BUJAR LESKAJ/ Jetë e pastër

BUJAR LESKAJ/ Jetë e pastër

133
0
Shares

Java e Hapur për Qytetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit u çel si aktivitet më datën 28 tetor 2016, me një ligjëratë të prof. Sang M. Lee (University Eminent Scholar dhe Regents Distinguished University Professor Emeritus) të Universitetit të Nebraskës, SHBA, me temë “Inovacioni për krijimin e një shoqërie të zgjuar në epokën dixhitale”, mbajtur me audituesit e KLSH në Akademinë e Shkencave.
Ky personalitet nuk përfaqëson vetëm thjesht një mik të shtrenjtë të Shqipërisë, profesoratit dhe studentëve shqiptarë të shkencave ekonomike. Krahas së qenët nismëtar i Programit të parë Master (MBA) në Shqipëri në vitin 1996, dr. Lee është një ekspert i njohur ndërkombëtarisht në fushën e shkencave të vendimmarrjes, në menaxhimin e produktivitetit, në inovacionin e veprimeve dhe në strategjinë globale.
Puna e tij prej pionieri në Programimin e Qëllimit për Vendimmarrjen Objektive të Shumëfishtë është e njohur gjerësisht në të gjithë botën. Hulumtimet e tij në ekonomitë në tranzicion, në zhvillimin e organizatave të klasit botëror, në krijimin e disiplinës shkencore të Convergenomics-it (e cila trajton megatrendet e sotme të mënyrës se si njerëzit sillen dhe organizatat punojnë- http://cbafiles .unl.edu/public/cbainternal/ facStaffUploads/ Convergenomics.pdf ), si dhe në inovacionin e hapur, janë botuar gjerësisht.
Ai është autor ose bashkautor i 70 librave deri në muajin tetor 2016, një pjesë e mirë e të cilëve kanë njohur ribotime të shumta. Prof. Lee është po ashtu autor dhe bashkautor i 340 studimeve, profileve, artikujve dhe eseve në dhjetëra e dhjetëra revista shkencore të mirënjohura në mbarë botën, si Academy of Management Journal(4), AIIE Transactions(3), California Management Review, Communication of the ACM(2), Decision Sciences(6), European Journal of Operational Research(4), Financial Management, Financial Management, Interfaces(3), International Journal of Electronic Commerce, International Journal of Knowledge Management(2), International Journal of Operations and Production Management(4), International Journal of Production Research(4), International Journal of Public Administration), Journal of Applied Psychology, Journal of Chemical Engineering, Journal of Finance, Journal of Marketing, Journal of Marketing Research, Journal of MIS(2), Journal of Money Credit and Banking, Journal of Operational Research Society(8), Journal of Operations Management(2), Journal of Portfolio Management, Journal of Risk and Insurance, Journal of World Business, Management Science(6), MIT Sloan Management Review, Policy Sciences, etj. Krahas librave, studimeve dhe artikujve, prof. Lee ka kontribuar dhe me 700 fjalime në dhjetëra kongrese, konferenca, seminare, tryeza të rrumbullakëta dhe takime shkencore në mbarë botën.
Profesor Sang M. Lee është aktualisht Studiues i Shquar Universiteti (University Eminent Scholar), Profesor i Dalluar Regjent Universiteti (Regents Distinguished University Professor)-tituj jo vetëm honorifikë universitarë, si dhe drejtor ekzekutiv i disa instituteve kërkimore në Universitetin e Nebraska-Lincoln. Ai ka shërbyer gjithashtu si profesor i menaxhimit në Institutin Politeknik të Virxhinias dhe Universitetit Shtetëror para se të vinte në Universitetin e Nebraskës.
Prof. Lee ka shërbyer si president i Institutit të Shkencave të Vendimmarrjes (BDI) dhe është kryetar i Shoqatës së Biznesit PanPaqësor, një shoqatë ndërkombëtare shkencore, me mbi 4,000 anëtarë në 35 vende. Ai ka organizuar 36 konferenca ndërkombëtare si kryetar programi dhe është kryeredaktor i revistës “Service Business: An International Journal”. Por prof. Sang Lee nuk ka vetëm dimensionin e studiuesit dhe prodhimtarit të ideve dhe librave. Ai ka aftësitë e një drejtuesi, ka udhëhequr programe zhvillimi dhe ndihmuar me mijëra studiues të rinj të talentuar në mbarë botën.
Kështu, për shembull, ka drejtuar disa projekte të mëdha globale, të financuara nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve, nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, nga Fondacioni “Soros” etj. Prof. Lee ka ngritur qendra të shumta të reja studimesh shkencore menaxherialiteti me programe globale bashkëpunuese në Azinë Qendrore dhe Juglindore, programin e Ph. D. në Universitetin e Bangkokut në Tajlandë, etj. Ka marrë katër Doktoratura Nderi për kontributin e tij në arsimin dhe shkencën e menaxhimit të biznesit global. Ky shkencëtar ka një dimension të pashoq në përhapjen e dijeve në të mirë të cilësdo qendër studimi dhe kërkimi shkencor ekonomik në botë, që është e hapur për bashkëpunim.
Gjatë gjithë jetës së tij aktive, prof. Lee ka vizituar me këtë qëllim 150 universitete në 70 vende të ndryshme në botë. Kontributi i tij për zhvillimin e mendimit shkencor ekonomik shqiptar është i pakrahasueshëm. Sikurse e përshkruan vetë prof. Lee në një artikull të tij botuar në revistën “Journal for East European Management Studies (JEEMS)”, eksperienca e tij me Shqipërinë nisi me vizitën e parë në dhjetor 1991. Më tej, gjatë vitit 1992, kontributi i këtij personaliteti shkon duke u rritur dhe konkretizuar.
Një përmasë interesante e eksperiencës së tij në Shqipëri jepet nga një mik i tij koleg, që e shoqëroi në misionet e Universitetit të Nebraskës për të sjellë shpresë dhe shkencën e menaxhimit edhe në vendin tonë: “ Nëpër rrugë të errëta dhe të pasigurta, duke mbajtur takime me Presidentin e vendit dhe me Kardinalin e vetëm shqiptar(i cili e ka kaluar gjithë jetën e tij në burg si i persekutuar për shkak të fesë), duke pranuar falënderime nga shqiptarët për mesazhin tonë të shpresës nëpërmjet zhvillimit ekonomik dhe atij menaxherial, duke lidhur miqë- si të ngushta me shqiptarë shoferë, roje, kamerierë dhe studentë, deri te profesorë fakultetesh, politikanë, sipërmarrës dhe ministra-kjo ishte puna bashkëpunuese me një shkencëtar dhe njeri të madh si Sang Lee ” (Nga kujtimet e Fred Luthans, punonjës i Nebraska University). Më tej ai vazhdon: “Sa herë ne shkurajoheshim dhe lodheshim nga puna jonë në Shqipëri, Sang na thoshte:Fred, ky është momenti që ne të kthejmë diçka nga ajo që kemi fituar !”.
Prof. Metofusa Murayajama , Ph. D., Universiteti Kombëtar i Chuba, Japoni, shprehet për Sang: “Ai është njeri veprimi, përtej kufizimeve. Më duket se respekti që gëzon pavarësisht pengesave, është burimi i energjisë, i cili aktivizon motivimin e tij për vetëflijim në përfitim të akademikëve ndërkombëtarë dhe profesionistëve të tjerë në arenën tonë globale ”. Në vitin 1996, me iniciativën personale të prof. Lee dhe me ndihmën e programeve të USAID, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë startoi programin e parë Master në Shqipëri, në bashkëpunim me Universitetin e Nebraskës, kampusi “Lincoln”.
Fillimisht lëndët e Masterit për Administrim Biznesi jepeshin në gjuhën angleze nga profesorë amerikanë dhe shqiptarë, pastaj programi u dha krejtësisht në gjuhën shqipe. Me kontributin personal të profesorit gjatë më shumë se një dekade janë trajnuar, specializuar dhe laureuar pranë Universitetit të Nebraskës me qindra studiues, përfaqësues nga profesorati dhe studentë shqiptarë.
Kam pasur fatin të specializohem edhe unë pranë këtij universiteti të njohur në botë dhe të ndiej nga afër mikpritjen dhe interesimin e jashtëzakonshëm të një personaliteti si prof. Lee.
Në një bisedë përgjatë ligjëratës, i pyetur se ku qëndron sekreti i gjithë këtyre arritjeve shkencore, profesori u përgjigj :”Një jetë e pastër”. Teoricieni i famshëm i lidershipit, Warren Benniot, ka identifikuar se çfarë presin nëpunësit (kolegët) nga drejtuesit e tyre: vizion/qëllim, besim, optimizëm dhe veprime/rezultate.
Në botë janë të rrallë ata që i personifikojnë më së miri këto katër karakteristika dhe një prej tyre është pa dyshim prof. Sang Lee, një prind, bashkëshort, vëlla, koleg, shkencëtar, hulumtues dhe mik i mrekullueshëm. Stili i jetës akademike të profesorit ka trajtat e një familjeje globale.
Metodologjitë e tij në shkencat e sjelljes janë gjithnjë të përzemërta, edhe pse ai vetë është tepër shkencor dhe objektiv. Edhe pse në moshën 77 vjeç, prof. Lee është aktiv dhe kontribuues me dijet, njohjet dhe mesazhet e tij kudo në botë. Po në këtë muaj, më 25 tetor, ai prezantoi librin e tij të 70-të në Universitetin “Kolegji UBT” në Prishtinë, Kosovë, me temë “Imperativi i inovacionit në Epokën Dixhitale”, ndërkohë që librin e parë e ka botuar në vitin 1972.
Profesorati shqiptar i Universitetit të Tiranës, sidomos i Fakultetit të Ekonomisë, por edhe me dhjetëra e dhjetëra studiues të tjerë dhe studentë shqiptarë të programit Master, do t’i jenë përjetë mirënjohës këtij personaliteti të madh ndërkombëtar që transformoi shumë shkolla ekonomike në botë, për kontributin e jashtëzakonshëm që dha në pasurimin e dijeve të tyre, si dhe në evoluimin e shkencës shqiptare të menaxhimit.
Presidenti i Republikës Bujar Nishani, duke i akorduar profesor Lee më 28 tetor 2016 Medaljen “Për Merita të Shquara në zhvillimin e arsimit të lartë ekonomik në Shqipëri”, u shpreh: “Në dekadat e fundit mund të thuhet pa hezitim se prof. Sang M. Lee është personaliteti ndërkombëtar që ka i dhënë më shumë shkencës dhe kërkimit të aplikuar shqiptar në fushën e ekonomisë dhe menaxhimit”. /Panorama/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY