INTERVISTA/ Malltezi: Kjo është strategjia e PD-së për të ndaluar importin e...

INTERVISTA/ Malltezi: Kjo është strategjia e PD-së për të ndaluar importin e “mbetjeve”

55
0
Shares

Kreu i Departamentit të Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit pranë Partisë Demokratike, Jamarbër Malltezi në një intervistë për “BalkanWeb”, shpalos strategjinë e opozitës për të ndaluar importin e mbetjeve në Shqipëri.

Z.Malltezi, nisma e së majtës për importin e mbetjeve është një nga çështjet më të nxehta aktualisht. Së fundmi Presidenti Republikës Bujar Nishani ka rikthyer në Parlament projektligjin e importit të mbetjeve. Cili është qëndrimi juaj ndaj këtij ligji?

Përshëndesim qëndrimin parimor dhe sqarimet ligjore të Presidentit Nishani. Ne kërkojmë që së pari të dëgjohet fjala e qytetarëve përmes së drejtës për referendum, dhe vetëm më pas mund të flasin politikanë.

Në vitin 2011 qeveria e koalicionit të djathtë të kryesuar nga Partia Demokratike miratoi dispozitën ligjore sipas së cilës lejohej importi i mbetjeve. Pse tashmë ju jeni kundra importit të mbetjeve?

Ka disa faktorë, por dy janë më kryesoret: së pari është parimi kushtetues “një e drejtë e fituar nuk mund të mohohet pa gjyq apo pa një kompensim të drejtë”. Shqiptarët fituan të drejtën të mbajnë një referendum për këtë çështje. Nuk mund t’ua mohosh këtë të drejtë kushtetuese që siguroi 65,000 firma. Le të dëgjojmë demokracinë e drejtpërdrejtë për këtë çështje. Të vendoset direkt nga qytetarët. Si person që u përpoqa për të mbajtur disa referendume vendore për çështje mjedisore lokale dhe u pengova qëllimisht nga qeveria duke urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të bllokojë dhënien e formularit me pyetjen për të shkuar derë më derë për të mbledhur firmat, unë jam pro çdo referendumi pasi zvogëlon mundësinë e korrupsionit qeveritar. Së dyti, ky vend ka probleme të mëdha të kontrollit të kufijve dhe territorit. Fakti që është 1200-fishuar sipërfaqja me hashash tregon ose për një krim të organizuar shtetëror ose për më së paku një mungesë totale të kontrollit mbi territorin. Ndërkaq nëpër dogana qarkullojnë tonelata hashash çdo ditë që kapen nëpër vendet fqinje dhe ka një evazion galopant saqë detyron qeverinë të ndërrojë drejtorët e doganës çdo vit. Në një situatë të tillë kush siguron që mbetjet do të importohen sipas katalogut, pa asnjë shkelje ligjore, pa asnjë mbetje të rrezikshme të përzier, dhe do të trajtohen sipas standardeve më të mira evropiane? Një arsye tjetër ishte edhe një shkrim serioz i gazetarit Altin Raxhimi para dy vitesh që raportoi për situatën shumë problematike me krijimin e 10,000 tonë mbetje të rrezikshme në Elbasan ndonëse nuk lejoheshin as ato të Listës së Gjelbër.

Cilat ishin llojet e mbetjeve që lejoheshin të importoheshin në Shqipëri që nga miratimi i ligjit në 2011 e deri në shfuqizimin e tij nga qeveria e majtë në 2013? A ishin ato pjesë të Listës së Gjelbër?

Të gjitha mbetjet që u lejuan në Shqipëri pas miratimit të ligjit në 2011 kanë qenë pjesë e Listës së Gjelbër të Bashkimit Evropian. Interesant është fakti që në mungesë të ligjit kufizues deri në vitin 2011 importoheshin lloj-lloj mbetjesh, dhe pikërisht në vitin 2011 kur u miratua ligji që kufizoi importin e mbetjeve në veç 55 (dhe më pas veç 25) nga Lista e Gjelber, atëherë “çuditërisht” pati reagim se kinse po lejoheshin mbetjet.

Si u hartua ligji për menaxhimin e mbetjeve në vitin 2011, ku përfshihej edhe importi i mbetjeve? Pse tashmë ka një kundërshti ndaj klauzolës që lejon importin e mbetjeve?

Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve u hartua përmes një projekti me fonde të Komisionit Evropian. Patëm disa diskutime me profesionistë të fushës dhe në fund shumica mendoi se meqë e kanë propozuar këta të komisionit, ata i dinë kapacitetet tona dhe nuk besojmë të jetë problem. Por kur në kulmin e ndalimit të çdo lloj mbetjeje (qofte edhe ato të Listës së Gjelbër) në dhjetor të vitit 2014, gazetari Altin Raxhimi publikoi shkrimin “Mali me plehra që i nxjerr bojën qeverise” ku tregonte sesi 10,000 tonë mbetje të rrezikshme ishin grumbulluar pranë Shkumbinit nga një importues skrapi. Kjo ishte një kambanë alarmi për këdo dhe bëri shume njerëz të reflektojnë. Nevojitet të jemi të sinqertë dhe transparentë për çështjet mjedisore se ndikojnë mbi ne dhe fëmijët tanë pa dallim politik.

Kryeministri Edi Rama është shprehur se mbetjet e importuara do të jenë vetëm plastikë, dru, letër dhe alumin? Cila është garancia që do të importohen vetëm këto mbetje nëse miratohet ligji?

Siç na e kanë sqaruar vetë drejtoreshat e qeverisë “plani dhe realiteti në Shqipëri nuk përkojnë asnjëherë”. Ne parim nuk do duhej të kishim problematikë të nxehtë, por shihni çfarë ka ndodhur në Elbasan. Ne kulmin e ndalimit të çdo lloj mbetjeje në Shqiperi në dhjetor të vitit 2014, gazetari Altin Raxhimi tregoi se si në Elbasan ishte bërë një mal me 10,000 ton mbetje të rrezikshme! Kompania “Kurum” importonte skrap hekuri që është mbetje e Listë së Gjelber (në vitin 2013 mazhoranca e ndaloi importin e mbetjeve) dhe konsiderohet thjesht “Lëndë e parë”. Por kjo “lëndë e parë” ishte e përzier me mbetje të rrezikshme (nuk ishin as mbetje të Listës së Gjelbër) dhe për pasojë ne kemi një mal prej 1000 kamionësh, nga 10 ton secili, mbetje të rrezikshme. Ku do të shkojë kjo sasi? Ne nuk kemi asnjë kapacitet për të trajtuar sipas standardeve evropiane mbetjet e rrezikshme. Çfarë mund të ndodhë nëse mafia ndërkombëtare dëshiron të heqë mbetjet e saj të rrezikshme dhe i përzien ato për shembull me ashkla druri? Mund të futen në Shqipëri nën etiketën “ashkla druri” por në të vërtetë ne marrim mbetje të rrezikshme. A kemi garanci që këto do t’i ndalojë një doganier i keqpaguar, pa trajnim, pa mjetet e nevojshme, pa laborator?

Nëse dispozita ligjore për importin e mbetjeve hyn ne fuqi, çfarë ndodh me firmat që janë mbledhur për referendumin kundër importit të mbetjeve më parë ndërsa Partia Socialiste ishte në opozitë? A mund të kemi referendum?

E drejta për referendum për çështjen e importit të mbetjeve është një e drejtë kushtetuese e fituar përmes mbledhjes së 65,000 firmave të qytetarëve për të cilat Partia Socialiste dha një ndihmë të madhe në opozitë. Ne mendojmë se zëri i qytetarëve duhet dëgjuar plotësisht dhe nuk duhen tradhtuar qytetarët. Ai referendum nuk mund të mbahet më për arsye ligjore procedurale. Ndonëse Partia Demokratike në vitin 2013 kishte mendim ndryshe për këtë çështje, është në nderin e PD-së që mundësoi mbajtjen e referendumit, që të dëgjohej zëri i qytetarëve. Krejt ndryshe nga veprimi i PS-LSI në vitin 2016 që urdhëruan KQZ-në të mos miratojë asnjë format për referendum vendor për mbrojtjen e parqeve të Tiranës. Partia Demokratike ka kontaktuar me shumë faktorë politikë dhe të shoqërisë civile dhe ka bërë të qartë qëndrimin e saj pro dekretit të Presidentit dhe për referendum që të dëgjohet zëri i qytetarëve në këtë çështje. Qeveria aktuale po fshihet si struci për të mos lejuar mbajtjen e referendumit dhe kjo është dëshpëruese. Ndërkaq, PD-ja ka depozituar në Kuvend një kërkesë me 28 firma deputetësh për të mbajtur referendum për këtë çështje. Mendoj se ky është një qëndrim dinjitoz. Pyetja mund të jetë e njëjtë me pyetjen për të cilën Partia Socialiste në opozitë angazhoi strukturat për të mbledhur firmat në vitin 2013.

