BUJAR NISHANI*/ Dervish Luzha ikonë e besimit popullor

BUJAR NISHANI*/ Dervish Luzha ikonë e besimit popullor

368
0
Shares

Për mua si President i Republikës është kënaqësi e posaçme, që në të gjitha vizitat e ardhjet e mia pothuajse të përvitshme në Tropojë e në Malësinë e Gjakovës, kam pasur nderin që në emër të Institucionit që drejtoj, të vlerësoj disa nga figurat emblematike që ka nxjerrë treva juaj, por të cilët qëndrojnë denjësisht në Panteonin e Kombit, të paktën që nga fillimet e Rilindjes Kombëtare, në vitet `30-të të shekullit të 19-të e deri më sot. Në hartën arbërore rrallë mund të haset ndonjë një trevë tjetër si Malësia e Gjakovës me Tropojën si yll polar, që t`i ketë dhënë historisë dhe kombit emra aq të mëdhenj të të gjitha fushave të historisë, artit, shkencës, besnikërisë dhe besimit fetar, por mbi të gjitha, të atdhedashurisë dhe patriotizmit.
Jo vetëm këtu në Tropojë, por edhe në kryeqendrën e shqiptarëve, në Tiranë, edhe në Amerikë para pak javësh, kam pasur kënaqësinë dhe privilegjin të nderoj me tituj të lartë të shtetit shqiptar një pjesë të elitës më të shquar atdhetare e intelektuale të lindur në këtë trevë me bukuri hyjnore, por që i përkasin të gjithë kombit dhe janë krenari e tij. Para dy vjetësh në qytetin fisnik të Bajram Currit, një poet i shquar, me të cilin ju krenoheni, Hamit Aliaj, që e vlerësova me Titullin “Mjeshtër i Madh”, në fjalën e tij falënderuese vuri në dukje se: ‘Tropoja është një abetare e lirisë dhe dinjitetit njerëzor, një bibël e shqiptarëve që duhet ta lexojë secili’.
Fati i zymtë historik na ka detyruar që shumë përmendore të heronjve dhe figurave tona të shquara të historisë tonë t`i kemi me armë në dorë. Po unë do të thosha se nëse mund t`i ngrihej një përmendore poezisë, atë e meriton Tropoja, se nëse mund t`i ngrihej një përmendore këngës, e meriton Tropoja, se nëse mund t`i ngrihej një përmendore valles, atë e meriton ‘Kërcimi Tropojan’ që tashmë gëzon me plot të drejtë statusin e valles kombëtare, kudo ku jetojnë bashkëatdhetarët tanë, në trevat shqiptare e në mbarë diasporën tonë.
Por, ka edhe një lloj përmendoreje tjetër, si kjo e këtij burri të madh, ikonë e besimit popullor, Rexhep Tarçukut, i njohur kudo si Dervishi i Luzhës. Në dorë mban me dinjitet shkopin e udhëtarit, simbolin e lashtë të shpëtimtarit dhe udhërrëfyesit sipas gjithë librave të shenjtë. Shkopi i udhëtarit të palodhur e prijësit të shenjtë që simbolizon udhën hyjnore drejt Zotit, drejt vlerave më të mira njerëzore dhe fetare. Kam qenë edhe herë të tjera këtu tek Tyrbja e Dervishit të Luzhës, te ky monument kulture i admirueshëm, si një vizitor e si qytetar i thjeshtë. Nga çfarë kam dëgjuar dhe lexuar për këtë burrë të madh, i shenjtëruar nga besimi popullor, mund të them se në të dyja jetët e tij: në atë tokësore e atë hyjnore, vazhdon të mbetet njeriu më emblematik dhe më enigmatik i shekullit të `20-të në mendësinë e popullit të kësaj treve e më gjerë.
Tropoja dhe në tërësi zona e Malësisë së Gjakovës gjithmonë është shquar si vendlindja, streha dhe vatra mbështetëse e kryengritjeve shqiptare për liri e pavarësi. Le të mos harrojmë, por të përulemi me respekt dhe nderim të thellë para heronjve kombëtarë: Bajram Curri, Haxhi Zeka, Mic Sokoli apo deri në ditët tona, Azem Hajdari, tribuni ynë modern i demokracisë, i cili veç të tjerash, kontribuoi në ngritjen e kësaj tyrbeje të shenjtë. Le të nderojmë me mirënjohje jetën dhe veprën madhore të të gjithë heronjve të kombit shqiptar, të cilët lindën, u rritën dhe u mëkuan me atdhedashuri pikërisht në këtë trevë!
Ati i Shenjtë, Papa Françesku gjatë vizitës së Tij historike në Shqipëri në shtator të vitit 2014, vuri në dukje dhe theksoi se: “…populli i Shqipërisë, i cili në sajë të forcës dhe rezistencës së tij në kohë vuajtjesh si dhe të gjallërisë rinore, përfaqëson një pasuri për mbarë kontinentin evropian”.
Themi po dhe jemi krenar për trashëgiminë që na kanë lënë të parët tanë dhe angazhohemi që ta ruajmë dhe ta pasurojmë këtë trashëgimi. Duke pasur këtë parasysh, si dhe aspiratën tonë për t’iu bashkëngjitur familjes së madhe evropiane, më lejoni të nënvizoj edhe njëherë absurditetin dhe çmendurinë e sistemit të kaluar diktatorial të atij komunist, që padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare, jo vetëm u përpoq të mbyllte kisha e xhamia e teqe, por arriti deri aty sa të na shpallte të vetmin vend ateist në botë.
Si President i Republikës, si baba, si bashkëshort, si bir, por dhe si qytetar ndihem i nderuar që të jem në Tropojën e legjendave shqiptare, Tropojën e bujarisë, trimërisë, atdhedashurisë e besnikërisë, në Tropojën e demokracisë! Është shkruar dhe folur shumë për Rexhep Tarçukun – Dervishin e Luzhës, por kemi dëgjuar edhe për Rexhep Belin, mikun dhe bashkëudhëtarin e tij. Veç tyre, Tropoja ka nxjerrë edhe një elitë të tërë njerëzish të devotshëm besimtarë e prijës të besimit, të cilët tropojanët i quajnë me emrin e përbashkët: ‘Baballarët e Shkëlzenit’. Jo rastësisht tyrbet e tyre, të gjitha janë ndërtuar në vende prej ku syri i lirë mund të dallojë malin hijerëndë e kreshtathinjur të Shkëlzenit. Ky mal ka qenë ngahera i adhuruar në mendësinë dhe besimin popullor shqiptar prej shekujsh, që së bashku me Tomorin dhe Sari Salltikun në Krujë përbëjnë Trininë e shenjtë të maleve dhe tempujve natyrorë shqiptarë.
Një pjesë e jetës dhe e personalitetit të njerëzve fisnikë e hyjnorë si Dervishi i Luzhës përherë mbetet e pashpjegueshme, një mister ende i pazbuluar për jetën tonë tokësore. Por, lirisht për të mund të thuhet, se para se gjithash, ai ishte një atdhetar mbi gjithçka. Ndoshta ka qenë luftëtari më i çuditshëm e më i efektshëm i Luftës së Dytë Botërore, një luftëtar i paarmatosur, por i pajisur më së miri me forcën hyjnore të besimit të palëkundur. Gjithkund me tri simbolet që nuk i ndau kurrë nga vetja në jetën e tij tokësore: kazmën për punë, lahutën për këngë dhe teberin (shpatën) e tij të shenjtë, e cila nuk simbolizonte vetëm armën, por diçka tjetër të shenjtë që lidhej me tarikatin ku ai bënte pjesë. Përveç bamirësive të panumërta shëruese, të cilat i përmendin edhe sot e kësaj dite bashkëkohësit e tij, veç cilësisë hyjnore të parashikuesit e sa e sa të tjera, Dervishi i Luzhës kishte një meritë tjetër të madhe që i duhet e i shërben çdo kohë njerëzimit: Mbajtjen gjallë të shpresës e besimit.
Ai jetoi në vendin ideal por, në kohën e të keqes së madhe, në Shqipërinë tonë që komunizmi pa din e pa imam e shpalli si vendi i vetëm ateist në botë, në vendin ku Zoti u përpoq të zëvendësohej me diktaturën e pashpirt dhe partinë moniste, në kohën kur besimi në Zot ndalohej së praktikuari dhe dënohej egërsisht. Në këtë vendin tonë të dashur e në atë kohë të mallkuar, Dervishi i Luzhës u kthye dhe u shndërrua në një dritë të pashuar dhe besimi plot shpresë.
Tyrbja ku prehet trupi i tij, është sot vend i shenjtë peligrinazhi për shqiptarët e të gjitha trojeve, brenda e jashtë kufijve shtetërorë, për bashkatdhetarët tanë të të gjitha besimeve. Sikurse në jetën e tij tokësore, edhe në jetën e përtejme, Rexhep Tarçuku, Dervishi i Luzhës, mbetet një shembull dhe faktor i madh bashkimi i shqiptarëve të të gjitha besimeve dhe origjinave. Pra ai përfaqëson simbolin e asaj vlere të madhe, e atij margaritari që karakterizon kombin tonë në qytetërimin e sotëm botëror të bashkëjetesës dhe respektit të të gjitha besimeve fetare. Luzha, ky fshat me bukuri të rralla është dhe do të jetë krenare me këtë njeri hyjnor që lindi dhe e mbajti në gjirin e vet, në tokën e saj të bekuar.
Për të gjitha këto arsye, por i bindur se Dervishi i Luzhës po na vëzhgon, ruan, përkujdeset dhe bekon nga atje lart, duke na ndriçuar plot dashuri dhe mirëdashje rrugëtimin tonë kombëtar, sot, në cilësinë e Kreut të Shtetit, me shumë thjeshtësi dhe përunjësi, po i akordoj Titullin e lartë sa fisnik, aq edhe domethënës: ‘Nder i Kombit’. I bekuar nga Zoti, qoftë Ai përjetë në jetën e përtejme! E bekuar qoftë toka që e lindi dhe e rriti!.

* Fjala e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani gjatë një ceremonie të zhvilluar dje në Tyrben e fshatit Luzhë të Bashkisë së Bajram Currit (Tropojë), ku vlerësoi Rexhep Tarçuk Balajn (Dervishin e Luzhës) (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”.

Dekorimi “Nderi i Kombit” me motivacionin

“Në vlerësim e nderim të veprimtarisë së tij të çmuar atdhetare si pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhe në veçanti, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm si klerik i shquar, bamirës zemërgjerë dhe edukues, duke mëkuar plot durim e përkushtim me vlerat e virtytet më të spikatura kombëtare banorët e Tropojës, Malësisë së Gjakovës e më gjerë”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY