Dëshmia e specialistit: Si i ndërtuam dy pallatet e Thumanës në 1988-ën,...

Dëshmia e specialistit: Si i ndërtuam dy pallatet e Thumanës në 1988-ën, kishte mungesa në materiale

225
0
Shares

Njeriu që flet dhe dëshmon më poshtë për Memorie.al është Mark Aliaj, ish-i burgosur dhe i përndjekur politik, i cili tregon lidhur me ndërtimin e dy pallatëve të Thumanës që u shëmbën para disa ditëve nga tërmeti i 26 nëntorit, duke zënë nën rrënoja dhjetra banorë të tyre dhe mbi 22 viktima.

Mark Alija pas viteve ’90-të ka shërbyer edhe si drejtor ndërmarrje në qytetin e Laçit, shef administrate në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë dhe si nënkryetar i Bashkisë së Mamurrasit për disa vjet.

*Shkeputur nga intervista e plote vetem pyetjet lidhur me Thumanën

Po te dy pallatet në Thumanë që u shëmbën nga i 26 nëntorit a keni punuar ju?

Kam punuar dhe i mbaj mënd shumë mirë kur janë ndërtuar, diku aty nga viti 1987-1988 apo dhe kanë përfunaduar më mos gaboj pak më vonë, nga ’89-ta.

Meqë jemi tek kjo pikë që paraqet mjaft interes për lexuesin, a mund të na thoni diçka më shumë si i kujtoni ndërtimin e tyre. Pra a mund të na jepni disa detaje më të hollësishme rreth ndërtimit të tyre?

Patjetër, me aq sa di dhe sa mbaj mënd do përpiqem t’ua shpjegoj. Ndërtimi i tyre që siç thashë pak më lart filloi diku aty nga viti 1987, në atë periudhë kohe kur shteti shqiptar kishte shkuar në pikën zero. Pra në atë kohë kishte shumë mungesa në të gjitha fushat e ekonomisë shqiptare, gjë e cila vihej re dhe në ndërtimet ku punonim ne, ku mungonte hekuri, çimentoja, dërrasat, tullat, bojrat e deri tek veglat e punës. Të gjitha këto mungonin ose ishin të një cilësie shumë të dobët. Kujtoj se gëlqerja me të cilën punonim ne bojaxhinjtë dhe bëhej edhe llaçi, ishte e skaduar pasi merrej nga mbeturinat e furrave të Krujës. Kjo gjë ndodhte pasi ajo e mira shkonte për banesa që ishin në qytet dhe Thumanës ku ishim ne i mbetej ajo gëlqere që ishte jashtë kushteve teknike për t’u përdorur dhe llaçi që bëhej me të kuptohej se nuk mund të ngjiste në bërjen e mureve apo suvave.

Po lëndët dhe materjalet e tjera të ndërtimit ashtu ishin, pra të asaj cilësie…?

Unë morra shëmbull vetëm gëlqeren pasi e njoh shumë mirë se kam qenë specialist si bojazhi me kategori të shtatë dhe në atë punë kam punuar për më shumë se tre dekada me rradhë në qindra objekte dhe pallate banimi. Por edhe të gjitha materialet e tjera të ndërtimit, si çimentoja, hekuri etj., ishin të një cilësie mjaft të dobët që normalisht nuk duhej të përdorej në ndërtim pallatesh. Lëndët e ndërtimit me cilësi të lartë shkonin për ndërtimin e bunkerë, qëndra zjarri, etj., vepra ushtarake dhe çfarë mbetej, përdorej për objekte civile.

Mbetemi tek dy pallatet e Thumanës dhe cilësia e dobët e materialeve të ndërtimit që thoni se u përdor atje…?!

Unë fola për cilësinë e dobët të materjaleve të ndërtimit, por nuk është vetëm kjo. Pra, cilësisë së dobët të materialeve të ndërtimit që u përdor për ndërtimin e atyre dy pallateve në Thumanë, duhet t’i shtojmë dhe sasinë e pakët që përdorej…

Konkretisht…?

Pra nuk futej i gjithë materjali ndërtimor që duhej si hekur, çimento etj., pasi në atë kohë jo vetëm që mungonin ato, por dhe ato që vinin shpërdoroheshin dhe bëheshin objekt vjedhjesh nga njerëz hallexhinj që u duheshin ato për shtëpitë e tyre. Kështu p.sh. dhe hekuri që ishte baza e ndërtimit të kollonave apo trarëve nuk futej i gjithi dhe ai që futej ishte me dimensione shumë herë më të vogla seç e kishte projekti. Pra, po marr një shëmbull: ku duhej hekur 18, mm. për kollona apo tratë, futej hekur 12 mm. apo dhe me dimension më të vogël.

Po brez antisizmik a kishin ato dy pallate në Thumanë?

