RREFIMI/ Ai ndërroi jetë, unë kam vdekur!

RREFIMI/ Ai ndërroi jetë, unë kam vdekur!

130
0
Shares

Përshëndetje! Kam vendosur të ndaj me ju një histori sa të pazakontë, aq edhe të dhimbshme. Ajo çka të gjithë lakmojmë në jetë, është lumturia, ama ndodh edhe që atë të ta marrin nga duart ashtu siç padrejtësisht ma morën mua. Filli i kësaj historie është 10 vjet më parë dhe nuk e di në do mbarojë ndonjëherë pasi ndjesia që ka zgjuar tek unë më thotë të kundërtën, më thotë se do të zgjasë përgjithmonë. Isha rreth 17 vjeçe, ndiqja gjimnazin e qytetit tim, ashtu si shumica e moshatarëve të mi. Në fakt, kohërat kanë ndryshuar shumë, por adoleshentët e sotëm nuk arrijnë ta imagjinojnë me sa gjëra të vogla dhe detaje të holla kënaqeshim ne adoleshentët “démodé”. Në shkollë nuk dallohesha si një vajzë me popullaritet, kisha 4 shoqet e mia më të mira dhe ato më mjaftonin. Nuk kisha shoqëri shumë të zgjeruar, ndaj jo të gjithë më njihnin. Në vitin e fundit (viti i katërt), në klasë na erdhi një djalë i ri. Në momentin e parë që e pashë e ndjeva që kisha një tërheqje të pamohueshme ndaj tij. Nuk mund të afrohesha me të gjithsesi, isha shumë e turpshme për ta bërë diçka të tillë, ndërsa ai, me sa duket, ishte mësuar që njerëzit t’i afroheshin vetë… dukej shumë i përkëdhelur. Me çfarë kisha dëgjuar rreth e rrotull në klasë, mësova disa gjëra rreth tij. Babai i tij ishte deputet i zonës sonë, ndërsa mamaja, pedagoge në universitet. Që aty e mora inat, më dukej nga këta “djemtë e pispillosur” e të përkëdhelur të prindërve të pasur që shumicën e gjërave i sigurojnë në jetë pikërisht prej titujve. Dhe, në fakt, bënte veprime me të cilat më linte të kuptoja që ishte shumë i përkëdhelur. Tërheqja vazhdonte dhe ishte e padiskutueshme, por këto të fundit e kishin zbehur mendimin e mirë që kisha për të dhe fillova ta kisha edhe inat njëkohësisht. Meqë unë isha një ndër të urtat e klasës, shpesh kthehesha në “prenë” e ngacmimeve të tij. Por, ai nuk ishte asnjëherë i aftë ta kthente ironinë time dhe kjo e çmendte! E kush isha unë, në fund të fundit, që ta lija ashtu pa folur atë, të fortin, të pasurin, të preferuarin?! Me çdo përgjigje që kthente, ai vërtetonte më shumë teorinë time të fillimit, që ai ishte një kokëbosh i vërtetë, ashtu siç e kisha menduar në fillim. Përplasjet tona në klasë ishin të shpeshta, jo pak herë ziheshim dhe grindeshim për gjëra të vogla. Një ditë, kishim fizkulturë. Në orën e fizkulturës të gjithë nxënësit dalin jashtë klasës për nga palestrat ose në fushat e volejbollit e të basketbollit. Fusha e vajzave është përballë me atë të djemve, dhe ne gjithnjë shohim çdo lëvizje që ata bëjnë. Unë, gjatë kohës që ishim rreshtuar, po shihja rrjeshtin e djemve dhe vura re që mungonte Erindi. U bëra shumë kurioze dhe nuk e kuptoja nga më buronte ky kuriozitet, por nuk e lashë me aq. I thashë zyshës që kisha dhimbje koke e nuk mund të bëja fizkulturë dhe ajo më tha të futesha në klasë, të qetësohesha. Më erdhi keq që po gënjeja, ama nuk gjeta rrugë tjetër për ta shuar kuriozitetin. U mundova të shmangia shikimet kurioze të shoqeve të mia dhe u drejtova për nga shkolla, për të marrë vesh ku ishte Erindi. Kur u futa në klasë, u habita nga ajo që pashë. Ai, ishte aty. Qëndronte në mes të klasës, kishte në dorë një shishë nga ato të ilaçeve, por të mbushura me kokrra të tjera… ishin substanca të ndaluara. Duart i kishte të gjakosura dhe ishte i skuqur në fytyrë. Shtanga. Nuk dija si të veproja në ato momente dhe ngriva. Erindi më tha të dilja jashtë, të mos shihja asgjë dhe të mos i tregoja askujt për ato që kisha parë. Unë nuk u largova, sigurisht, madje u afrova më shumë dhe i ofrova ndihmën time, të cilën e pranoi…
Folëm për një kohë të gjatë. Ai më tregoi se ato kokrrat që po pinte ishhin thjesht antidepresantë dhe jo substanca të ndaluara, siç mendova në fillim. Më bëri shumë përshtypje që një djalë si ai, me gjithë të mirat, të pinte antidepresantë… Më vonë e mora vesh të vërtetën. Bëmë një bisedë të gjatë dhe ai më tregoi që prindërit e tij po divorcoheshin, i ati i ushtronte vazhdimisht presion që ai të pranonte të jetonte me të dhe jo me të ëmën. Kishte ditë që nuk rrinte në shtëpi, por te shtëpia e shokut të vet. Me sa dukej, kishte 1001 probleme dhe unë vetëm sa e kisha paragjykuar kot më kot… Që prej asaj dite, ne filluam të shoqëroheshim më shumë. Si dukej, unë e kuptoja më mirë. Atë çka pashë në klasë nuk ia tregova askujt, ishte sekreti im i parë me Erindin. Ne filluam të dilnim shpesh, ai merrte dy shokë të tij dhe unë bashkë me dy shoqet e mia më të mira. Mund të them se kemi kaluar një nga periudhat më të bukura në gjimnaz. Një ditë, kur kishim dalë, një shok i Erindit, Ani, pasi ishim prezantuar, më “rrëfeu” se i pëlqeja shumë. Ai i kishte thënë Erindit, por nga ky i fundit unë nuk kisha marrë vesh gjë… S’e kuptova pse, por gjithsesi… Propozimin e tij, sigurisht që e refuzova. Nuk mund të lidhesha me të pa e pëlqyer fare. Kur e pyeta Erindin, më tha diçka që vërtet nuk e prisja. Ai nuk më kishte treguar për pëlqimin e shokut të vet ndaj meje, pasi kohët e fundit kishte zbuluar se më dashuronte. Ç’mashtrime!
Pëlqimi im atë kohë për të vazhdonte dhe mua aq më duhej. Mora krahë, pa e ditur që thjesht isha gënjyer… U lidhëm, sigurisht që u lidhëm. Qëndruam bashkë për disa muaj dhe kohë më vonë, rastësisht, takova shokun e Erindit, Anin, që dikur më pëlqente. Ai nuk dinte asgjë për lidhjen tonë dhe kjo më habiti jashtë mase… Pas disa ditësh, ai më kishte gjetur numrin e telefonit dhe insistoi të më takonte… Habia ime vazhdonte, por isha vërtet kurioze të zbuloja çfarë donte të më thontë e kësisoj, e takova. Ai takim mund të them se e ndryshoi komplet rrjedhën e ngjarjeve. Shoku i tij më tregoi se Erindi kishte një lidhje tjetër, paralelisht me mua, që gjithçka më kishte treguar në fillim ishte një mashtrim, pasi ai kishte konsumuar më parë drogë! Nuk e di nëse u shkatërrova, por reagimi që kisha ishte aq i rëndë sa më ra të fikët. Ani lajmëroi Erindin dhe ai erdhi menjëherë aty ku ndodheshim ne. Në ato momente, kur pashë që ai më mbante në krahët e tij, kalova një moment histerie. Fillova ta shkelmoja me sa kisha fuqi, nuk e doja afër meje. Pasi u qetësova, aty, të tre siç ishim, filluam të ballafaqoheshim. Erindi nuk mohoi asgjë, gjithçka më tha Ani e pranoi. Më tha se në fillim e kishte nisur me tallje, pasi e bezdiste fakti që unë isha një ndër ato gocat që ai nuk mund të kishte dhe kjo e shtyu, por me kalimin e kohës ai kishte kuptuar që më dashuronte, edhe pse nuk mund ta pranonte. Nga e dashura e parë nuk mund të hiqte dorë pasi ajo ishte një nga gocat më me popullaritet në shkollë dhe i përshtatej tipit të tij asokohe… Asgjë nuk besova! E mblodha mendjen që nga ai djalë nuk kisha asgjë të mirë dhe vazhdova jetën time normalisht, edhe pse nuk mund ta harroja, pasi ai ishte dashuria ime e parë. Fola me motrën time më të madhe dhe më tha që ndoshta ai thoshte të vërtetën, por për mua asgjë nuk vlente më.
Motra ishte ajo që më prezantoi me shokun e të fejuarit të vet, i cili dihej çfarë kërkonte nga unë. Gjithçka ndodhi shumë shpejt; edhe ai donte të fejoheshim! Dilnim disa herë bashkë dhe shumë shpesh na ndodhnin surpriza të këndëshme. Nuk kishte njeri në qytet që të fliste keq për atë djalë dhe mua, pas eksperiencës që pata, po ta mendoje mirë, më duhej një djalë i tillë… Ama, nuk e dija nëse mund të fejohesha me të, kështu që për një moment mendova direkt jo, por pata një bisedë të gjatë me motrën dikur dhe ajo më këshilloi. Folëm gjatë atë natë dhe në fillim më tha të sigurohesha që nuk kisha më ndjenja për Erindin. Unë e mohova, pasi ende nuk e kisha harruar atë, por nuk doja t’i mohoja mundësinë të njiheshim më tepër Eljorit, djalit që më propozoi për fejesë. Ai ishte i mrekullueshëm në të gjithë aspektet dhe ndoshta më bënte që ta harroja Erindin. Ai më ofronte një mbrojtje të cilën nuk mund ta mohoja kurrsesi dhe kështu, vendosa…
Eljori erdhi bashkë me të atin në shtëpi për të takuar babain tim sepse kështu e donte “tradita” atëherë… Të gjithë e pëlqyen, madje mami im më tha se ishte i duhuri për mua. Pasi familjet “dhanë fjalën” për fejesë, ne vazhduam njohjen tonë… Fjalët kishin shkuar në vesh të Erindit i cili nuk e kishte pritur fare mirë. Këmbëngulte të më takonte, më ndiqte, bënte skena të ndryshme në rrugë të cilat më tmerronin, por edhe më pëlqenin… Më pëlqente të mendoja që ai nuk më kishte harruar. Me të dashurën tjetër ishte ndarë menjëherë pas asaj që ndodhi dhe të gjithë e kishin marrë vesh që isha unë vajza që ai donte. Një ditë, teksa dola nga shkolla, pashë që kishte shumë njerëz të mbledhur në oborr. Sa më panë mua, filluan të qeshnin dhe unë nuk kisha ç’të mendoja në ato momente. Teksa ecja, rrethi i njerëzve u hap dhe në mes tyre doli Erindi, me një tufë trëndafilash, një unazë në dorë dhe gjithçka tha ishte:
“Më fal, engjëll! Do martohesh me mua?!”…
Ngriva aty ku isha pa ditur çtë thoja.. doja kohë, doja kohë të mendohesha, por ato çka kishte bërë gjatë gjithë asaj periudhe më mjaftonin dhe ajo ishte çka më thoshte zemra! Kështu, i thashë po. Ajo ishte dita më e bukur e jetës sime. E dija që ne ishim bërë për njëri-tjetrin dhe pavarësisht gjithë pengesave që na dolën para, gjithçka i kaluam! Pas gjithë atyre, duhet t’i tregoja të vërteten familjes time, duhej t’u prezantoja Erindin dhe të hidhja poshtë “fjalën e dhënë” ndaj Eljorit dhe familjes së tij. Duhet të përballesha më një stuhi të vërtetë në shtëpi. Motra më ndihmoi disi dhe gjërat u rregulluan, për fatin tim të mirë…
Po përgatiteshim për dasmën. Edhe pse ishim shumë të vegjël, ne donim të jetonim bashkë. Një ditë, teksa rregulloja gjërat e mia bashkë më motrën, dëgjova në televizor lajmin për një aksident… Ishte thjesht një lajm, por s’e di pse zemra filloi të më rrihte shumë shpejt. Ktheva sytë nga televizori dhe kur pashë emrat e të aksidentuarve, sa s’më ra pika. Ndër ta ishte emri i zemrës sime! Aty më ra të fikët dhe nuk jam përmendur derisa shkova në spital. Nuk mund të besoja atë që kishte ndodhur! Sapo u përmenda, më çuan në dhomën e Erindit. Të gjithë ishin të prerë në fytyrë, ama mua nuk më tregonin asgjë, pasi e dinin që reagimi im mund të ishte fatal.
Ajo ishte dita më e zezë e jetës sime. Nuk e di se si mund t’jua përshkruaj, pasi nëse nuk e përjeton vetë, nuk mund ta dish. Të paktën pata mundësi t’i flisja për herë të fundit… Fjalët e tij të fundit më ngelën peshë në zemër e s’kanë për të ikur ndonjëherë që aty. Janë ngulur aty përjetësisht… Ai më tha: “Je gjëja më e bukur që më ka ndodhur në jetë…”.
Si mund të ma merrte Zoti ashtu, pikërisht atëhere kur ne do fillonim të formonim lumturinë tonë?! Atë dhimbje të papërshkrueshme ende nuk e kam kaluar dhe nuk besoj se do ta kaloj ndonjëherë. Pas vdekjes së Erindit, vazhdoj ta kem në zemër e në shpirt dhe nuk mund ta lëviz që aty. Thonë se jeta vazhdon, por unë e kam më shumë se të vështirë ta vazhdoj pa të… Bashkë me Erindin tim, vdiqa edhe unë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY