Arben Ristani: Aksioni ynë politikë, që nga bojkoti në Kuvend e deri...

Arben Ristani: Aksioni ynë politikë, që nga bojkoti në Kuvend e deri te protestat e fuqishme

62
0
Shares

Arben Ristani, sekretari i përgjithshëm i PD-së, vlerëson modelin që po ndjek kreu demokrat, Lulzim Basha, me të vetmen kritikë, se ai nuk po përdor çdo lloj mjeti për të rrëzuar sa më shpejt Edi Ramën nga pushteti.

Në intervistë për “GazetënShqiptare”, z. Ristani zbardh skenarin e PD-së në përballjen me Ramën, që nga bojkoti së shpejti i Kuvendit e deri te protestat e fuqishme. Zyrtari i lartë demokrat tregon se PD-ja është në fazën e diskutimit dhe konsultimit më të gjerë të mundshëm, jo vetëm me forumet e saj, por edhe me shoqërinë civile dhe personalitete të shquara të paangazhuara politikisht për të shkuar drejt qëllimit të saj.

“Një gjë është e qartë: PD-ja është e vendosur të përdorë të gjitha mjetet demokratike për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Me Edi Ramën kjo është e pamundur”, – shprehet z.Ristani.

Z. Ristani, çfarë po e pengon PD-në që të rikthehet sërish te fitorja, nisur nga dy rezultatet e fundit zgjedhore?

Ajo që pengon sot shqiptarët, ajo që është kthyer fatkeqësisht në turpin e Shqipërisë, droga, krimi, korrupsioni. Nuk shtrohet më çështja kur do të rikthehet PD-ja te fitorja, por kur do të rikthehet sistemi politik që të funksionojë përsëri. Kur do të rikthehet mundësia për të bërë zgjedhje të çliruara nga droga, nga krimi, nga pushteti i deformuar. PD, opozita dhe të gjithë qytetarët kanë përballë jo vetëm një pushtet të korruptuar deri në palcë, por një pushtet të krimit dhe drogës dhe këtë e dinë edhe vetë socialistët, të cilët tashmë po e thonë me zë të lartë. Sot s’ka njeri që nuk e di që me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje, nuk ka votë të lirë. Këtë e dëshmoi në 2015 dhe në mënyrë të hapur në 2016 me zgjedhjet në Dibër. Kjo është e shkruar e zezë mbi të bardhë edhe në raportin e OSBE/ODIHR. Në kushtet kur s’ka mbajtur asnjë premtim, Edi Rama shpreson që pushtetin t’ia sigurojnë paratë e drogës dhe korrupsionit, shantazhi i krimit dhe presioni i pushtetit. Prandaj, një vit para zgjedhjeve është 5-fishuar sipërfaqja e mbjellë me drogë, prandaj Edi Rama i mbron Roshin, Bushin, Prengën, mban afër dhe Ndokës i beson PS-në e Lezhës. A mund të ketë në një shtet serioz rast të ngjashëm me atë të Roshit? I dënuar për përdhunim në grup në Itali, jep dorëheqje, kryeministri bën sikur e pranon dorëheqjen nga një anë dhe nga ana tjetër e detyron Roshin të japë dorëheqje nga dorëheqja e të vazhdojë të jetë kryebashkiak. E si mund të flasim për zgjedhje, për vullnet zgjedhësish, kur telefonohen nga ISSH pensionistët e u thuhet do t’u hiqet pensioni siç ndodhi në Dibër? Zgjedhjet e 2015-ës dhe zgjedhjet e Dibrës ishin mësimi me i madh jo vetëm për Partinë Demokratike, por për çdo qytetar se, me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, me Edi Ramën nuk do të ketë zgjedhje.

Atëherë, pse fajësohet dhe sulmohet kaq shumë kreu Lulzim Basha edhe nga të vetët?

Në fakt, unë shoh krejt të kundërtën e asaj që pohoni ju. Unë shoh një bashkim të madh, më të madhin deri më sot të demokratëve rreth kryetarit Basha, rreth vizionit të tij europian të drejtimit të partisë dhe alternativave që kjo forcë politike po jep ditë për ditë për nxjerrjen e vendit nga kriza ku e ka futur Edi Rama. Z. Basha ka sjellë një model të ri në politikëbërje. Ndryshe nga modeli që jemi mësuar deri më sot. Forcimi i anëtarit të partisë, vendimmarrja kolegjiale dhe pjesëmarrja e kryetarit në ballë të çdo beteje është modeli që ofron Basha. Asnjëherë më parë një forcë opozitare nuk ka arritur të japë një kontribut kaq të madh për shoqërinë sa po jep PD-ja nën drejtimin e Lulzim Bashës. Pastrimi i shtetit dhe politikës nga kriminelët dhe reforma për një drejtësi të pakapur që të japë drejtësi dhe jo të mbrojë të korruptuarit e qeverisë janë dy reformat më të mëdha të ndërmarra në vend, me protagonist kryesor Lulzim Bashën dhe PD.

Megjithatë ka kritika ndaj tij…

Nga të vetët e Bashës vjen vetëm një kritikë, pse nuk përdor çdo mjet për të rrëzuar sa më shpejt Ramën. Por, Basha është një lider me qasje perëndimore dhe kjo nuk është dobësi, por vlerë. Natyrisht, Basha merr goditje dhe sulmohet nga Rama dhe të vetët e tij. Dhe u jap plotësisht të drejtë, sepse fal Lulzim Bashës, sot e gjithë bota e di se modeli i Ramës janë kriminelët, se me Ramën Shqipëria u kthye në Kolumbi, se buxhetin e shtetit Rama ua shpërndan 20 miqve të tij, se Edi Rama donte të kapte drejtësinë për të mbrojtur këta kriminelë dhe të korruptuar që i ka mbledhur në pushtetin e tij.

A kanë të drejtë kritikët e Bashës në PD kur vënë në diskutim pozicionin e tij si lidership i partisë?

Unë nuk besoj se ka një demokrat, që nga anëtari i thjeshtë deri tek drejtuesit e lartë të partisë që vënë në diskutim lidershipin e Bashës. Ai është një shembull për çdo njeri që i futet politikës për të kontribuar dhe jo për të përfituar. Basha është një model frymëzimi për çdo të ri dhe kjo shihet tek rritja me 30 për qind e të rinjve të anëtarësuar në PD dhe tek mundësia që ai u jep për të garuar për funksione drejtuese, për të bërë karrierë politike përmes votës. E njëjta gjë është bërë me kryetarët e degëve. Nëse një lider nuk jep shembullin e funksionimit të demokracisë në partinë e tij, si mund ta garantojë demokracinë në qeverisjen e vendit?

Pavarësisht kësaj, ka një grup kritizerësh që kërkojnë rishikimin e pozicionit të z. Basha, por cila është pesha e tyre brenda PD-së?

Debatet, diskutimet i vlejnë çdo partie politike. Këto diskutime dhe debate, përtej sensacionit mediatik dhe nevojës suaj për të mbushur gazetat, apo edicionet e lajmeve, janë normale dhe duhet të konsiderohen të tilla. Basha ka qenë shumë mirëkuptues dhe i hapur ndaj çdo qëndrimi ndryshe, pavarësisht se sa racionale kanë qenë. Kjo vetëm sa konfirmon edhe më shumë atë që ju thashë që në nisje, se modeli europian i Bashës bën diferencën dhe kjo shihet edhe tek dëgjimi me vëmendje, si dhe marrja në konsideratë e mendimeve dhe sugjerimeve me qasje dhe frymëzime të ndryshme.

Çfarë strategjie po ndjek PD-ja për t’u rikthyer sërish në pushtet? Dhe, si po e rifiton ajo besimin e shqiptarëve?

Aleancë me qytetarët. Bashkim i vlerave kundër antivlerave që kanë uzurpuar pushtetin. Qytetarët kërkojnë të shpëtojnë nga kjo qeveri, nga ky pushtet dhe PD-ja do t’u prijë atyre me vendosmëri, duke u dhënë shpresën se Shqipëria mund dhe do të jetë vendi ku duam dhe do të jetojnë. Këtë gjë PD dhe Lulzim Basha po e bëjnë kudo, duke takuar, dëgjuar dhe bashkëbiseduar me çdo qytetar.

Kreu i PD-së ka ftuar çdokënd që është kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama që t’i bashkohet opozitës. Çfarë nënkupton kjo thirrje dhe si do të afrohen partitë apo individët që refuzojnë Ramën?

Thirrja është shumë e qartë. Çdokush që sot e gjen veten të abuzuar nga ky pushtet, dhe këta janë shumica e qytetarëve, le t’i bashkohet PD-së dhe opozitës. Çdokush që sot e sheh veten të papërfaqësuar nga ky pushtet dhe këtu hyjnë shumica e qytetarëve, përfshi votuesit e majtë, le të bashkohet me PD dhe opozitën. Çdokush që nuk pajtohet me arrogancën, abuzimin, korrupsionin, kriminalizimin, kanabizimin e shoqërisë dhe këtu besoj hyn çdo qytetar i përgjegjshëm dhe i vetëdijshëm për atë çfarë po ndodh, le t’i bashkohet PD-së dhe opozitës. Vetëm kështu qytetarët do të mund të ndryshojnë drejtimin e mbrapshtë të gjërave. PD dhe Lulzim Basha e kanë bërë të qartë projektin e tyre, fuqizimi i qytetarit, bërjen e tij pjesë të vendimmarrjes. Vetëm kështu qeveritë do të adresojnë drejt zgjidhjet për situatën e krijuar. Edi Rama e ka dëshmuar tashmë se shqetësimi i tij është vetëm pushteti dhe jo qytetari.

Konkretisht, kujt i drejtohet z. Basha kur thotë: Të bashkuar për t’u përballur me të keqen?

U drejtohet qytetarëve që të bashkohen. Kjo ftesë nuk është që qytetarët t’i bashkohen një alternative politike, që koha e sjell të jetë e nevojshme. Jo, kjo ftesë kalon përmasat e forcave politike në kuptimin konvencional të tyre si e majtë apo e djathtë. Ftesa është që të rikthejmë gjërat në rendin e tyre. Kjo ftesë është që të rikthejmë sistemin politik në shinat që e parashikojnë parimet e demokracisë. Përballë nuk është një alternativë qeverisjeje. Përballë është një e keqe që po shkatërron Shqipërinë, që po rrënon shtëpinë e përbashkët të çdo qytetari, i majtë apo i djathtë. Kriminalët në parlament dhe administratë janë një e keqe për këdo. Kanabisi që po mbulon të gjithë vendin është një e keqe për këdo. Kapja e institucioneve nga ky pushtet është një e keqe për këdo. Krijimi i një kaste miqsh e ortakësh, përfitues abuzivë të parave publike është një e keqe për këdo. Kjo ftesë natyrisht vlen edhe për partitë politike që janë kundër drogës, kriminalizimit të pushtetit dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Si do të krijohet aleanca e gjerë kundër qeverisë “Rama”, referuar deklaratës së z. Basha që strukturat e partisë të punojnë dhe të jenë të hapura për bashkëpunim me faktorë të tjerë politikë dhe jopolitikë, me qëllim krijimin e një aleance të gjerë kundër qeverisë?

E para, detyrë e PD-së ka qenë ndërgjegjësimi i shoqërisë për degradimin e përditshëm dhe të pandalshëm. Përditë PD-ja nuk ka reshtur së denoncuari këtë pushtet që mbahet në këmbë nga kriminelë dhe oligarkët rreth Edi Ramës. Dhe ia ka dalë. Sot edhe partitë e koalicionit dhe individë të ndryshëm po i thonë me zë të lartë ato që PD-ja i ka denoncuar prej më shumë se një viti. E dyta, detyrë e PD-së është të ftojë këdo që e sheh veten në anën e kundërt me këtë pushtet të rreshtohet me opozitën. PD çdo ditë po farkëton guximin qytetar si shpresën e vetme, që demokracia të triumfojë mbi pushtetin që përhap frikën, pasigurinë, kërcënimin me varfërinë, ose poshtërimin me blerjen e votës. E treta, detyrë e PD-së është që të japë besimin e palëkundur te çdo qytetar se nuk do të ndihet kurrë i abuzuar dhe i tradhtuar në kontributin e vet për të rikthyer vlerat dhe garancitë e sistemit politik, ku në rend të parë është vota.

Z. Basha është shprehur se detyrë kryesore e opozitës është largimi i Edi Ramës nga pushteti. Si do të ndodhë një gjë e tillë?

Një aleancë e gjerë dhe e vendosur me qytetarët dhe me të gjithë partnerët me të cilët ndajmë vlerat e demokracisë do të jetë forca e pandalshme, që do të sjellë largimin e Edi Ramës. Ky është një parakusht që në Shqipëri të ketë zgjedhje. Që qytetarët të votojnë për alternativën që u jep shpresë dhe besim. PD është në fazën e diskutimit dhe konsultimit më të gjerë të mundshëm, jo vetëm me forumet e saj, por edhe me shoqërinë civile dhe personalitete të shquara të paangazhuara politikisht. Një gjë është e qartë. PD-ja është e vendosur të përdorë të gjitha mjetet demokratike për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Me Edi Ramën, kjo është e pamundur.

A do të ketë bojkot të parlamentit?

Parlamenti ka humbur çdo lloj legjitimiteti. Më e rënda është se po bjerret çdo ditë edhe serioziteti. Qytetarët janë të detyruar të dëgjojnë Edi Ramën, me fjalorin e tij vulgar e seksist. Një fjalor rruge, që shan e fyen këdo që i vë në dukje dështimet e tij, pasi s’ka asnjë argument të faktojë të kundërtën. Mazhoranca e ka kthyer parlamentin në noter të akteve korruptive të Edi Ramës, siç ishte ligji i mbetjeve, për të cilin edhe pse u betua se kurrë nuk do ta lejonte, tani e mbron me pasionin më të madh. Nga arenë e debatit qytetar, Edi Rama e ka kthyer këtë parlament në një strehë të krimit, të biznesmenëve klientë, me të cilët ndan paratë e buxhetit të shtetit dhe përmes vendimeve të tij antiligjore kërkon të kontrollojë të gjitha hallkat e pushtetit, siç bëri edhe me ligjet e drejtësisë, pasi humbi betejën kushtetuese. Njerëzit zakonisht e mbyllin jetën publike atje ku e kanë filluar. Edhe Edi Rama po kthehet si dikur, një gastor pa shije, një njeri që kërkon me çdo kusht të sillet si laç dhe t’i hyjë në zemër të fortëve që mbledh përreth. Por, ne nuk mund ta shoqërojmë Ramën në aktin e fundit të degradimit të tij. Bojkoti, braktisja përfundimtare e këtij parlamenti është një opsion, i cili për mendimin tim, duhet të zbatohet sa më parë. Ai institucion nuk po prodhon asnjë të mirë për qytetarët.

Kur do rinisin protestat dhe sa do të jenë efektive ato?

Protesta është një mjet që ne si PD e kemi në ADN-në tonë. Ne kemi lindur nga protesta dhe nga përballja me të keqen. Ne gjatë këtyre tre vjetëve kemi protestuar shumë herë dhe për shumë kauza. Me protestat tona kemi dëshmuar që nuk pajtohemi me asnjë abuzim të pushtetit. Protestat kanë ardhur në rritje të tonusit, por edhe të pjesëmarrjes. Ne e denoncuam blerjen e votës në Korçë vetëm 2 muaj pasi kishim dalë në opozitë. Ne kemi treguar se forca jonë është e madhe kur goditëm bunkerin – simbolin e pushtetit. Dhe askush nuk duhet të ketë asnjë dyshim, se forca jonë është edhe më e madhe kur përballë ka pushtetin dhe jo thjesht simbolin. Është pjesë e një diskutimi dhe e një vendimmarrjeje të gjerë, është një kërkesë e shtuar që vjen jo vetëm nga demokratët, por nga shumica e shqiptarëve që sot janë të tradhtuar dhe të braktisur nga kjo qeveri.

Opozita kërkon largimin e Edi Ramës nga pushteti, por për hir të këtij qëllimi, a është e gatshme PD-ja të bëjë koalicion edhe me LSI-në e Ilir Metës?

PD-ja e ndërton aksionin e vet politik mbi kauzën e qytetarëve dhe jo mbi kalkulimin e pallatit. Ne ftojmë këdo që është në opozitë me këtë pushtet që të bashkohet me ne, dhe nuk mund të jemi në aleancë me pjesë të pushtetit. Ky pushtet nuk ka pjesë të mirë dhe pjesë të keqe. PD-ja ka vendosmërinë të përballet me të keqen, dhe për këtë do të ketë jo vetëm aleancën dhe mbështetjen, por edhe mirënjohjen e shqiptarëve.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY