Deputeti Ben Blushi ka prezantuar sonte LIBRA-n dhe për herë të parë ka folur sot si një kryetar i një partie të re. Në prezantimin e partisë “Lista e Barabartë” Ben Blushi tha se beson se Shqipëria bëhet. Në fjalën e tij, deputeti Blushi foli për një ide që është partia e re, LIBRA.
Blushi u shpreh përpara anëtarëve të kësaj partie se LIBRA do të jetë busulla e shtresës se mesme, duke garantuar se nuk do të zhgënjehen që kanë zgjedhur “Listën e Barabartë”
Deputeti Blushi shpejgoi edhe simbolikën e ngjyrës së verdhë që ka LIBRA, si dhe të katrorit…
CFARE ESHTE LIBRA
Nga Ben Blushi
Mirëmbrëma të gjithëve,
Dua t’ju falënderoj që keni ardhur sonte duke ju thënë që në fillim se jam shumë i lumtur dhe po aq i motivuar që jam bashkë me kaq shumë miq të bindjeve të përbashkëta.
Para se të vija këtu sonte po mendoja se kush është vendimi më i rëndësishëm në jetën e një njeriu.
Për fat të mirë njeriu nuk e ka në dorë lindjen e vet dhe pothuajse asnjëherë nuk vendos dot për ikjen e vet.
Por gjatë jetës së tij, njeriu ka kohë dhe mundësi të bëjë shumë gjëra që mund t’ia bëjnë lindjen të dobishme dhe largimin më të ëmbël.
Kush është pra akti më i rëndësishëm i njeriut?
Unë besoj se sonte e di.
Akti më i rëndësishëm është kurajoja për të vendosur.
Njeriu ndryshon nga vendimet që merr. Duke vendosur ai ndryshon jetën e vet dhe jetën e njerëzve të tjerë. Njeriu ushqehet nga mendimet e veta dhe jeton nga vendimet që merr. Vendimet e rrisin dhe e bëjnë atë të dobishëm.
Njeriu është masa dhe cilësia e vendimeve të veta.
Çështja është se si ndahet një vendim i drejtë nga një vendim i padrejtë.
Unë mendoj se të guxosh është e drejtë, të kesh frikë është e padrejtë.
Të shpejtosh është e drejtë, të presësh është e padrejtë.
Të kesh shpresë është gjithmonë e drejtë, të humbësh besimin është gjithnjë e padrejtë.
Të përpiqesh është vetëm e drejtë, të pengosh është vetëm e padrejtë.
Të besosh është shumë e drejtë, të dyshosh është e domosdoshme. por përgjithësisht e padrejtë.
Kështu janë ndarë njerëzit në të gjitha kohërat.
Disa kanë luftuar, disa kanë pushuar.
Disa janë përpjekur për të tjerët, disa janë përndjekur nga të tjerët.
Disa kanë menduar, disa kanë ëndërruar.
Disa kanë besuar, disa vetëm kanë dyshuar.
Ne jemi këtu sonte për të besuar.
Por çfarë besojmë ne?
Ne besojmë se Shqipëria bëhet, duhet të bëhet dhe do të bëhet nga vetë shqiptarët.
Shqiptarët kanë detyrim ta bëjnë vendin e tyre, një vend të lirë,të barabartë,të jetueshëm dhe të denjë që jeton në harmoni dhe në paqe mes veti dhe popujt e tjerë.
Me këtë besim kemi ardhur sonte për të marrë një vendim të drejtë në dobi të Shqipërisë.
Ne kemi ardhur të bashkohemi rreth një ideje dhe jo pas një njeriu. Vendimet që lindin pas një ideje janë gjithnjë më të qëndrueshme dhe më të drejta se të gjitha vendimet që të cojnë në ndjekjen e një njeriu. Një njeri mund të largohet,mund te lodhet, mund të përkulet por një ide nuk ndalon edhe kur çalon dhe kurrë nuk harron.
Ne pra kemi një ide e cila na është kthyer në bindje, në frymëzim dhe në vullnet.
Kjo ide quhet LIBRA.
LIBRA do të jetë një organizatë politike e formuar nga shqiptarët dhe unë jam sot i lumtur që kam nderin të jem pjesë e saj duke qenë i bindur se asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në shoqërinë e kaq shumë LIBRAVE.
Faleminderit të gjithëve që keni vendosur të jeni LIBRA dhe mund t’ju siguroj se kurrë në jetën tuaj nuk do zhgënjeheni që vendosët të bëheni pjesë e saj.
Para se t’ju them dy fjalë në emër të gjithë atyre te cilët u binden ta marrin këtë vendim dua t’ju bëj disa pyetje të cilat në fakt më kanë sjellë deri këtu:
A besojmë ne se Shqipëria meriton të drejtohet kaq keq?
A meritojmë ne që vendi të prodhojë kaq shumë mjerim dhe varfëri pas 25 vitesh pluralizëm?
A meritojmë ne të jemi vendi me eksportin më të lartë të emigrantëve në Evropë?
A meritojmë ne të kemi shkollat më të dobëta dhe mësuesit më të parespektuar në Evropë?
A meritojmë ne të kemi shkallën më të lartë të sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja dhe paaftësia e shtetit?
A meritojmë ne të kemi administratën më të korruptuar dhe më të politizuar në Evropë?
A meritojmë ne këtë nivel pabarazie dhe padrejtësie e cila po e përqendron pasurinë në pak duar dhe po e shpërndan varfërinë sikur të ishte një virus kombëtar?
A meritojmë ne të drejtohemi nga të fortët,nga të paaftët,nga të padenjët dhe nga të padrejtët?
A meriton një vend i begatë dhe i pasur si Shqipëria të cilës nuk i mungon as dielli,as uji,as deti,as toka,as nëntoka,as qielli dhe as dituria, të kthehet në një parcelë kanabisi për të cenuar shëndetin dhe mendjen e vet bashkë me atë të popujve të tjerë?
A e meritojmë ne këtë shëmti që i ka kthyer pasuritë tona ujore,tokësore dhe nëntokësore në miniera ku shfrytëzohen skllavërisht me mijëra njerëz të cilët nuk kanë asnjë të drejtë të përfitojnë nga çfarë është dhe duhet të jetë e përbashkët?
A meritojmë ne të paguajmë kaq shtrenjtë çdo gjë që mund të jetë më e lirë?
A meritojmë ne të blejmë me shtrenjte ushqimet, ilaçet, librat, energjinë dhe ujin ne krahasim me popujt e tjerë?
A meritojmë ne tu trashëgojmë brezave të ardhshëm kaq shumë borxh dhe kaq shumë varfëri e cila nëse nuk ndalet do ta robëroje Shqipërinë për disa dekada të tjera derisa ajo të zbrazet nga shqiptarët?
A meritojmë ne të jemi kaq të varfër dhe kaq të pashpresë?
Unë them se jo.
Ne nuk meritojmë as varfërinë,as mjerimin,as zvetënimin, as ligësinë dhe as abuzimin.
Shqipëria nuk meriton të jetë ajo që është.
Pikërisht në këtë kontekst politik dhe shoqëror ne jemi mbledhur për ti dhënë vendit një shpresë më shumë. Ne na ka sjelle këtu dashuria për vendin si e vetmja mase që përcakton dobinë e njeriut në jetë.
Prandaj ju pyes të gjithëve. Çfarë e përcakton një vend të lirë?
Vetëm kurajoja e qytetarëve të vet të cilët nuk janë kurrë të lumtur nëse nuk janë të lirë,nuk janë kurrë te pasur nëse nuk janë te lirë,nuk janë kurrë të dobishëm nëse nuk janë të lirë dhe nuk përbëjnë kurrë një bashkësi nëse secili prej tyre nuk është i lirë.
Për këtë arsye kemi vendosur të krijojmë Listën e Barabartë,një bashkim njerëzish dhe idesh progresive te cilët kanë vendosur me vullnet dhe pasion të quhen LIBRA.
Ne duam ti dhurojmë Shqipërisë një LIBER dhe dhuratë më të bukur se libri njerëzimi nuk ka shpikur ende.
LIBRA do të jetë një LIBËR që do shkruhet nga njerëzit e lirë të këtij vendi të cilët besojnë vërtet se mund ta ndryshojnë faqen e jetës së tyre me pune,me besim dhe me drejtësi.
Dua tju them atëhëre se çfarë është LIBRA.
LIBRA do te thotë dije. LIBRA do të thotë liri. LIBRA do te thotë peshore,ekuilibër dhe drejtësi.
LIBRA është liria e të qenit i ditur dhe i drejtë.
Unë mendoj se mungesa e dijeve,kufizimi i lirisë dhe cenimi i vazhdueshëm i ekuilibrit social janë shkaktarë të mjerimit dhe pabarazisë së vendit.
Këto janë tre arsyet që më kanë nxitur të jem pjesë e këtij projekti:Dija,Liria dhe Ekuilibri dhe besoj se kurrë në jetën time nuk kam marrë një vendim më të drejtë të cilit do ti shkoj deri në fund bashkë me të gjithë ju.
Nisur pra,nga nevoja për dije,për liri dhe për barazi, LIBRA do të jetë streha e atyre që kanë më shumë nevoje të mbrohen nga shoqëria.
LIBRA do përfaqësojë të rinjtë,ata të cilët duhet të edukohen për ti shërbyer vendit dhe vetes së tyre,ata të cilët duhet ta drejtojnë anijen e përhumbur të Shqipërisë në ujëra të qeta dhe në brigjet e sigurta europiane.
LIBRA do jetë mjeti i atyre të cilët shoqëria nuk mund ti harrojë dhe nuk mund ti refuzojë për shkak se nuk kanë dhe për shkak se të vetmen trashëgimi te pakontestueshme kanë mjerimin e tyre. Këta janë të varfrit e Shqipërisë. LIBRA nuk do ti tradhtojë kurrë ata.
LIBRA do të jetë shpresa dhe busulla e shtresës së mesme, duke mbrojtur interesat e tyre dhe duke i ndihmuar të rrisin cilësinë e jetës duke investuar për shkollat, për shëndetin dhe për imagjinatën e sipërmarrjes së lirë e cila nxitet në kushtet kur njeriu beson tek shoqëria të cilës i përket.
LIBRA do jetë një mjet për ta zbutur polarizimin ekstrem dhe mizor të një shoqërie e cila nëse nuk mendon sot për të shpërndarë pasurinë nuk do ketë mundësi nesër për ta mundur varfërinë dhe injorancën që ushqen ajo.
LIBRA do jetë një arsye për të bindur që të qëndrojnë gjithë ata të rinj,burra dhe gra që sot duan të ikin nga Shqipëria për shkak të papunësisë,padrejtësisë kronike dhe pabarazisë torturuese.
LIBRA do jete një instrument për ti administruar shumë më mirë në dobi të interesit publik burimet tona natyrore. Ne nuk do jemi kurrë një vend i begatë që garanton paqe dhe dinjitet nëse lejojmë që thesaret e tokës dhe nëntokës sonë të shpërdorohen dhe të masakrohen siç ka ndodhur në kaq shume vjet.
LIBRA do jetë një mjet për ta mbrojtur Shqipërinë dhe natyrën e saj nga abuzimi,nga ndotja,nga shfrytëzimi pa kriter dhe nga importi i ndotjeve dhe mbetjeve të vendeve të tjera.
LIBRA ka vendosur dhe do qëndrojë deri ne fund si një bashkësi njerëzish te lire dhe prandaj do jete një Liste e Barabarte qe garanton lirinë e gjithsecilit pa e cenuar asnjëherë atë.
Por LIBRA nuk ka vetëm shije,nuk ka vetëm ide,nuk ka vetëm përmasë.
Si çdo krijesë e lindur nga drita, ajo ka edhe ngjyrën e saj.
LIBRA ka vendosur të ketë ngjyrën e Diellit.
Në simbolikën e ngjyrave, prej mijëra vitesh, e verdha përfaqëson mençurinë,optimizmin dhe intelektin.
LIBRA ka vendosur të jetë optimiste në një shoqëri pesimiste,e mençur ne një shoqëri ku marrewzia sponsorizohet nga shteti dhe inteligjente ne një vend ku analfabetizmi shitet si mall konsumi të përditshëm në tregun e partive të vjetra.
Por jo vetëm kaq.
LIBRA do jetë e verdhë me bindjen se e kuqja na robëroi për 50 vjet,bluja na varfëroi për 20 vjet dhe mavija na turpëroi për 3 vjet.
LIBRA do qëndrojë në qendër të gjithë këtij spektri ngjyrash të shpëlara dhe bindjesh të pluhurosura, duke vendosur zgjidhje të shpejta dhe inteligjente përpara doktrinave dhe ideologjive të ngurta.
LIBRA do të jetë çelësi dhe dera e lirisë. Asnjë nga partitë e vjetra sot nuk është e lirë,nuk është inteligjente dhe nuk është e drejtë.
LIBRA do konkurrojë me flamurin e lirisë së vet, me këmbënguljen e bindjeve të veta dhe me shpejtësinë e mendimit te vet.
LIBRA nuk paragjykon askënd dhe është e hapur për të gjithë si një katror i barabartë lirie që ka kufi vetëm ligjin dhe moralin.
Mund të jesh i dobët dhe je LIBRA
Mund të jesh i vogël dhe je LIBRA
Mund të jesh i mjerë dhe je LIBRA
Mund të jesh i papunë dhe je LIBRA
Mund të jesh i paditur dhe je LIBRA
Mund të jesh i paushqyer dhe je LIBRA
Mund të jesh i kamur dhe je LIBRA
Mund të jesh i vetmuar dhe je LIBRA
Mund të jesh i pashpresë dhe je LIBRA
Mund te jesh i pastrehë dhe je LIBRA
Duhet të jesh i ndershëm dhe je vetëm LIBRA
LIBRA mund të jetë kushdo,kurdo dhe kudo.
Duke ju falënderuar më lejoni t’ju ftoj të jeni të gjithë LIBRA.
Faleminderit dhe suksese LIBRES.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/