Kryeministri Rama këmbëngul se mbetjet që do të importohen do të përdoren për riciklim. Cilat janë substancat e dëmshme që krijohen kur riciklohen, ato mbetje që pretendohet nga mazhoranca se do të lejohen të importohen dhe si ndikojnë në shëndetin e njeriut?

Çdo proces ka rendimentin e vet dhe firot e veta në varësi të pastërtisë së mbetjeve që do të përdoren, teknologjisë së përpunimit dhe cilësisë së pajisjeve të ricikluesve. Mbetjet e mbetjeve natyrisht që janë mbetje të rrezikshme, por nuk është ky problemi i vetëm. Probleme shumë herë me kryesorë janë: (1) rreziku i futjes së mbetjeve të rrezikshme duke u përzier edhe nën etiketën e mbetjeve të Listës së Gjelbër, dhe (2) futja e mbetjeve për gjenerim energjie, gjë që ka shkaktuar revolta dhe protesta në fshatrat e Fierit së fundmi.

Në 3 progres-raportet e fundit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë (nga viti 2013 deri në vitin 2015), në kapitullin 47 “Mjedisi dhe ndryshimi i klimës”, të çdo progres-raporti përkatës thuhet se: “Pjesa më e madhe e mbetjeve vazhdojnë të hidhen, asgjësohen ose digjen në mënyrë të jo të sigurtë në vendgrumbulli (landfile) si të ligjshme ashtu edhe të paligjshme”. Cili është mesazhi që marrim nga kjo gjë në lidhje me menaxhimin e mbetjeve?

Për fat të keq është e vërtetë që kemi një situate kaotike me mbetjet urbane. Por çfarë po bën qeveria lidhur me këtë? Thuajse asgjë. Po i jep nga taksat tona 9 milionë euro një italiani pa emër, pa fytyrë, pa numër, qe nuk ka asgjë përveç një kompanie të regjistruar me më pak se 1000 euro dhe me premtimin “për kokë të mamit” se do të ndërtojë incinerator për mbetjet urbane te Elbasanit. Afere shume e rende korruptive, ku kinse u be nje tender dhe brenda ditesh u kaluan 8 procedura qe normalisht marrin 8 muaj. Ose shihni aferën që çoi në vdekjen e Ardit Gjoklaj në Sharrë. Fshehurazi u fut një “no-name” nga Peqini për kinse riciklim kur mund të ishin angazhuar ricikluesit që kanë investuar në fabrika serioze riciklimi. Pastaj, shihini kontratën e fshehtë të Bashkisë së Tiranës me disa italianë dhe shqiptarë të dyshimtë, ku do të paguheshin mbi 108 milionë euro nga taksat tona për 16 vitet e ardhshme. Pse mos kemi një proces transparent dhe me përfshirje të ricikluesve për mbetjet brenda vendit?

Kryeministri Rama është shprehur se mbetjet e importuara nuk do të digjen. Ndërkaq në projektligjin për importin e mbetjeve thuhet se mbetjet e importuara do të përdoren “për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvendësues, të lëndëve të tjera nga burime jo `të rinovueshme, që përdoren nga industria”. A do të thotë kjo se mbetjet e importuara do të përdoren për të krijuar energji apo për rikuperim energjie?

Problemet me kryesor janë (1) rreziku i futjes së mbetjeve të rrezikshme duke u përzier dhe nën etiketën e mbetjeve të Listës së Gjelbër, dhe (2) futja e mbetjeve për gjenerim energjie.

Duket se ricikluesit po përdoren si “Harenga e kuqe” kur ne fakt ligji për të lejuar importin duket se ka si synim pikërisht ngritjen e inceneratorëve për prodhim energjie përmes mbetjeve të importit. Qeveria deri tani ka paguar një Italian të dyshimtë gati 9 milionë euro për një incinerator që do të djegë “plehrat” në qytetin me ajrin më të ndotur në Shqipëri, pa kryer asnjë studim paraprak të modelimit të çlirimit të tymrave dhe gazeve. Ndërkaq në Fier qeveria po rreh banorët që kundërshtojnë praktikat korruptive të qeverisë që do të ndërtojë incinerator për djegie “plehrash”.

Intervistoi Ilir Sinanaj

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY