PD kallëzoi 2 vjet më parë Ardian Dvoranin: Qëndroi 12 vjet në...

PD kallëzoi 2 vjet më parë Ardian Dvoranin: Qëndroi 12 vjet në detyrë, pasoja antikushtetuese

91
0
Shares

Me sa duket Ardian Dvorani, kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk e ka padinë e parë penale në ngarkim të tij. Dje Presidenti i Republikës Ilir Meta tha se do të kallëzojë penalisht Dvoranin për shpërdorim detyre dhe përvetësim i titullit, apo detyrës shtetërore gjatë procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Por Dvorani është kallëzuar 2 vjet më parë në prokurori edhe nga Partia Demokratike. “BalkanWeb” sjell kallëzimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Edi Paloka, Kryetar i Grupit.

Në këtë padi, Dvorani akuzohet për “Kryerje të funksionit pas dhënies fund të tij”, të parashikuara nga neni 249 i Kodit Penal.

Siç thuhet në kallëzim, Dvorani, të cilit i mbaronte mandati në 17 shkurt të vitit 2014 si anëtar i Gjykatës së Lartë, duke shfrytëzuar një përcaktim të bërë në nenin 5 të ligjit organik të Gjykatës së Lartë, vijoi të qëndronte në detyrë përtej mandatit kushtetues.

“Konkretisht, me ligjin nr. 151/2013, datë 30.5.2013 ‘Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë’, i cili ka hyrë në fuqi më datë 1 Tetor 2013, pika 3 e nenit 5 u ndryshua si më poshtë vijon: ‘Gjyqtari, të cilit i ka përfunduar mandati apo i ka mbaruar mandati, sipas shkronjës ‘c’ të nenit 139 të Kushtetutës, vazhdon të ushtrojë detyrën deri në emërimin e gjyqtarit pasardhës’. Në këto kushte, gjyqtari Ardian Dvorani, ndryshe nga kolegë të tij, preferojë të zbatojë ligjin dhe jo Kushtetutën”, thuhet në kallëzimin e dy viteve më parë nga PD.

Pikërisht këtë pikë të ligjit, një grup deputetësh kërkuan të shpallej antikushtetuese dhë në 27 korrik 2016, Gjykata Kushtetutese vendosi njëzëri pranimin e kërkesës dhe shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të paragrafit 3 të nenit 5 të ligjit nr.8588.

“Që nga ky moment, edhe pretendimi se qëndrimi në detyrë i gjyqtarit Dvorani lejohej nga ligji, humbi efektin dhe për pasojë ai duhet të ishte larguar nga detyra. Mirëpo, edhe pse kanë kaluar më shumë se 3 vjet nga përfundimi i mandatit kushtetues, dhe rreth 1 vit nga hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari Dvorani vijon të ushtrojë detyrën si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. De facto një qëndrim i tillë, ka sjell pasojën antikushtetuese që për këtë anëtar të Gjykatës së Lartë, mandati kushtetues nga 9 vjet të shndërrohet në 12 vjet apo më shumë!!!

Sipas Kushtetutës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Për pasojë, shfuqizimi i pikës 3 të nenit 5 ka hyrë në fuqi që më 12 Gusht 2016, datë në të cilën qëndrimi i mëtejshëm në detyrë është tërësisht i pajustifikuar. Mirëpo, gjyqtari Dvorani pretendon se qëndron në detyrë si pasojë e përcaktimit të ri të bërë nga ndryshimet kushtetuese, në pikën 5 të nenit 136 të Kushtetutës. Në këtë rast, duhet të sjellim në vëmendjen tuaj se për shkak se ndryshimet e reja kushtetuese që hyn në fuqi më 11 Gusht 2016, parashikonin që gjyqtari i Gjykatës së lartë qëndron në detyrë deri në ardhjen e gjyqtarit pasardhës (parashikim që nuk bëhej nga Kushtetuta e vitit 1998), Qeveria bllokoi publikimin në kohë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e publikuar atë 2 ditë jashtë afatit ligjor (15 ditë nga shpallja) dhe vetëm pasi kishte hyrë në fuqi Kushtetuta e re (në 12 Gusht)”, thuhej në padinë e PD.

ipas asaj që kallëzonte PD, vijimi i ushtrimit të detyrës pas njohjes së rrethanës për shfuqizimin e parashikimit në ligj që mundësonte qëndrimin në detyrë, në përputhje me ligjin, por në kundërshtim me Kushtetutën, përbën rast të paprecedentë në historinë e Gjykatës së Lartë në Shqipëri.

Më tej PD shprehej në kallëzimin e saj se kjo gjë ka sjellë edhe bllokimin e emërimeve në Gjykatën e Lartë.

“Në praktikë ky rast ka sjellë një situatë sa antikushtetuese, aq edhe absurde. Duke qenë se Kushtetuta parashikonte një formulë të tillë emërimi që përfshinë dy organe (Presidentin e Republikës dhe Kuvendin e Shqipërisë), emërimet në Gjykatën e Lartë janë të bllokuara që nga data 1 Tetor 2013. Edhe pse Presidenti i Republikës ka emëruar deri më tani më shumë se 7 anëtarë të Gjykatës së Lartë (për 3 vende vakante), Kuvendi nuk ka dhënë pëlqimin për asnjërin prej tyre, edhe pse nuk ka ngritur asnjë pretendim për meritën e kandidatëve! Ne kemi të gjitha dyshimet e arsyeshme të bazuara në veprimtarinë parlamentare të Kuvendit, se refuzimi që ky organ i ka bërë 7 Dekreteve të Presidentit të Republikës, kanë si qëllim të vetëm zgjatjen antikushtetuese të mandatit të anëtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani. Pra, në vetvete, sjellja e gjyqtarit Dvorani, i cili vijon të ushtrojë detyrën pa mandat, ka krijuar edhe një situatë të paprecedent në Shqipëri (bllokimin për më shumë se 3 vjet të emërimeve në Gjykatën e Lartë), që cenon edhe dispozitat kushtetuese që rregullojnë procesin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë”, thuhet në padinë e siguruar nga “BalkanWeb”.

Për këtë arsye PD i kërkon prokurorisë “regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj personit të kallëzuar – shtetasit Ardian Dvorani, me detyrë gjyqtar i Gjykatës së Lartë, si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për sqarimin më të saktë e më të plotë  të rrethanave të parashtruara më sipër”./bw

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY