverisë për të plotësuar kushtet e Fondit, të cilat janë gjithnjë në interes dhe në favor të stabilitetit ekonomik. Po jap një shembull për këtë që them. Fondi para tre vitesh shprehu rezervat e veta për rritje taksash, dhe tha se nëse këto nuk prodhojnë të ardhura natyrisht duhen ulur taksat. Çfarë ndodhi? Prodhuan të ardhura? Edi Rama rrahu gjoksin. Është e vërtetë që sot të ardhurat janë 26% ndaj 24.6% që ishin përpara, por është e vërtetë që sot niveli i taksave është 50% më i lartë se ç’ishte përpara, çka do të thotë se të ardhurat nga taksat duhet të ishte minimumi 34% e GDP-së. Po ku shkojnë këto? Këto të gjitha përfundojnë në xhepat e qeveritarëve dhe kontrabandistëve. Pra, ky objektiv është zero i realizuar. Ku janë investimet e huaja? Largimi i FMN është një kambanë e fortë alarmi që investitorët e huaj të mos vijnë në Shqipëri sepse kjo është një ekonomi jo stabël. Largimi i Fondit, në një kohë kur Fondi, para shqiptarëve kishte një detyrim ti asistonte kësaj qeverie për të ardhur në borxhin nën 60% dhe kjo qeveri po e përzë FMN duke pasur një borxh 73 – 74%. Pra, nuk dështoi Fondi, dështoi Edi Rama, dhe ne me forcë do të kundërshtojmë largimin e Fondit.
Ju garantoj se Fondi, nëse Rama do të mblidhte taksat sipas parashikimeve që ka bërë me Fondin, Fondi nuk kundërshtonte në asnjë rast rritjen e rrogave apo pensioneve. Për Fondin rëndësi kapitale ka që të mbledhësh të ardhurat, që të mos rrisësh borxhin dhe të mbash stabël monedhën, si dhe të tërheqësh investime. Ndaj dhe këtu është dështimi i plotë i Edi Ramës, i një grupi xhahilësh. Kur e dëgjoj kur flet, si kryeministër vërtet mund të mos dijë financat, vërtet mund të mos njohë shumë nga problemet por ai ka këshilltarët dhe ministrat të cilët i japin dokumente dhe e qartësojnë për çdo gjë para se të flasë. Dilte tre ditë më parë në një fjalim dhe thoshte se ndihma shtetërore në vitet 2007 – 2013 ka qenë 631 milionë dollarë. Një njëri që e thotë këtë në Shqipëri, bën një gafë dhe tregon se absolutisht nuk di se çfarë quhet ndihmë shtetërore. Ndihma shtetërore është paraja që jep shteti, askund e preferuar por kudo jepet, sektorëve të caktuar për t’i ndihmuar, ka rregulla dhe ligje të veçanta për ta. Dhe çdo tejkalim i saj ndëshkohet në Komisionin Europian. Shqipëria kurrë nuk ka pasur dhe nuk ka disponuar në 5 vite 631 milionë euro për ndihmë shtetërore, këtë mund ta thotë vetëm një njëri që nuk di ç’është ndihma. Ndihma është grantet që ne u jepnim fshatarëve për projektin e frutikulturës, ndihma që mund t’u jepnim peshkatarëve për akcizën e naftës. Ajo ndihmë ka qenë shumë e destinuar. Nëse ne fshatarëve shqiptarë do u kishim dhënë 1/10 e asaj që thotë ai, situata do ishte krejt tjetër. Ne në ato vite kemi përdorur ndihmën shtetërore për destinacione të caktuara. U ndala këtu për të treguar se ky nuk ka nocionet më elementare të një njeriu që qeveris. Di vetëm dy gjëra; t’u thotë shqiptarëve se kjo është hera e parë në 25 vite që kjo gjë po bëhet e tu thotë se po investojmë më shumë se në këto 25 vite të marra së bashku. Kudo ku shkon këto thotë, përveçse në Shishtavec, aty shkoi por nuk e tha dot këtë.
Pra është një figurë qesharake në qeverisje, i cili po bën gjithshka për të mbuluar mashtrimet e vjetra me mashtrime të reja.
Përmendët pak më parë dhe KE. Presim në fakt këto ditë që KE të propozojë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. A duhet të hapen negociatat?
Sali Berisha: Unë gjykoj se Komisioni Europian nuk mund të hapë negociatat pa u plotësuar kushtet. Ky është mendimi im. A i ka plotësuar Shqipëria kushtet për hapjen e negociatave, këtë le ta lëmë ta thotë Komisioni Europian, mos ta themi ne si opozitë sepse ne kemi versionin tonë. Rama ka bërë një premtim, që do garantojë hapjen e negociatave. Të presim e të shohim sa do ta mbajë.
Ju dyshoni që mund të ketë një propozim të tillë nga KE nga informacionet tuaja?
Sali Berisha: Informacionet e mia janë që do ketë kushte. D. m. th.:, plotësimi i disa kushteve bën të mundur hapjen.
Ne kishim 5 kushte ndërkohë..
Sali Berisha: Mund të bëhen dhe pak më shumë. Mund të shtohet edhe kanabisi.
Meqë dolëm te kanabisi, e keni denoncuar vazhdimisht. Situata duket intensive edhe nga aksionet edhe nga kapja në bregdet dhe vendet fqinje. Megjithatë kemi një deklaratë nga ana e qeverisë që nuk është alarmante, nuk është kultivuar më shumë se më parë. Si e shihni edhe situatën tani por edhe reagimin institucional ndërkombëtar në lidhje me këtë?
Sali Berisha: Situata e kanabisit sot, ka bërë që Shqipëria të etiketohet kudo si Kolumbi e Europës dhe kjo është damka më e zezë që Shqipëria i vendos vetes që nga koha e Enver Hoxhës. Shqiptarët kaluan piramidat, por njerëzit menduan që këto qenie njerëzore, ndër më të varfrat e planetit, u përpoqën të bëhen me lekë nëpërmjet këtyre skemave mashtruese. Kurse me kanabisin, kjo është forma më e shëmtuar e të përpjekurit për të krijuar të ardhura, kjo është rruga më kriminale. Kjo është rruga më me pasoja si në imazhin e jashtëm por direkt dhe brenda. Në radhë të parë në përhapjen masive të përdorimit të drogës dhe kërcënimin e jetës së mijëra fëmijëve, të rriturve e të moshuarve nga përdorimi i saj. Në radhë të dytë është damkosja si kombi drogës, si asnjë tjetër në Europë. Është një pështirosje që ne u krijojmë të tjerëve. Së treti është një kërcënim madhor për sigurinë kombëtare. Shqiptarët duhet të dinë se në Aleancën e Atlantikut të Veriut lufta kundër drogës është një detyrim.
… edhe me Ushtrinë?
Sali Berisha: Me të gjitha mjetet. Lufta kundër drogës është një përparësi për Aleancën. Sepse droga mund të shndërrohet në burim kryesor të financimit të terrorizmit ndërkombëtar. Kujt i shkonte ndër mënd se shqiptarët do mohonin se janë shqiptarë dhe do shkonin të luftonin në shkretëtirat e Irakut e të Sirisë nën një flamur të zi. Askujt, por ja që ndodhi, ja që shkuan, ja që u vranë. Ata që shkuan atje, ai kontingjent është i gatshëm të mbjellë drogë, të ndërtojë aerodrome ilegale për transport droge, armësh, helmesh, parash, për të gjitha. Sot asnjë pëllëmbë e territorit, nga pista e avionit në aeroport e deri në skajet më të largëta, nuk ka më territor që kontrollon ky shtet, ky pseudo-shtet. E thatë drejt se komuniteti ndërkombëtar është dukur si i heshtur. Ky është fakt, është e vërtetë kjo, por kjo situatë ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Edi Ramës i kërkohet në mënyrë të prerë të njohë gjendjen dhe të deklarojë se e njeh gjendjen. Edi Ramës i është thënë se filmimet që ka sjellë Italia për vitin 2016 për sipërfaqen e mbjellë e drogës, krahasuar me vitin 2013 është 1250 herë më e madhe. Edi Ramës i është thënë se s’mund ta shesësh dhe ta kapërcesh këtë situatë katastrofale në këtë mënyrë.
E dyta, opozita po punon në mënyrën më intensive për të ndërgjegjësuar komunitetin ndërkombëtar se sa e rrezikshme është heshtja e tij në këtë rast.
Droga e Shqipërisë kërcënon edhe vendet përreth, kërcënon sigurinë edhe më gjerë. Një vend i NATO-s nuk mund të bëhet kurrë Kanabistan. Dhe vetëm një njëri që ka humbur çdo sens, për shkak të një problemi psikik që ka apo për shkaqe të tjera, del e u thotë shqiptarëve se situata është siç ka qenë, dhe del e lexon komunikata fallse të viteve më parë. Vetëm një njëri i sëmurë mund të sillet në këtë mënyrë, sepse një njëri normal nuk sillet kështu. Ndaj dhe komuniteti ndërkombëtar ka filluar të reagojë dhe u them shqiptarëve se këtu do jemi, do ketë reagime dhe shumë më të forta. U pismos gjeneral Trafiku me ministren trafikante kur u kërkua futja e Ushtrisë, po ai do ishte i vetmi akt në të cilin shteti do të merrte të gjithë përgjegjësinë si anëtar i NATO-s për të mos dëmtuar asnjë interes sigurie, qoftë në Shqipëri, qoftë në rajon dhe më gjerë. Ky është qëndrimi dhe ne vazhdojmë ti qëndrojmë. Nuk vjen më asnjë investitor i huaj në Shqipëri. Serviren shifrat e Milvës, gënjeshtra ordinere. Ato investime që janë, janë të gjitha të firmosura nga qeveria e mëparshme. Të na tregojnë një kompani të madhe të ardhur gjatë këtyre tre viteve. Iku Hochtief, iku Bankers, Kurumi u fut në falimentim, iku kompania e turizmit, ikën me radhë. Kush vjen këtu me një grup që sillet si bandit ndaj biznesmenëve e që bën betejë mediatike me megafon. As në diktatura se bëjnë këtë. Se edhe diktaturat janë të interesuara të kenë investitorë, nuk ka qeveri që bën atë që bëjnë këta. Cili është rezultati? Asnjë investim i huaj.
Çështja investimeve është ajo që bëri edhe ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar, sipas të cilit nuk do të kishte investime të huaja pa pasur një drejtësi të pastë..
Sali Berisha: Dy gjëra janë. Reforma në drejtësi është jetike për vendin, por ata që besojnë se mund të luftojnë korrupsionin me korrupsion, ata besojnë se mund të shohin veshjen e tyre pa pasqyrë. Korrupsioni nuk luftohet me korrupsion. Hapa shumë të rëndësishme u bënë. Por prap kur erdhi puna te momenti final, vendosën korrupsionin si mjet për të luftuar korrupsionin, dhe dështuan. U them shqiptarëve se e gjitha kjo është vepër e Edi Ramës, i cili ka frikë dhe tmerr nga reforma, i cili ka frikë nga Surreli, ka frikë nga pallati, ka frikë nga aferat e CEZ-it, i cili ka frikë nga aferat me Vilma Nushin, ka frikë nga aferat me Besnik Sulën, ka frikë nga aferat me klientelën, ndaj dhe vendosi që këtyre gjykatësve dhe prokurorëve, ku absolutisht ka prej tyre mëkatarë nga më të ligjtë, t’ia u bëj pastrimin me shefin e statustit të PS, një Alket Hyseni dhe me mikun më të ngushtë në mos dhe kushëri i Emilit të Partisë, Shullazit, një Seferi të DSIK. Vettingun e ka kërkuar PD, jemi ne nismëtarët e Vettingut. Ajo është kërkesë e jona por jo gjah shtrigash, jo gjah politik. Vettingun e bëjnë burra dhe gra, njerëz të ndershëm, të cilët s’kanë asgjë për ti fshehur shqiptarëve për veten e tyre dhe pastaj nuk lejojnë të fshehin as për të tjerët. Kjo është e gjitha. Për sa u përket investimeve, siguria ligjore nuk është vetëm e gjykatave. Siguria ligjore aq sa është e gjykatave, aq është dhe e qeverisë, aq është dhe e parlamentit. Siguria ligjore ka të bëj me zbatimin që mbajnë institucionet ndaj ligjit. Një qeveri e cila thyen ligjin në çdo pëllëmbë të territorit, e cila veten dhe familjarët e vet i nxjerr mbi ligjin, nuk mund ti përmënd kujt ligjin. Kështuqë investitorët, tashmë dhe me vellon e kanabizimit, të harrojë Shqipëria se do vijë më ndonjë prej tyre.
Është kjo situatë qeverisjeje thoni ju, ndërkohë që PD është në përgatitje për një aksion të madh kundër qeverisë. Kërkohet largimi Ramës për të shkuar dhe për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Sa real është ky skenar në pikpamjen e organizimit politik, sa aleat vlerash të fortë kanë mbetur për të organizuar një aksion të tillë, sa në gjendje është shoqëria shqiptare, sa e ka nervin e reagimit për të organizuar një aksion të tillë që mund të plotësojë këtë kusht të opozitës. Nëse Rama nuk largohet, nuk shkojmë në zgjedhje?
Sali Berisha: Unë mendoj se shoqëria shqiptare ka çdo potencial që në kohën më të shkurtër ti tregojë vendin Ramës dhe asaj që quhet organizatë kriminale apo qeveri shqiptare. Sepse, me vjedhjet që po i bëjnë qytetarëve, me shkatërrimin që po i bëjnë pasurisë publike, me lidhjet me krimin dhe kanabisin, kjo qeveri, kushdo që lexon librin e Sara Chayce, do të konstatojë se aq sa qeveria e Afganistanit, po aq kjo qeveri plotëson kushtet për t’u quajtur organizatë kriminale. Por, me gjithë revanshin e krimit, me gjithë revanshin e trafiqeve përsëri kam bindjen më të thellë se shqiptarët janë kundër krimit, janë kundër trafiqeve, se shumica dërrmuese e tyre, mbi 90% nuk duan kurrë që vendi i tyre të jetë Kanabistan. Duan që këtu të ketë investitorë dhe të ketë punësim. Rezultantja më tragjike e kësaj qeverisjeje, është eksodi. Lexoj çdo ditë SMS që më vijnë nga inxhinierë, mjekë, specialistë të ndryshëm që largohen nga Shqipëria. Njëri më thoshte se kishte punuar në Abcom me një pasion të madh por mënyra si u soll qeveria bëri që të linte ëndrrat e tij dhe të punonte kamerier në Itali për të siguruar mbijetesën.
Kështu që shqiptarët janë të stërngopur me Ramën. A mund ta rrëzojnë shqiptarët atë? Absolutisht që në rastin e parë që do të vendosin. Por ka një gjë. Rama rrëzohet kur ata të ndërmarrin një protestë të qëndrueshme.
Historia e lëvizjeve demokratike në Shqipëri është, përveç lëvizjes së dhjetorit, ato kulmuan vetëm kur ato qëndruan. Në shkurt 91 po të mos qëndrohej dy javë në protestë dhe të finalizohej me grevë urie, ka rrezik që Enver Hoxha ta kishte përsëri statujën në Sheshin Skënderbej. Por shqiptarët qëndruan në betejën e tyre më epike në histori. Po kështu në kombet të tjera. Ndaj e kanë në dorë të nisin një protestë, dhe unë ju garantoj që Rama nuk pret dot as dy javë. Ikën, ikën se është i ikur si qeveri. Mori vendimin për plehrat? Pse nuk e voton dekretin e presidentit? Po kryeministër në botë që nuk bën mocion nuk ka kush në botë. Se është i pakarakter. Qeveritari është qeveritar dhe i nënshtrohet kushtetutës së vet e cila thotë se në këtë rast paraqitet për mocion. Në vend se të bëj këtë, rri si një njëri jo normal, të bindë shqiptarët duke shfrytëzuar mediat, se mbetjet nuk janë pleh e se plehu nuk është mbetje. Ndaj dhe shqiptarët e kanë në dorë, kanë edhe gurin edhe arën për tu ndarë nga kjo qeveri, e cila është në kuptimin më të saktë të fjalës; një organizatë e mirëfilltë kriminale.
Duhet të shohin dhe një ekip përballë shqiptarët. Zoti Basha ka thënë disa herë se konsideron veten si kryeministër në hije, por kryeministri hije duhet të ketë dhe ekipin. A po vonon PD për të përcaktuar ekipin, për të prezantuar atë. Do jetë më pas hartimi i listës së deputetëve. Ka pasur një pranim bashkëfajësie në lidhje edhe me sistemin e rënë dakord në 2008 nga zoti Basha. A është ky një moment për ta bërë këtë? Si e konsideroni ju?
Sali Berisha: Unë mendoj se PD ka njerëz, shoqëria shqiptare ka shumë njerëz, bota akademike ka shumë njerëz dhe jo pak, shqiptarë të shkolluar e të zotë në Shqipëri dhe në botë ka plot. Dhe absolutisht PD, duke marrë parasysh këtë tërësi, mund ti japi vendit qeverinë më të aftë që ka pasur ndonjëherë në histori, me ministra jo të pashkolluar, se gjysma e tyre janë me diploma poshtë e përpjetë, por me ministra të shkolluar në universitetet më serioze të botës. Po të isha unë qytetar, ajo që do i kërkoja PD-së, do i kërkoja një spektër të gjerë përfshirje në qeverisje, sepse sot potencialet janë shumë më të mëdha se sa ishin 10 apo 15 vite më parë. Kështu që nuk ka asnjë mungesë PD për të organizuar, për të paraqitur qeverisjen më të mirë, kandidatët më të mirë dhe ekipin e fitores. Unë them se pothuaj i ka gati. Them, sepse duke qenë se nuk merrem me asnjë aspekt të organizimit të PD, nuk mund të them gjëra konkrete, por PD këto që thashë i ka në punën e përditshme.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/