Në dy pallatet e Thumanës nuk kishte brez antisizmik. Apsolutisht jo, aty mezi gjendeshin disa hekura, pasi kishte shpërdorime dhe vjedhje. Kjo gjë, pra vjedhja dhe shpërdorimi i materjaleve të ndërtimit në atë kohë ishte një fenomen që nuk mund të parandalohej, apo frenohej, pasi objektet e ndryshme, si banesa dhe pallate ishin të shpërndara kudo dhe një roje nate nuk kish ç’a t’u bënte. Ky ishte shteti i asaj kohe, i cili i kishte katandisur shtetasit e tij në atë gjëndje që ata detyroheshin të përvetësonin edhe lëndët e ndërtimit për të rregulluar apo meremetuar sadopak shtëpitë dhe oborret e tyre.

Po kur mungonin materjalet e ndërtimit apo ato ishin jashtë standarteve që kërkohej apo lejohej për ndërtimin e pallateve, ata që i zbatonin, inxhinjerë, teknikë, brigadier etj., pse lejonin që të bëhej pallati me to?!

Po kërkohej plani, drejtoria e ndërrmarjes kërkonte realizmin e planit se asaj ia kërkonte Komiteti Ekzekutiv, i cili jepte llogari para Komitetit të Partisë dhe kështu me rradhë deri në majën e shtetit. Çdo hallkë e shtetit kërkonte ta hiqte nga vetja përgjegjësinë dhe ajo hiqej vetëm duke realizuar planin në afatin e caktuar, ndryshe kishte konsekuenca. Pra, plani ishte si “Shpata e Demokleut” që u rrinte mbi kokë drejtuesëve të ndërmarrjeve asokohe dhe gjithë zinxhirit të hallkave të shtetit deri në majën e tij.

Nuk ka pasur asnjë rast, kur dikush të ketë ngritur zërin për mungesë materjalesh ndërtimi?

Më kujtohet një rast kur drejtori i Ndërrmarjes së Ndërtim Banesaave të Krujës, Sofokli Gjipali, një njeri i shkëlqyer erdhi për inspektim diku në një objekt që po ndërtohej dhe gjatë mbledhjes që u bë, na tha se për disa kohë do kishim mungesa materjalesh pasi ashtu ishte gjendja dhe sapo të vinin ato, duhet të mobilizoheshim për realizimin e planit dhe mbarimin në afat të objektit. Në këtë kohë u ngrit një specialist me origjinë nga Golloborda, Isuf Bala quhej dhe i tha: “Shoku drejtor, kur nuk ka materjale për punë, psërse shteti nuk na jep pasaporta që ne të ikim jashtë dhe të punojmë ku të ketë punë, se pa punë nuk jetohet”. Kjo që tha Isufi na ra si bombë të gjithëve dhe drejtori nuk iu përgjigj, por as problem nuk e bëri dhe kjo gjë u mbyll me kaq. Ajo fjalë të çonte në burg automatikisht, por qëlloi Sofokliu dhe Isufi nuk pati ansjë problem, pasi asnjë nga të tjerët nuk u ndie më për atë punë.

Mbetemi tek dy pallatet në Thumanës, edhe pse kishte gjithë ato mungesa që cituat më lart, a ju kërkohej mbarimi i tyre në afat?

Patjetër që na kërkohej. E mbaj mënd shumë mirë se u bë zhurmë e madhe që ato të mbaronin në afat dhe për vitin e ri 1989, në mos gaboj, ata duhet të ishin të mbaruara. Nga Komiteti i Partisë së rrethit, ishte dhënë urdhëri i prerë se “për vitin e ri, banesat duhet të ishin të mabruara dhe njerzit të futeshin brenda në shtëpitë e reja”. Dhe kështu ndodhi, ato u bënë si u bënë dhe u mbaruan për vitin e ri. Por cilësia e tyre ishte skandaloze dhe i dha “frytet” e hidhura tani me këtë tërmet që ra më 26 nëntor.

Pra ju mendoni se shkaku kryesor i shëmbjes së atyre dy pallateve në Thumanë, së pari është cilësia e dobët e materjaleve të ndërtimit që janë përdorur aty si dhe mos vënia e tyre e plotë sipas projektit, por me mungesa të mëdha?

Unë nuk jam as inxhiner as teknik specialist ndërtimesh, por me njohuritë që kam unë për aq vjet sa kam punuar në ndërtime, mendimi im, është se vetëm cilësia e dobët dhe mungesa e materjaleve të ndërtimit që u përdorën në ato dy pallate në Thumanë, çoi në shëmbjen e tyre nga tërmeti i 26 nëntorit që solli dhe gjithë atë katastrofë. Si mund t’i rezistoj një tërmeti një pallat apo banesë që ndërtohet pa brez antisizmik apo me materjale ndërtimi të një cilësie shumë të dobët apo me mungesa?!

//DRONI.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY